Ja Disa nder Ikonat e Personaliteteve te Skraparit nder vite **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Ja Disa nder Ikonat e Personaliteteve te Skraparit nder vite

Fatjon Kaloci
30.5.11
Personalite të Skraparit ndër vite. (ne imazh Xhevahir Spahiu)

 

Kahreman Ylli

Një ndër patriotët më të shquar të Skraparit ndër vite është Kahreman Ylli, emrin e të cilit mban edhe një djep arsimi 9-vjeçar në Çorovodë. Si një personalitet me rezonancë mbarëkombëtare, si një njeri me kulturë të madhe që dijet e veta i vuri në shërbim të vendit. Pasi përfundon studimet e larta në Francë ai kthehet në Shqipëri dhe menjëherë u lidh me Lëvizjen Naciolnal Çlirimtare duke përkrahur nocionn e drejtë të vullneteve përparimtare. Duke çmuar aftësitë e tij intelektuale, ai pati nderin që në vitin 1957 të ishte Rektori i Parë i Universitetit Shtetëror të Tiranës, një nga institucionet më kulmore të arsimit dhe kulturës sonë. Kahreman Ylli, mbajti edhe detyrën e lartë të Ministrit Të Arsimit dhe Kulturës dukë nxitur dijen dhe kulturën në çdo hap. Edhe pse në pozita të larta administrative, ai mbeti një skrapalli i thjeshtë i cili kurrë nuk rreshti të takohej me vendasit, me njerëzit e thjeshtë të Skraparit duke u perpjekur të zgjidhte hallet e përbashkëta të të qënit Skrapallinj. Në analet e historisë gjejmë se një ndër miqtë më të mirë të tij ishte Myqerem Fuga i cili edhe ai nga ana e vet përmes njohjes me Kahremanin nuk nguronte t’u thoshte Skrapallinjve që për çdo problem ta merrnin jo vetëm në zyrë por edhe në shtëpi ditë e natë si një obligim ndaj mikut Kahreman.

 

Xhevahir Spahiu.

Poeti ynë, poeti i fjalës dhe i gjuhës shqipe, Xhevahir Spahiu, u përzgjodh në 2008 anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. I lindur më 1 mars 1945, poezinë e parë të publikuar, me sa dimë deri tani, e ka shkruar në vitin 1965, pra, kur ishte rreth 20 vjeç. Në historinë e letërsisë shqiptare ai grupohet formalisht si “poet i viteve ‘70”. Gjenerata krijuese e këtyre viteve do të zhvillohej nën rrethana specifike, kryesisht jo favorizuese, rrethana këto që lidhen me faktorë letrarë, artistikë dhe ekstra letrarë. Ndër to mund të përmendim, si faktor ekstra letrar, por me ndikim të fortë, shpesh edhe vendimtar, për proceset krijuese artistike, faktorin politik, i cili në vitet ’70 ndërhyri brutalisht mbi artin (Plenumi i 4 i KQ të PPSH). Ndër faktorët letrarë mund të përmendim faktin që brezi i viteve ’70 hynte në garën krijuese dhe u zhvillua duke qenë nën hijen

dhe modelin e krijuesve të mëdhenj të brezit artistik të mëparshëm (i ashtuquajturi brezi i artë letrar i viteve ’60) si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi. Për më tepër, shumë shpejt kjo treshe u bë edhe pjesë e protokollit shtetëror artistik, natyrisht edhe pikë referimi e kritikës letrare të asaj kohe. Në këto rrethana, për të kapërcyer këtë kuotë artistike, aq më tepër edhe zyrtare, duhej talent, kurajë dhe rezistencë e jashtëzakonshme. Për më tej, edhe rënia e pengesës politike (rrëzimi i regjimit komunist, totalitar dhe bashkë me të kontrolli shtetëror, ideologjik mbi artin në vitin 1990) nuk mund, natyrisht, të ndryshonte automatikisht edhe hierarkinë artistike, tashmë në kushtet e lirisë së plotë politike dhe artistike. Përkundrazi, madje edhe në formë paradoksale, në epokën e re një numër poetësh dhe shkrimtarësh, të evidentuar dhe të shënuar si të tillë në vitet ’70 të shekullit të kaluar, jo vetëm nuk u përshtatën me klimën e re, por u tërhoqën dhe braktisën frontin artistik, duke iu dedikuar profesioneve dhe aksioneve më pragmatiste. Ndër të paktit, për të mos thënë i vetmi, “përjashtimisht poet”, siç do ta cilësonte kritiku dhe studiuesi Shaban Sinani, pra, ai që vazhdoi e diti të shtojë kreditet artistike qe pikërisht Xhevahir Spahiu. Ai jo vetëm mbijetoi me poezinë e tij të shkruar deri në vitet ’90, por, falë talentit dhe forcës së madhe krijuese, rigjeneroi mjetet dhe teknikën poetike, duke sjellë vlera të reja në poezinë shqiptare të periudhës postkomuniste. Nga yllësia poetike e viteve ’70, vetëm Xh. Spahiu vazhdon të jetojë dhe krijojë poezi të kohës, të ketë raporte aktive me poezinë dhe brezat e rinj të lexuesve. Nga ana tjetër, ndryshe nga sa ndodhi me krijues të tjerë si Agolli, Kadare, Arapi, etj. të cilët duket nuk iu mjaftonin mjetet poetike për t’u vetë-shprehur dhe u hodhën në prehrin e prozës apo edhe politikës, Xhevahir Spahiu mbeti besnik i poezisë dhe mjeteve poetike.

Asnjë gjini tjetër (ndoshta, përveç këngës) nuk e tundon Spahiun sa poezia. Xh. Spahiu edhe në biseda të zakonshme ligjëron si poet; ligjërimi i tij nuk mund të jetë veçse poetik. Me Xhevahir Spahiun si fenomen letrar mund të ilustrohet fare mirë teza se një krijues mund të ndjehet i realizuar edhe vetëm në një zhanër artistik.

Xhevahir Spahiu përbën fenomen edhe për faktin që është një krijues i pashkëputur (fakt ky që dëshmon për talent të vërtetë), pavarësisht nga moda, regjimi, ideologjia dhe klanet politike. Në të njëjtën kohë, Xhevahir Spahiu mund të shërbejë si etalon studimi për të parë edhe (mos)ndikimin e ndërsjelltë, raportin e politikës me artin, ashtu si edhe përbën një rast më tepër për të parë se sa e vrazhdë dhe kërcënuese është politika kur sfera e ndikimit të artistit tejkalon caqet që kërkon të paravendosë pushteti. Poezia e Xhevahir Spahiu është poezia e një shatërvani nën presion që shpërthen sa herë gjen mundësinë më të vogël për të dalë në sipërfaqe, në dritë të mbijetesës. Ashtu siç është tërheqëse, fushë manjetike poezia e tij, ashtu është edhe profili dhe vetë jeta krijuese e Xhevahir Spahiut. Xhevahir Spahiu është një krijues nga kontakti me të cilin nuk mund të heshtësh, lexues i zakonshëm qofsh apo dashamirës i poezisë. Xhevua është poet kur flet, kur bisedon, kur këndon e pi, kur shkruan, madje edhe kur lëviz apo thjesht hesht. Edhe detaje formale si vendlindja (Malind), datëlindja (1 mars), emri (Xhevahir), deri tek flokët apo pozicioni tipik i kokës së tij (si një luledielli) tek ai marrin vlerë simbolike poetike. Ai ka lindur poet; nuk është bërë poet. Në këtë logjikë, për kontributin e dhënë në lëvrimin e gjuhës dhe poezisë shqipe, në emancipimin e kulturës dhe mendimit, Xhevahir Spahiu kishte kohë që ishte bërë pjesë e akademisë shpirtërore shqiptare.

 

Iliaz Kapxhiu

Një peisazhist në mënyrën e të shprehurit, një mjeshtër në krijimin e frazës dhe fjalës, një njohës i gjuhës së popullit, kështu ishte i paharruari Iliaz Kapxhiu. I vlerësuar me medaljen dhe Urdhërin “Naim Frashëri” në fushën e krijimtarisë letraro-artistike, fitues i disa çmimeve letrare në Revistën “Hosteni”, “Drita”, “Rilindja e Kosovës”, në bibliotekat tona ai la dy pasuri më shumë; dy vëllime satirike nga Iliazi. I pari ishte ai i vitit 1982 me titullin “Firma e parë” ndërsa pesë vjet më vonë do të afirmohej me “Peshqesh i Hidhur” (1987). Në revistën Hosteni s’kishte numër gjë të mos ishte pseudonimi i tij “Lace Nardeni” ku çdo vit ishte i pranishëm i përhershëm në “Ditët e humorit dhe të satirës” që organizoheshin në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Në shtëpinë e tij kanë bujtur poetë si Dritëro Agolli, Ali Podrimja e Xhevahir Spahiu, shkrimtarë si Betim Muço, Ferhat Cakaj e Nasi Lera, kompozitorë si Limoz Dizdari artistët e popullit si Pandi Raidhi e Kadri Roshi duke shëtitur me Iliazin buzë Osumit të humorit të Çorovodës. Ai do të mbahet mënd për ne skrapallinjtë gjatë veçanërisht për faktin se në rrugët e Çorovodës e shihnim njëherë gjahtar e një herë futbollist, kjo pasi në rininë e tij ai ishte një nga futbollistët më të mirë të rrethit të Skraparit të “5 Shtatorit”. E ndonëse ia kishin tundur disa herë çelsat e burgut përpara hundës, Iliazi shpëtoi për mbrekulli falë opinionit dhe njerëzve që e donin, të cilët e çmonin ndershmërinë, zgjuarsinë e shpirtin e tij fisnik dhe atdhetar.