Çorovoda - 78 vjet çlirim - Sulo Gradeci Intervista: "20 vjec hyra ne Ceten Plake te Skraparit". (Pjesa e Trete) **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Çorovoda - 78 vjet çlirim - Sulo Gradeci Intervista: "20 vjec hyra ne Ceten Plake te Skraparit". (Pjesa e Trete)

Fatjon Kaloci
2.9.20
(pjesa e tretë)

Zoti Gradeci. Jemi te momenti që ju erdhët nga lufta. Menjëherë si erdhët keni shkuar në Shkollën e Bashkuar apo kursin e oficerëve ku tashmë dihet se fillimisht ato kurse u krijuan me partizanë të ardhur nga radhët e çetave partizane. Pyetja ime është se kush pikërisht ju caktoi apo ju komunikoi vazhdimin e Shkollës së Oficerëve?
Natyrisht më caktoi Komanda e Përgjithshme. Nga radhët partizane u mbushën rreshtat e shkollave ushtarake apo shkollat e tjera në vend. Po ashtu prej tyre dolën dhe kuadrot e parë që morën përgjegjësi të mëdha në ato ditë të vështira për shtetin. Pra, ishin ata djelmoshat e njomë që morën barrë dhe përgjegjësi të mëdha mbi supe për faktin se në atë kohë Shqipëria ishte e shkatërruar tërësisht dhe ishte kthyer prej luftës në një gërmadhë. Por përgjegjësia ishte e madhe për ta nxjerrë vendin tonë nga ai shkatërrim dhe popullin nga gjendja mesjetare që kishte trashëguar. Kështu, pikërisht në atë kohë, kur Brigada jonë e Shtatë u kthye nga luftimet në Mal të Zi e Vishegrad, unë u ktheva me gradën "Toger" të akorduar që në kongresin e Përmetit.
Çfar moshe kishit kur u kthyet nga luftimet në Jugosllavi?
Ju kam thënë se në luft fillimisht kam shkuar që në krijimin e "Çetës Plakë të Skraparit" në mars të vitit 1942. Atëhere isha plot 20 vjeç. Jua theksoj moshën këtu për faktin se në disa raste nga intervistat e tjera keni bërë një lapsus dhe ma keni shënuar 15 vjeç. Kështu po ju saktësoj akoma se kur erdha nga luftimet në Vishegrad, unë kam qenë saktësisht 23 vjeç.
Pas kësaj, juve u caktuat për në shkollën ushtarake?
Po. Pas kësaj mësova se isha caktuar për të ndjekur shkollën e oficerëve, e cila po hapej ato ditë dhe do të përgatiste kuadrot e para të ushtrisë. Kështu vijova Shkollën e Bashkuar. Por aty pata një problem pasi jeta ime që më kishte shpëtuar rastësisht nga breshëritë e gjermanit në beteja të panumërta, desh më iku gjatë kohës së studimeve.
Pse?
Pa mbaruar akoma vitin e parë, unë u sëmura rëndë. Plaga që kisha marrë te sqetulla mu infektua keq dhe u dërgova me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Situata shëndetësore u rëndua shumë aq sa unë po përjetoja momente kllapie si i thonë. Diskutohej për jetë a vdekje pasi temperatura i kaloi parametrat kritikë. Infeksioni ishte i rëndë. Pas një përkushtimi heroik të mjekëve, të cilët më bënë operacion dhe më pastruan infeksionin, fillova të jepja shenjat e jetës. Kjo situatë rigjenerimi deri në shërimin e plotë kërkoi kohë të gjatë. Pas kësaj, si dola nga spitali, shkova në fshat me leje. Më duhej të merrja veten.
Në çfarë viti jemi?
Po aty nga fund i '45-s them apo fillimi i '46-s ndoshta. Llogarite që u ktheva nga Jugosllavia dhe isha në fund të vitit të parë të Shkollës Ushtarake. Pra, gjysma e shkollës pasi ajo ishte 2-vjeçare atëherë.
Ju prisnin? Në fshat ishte bërë një kohë shumë e gjatë pa shkuar. Kisha qenë që para operacionit të dimrit kur isha në luftë prandaj edhe ata ishin shumë të malluar. Kishin marrë vesh ca shokë dhe kishin njoftuar të gjithë të më prisnin. Bëheshim shumë në atë kohë dhe kishim dashuri të madhe për njëri-tjetrin. Edhe sot e mbaj mend atë skenë kur kishin dalë të gjithë dhe po më takonin dhe më uronin që kisha dalë shëndoshë nga lufta. Se ata pak ishin në dijeni të asaj që më kishte ndodhur në spital, por për ta, nuk ishte e thjeshtë që të dilje i gjallë nga gjithë ajo luftë e tmerrshme të cilën e kishim kaluar vetëm duke u vënë gjoksin plumbave nëpër beteja të përgjakshme. Por ndërsa takohesha me shumë mall me bashkëfshatarët e mi të dashur, vura re se nga familja ime nuk kishte dalë kush për të më pritur. Mësova se nuk i kishin njoftuar shokët e mi me qëllim për tu bërë surprizë kur të shkoja te porta.
Pas kësaj shkove në shtëpi?
Pas kësaj, unë shkova në shtëpi siç po të tregoj. Por ç'të shikoja dhe ç'të dëgjoja. Bashkë me gëzimin që do të takoja prindërit e mi të shtrenjtë, mësova dhe lajmin e kobshëm. Më kishin vdekur dy vëllezërit e mi të dashur. Ndërkohë që kohë më parë siç jua kam treguar nga intervistat e kaluara, na kishte vdekur motra e vetme, Minja 7-vjeçare që e pickoi gjarpri teksa merrte kokrra rrushi te pirku ku ai ishte fshehur. Ndërsa tani mësova se më kishte vdekur nga tumori edhe Shefqeti, i cili ishte vetëm 16 vjeç, ndërkohë që pas operacionit të dimrit nga ato që përjetuan në fshat, Nexhati 15- vjeçar u sëmur nga bronkopneumonia dhe kështu nuk kishte mundur të mbijetonte. Kështu që në shtëpi, nga katër vëllezër dhe një motër që kishim qenë më parë, tashmë kisha mbetur vetëm unë me Ademin.
Zoti Gradeci. Kalojmë në kohën që ju mbaruat Shkollën e Bashkuar. Pra jemi në vitin '46. Ku shkuat menjëherë si mbaruat shkollën?
Ka qenë një Myftar Tarja, të cilin e kisha njohur prej kohësh dhe që kishte krijuar një përshtypje dhe vlerësim të veçantë për mua. Vdiq para pak ditësh këtu në Tiranë. Ai atëherë punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Myftari vendosi të më dërgonte në një nga këto vendet që kishte shumë shqiptarë. Dhe vendi që përzgjodhi ishte Bukureshti, ku ishin jo më pak se 12 mijë shqiptarë. Në këtë mënyrë, Ministria e Brendshme atëherë dërgoi nga një njeri në të gjitha vendet ku kishte shqiptarë. Kjo bëhej për të marrë kontakte me këta emigrantë dhe të mbante lidhje me gjithë situatën atje.
Pra kjo ishte në stadin e sigurimit të shtetit?
Tamam ashtu. Formalisht u emërova sekretar i ambasadës sonë në Rumani. Bëra fillimisht një kurs 3-4 muaj për gjuhën për të mundësuar sadopak komunikimin me Rumunët. Këtu ju bëj me dije se pavarësisht se unë zyrtarisht u emërova zyrtar i ambasadës sonë në Bukuresht, sërish dalja jashtë kufirit dhe mbërritja aty nuk u bë si e tillë, por shumë e maskuar. Aty pashë se punët e zbulimit kishin specifika tepër të sofistikuara. Për shkuarjen time aty, u shfrytëzua ekipi i Boksit që kishte një ndeshje në Rumani. Kështu, unë shkova si gazetar që do të ndiqja veprimtarinë e tij. Rruga kalonte prej Beogradit ku ndenja afërsisht nja dhjetë ditë para se të vijoja për në Bukuresht. Ajo ishte në të vërtetë një rrugë e bukur, pasi në Beograd u takova dhe me Jaho Gjolikun, i cili ishte me të shoqen,/// Havan. Kishin shkuar për tu vizituar. Që prej Jugosllavisë përfundova në Rumani ku fillova menjëherë detyrën për të cilën isha ngarkuar.
Konkretisht?
Evidentoja gjithë emigracionin shqiptar që banonte aty. Përcaktoja më të spikaturit, ndërkohë që mësoja për aktivitetin e tyre. Kryesisht duhej të isha në kontakt edhe me personat që kërkonin riatdhesim. Aty ishte komisioni aleat. Ishin Anglezët, Jugosllavët, Rusët madje edhe Francezët erdhën aty. Kemi parasysh se atëherë në Rumani ishte në fuqi mbreti. Ishte në fuqi mbreti Mani.
Sa ndenjët?
Aty ndenja gjashtë muaj. Ku nuk shkova dhe ku nuk shkela. Kudo ku kishte shqiptarë dhe kudo ku kishte vende historike që lidheshin me Shqipërinë. Madje kam shkuar edhe në vendin ku kishte banuar Riza Cerova. Por ç'e do, në Rumani shkova me mendimin që të punoja gjatë por…, ndenja shumë pak. Më erdhi keq se aty ngrita me shumë mundim një punë që vlente të përgëzohej. Por…, ( ngre zërin i revoltuar) ashtu ishin punët dhe ashtu ishin ngatërruar agjenturat që kishin ndikim në shumë drejtime të jetës dhe sektorëve të rëndësishëm.
Pse ikët pas gjashtë muajsh?
Këtu ka lidhje agjentura, ndaj të fola i revoltuar, pasi edhe unë e pata një ngjarje jo të këndshme me UDB-në. Pasojat që mu krijuan mund të përfundonin me incident të rëndë karshi meje. Kjo për faktin se unë sipas detyrës duhej të komunikoja me këshilltarin e Ambasadës Jugosllave. Ai që duhej të komunikoja unë ishte një burrë i gjatë, i shëndoshë dhe tip i qetë, por kisha mësuar që ishte goxha i sëmurë. Kuptohet, ai ishte i shërbimeve sekrete jugosllave, por që ne nuk mund të komunikonim dot me Tiranën në atë kohë, por vetëm nëpërmjet këtyre lloj ndërlidhëseve. Materialet duhet t'ua jepnim atyre që ti përcillnin nëpërmjet Beogradit me Tiranën. Pra shkurt muhabeti, unë me Tiranën duhej ti mbaja lidhjet nëpërmjet këtij përfaqësuesi të Ambasadës Jugosllave, i cili sigurisht ishte i shërbimit sekret. Kështu, materialet sekrete që unë përgatisja ia jepja për ti nisur në zyrën e Myftar Tares në Tiranë.
Dhe pati problem?
Problem e çfarë problem saqë pritej që të përfundonte shumë keq situata e krijuar. Unë i dhashë jugosllavit letrën e parë për ta nisur në Tiranë. Në intervalin tjetër pas 20 apo një muaji i dhashë të dytën e më mbrapa i bindur se nëpërmjet Beogradit ato përfundonin në Ministrinë e brendshme i dhashë të tretën. Pra, flasim që kishte kaluar tre muaj të paktën nga dita që i dhashë të parën.
S'kishin shkuar sipas skenarit?
Jo që s'kishte shkuar asnjë letër, por në Tiranë kishte një shqetësim irritues për personin tim. Kur kishte kaluar goxha kohë, por dhe në Tiranë nuk vinte gjë, më merr në telefon Myftari dhe më thotë:
- Ku je që s'po bëhesh i gjallë.
- Ja, po punoj - i them pa kuptuar se ku ishte fjala, ndërkohë që ai nuk më sqaronte dot për efekt sigurie.
Myftari me të vetën mendoi se e kuptova që më kishte dhënë sinjal për të dërguar letrat, por unë që me mendjen time dija se ai i kishte marrë, nuk mund të kuptoja ku ishte fjala. Kështu që pas telefonit sigurisht vijova procesin normal për të cilën isha dërguar. Edhe pas kësaj, unë vazhdoja sërish ti jepja letrat atij këshilltarit jugosllav dhe përsëri nuk po vinte gjë në Tiranë. Kështu që normal do të kishte reagim, madje të fortë.
Kur e mësuat se s'po vinte asgjë në Tiranë?
Kjo ndodhi kur pasi kaloi dhe ndonjë muaj nga takimi i parë dhe më merr sërish në telefon Myftar Tarja. Ai më thotë copë:
Ore por është bërë problem i madh- më thotë -
nuk ka ardhur as një informacion deri tani.
Si kështu - i them i tronditur nga kjo që dëgjoja - unë po punoj me rigorozitet për të zbatuar me saktësi detyrën që më keni ngarkuar, por lëre se do ta zgjidh shpejt. Fjalët e fundit ia thashë për ti prerë muhabetin për efekt sekreti dhe për ti treguar se kuptova gjithçka dhe se do të merrja masa të menjëhershme se ku kishte çaluar puna.
Si do ta rregulloje?
Nuk donte shumë mend të kuptohej se njeriu i shërbimeve sekrete të legatës jugosllave nuk i kishte dërguar letrat në Shqipëri, kështu që kisha ku të kërkoja prandaj tepër i revoltuar vendosa ta zgjidhja këtë çështje me patjetër. Mora një djalë që e përdornim si përkthyes dhe shkova drejt e në zyrën e tij.
Kë përdornit si përkthyes?
Përkthyesi ishte një djalë që ishte student aty. Ishte nga bregdeti, por që tashmë nuk ja mbaj mend emrin. Binte qartë në sy se ai ishte i jugosllavëve, pra i UDB-së.
Dhe shkuat te këshilltari jugosllav?
Patjetër. Shkova menjëherë te përfaqësuesi i Ambasadës Jugosllave që të shpjegova, për ti kërkuar llogari madje me tonalitet të lartë dhe iritim maksimal, se çfarë ishte bërë me materialet e mia që sipas porosive ja kisha dhënë për ti kaluar në Tiranë nëpërmjet Beogradit. Këtu kishte një moment tepër të çuditshëm. Ndërkohë që unë i flisja këshilltarit jugosllav në lidhje me problemin ekstrem që kishte ngritur Tirana dhe i kërkoja llogari se ku i kishte çuar zarfet që i kisha dorëzuar unë, ky përkthyesi, thoshte tjetër për tjetër. Pra, unë thoja tjetër dhe ai i thoshte tjetër dhe kështu nuk merrej vesh shumë.
Pse e bënte këtë gjë?
Po ju thashë se ishte i UDB-së. Student në Jugosllavi.
Ndoshta nuk donte ta linte ta mësonte fare këshilltari jugosllav, faktin që tashmë unë isha i informuar nga çfarë kishte ndodhur. Pra, që të mos shqetësohej fare jugosllavi i UDB-së. Prandaj edhe ai kur unë i kërkoja llogari për tjetër gjë dhe i thuhej tjetër gjë, çuditej se ku e kishte bazën irritimi im. Por më mbrapa u bë koshient për atë çfarë kërkoja.
Si ndodhi që e mësoi arsyen e irritimit tuaj, kur nuk i përkthehej me qëllim?
Unë që kisha shkuar shumë i karikuar sepse problemi nuk ishte aq i thjeshtë sa mund ta minimizonte një agjent apo dhe një oficer i shërbimit të fshehtë, nuk mund të mjaftohesha me marrjen vesh apo jo, por me gjetjen me çdo kusht të materialeve. Kështu që në atë tension dhe vrull që kisha, mora karrigen që ishte në zyrë dhe e ngrita me sa forcë që kisha për ta goditur.
Doja ta godisja me sa fuqi që kisha dhe nuk mendoja fare edhe sikur ta lija të vdekur në tokë. Me fuqinë dhe zemërimin që kisha mund të ndodhte kur të doje hataja. Nuk ishte e thjeshtë për mua që më njoftonin nga Tirana dhe po më thoshin se nuk isha bërë i gjallë fare, ndërkohë që materialet i kishte bllokuar pikërisht ai njeri trupmbushur dhe i ngadaltë që për fat të tij të keq siç ju thashë ishte dhe i sëmurë.
Çfarë i kërkonit konkretisht që morët karrigen?
I kërkova me patjetër materialet që i kisha dorëzuar. Dhe në rast se nuk do të mi jepte, keq do të kishte shkuar puna dhe nuk doja të dija as për ligje dhe as për jetën time dhe për çfarëdo problemi që do të më dilte. E pashë që kisha përballë një njeri që mendova se ishte armiku im, pavarësisht se shteti im e kishte armik të pashpallur.
Dhe si vajti?
Ai menjëherë kur pa situatën e pashmangshme, dhe irritimin tim të jashtëzakonshëm, u detyrua të shkonte në kasafortë dhe i nxori të gjitha zarfet e mi me materiale që ishin dhënë për gjashtë muaj. Në atë çast pash që ai i kishte ruajtur në kasafortën e zyrës.
Po ja - më tha- nuk i kemi nisur se kështu e ashtu na janë paraqitur punët. Kuptohej që përdorte broçkulla për justifikime.
Unë ia ktheva duke sokëllitur aty në zyrën e tij duke i thënë:
Unë s'jam ilegal, por përfaqësues i rregullt i shtetit tim. Mos ke të bësh me dikë që gjen ti në rrugë?
Po pse i mbante në kasafortë ato formacione mendoni ju?
Po ato ishin informacione shumë të rëndësishme që ata i mbanin për ti përdorur për vete. Pra zbulimi i tyre ishte në dijeni të të gjithë situatës që kontrolloja unë dhe këtë informacion e përdornin për qëllimet e tyre shtetërore. Megjithatë, unë sa i mora zarfet në dorë, kam dalë jashtë me një nervozitet të papërballueshëm dhe pa i thënë kujt, kam marrë rrugën drejt Tiranës.
Pa njoftuar as Tiranën që po niseshit?
Pa njoftuar as Tiranën që duhej detyrimisht të merrja leje nëse do të kthehesha në atdhe. Por puna kishte shkuar ku s'mbante më. Nuk doja të dija për leje dhe rregulla. Duhej sqaruar situata dhe kjo do të mund të bëhej vetëm duke çuar dorazi zarfet që ia kisha dhënë njeriut të UDB-së. Kështu pa hezituar fare, ja hipa avionit dhe përfundova në Beograd. Prej andej në Tiranë.
Kur shkoj në Ministri mësoj se Myftar Tarja ishte nisur për në Kolonjë. Nuk prisja dot më. Menjëherë kam marrë një makinë dhe e kam arritur në Qaf-Kërrabë.
Pse do takonit me kaq ngut Myftarin kur ai mund të kthehej prapë?
Po veç sa të thashë për zarfet, këtej ndërkaq kishin dalë edhe probleme të tjera pasi ishin njoftuar zyrtarisht për incidentin e pashembullt diplomatik që kisha shkaktuar unë. Në këtë rast duhej se kur të interpretohej dhe të studiohej rasti nuk do të fliste kush për të vërtetën që unë kisha pasur të drejtën time dhe se gjithçka e kisha bërë në emër të shtetit tim, por me mentalitetin dhe me frymën e kohës. Do të thuhej se ishte krijuar një situatë e dënueshme me diplomatin jugosllav, të cilët i mbanim për miq. Ke parasysh këtu se ishte koha e Koçi Xoxes. Pra veç problemit tjetër që kisha me Tiranën, që kisha ikur gjashtë muaj dhe këtu s'u kishte ardhur asnjë raport, pasi tashmë unë ato i kisha në xhep, ishte shtuar dhe rasti i incidentit. Prandaj që sa erdha u nisa për të arritur sa më parë për të takuar Myftarin dhe për të bërë sqarimet paraprake. Nuk mund të prisja dot kthimin e tij.
E arritët?
Ju thashë që e arrita rrugës për në Kolonjë.
Po çfarë ke bërë kështu. Nga dole dhe kush të ka dhënë leje të ktheheshe - mu drejtua me indinjatë sa më takoi. Çfarë kam bërë - i thashë- ç'më bëre ti, jo unë se më keni akuzuar se ju mungojnë informacionet e mia nga Bukureshti apo jo.
Ore por lëre atë se nuk është më parësor ai problem, por ata kanë njoftuar problem tjetër. Është njoftuar vetë shoku Nesti Kerenxhi madje dhe vetë shoku Koçi Xoxe dhe është bërë problem i madh shtetëror.
Ore- vijova unë - le të jetë çfarë të dojë ai që po më thua se nuk dua të di shumë, pasi kam qenë në rregull me udhëzimet dhe detyrimet e mia si zyrtar i rregullt i shtetit tim, por po të pyes unë ty. A i ke marrë ti dokumentet? Hajde shikoji. Urdhëro ja ku janë edhe me shkrim dore edhe të daktilografuara. Ja dhe zarfet ku unë i kam paketuar. Ja datat kur i kam dorëzuar. Janë tamam në intervale shumë të rregullta kohe dhe janë ndërkohë materiale me një peshë informative të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Ishin këto detyra të ngarkuara nga juve dhe të kryera nga unë me kaq korrektesë dhe që keni akuzuar se nuk kam bërë detyrën madje keni qenë në irritim të madh.
Çfarë të tha?
Po çfarë do të thoshte kur pa zarfet e rregullt që ishin pesë a gjashtë të tillë, për gjashtë muajt që isha larguar. I mori dhe i pa me habi dhe disi i sqaruar për problemin e parë, por që gjithsesi duhej të zgjidhej incidenti diplomatik që ishte bërë problem i madh shtetëror, prandaj mu drejtua:
Ore mirë këto se i mora vesh, por ke problemin tjetër shumë të madh që ka alarmuar autoritetet e larta të shtetit prandaj hajde të shkojmë te Vask Koleci. Vaska ishte zv.ministër.
Shkuat?
Patjetër. Faktikisht unë e njihja mirë që nga koha e luftës. E kisha pasur shok dhe kisha dhe fotografi me të. Njihesha që nga Kongresi i Përmetit, por nuk vlenin të gjitha këto para problemit të madh që më ishte hapur.
Do të ikësh nga Bukureshti- tha Vaska- do të kthehesh me urgjencë në Shqipëri. Të ka dalë urdhri. Sido që të jetë puna dhe sa do të justifikohesh ne nuk kemi se ç'farë të të bëjmë.
©Corovoda On Line / balkanweb/Fatos Veliu Imazhi Corovoda On Line