Çorovoda - 78 vjet çlirim - Xhelal Staravecka mbi Clirimin e Skraparit (Pjesa e Dyte) Clirimi i Corovodes ne 9 Shtator 1942 **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Çorovoda - 78 vjet çlirim - Xhelal Staravecka mbi Clirimin e Skraparit (Pjesa e Dyte) Clirimi i Corovodes ne 9 Shtator 1942

Fatjon Kaloci
2.9.20
Me rastin e 78 viteve të çlirimit të Skraparit Corovoda Online ripublikon pjesë nga libri me kujtime i Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”: Në fund të çdo postimi mund të ndiqni lidhjen që ju çon në pjesën vijuese.  ©Naim Zoto me të drejta publikimi për Corovoda Online
ÇLIRIMI I ÇOROVODËS
Në orën 15 të 9 shtatorit 1942, atëherë kur nazifashizmi luftonte me sukses prej El-Alamein-it deri në Stalingrad, ne hymë në Çorovodë pa luftë, pasi okupatori nuk ishte në gjendje të mbronte atë qendër. Po në atë ditë ne, qoftë edhe simbolikisht, vetëm për 36 orë, çliruam për të parën herë një qendër nënprefekture shqiptare në tokën tonë.
Çfarë entuziazmi! Një jehonë dukej sikur mbushte qiellin dhe dheun, duke na përkëdhelur me një sihariq që mbante fshehur. Se një muaj e pak ditë më vonë do të merrnim emrin lavdiplotë: “partizanët e Nacional Çlirimtares glorioze”, natyrisht pas përfundimit të kongresit të Pezës në dyjavëshin e fundit të muajit tetor 1942 në Pezë.
E çliruam Çorovodën e, megjithëse isha i ndërgjegjshëm se ç’reaksion nga ana e okupatorit do të pësonim, kurrë nuk më kishte shkuar nëpër mend ajo që ngjau. Afër mëngjesit të ditës 10 shtator një luftëtar erdhi në shtëpinë e Bektash Mollasit, ku ne kishim ngrënë darkën në fillim. Kur më zgjuan, lajmëtari më dha një copë letër me këto fraza: “Një regjiment italian i nisur nga Berati po marshon drejt Skraparit në Çorovodë dhe fuqi te tjera mercenare të nisura nga Elbasani ecin, gjithashtu, drejt Çorovodës”.
Posa mësuam situatën në të cilën ndodheshim, vendimi për veprim nuk ishte i komplikuar. Mbi të gjitha duhej të linim Çorovodën për të mos mbetur në atë kurth në mes të dy zjarreve, pasi dalja nga ajo grykë përroi ishte gati e pamundur. Po të ziheshin kodrat rreth e përqark që e dominonin do të duhej të ecnim me ngut për të përballuar fuqinë e Elbasanit më parë se ajo të hynte në Kulmak, pasi qëndresa jonë në malet e Dobrushës, Vërzhezhës, Mollasit, Radëshit dhe Gradecit nga njëra anë dhe të Mëlovës, Zaloshnjës dhe Leshnjes nga ana tjetër rrezikohej një qind për qind. Në mbrëmje arritëm në pozitat që shënuam këtu lart, ndërkohë që i kishim shpartalluar të gjithë repartet që kishin çuar kundra nesh.
Të nesërmen mora disa shokë dhe u nisa në drejtim të Teqesë së Kulmakut për t’u ndeshur me mercenarët e Elbasanit. Rreth drekës, kolona e Elbasanit kishte kaluar lumin që përshkon Tomoricën, duke u ngjitur në drejtim të Qafës së Kulmakut. Me pushkët e para, mercenarët e Shefqet Vërlacit lanë edhe ca kuaj që kishin ngarkuar me ushqime dhe municione dhe, nga vrapi që morën, e kthyen kokën prapa vetëm pasi arritën në lartësinë e katundit të profesor Abazit, Ermenj...
Pas shkatërrimit të fuqisë të Elbasanit, repartin që ishte me mua e dërgova në qendër dhe vetë me një djalë nga Toshkësi që më erdhi pas qysh ditën e arratisjes sime, iu drejtova Teqesë së Kulmakut, për t’u parë me personelin e asaj teqeje, mbasi kisha ndër mend t’u lija porosinë që të përdornin disa shenja për të na informuar mbi afrimin e ndonjë fuqie të mundshme nga Elbasani.
Shkurt, kur u ktheva në qendrën që kishim bërë provizorisht në Malin e Dobrushës dhe të Vërzhezhës, gjeta Mestanin me Gjin Markun, çdonjëri me nga dy tre persona që po rrinin mbi gjemba, natyrisht prisnin me padurim errjen e mbrëmjes. Kur i pyeta se ku ishin shokët e luftës, më thanë t’i hidhja sytë në një sheshore mbi Vërzhezhë, ku dy tre orë më parë ishte fushuar një regjiment italian. E, pastaj, më thanë se shokët kishin preferuar të shkonte secili në shtëpinë e tyre për të qenë afër familjes në atë çast shumë të rrezikshëm. Mirëpo kjo bisedë nuk i përshtatej aspak të vërtetës pse kishin qenë ata vetë që i kishin nxitur luftëtarët e Skraparit të largoheshin nga fronti i luftës, pa i provuar armët e skraparasve çunat e Duçe trimit. Nga kjo situatë u dëshpërova aq sa nuk kisha koshiencë të gjykoja me arsye e nuk mjafton kjo, por Mestani me Gjinin më futën edhe një thikë tjetër: më thanë, natyrisht të tmerruar nga paniku, se pas pak minutash do të largoheshin edhe ata nga Skrapari!
Kur u nisën në drejtimin që kishin sajuar, në Myzeqe dhe Mallakastër për të ngrënë kokoshka deti, ashtu si hëngrën krejt atë dimër, aty me mua mbetën dy persona nga Skrapari dhe ai i Toshkësit që fola këtu më lart. Në të vërtetë ishim katër, mirëpo kur i numëroja më dilnin pesë pse e filloja numërimin tek unë dhe e mbaroja përsëri tek unë, aq isha turbulluar nga ajo situatë e tmerrshme që krijoi Mestani me Gjinin duke lënë Skraparin pa asnjë mbrojtje.
Mendoni pak se në ç’gjendje të tmerrshme ndodhesha në ato çaste kritike. Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku, pasi shpërndanë gjithë ata burra që na erdhën pas, duke mos kursyer as veten në luftën që ne i hapëm okupatorit, mbushën këmbët dhe ikën poshtë Myzeqesë pikërisht në ato çaste që prezenca jonë ishte më shumë se kurrë e nevojshme të ndodheshim në mes të atij populli që e hodhëm në luftë e që e priste një operacion i tmerrshëm. Nëse furia e okupatorit nuk u shkarkua në atë rast mbi popullin e Skraparit i atribuohet aksioni tim më se të rrezikshëm, natyrisht nga dëshpërimi si do të flas këtu më poshtë.
Përpara asaj gjendjeje që më krijuan Gjin Marku dhe Mestan Ujaniku ç’mund të bëja?
Çudi! Sa herë që kam dashur në jetën time t’i zgjidhja problemet me urtësi dhe më filozofi, asnjëherë nuk kam mundur ta arrij qëllimin dhe sa herë që kam përdorur dhunën si mjet për të zgjidhur çështjen e rastit jo vetëm politike, por edhe personale, ndërmarrjet nuk më kanë dështuar asnjëherë deri më sot. Jo, mos kujtoni se më lindi etja t’i vrisja ata të dy, pse ajo ishte një masë që shpinte ujin në mullirin e okupatorit, prandaj nuk kisha dëshirë ta bëja një vepër të tillë, por të vija dhunën në përdorim për të zgjidhur, në mos krejt, një pjesë të atij problemi. Dhe e arrita qëllimin.
Ashtu i dëshpëruar kërkoja në mendjen time një rrugëdalje nga gjendja që më krijoi komunisti fals Gjin Marku dhe firari Mestan Ujaniku. Është e kotë të them se nervoziteti kishte prekur kulmin dhe, veç kësaj, kisha humbur edhe kutinë e shkrepëseve për të ndezur një cigare që më vonë më duket e përtypa dhe e kapërceva pa vetëdije, pasi të tjerët nuk pinin duhan që të kishin shkrepëse apo masat për eshkë.
Sado që ishte muaji shtator, nata kishte rënë pasi ora ishte dhjetë e ca minuta dhe unë u çova dhe i ftova ata të tre nëse donin të vinin me mua pasi e kisha marrë vendimin se çdo të bëja, porse nuk ua thashë atyre, jo për të mbajtur gjë fshehur, por nga turbullimi që më ishte shkaktuar nga gjendja në të cilën ndodhesha. Nga vendi ku ishim, si thashë më lart, e deri në vendin ku pushonte fuqia armike, distanca nuk i kalonte të 40 minutat. Duke ecur në drejtim të fuqisë armike më ra ndërmend se ata që vinin pas meje besonin se po shkoja të dorëzohesha, prandaj u ndala dhe u tregova qëllimin se kisha vendosur të hyja në fushimin ku ndodhej regjimenti italian dhe atje do të qëlloja me bomba dore. Kur e pashë se vendimi im nuk i entuziazmoi, u detyrova t’i lija në një kodër, duke i porositur që të më prisnin derisa të kthehesha nga ai aksion.
Vetë kisha tre bomba e meqenëse ata nuk erdhën, u mora nga një bombë edhe atyre dhe bëra gjashtë bomba. Kur iu avita armikut që flinte nuk isha shumë metra larg periferisë së fushimit të tij: u hoqa gjuhëzat bombave dhe e meqenëse qysh i vogël kam konkurruar me shokët se kush e hidhte gurin me shumë, dua të them më larg dhe kam qenë një hedhës guri mjaft i mirë, mbasi ishte një nga ushtrimet që më pëlqente më tepër, fillova t’i hidhja ato bomba mu në mes të ushtrisë. Mbas plasjes së bombave të mia, jo unë, por edhe kushdo tjetër të kishte qenë, nuk do të ishte larguar për të parë atë skenë të çuditshme që u krijua atë natë mbi Vërzhezhë në regjimentin italian.
Italianët, të tmerruar nga plasja e bombave, u çuan dhe filluan të hidhnin bombat e veta në çdo drejtim, porse në mes tyre, duke vrapuar kush më shpejt në drejtim të Çorovodës. Shumica e tyre la fushimin me armë e me gjithë ç’kishin. Ata u masakruan mes vetes dhe ai aksion bëri një punë shumë të madhe, pse ia hoqi oreksin okupatorit të ngjitej në malet e Skraparit për të bërë një operacion punitiv në ato katunde që ndodheshin në male, megjithëse në majat e tyre nuk kishte më luftëtarë që të prisnin armikun me armë kur të aventurohesh në ato lartësi.
Mbas atij aksioni gjeta vetëm djalin nga Toshkësi, pasi dy të tjerët ishin larguar në drejtimet e veta.
Mbas atij aksioni, bashkë me atë shokun, iu drejtova Skraparit të Sipërm, ku ndodhet edhe katundi Staraveckë, në të cilin kam lindur në Marsin e 1912-ës. Atë natë, në udhëtim e sipër, m’u mbush mendja se më duhej të formoja një çetë, porse një çetë të atillë ku çdo partizan të ishte si unë: i tepërm në shtëpi dhe në botë, me një fjalë, i dedikuar në luftën kundër okupatorit prej pajës së flokëve deri në majat e thonjve të këmbës. Kur arrita në katundin Gjorgjovë, te dajot e babait tim, ndër të cilët gjeta vetëm Hysen Ademin, kurse të tjerët ishin shpërndarë, kush në Myzeqe, kush në Berat e kush gjetkë, atje në shtëpinë e Hysenit qëndrova derisa formova të famshmen çetën time.
Në pak kohë arrita numrin që kisha synuar, pesëdhjetë partizanë, ndër të cilët dhjetë i kisha më mitraloza. Kisha edhe një mitraloz “Breda” të rëndë dhe një mushkë që ngarkoja atë dhe municionin e tij. Çdo partizan kishte 250 fishekë dhe dy bomba, veç të tjerave dhe partizanët e mitrolozave që ishin në kuptimin e vërtetë të fjalës diva, veç mitralozit edhe nga dhjetë krehër me nga 20 fishekë krehri. Isha në gjendje të angazhohesha qoftë në rrethim, qoftë në sulm të një volumi dhe të një autonomie të konsiderueshme...
Mbas Çlirimit të Frashërit, me një kënaqësi jo vetëm për çlirimin e truallit ku kishte lindur Naim Frashëri, por edhe pse ndeza një zjarr kryengritjeje në një prefekturë tjetër të vendit tonë të robëruar dhe për të ndezur akoma edhe një tjetër zjarr, iu drejtova Prefekturës së Korçës për të çliruar Panaritin... Mbas aksionit të çlirimit të Panaritit, natyrisht pa luftë, u ktheva në Skraparin e Sipërm dhe atje nuk hezitova por shkova dhe likuidova komunën dhe stacionin e karabinierisë së Potomit me një luftë gati simbolike, pse armiku u dorëzua qysh në pushkët e para...
KLIKO KETU PER TE LEXUAR PJESEN E PARE
 KLIKO KETU PER TE LEXUAR PJESEN E TRETE
©Corovoda On Line / Naim Zoto