Ne kujtime: Vasil Qesari dhe Ostrovica e Skraparit. Ja poezite e Kohes kur ishte ne Backe **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Ne kujtime: Vasil Qesari dhe Ostrovica e Skraparit. Ja poezite e Kohes kur ishte ne Backe

Fatjon Kaloci
18.8.12
Ndonse i lindur ne Vlore ne 1948, per kohesit e pas 70's emri Vasil Qesari nuk ka sesi te harrohet per nxenesit e asaj kohe ne Skrapar. E pikerisht ne vitet 1970 deri ne 1973 ai u emerua mesues ne shkollen 8 vjecare ne Backe te Skraparit. Lidhur me keto kujtime vete Vasil Qesari shkruan: "...  ne kujtime te largeta e pikerisht aty, ne Backen malore e te larget te Skraparit ku, ne vitet '70 -'73, isha emeruar mesues ne nje shkolle 8 - vjeçare. Ishim kater mesues e banonim ne nje dhome te shkolles e aty flinim edhe hanim. Ajo ishte "rezidenca" jone alpine ! Aty,rreze Ostrovices, afer 1800 m/lartesi, "mjeti" yne i vetem zbavites ishte nje radio "Orion"me llamba te cilen une e kisha sjellur nga Vlora gjer ne Corovode e pastaj, ngarkuar mbi nje mushke bashke me ca plaçka te tjera, mezi e kisha çuar gjer ne fshatin malor... Degjoja, aso kohe, shpesh "Radio France International" e "Radio Montecarlo" .... Corovoda On Line ne vazhden e te ofruarit te informacioneve te cilat i perzgjedhim per te qene sa me prane jush, ne vijim publikon disa poezi te Vasil Qesarit bera ne kete periudhe ne Backe, Skrapar shkeputur nga vellimi Lulet e Nates

Portreti Im

Mërzitja e Dhimja përbëjnë hirin
e zjarrit tim që flakëron prej kohësh,
të syve të mi me bisht ( kujtim nga nëna )
plot dritë, dhëmshuri dhe kuriozitet…
Të kësaj goje që pi vetëm ujin e shqetësimit,
të profilit tim të konsumuar nga erozioni i
varfërisë, lodhjes e trishtimit,
të dhëmbëve të rrallë, gurë të gjymtuar
nga myshku i pafjalësisë,
të flokëve të djegur nga dielli mëdhetar,
të trupit tim të pakët nga trashëgimnia,
fëmijnia e varfër, ushqimi e letargjia.
Për pak kohë ç’do të mbetet nga gjithë kjo?
Përgjigjja është e lemerishme, o shpirti im!
Asgjë, veçse një skicë e zbehtë që harrohet,
humbet e vdes në vetmi.
E që koha – kjo plakë e neveriteshme-
çdo ditë e fshin me leckat e saj të fëlliqura.
Megjithatë, o plakë shtrigë,
ti nuk do të fshish nga e imja memorie
ato që ishin Dëshira dhe Mendimi im!…
Backë – Skrapar ( 1971 )

Natë e Bardhë

Natë. Jashtë bie borë…
Natyra si piktorë surealistë
skicon peisazhe të frikëshme.
Ftohtësia e qiellit puth tokën
e pemët të tkurrura nga ngrica
lëvizin gjymtyrët e tyre të sakatosura
duke thirrur:
-Pak diell! Pak diell se vdiqëm!
Bardhêsia qëndron e varur kudo,
në fusha, male e horizont,
si çarçafët e nderur në muret e spitaleve
të sëmundjeve infektive.
E unë s’arrij të fle.
E bardhë për mua kjo natë
si qindra të tjera.
Dhimbja e zemrës më bezdis në krahëror.
Një qënje e padukëshme e mizore
Përditë bën të vdesë diçka përbrenda …
Backë – Skrapar ( 1972 )

Letra e Nënës

Si një nina-nana e harruar nga fëmijnia
së largu më erdhi letra jote, nënë !
Letra jote e parë, sa shumë e kam pritur…
Nënë e dashur!
Shkrimi yt si hieroglifet egjiptiane
ka më tepër dashuri se Kleopatra për Qezarin.
Ti shkruan pa pikë e presje si dekadentët,
po në letrën tënde ka më tepër dhëmbshuri
sa gjithë bota e tyre e vogël si lajthi.
“Të puth në sytë e bukur !” -shkruan ti
e unë mendohem e them me vehte:
“Ku e gjeti nëna ime kaq poezi?!”.
Falemiderit, nënëza ime,
të tillë gëzim s’kam ndjerë kurrë !
( Edhe kur e dashura më shkroi
me shkrimin e saj të rrallë,
të shumëpriturën letër të parë ).
Backë – Skrapar ( 1971)

Mjaft më!

Mjaft më
me kotësinë e këtyre ditëve
pa kufi mes dritës dhe errësirës!
Mjaft më
me këtë baltë të neveritëshme
në shuajt e këpucëve, duar e fytyrë !
Mjaft më
me këtë ushqim anemik e të pakët
të denjë për katërkëmbshit pa arsye!
Mjaft më
me shoqërinë e padëshiruar
të Mërzitjes, Trishtimit e Revoltës!
Mjaft më
me ftohtësinë e këtij vendi
e cila të shtyn reumatizmin e shpirtit!
Mjaft më
me këtë ferr polar
që zemrat ngrin si blloqe të kuq akulli!…
Backë – Skrapar ( 1971 )

Nga Zemra e Shqiperise, Drejt e Ne zemren tuaj! Eshte ky Blogu i vetem me interaktiv i Skraparit. Ky eshte Corovoda On Line
©Corovoda On Line