Koordinata X: Kujtimet e Myslim Pezes: Riza Cerova ne shtepine Tone (Viti 1924) **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Kujtimet e Myslim Pezes: Riza Cerova ne shtepine Tone (Viti 1924)

Fatjon Kaloci
3.9.12
Corovoda On Line vijon publikimin e materialeve te rralla ne web qe kane te perbashket gjenezen Skrapar. Ne vijim publikojme nje material publikuar per te paren here ne Gazeten Dielli i Tomorrit, me te cilen kooperojme, nje media e shkruar e permuajshme botim i Shoqates "Tomorri". Materiali ne vijim eshte nje fragment i shkeputur nga libri " Myslim Peza, Deshmitar dhe Protagonist" me autor Hazis Gjergji.

Nga kujtimet e Myslim Pezës

Në drekën e 11 qershorit 1924, në Pezë mbërriti nga Peqini një batalion kryengritësish nga Berati e Skrapari, të komanduem prej kapitenit Riza Cerova. Im vlla njifesh me Rizain. Në fillim Rizai kishte qenë besnik i Zogut, por mbas shtypjes së lëvizjes për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese të marsit 1922, ishte largue prej tij.Shyqyriu i ndau xhandarët nëpër shtëpitë e pezakëve, kurse kapiten Rizai dhe dy a tre shokë të tij të afërt ndenjën te ne. Mbas drekës, Riza Cerova me forcat e tij u nis për në Tiranë. Ne pritem me shprese se Fan Noli do të na thërriste për t'i shërbye qeverisë së tij, por askush nuk u kujtue për ne. Asnjenit s'i ra ndër mend se përse kishim durue jetën e malit, burgjet, internimet; përse qemë djegë e ba shkrumb shtëpi e katandi. E kundërta, po, ndodhi. Bejlerët që u shpallën të rrëzuem, mbeten po prap në fuqi. Ne na thirren kur Ahmet Zogu me mercenarët e tij kishin zanë Shkallën e Tujanit. Çfarë të bajshim ne atëhere?
Nji ditë përpara se Ahmet Zogu dhe forcat e tij të hynin në Tiranë, nëpër luginën e Pezës u kthyen të mundun, po ato trupa që gjashtë muaj ma pare kishin hangër drekë me ne. Unë po merresha me bagëtitë në oborrin e kasolles pranë shtëpisë, kur vuna re se drejt meje po vinte nji oficer nolist, i shkurtën nga shtati, i parruem, me rrobat gjithë baltë. Ofiecrin e njihja. "Çfarë hall të ka ra?" - i thashë. "Ore hallin tim, se unë mirë jam, po atje lart është Riza Cerova, nuk lëviz dot." -"Riza Cerova?!" Unë nuk mund ta besojshe qe Riza Cerova rrinte majë kodrës, kur shtëpia jonë ishte e hapur për të në çdo kohë. Ishte po mbasdite, si gjashtë muej ma parë, por atij, siç dukej, i vinte randë t'u dilte njerëzve përpara; s'kishte ma asnji kuptim ta pyesja oficerin pse Rizai nuk rrinte për drekë.
U ngjita me vrap në kodër. Rizai ishte mbështet në trungun e nji ullini, i dërrmuem si mos ma keq. Përpara meje dergjej me kambët e anjtme nji nga burrat e vërtetë të Revolucionit të Qershorit. Ai kishte qenë ndër oficerët e parë që i ishin përgjigj thirrjes se Revolucionit Demokratik dhe e kishte mbrojt atë deri në fund. Rizai kishte nevojë për ndihmën tonë të shpejtë. Zbrita me vrap në shtëpi, bana gati mjekimin me qepë, alkool e garza. Ai u qetësue dhe filloi me hangar bukë. Në të njëjtën kohë im vëlla, Shyqyriu kishte ba gati katër kuaj dhe caktoi dy shoqërues për ta përcjellë Rizain e shokët e vet deri te vau në breg të Shkumbinit. Dy shokët tonë e shoqnuan Riza Cerovën deri në Shkumbin. Shumica e demokratëve morën rrugën e mërgimit, o babë, disa ranë në burgje ose u vranë tradhtisht. Nuk mund të shprehet dëshpërimi që ra në popull nga vendosja e regjimit të Zogut...

* Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Myslim Peza, dëshmitar dhe protagonist” i autorit Hazis Gjergji, me lejen e vetë autorit per Dielli i Tomorrit.
©Corovoda On Line / Dielli i Tomorrit - shenim: Imazhi bashkeshoqerues ka karakter ilustrues dhe jo domosdoshmerisht ka lidhje me shkrimin