Libri me i fundit: Publicisti Zylyftar Hoxha sjell "Edhe Ti o Brut" Nga Mitologjia ne Histori Pena skraparase vjen me prane lexuesit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Libri me i fundit: Publicisti Zylyftar Hoxha sjell "Edhe Ti o Brut" Nga Mitologjia ne Histori Pena skraparase vjen me prane lexuesit

Fatjon Kaloci
22.5.13
Libri “Edhe ti, o Brut – Fjalë lapidare nga mitologjia dhe historia” është libri më i fundit i publicistit Zylyftar Hoxha, i cili sjell për lexuesit në formën e një fjalori frazologjik fjalë dhe shprehje që e kanë origjinën nga mitet e lashta apo nga ngjarje e figura të mëdha të historisë botërore dhe që qarkullojnë ashtu siç janë thënë dikur kur kanë lindur në të gjitha gjuhët e botës. Siç thotë edhe vetë autori, ideja për një libër të tillë i ka lindur një ditë rastësisht duke dëgjuar diskutimin e një deputeti në parlament, i cili, i shkreti, qull në djersë e fytin shkarpë nga sikleti, për t’u dukur që ishte i kompletuar me kulturë oksidenti, përmendi me vend e pa vend nja pesë shprehje klasike si, “gjueti shtrigash”, “ju po bëni Kasandrën”, “kini hapur kutinë e Pandorës”, diçka për Cezarin dhe një tjetër, që nuk u mor dot vesh se ç’ishte… “Por që të përmendësh këto fjalë, siç thotë populli, shkruan më tej autori i librit, duhet të lash gojën mirë, duhet t’i kesh rënë Mesdheut e Egjeut të librave pash më pash, si Odiseu, pa të vesh në Itakë...Se, të shkretën, edhe një gur kur e vë në një mur are duhet ta rrotullosh nja dy-tri herë nëpër duar sa t’i gjesh anën, pa edhe po i gjete anën do t’i biesh edhe nja dy-tri herë me çekan t’i heqësh ndonjë cifël, që nuk e lë “të flejë” rehat në vend, e jo fjalën. Pra, fjala është te fjala, që si veshje e mendimit, t’i gjesh kohën dhe vendin e duhur, që ta përdorësh drejt e jo ta shpërdorosh e përçudnosh keqas atë”. Autori Zylyftar Hoxha, një gazetar i vjetër dhe me një përvojë të gjatë mbi 40 vjeçare në publicisikë, ka bërë përpjekje që në këtë libër të japë mbi 200 fjalë e shprehje që kanë çarë epoka e kufij deri sa kanë ardhur te ne, ku zbulohen rrënjët dhe origjina si kanë lindur dhe kur ato përdoren. Libri është shkruar me një stil të thjeshtë, në formën e një betseller-i historik të kuptueshëm për të gjitha kategoritë e lexuesve. Teknikisht në pak rreshta tregohet miti, historia, lidhja e fjalës me mitin ose historinë dhe në pjesën tjetër jepet në ç’kontekst përdoret shprehja që tashmë është kthyer në një fjalë të artë, lapidare. Renditja e këtyre fjalëve dhe shprehjeve, për të shmangur ndonjë keqkuptim shkencor, është bërë në bazë të alfabetit. Mënyra divulgative e e paraqitjes së materialeve e bën më të këndshëm dhe të lehtë leximin. Veç kësaj ky libër është i vlefshëm edhe për nxënësit e shkollave, pasi i bën ata t’i rikthehen edhe një herë historisë, fakteve, ngjarjeve dhe heronjve të saj. Për t’i bërë edhe më konkret dhe më të kuptueshëm, pothuajse pjesa më e madhe e zërave janë pajisur edhe me foto, ku piktorë dhe artistë të mëdhenj botërorë kanë fiksuar pikërisht ato çaste për të cilat bëhet fjalë në libër.
©Corovoda On Line