• COROVODA ONLINE PUBLIKON TË DHËNAT E POPULLSISË DERI NË 1 JANAR 2018
  • NË SKRAPAR BANOJNË GJITHËSEJ 17 476 BANORË
  • NË POLIÇAN BANOJNË GJITHËSEJ 17 271 BANORË

Nga Zylyftar Hoxha: "Skrapari Kryeqyteti i Luftes" Nga Thesari i Shtetit, Vilat e Krorezes, tek Devria apo Pika e Tomorrit. Nga libri "Orakuj të harruar" Skrapari, “Kryeqyteti i Luftës”

Sot në disa prej objekteve të rëndësishme s’ka mbetur as pluhuri, disa të tjerë janë kthyer në rrënoja. Ushtarët, oficerët, specialistët, por edhe popullit i thjeshtë, krahas mundit, sakrificës, punës heroike që bënin në këto objekte, jo vetëm ishin të detyruar të ngeleshin anonimë, por edhe të gjakosnin gjuhën me dhëmbë për ruajtur sekretin e rreptë shtetëror. Tani, pas më se 17 vjetësh, kur s’ka më sekret, ne flasim shpenguar se si funksiononin, cili ishte qëllimi, ç’mistere fshihnin në vetvete këto objekte. Megjithatë duhet thënë një gjë, që duke parë gjendjen e tanishme tepër të mjerueshme të këtyre objekteve, rrënimin e tyre total, të dridhet dora kur mendon që për ta janë harxhuar para të pallogaritshme, janë derdhur energji të paimagjinueshme fizike dhe intelektuale dhe shumë-shumë djersë, madje, dhe gjak. Dy kanë qenë arsyet pse udhëheqja komuniste zgjodhi Skraparin si një vend të sigurt për të bërë investime të rëndësishme për kohë lufte: E para, terreni i thyer malor “me gryka e lugje të ngushta si grykët e pushkëve”, siç shkruan në një poezi kushtuar Skraparit, një poet yni; dhe, e dyta, sepse aty kishte një shtrat të qëndrueshëm patriotik dhe një ndjenjë të spikatur atdhetare të dëshmuar në të gjitha periudhat historike. Veçanërisht prova e kësaj ndjenje ishte dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur populli i kësaj krahine jo vetëm qe totalisht i mobilizuar në këtë luftë, por edhe se në këtë kohë për më shumë se gjashtë muaj Skrapari kishte qenë “kryeqytet”, pasi aty ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe KQ i Partisë Komuniste. Madje Helmësi në atë kohë shërbeu si një seli e qetë pune, ku u përgatit Kongresi i Përmetit më 24 Maj të vitit 1944, në të cilin u hodhën piketat e shtetit të ri, që po lindte nga Lufta. Pra, më shumë se shpellat, ishin njerëzit të besuar. Pra, besën, respektin dhe ndjenjat e këtyre njerëzve të drejtë e atdhetarë pushteti asaj kohe i shfrytëzoi për qëllimet e veta. Nga ana tjetër, ky besim reciprok bëri që skraparllinjtë e thjeshtë në një farë mënyre ta ndienin veten të motivuar politikisht. Megjithatë ata shumë vonë e kuptuan se në krahasim me të tjerët nuk fituan asgjë, asnjë privilegj, përveç fjalëve të mira dhe epiteteve mikluese. Ndërsa në vitet e fundit, për shkak të politikës së kaluar, skraparllinjtë janë etiketuar si “të kuq”, si “bastion i së majtës” dhe në vitet e para të demokracisë ata janë kërcënuar se do t’i “rrethonin me tela me gjemba”. Por koha më vonë provoi për një pozicion të ekuilibruar dhe një kulturë demokratike të admirueshme të tyre. Megjithatë pasojat e strategjisë së dikurshme, për ta mbajtur këtë rreth të izoluar, por edhe të karshillëkut të sotëm politik, që përsëri po e lë të izoluar, kanë detyruar gjysmën e popullsisë së këtij rrethi në ditët e sotme të largohet drejt qyteteve të mëdha. Por le t’i lëmë këto dhe t’i hedhim një sy hartës së Skraparit të atyre viteve:

Thesari i Shtetit
Si një vend strategjik natyror, ku ishin depozituar rezerva të të gjitha llojeve për rastin më fatkeq, atë të një lufte të mundshme, në qytetin e Çorovodës, në lagjen “Hasan Seitaj” ishte ndërtuar një tunel edhe për një pjesë të rezervave të arit shqiptar. Tunelet e thesarit si dhe objektet e tjerë strategjikë, ose siç quheshin, të rëndësisë së veçantë, ruheshin nga reparte speciale me njerëzit më të zgjedhur të Gardës së Republikës. Tuneli funksiononte me një sistem të sofistikuar alarmi. Dyert e rënda disa tonëshe hapeshin me kode të veçanta. Asnjëri nga ata që punonte atje brenda për mirëmbajtje, nuk e dinte se ç’bënte tjetri në dhomën përballë. Kodin e dhomës së thesarit e kishte vetëm një njeri që vinte nga Tirana kur aty nuk kishte njeri, më shpesh natën. Për sa kohë ishte ai njeriu brenda, edhe rojet zëvendësoheshin me të tjerë që i sillte një IFA ushtarake e që më pas i merrte prapë. Po sa ishte ky thesar dhe ku përfundoi, s’dihet?! Një miku im, që ka punuar aty, tregon me keqardhje për atë natë të vitit 1993, kur njerëz të qeverisë, siç u paraqitën, hynë dhunshëm në tunel dhe me saldatriçe hapën dyert dhe ngarkuan arin nëpër makina për ta magazinuar diku tjetër. Thanë se erdhën me urdhër të posaçëm nga presidenti i asaj kohe. Por mikun tim e ka shqetësuar vazhdimisht një gjë: kur këta ishin njerëz të qeverisë, pse s’merrnin kodet e të vepronin sipas rregullave, po hynë dhunshëm si hajdutë ordinerë me saldatriçe në dorë. Mister!...

Vilat e nëndheshme të Krorzës
Në qoftë se do t’i kishin shpëtuar shkatërrimit barbar të pas ‘90-ës, do të ishte një kompleks turistik nëntokësor i veçantë në llojin e tij edhe në botë (nën tokë), nga mund t’i bije pa ndonjë siklet të madh pashë më pashë Tomorit dhe bukurive befasuese të Ramijes dhe malit të Zaloshnjës dhe të ktheheshe përsëri në mbrëmje në ambiente shumë komode me ajër të kondicionuar. Të 20 dhomat, sallat e mbledhjeve, të ngrënies, të argëtimit me komoditetin më të mirë të kohës, ishin rezidenca në fazën e dytë të luftës të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe në rastin më të keq, të një tërheqje të ushtrisë në male, aty do të vendosej Komiteti Qendror i PPSH-së. Vlerat e këtij objekti të ndërtuar në vitet 1960-1970 kanë qenë të paimagjinueshme. Interierët e brendshme dhe mobilimi ua kalonin atyre të Presidencës dhe Kryeministrisë së asaj kohe. Shkurt, kushtet moderne termoizoluese dhe komoditetin e brendshëm të këtyre vilave i dinë pak veta, ata që i administronin dhe ata që i grabitën në fund.

Arkivi i Shtetit
Unikal është edhe rasti i Arkivit të Shtetit. Ishte menduar që Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i KQ të PPSH, por edhe dokumente të rëndësishme shtetërore në një rast lufte të arkivoheshin në një godinë të posaçme trekatëshe të ngritur enkas në lagjen “Hasan Seitaj”, e cila, si dhe objekte të tjera të kësaj kategorie, ruhej me ushtarë të Gardës. Edhe këtu mendja njerëzore kish punuar si për një situatë të veçantë. Godina kishte kapacitet të madh ruajtës, por edhe parametra të lartë teknikë sigurie. Një pjesë e dokumenteve erdhën që atëhere. Por kishte edhe më. Dokumentet tepër-tepër të rëndësishme do të ruheshin në tunelet e Radëshit, të pajisur me kondicionerë të fuqishëm të ardhur nga Suedia, që Tirana në atë kohë s’i kish parë as në ëndërr. Mjeshtri i Punës, Pëllumb Hoxha, i specializuar në Francë, që u mor me montimin e kondicionerëve, tregon se si suedezët ishin befasuar me porositësit e varfër shqiptarë, pasi ishte porosia e dytë për të tillë kondicionerë jashtë serie dhe me të tilla përmasa, pas atyre të porositur nga “Sharm Al Sheiku” i famshëm në Egjipt. Për fat të keq këta kondicionerë të fuqishëm, që e ndienin tymin e cigares që 100 m larg, u shkatërruan gjatë trazirave të ‘97-ës nga njerëz që s’ua ditën kurrë vlerën.

Shtypshkronja
Në nëntor të vitit 1971, kur Skrapari ishte bërë kantier ndërtimi i veprave me karakter ushtarak, vjen për vizitë Enver Hoxha. Ato ditë sapo kishte nisur shtypshkronja me makineri të vjetra të çmontuara në Tiranë, por të mira për kohën. Ishte llogaritur që këtu të shtypej në kohë lufte “Zëri i Popullit”. Teki Malindi, sekretar i Parë i rrethit në atë kohë, i kërkon Enverit që, me qenë se ishte shtypshkronja, Skrapari të kishte një gazetë të vetën, gjë që këtë luks s’e gëzonin edhe shumë rrethe të kategorisë së parë. Enveri qe menjëherë dakord. Dhe në vitin 1972 nisi botimin gazeta “Jehona e Skraparit”, në fillim një herë në dhjetë ditë dhe më pas javore. Lajmi qe i gëzueshëm për të gjithë, veçanërisht për intelektualët vendas, pasi, dihet, se një gazetë në një komunitet është një zë më shumë dhe një zë i fuqishëm që dëshmon kulturë e civilizim. Duhet t’i jenë mirënjohës këtij fakti që shumë pena të njohura në publicistikë në atë kohë si Sefedin Çela, Iljaz Kapxhiu, Enver Caka, Vasil Qesari, Naim e Vladimir Zoto, Bashkim Koçi, autori i këtij shkrimi etj. se gjithçka të fillimit dhe të formimit të tyre profesional ia dedikojnë asaj gazete të vogël e modeste. Në shtypshkronjë shtypeshin më tepër fatura e blloqe llogarie të ndërmarrjeve të naftës në Fier e Patos si dhe mbuloheshin nevojat e administratës në qytetet e Beratit, Fierit, Lushnjës etj. Tani më pas ajo u privatizua nga i zoti i truallit, por makineritë nuk i përshtateshin kohës dhe kanë ngelur atje të mbuluara nga ndryshku.

Tunelet Pirogoshit
Për ndërtimin e tyre puna ka vazhduar për më se 17 vjet. U vunë në funksionim aty nga vitet ’80. Të ndërtuar në faqe të kanioneve, pranë qytetit të Çorovodës, në një vend që s’e gjen as dreqi, ata i ngjajnë një qyteti të vërtetë nëntokësor. Thuhej se me tunelet e Pirogoshit bashkë me depot e armatimit municionit në Pigaz, që zinin një sipërfaqe prej 20 ha, me rezervat që kishin brenda, Shqipëria mund të luftonte për më shumë se gjashtë muaj, ditë e natë, kundër armikut. Por, marsi i mbrapshtë i vitit 1997 do të shënonte dhe dëmtimin serioz të tyre. Njerëzit të zemëruar nga shembja e firmave piramidale u turrën të rrëmbenin gjithçka ishte shtetërore, kështu bënë edhe me rezervat e armatim-municionit. Pas shkatërrimit të disa reparteve ushtarake, turma njerëzish synonin të drejtoheshin për në tunelet e Pirogoshit. U desh ndërhyrja e ish-punonjësve që ishin atje, që i dinin pasojat e një shpërthimi të mundshëm, dhe i autoriteteve të rrethit që u dëgjohej fjala, që shmangën një katastrofë të vërtetë, e cila mund të kish hedhur në erë qytetin e Çorovodës dhe fshatrat për rreth.

Rezervat e Shtetit
Ndonëse ishin të shpërndara në të gjithë vendin, në Skrapar ato kishin prioritete, pasi nuk ishin vetëm për popullatën, por edhe për ushtrinë. Ishin gati 30 depo me një kapacitet magazinues prej 20 mijë tonësh grurë, me një shpërndarje interesante gjeografike, në Grevë, Dobrenj, Thanë, Pojckë, Radësh, Lapan, komplekset gjigante të Kakrukës dhe të Çerenishtit. Ishin shpërndarë në një mënyrë të tillë që të ishin afër prodhimit për t’u mbushur, por, në rast lufte, afër popullatës dhe strukturave drejtuese të ushtrisë dhe qeverisë për t’i furnizuar lehtë ato. Përbënin objektet më top-top sekrete, ku nuk hynte dot as miza, madje as autoritetet më të larta të shtetit dhe të rrethit, pa autorizim të veçantë. Këto depo administroheshin më shumë nga Këshilli i Mbrojtjes se sa nga Këshilli i Ministrave. Gruri përpunohej (kthehej) dy tre herë në vit, që të mos prishej dhe shkonte në këtë mënyrë deri në dhjetë vjet. Kishte raste që ekonomitë bujqësore, kur ngeleshin ngushtë për bukë, merrnin aty grurë dhe e sillnin kur niste prodhimi i ri. Kjo i shërbente edhe qarkullimit. Por pas vitit 1985 ekonomitë bujqësore vinin e merrnin e s’kishin mundësi që ta kthenin, kështu që ato firuan shpejt dhe ngelën vetëm godinat dhe rojet.

Dëvriri
“Dëvri. Një zabit këtu mban një tabor”, kështu e niste reportazhin e tij në gazetën “Bashkimi” të atyre viteve, Fejzi Këmbora, një gazetar i vjetër. Mirë e kishte qëlluar i ndjeri Fejzi, pasi më pas unë kam gjetur në një fjalor turk se fjala dëvri do të thotë vendroje, karakoll. Dhe vërtet ajo është një portë, një grykë strategjike dhe njëkohësisht e bukur me anë të cilës lidhet Skrapari me zonën e Tomorricës. S’kish se si që një konfiguracion i tillë terreni t’u shpëtonte ushtarakëve të tezave të famshme “të vetëmbrojtjes popullore”. Në këtë vend ata ndërtuan tunele, që, ashtu si dhe Krorëza, do të shërbenin si seli pune për Shtabin e Përgjithshëm, por edhe për Batalionin e Sigurimit të Ushtrisë. Në fillim aty “gjeje edhe sy njeriu”, por tani të amortizuar, këta tunele janë kthyer në një pikë ushtarake pa ndonjë farë vlere. Po këtu, pranë këtyre tuneleve, në një lëndinë të vogël, thonë se ishte parashikuar edhe një aerodrom i vogël strategjik ushtarak, me propozim të gjeneralit Petrit Dume, për zbarkime emergjente.

Vilat qeveritare
Ndërsa në qytetet e tjera, kishte një vilë qeveritare, shtëpi pritje, siç quheshin atëherë, të cilat shërbenin vetëm kur vinin me shërbim anëtarë të Byrosë Politike ose personalitete të një rangu me ta, në Skrapar nuk ishte një, por disa të tilla. Këto vila ishin ndërtuar në një luginë të bukur buzë degës që vjen nga Guhaku. Për gati 20 vjet në to s’hyri këmbë njeriu, por që ruheshin nga ushtarët e Gardës njësoj si Blloku në Tiranë. Me që jemi këtu te ruajtja, Garda kishte në Skrapar dy batalione, një me ushtarë aktiv dhe një batalion tjetër me rezervistë, përveç disa nënreparteve specifikë të objekteve delikatë. Në vitin 1984 vjen një urdhër që në mikroqytezën e vilave të strehoheshin autoritetet e rrethit pa të drejtë pronësie mbi to dhe, në qoftë se lindte nevoja, ato duhet të liroheshin menjëherë. Në fund ato i kaluan Entit të Banesave dhe u privatizuan si gjithë apartamentet e tjerë.

Hidrocentrali i Bogovës
Një vepër vërtet strategjike e ndërtuar me ujin e burimit të Bogovës dhe i lidhur me sistemin energjetik të vendit. Në një situatë të jashtëzakonshme do të mbante me energji Kombinatin e Poliçanit. Kohët e fundit ai është privatizuar nga kompania private "Ëonder Poëer", e cila e ka marrë që nga viti 2003 me koncesion për një afat kohor prej 30 vjetësh. Ka një fuqi të instaluar 2,6 megavat dhe një kapacitet prodhues 15 milionë kilovat orë në vit. Rezervati i Bogovës Ndonëse nuk bën pjesë në “objekte të rëndësisë së veçantë”, në një farë mënyre ai trajtohej si i tillë dhe ruhej rreptësishtë me statusin e veçantë të një çifligu të udhëheqjes së lartë të partisë për të gjuajtur. Rezervati natyror i Bogovës ishte një mrekulli, ku derrat, kaprodhet, thëllëzat dhe fajkonjtë e egër, po të mos i kapte plumbi i Mehmet Shehut, që vinte një herë në vit aty, ishin në qejfin e tyre më të patrazuar. Mjerisht pas vdekjes së Mehmet Shehut, ai në emër të parullës “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”, pësoi dëme të pariparueshme, pylli u pre për t’u kthyer në kullota(!)

Pika e Tomorrit
Kështu quhej në atë kohë një nga pikat më strategjike dhe më enigmatike ushtarake, që ishte ndërtuar në majën e Tomorrit, pikërisht atje ku ka qenë tyrbja (kenotafi) që simbolizonte ardhjen e Abas Aliut nga Qerbelaja dhe që i kish dhënë gjithë malit të Tomorrit statusin e një mali të shenjtë të bektashinjve, por edhe të sekteve të tjera fetare. Tyrbja u prish dhe gurët e saj u hodhën në themelet e ndërtesës së ushtrisë, që ishte një ndërtesë e gjitha nën tokë, me disa ambiente shumë të mira për kohën, ku ishte vendosur teknika ushtarake, salla e mbledhjeve, zyrat e komandës, fjetina dhe mensa e ushtarëve etj. Pika ushtarake e Tomorrit u ndërtua pak ditë pas fjalës së Enver Hoxhës të 6 shkurtit të vitit 1966. Ky ishte rasti më i mirë dhe më i natyrshëm për udhëheqjen e asaj kohe për prishjen e kenotafit të Abas Aliut, një prej faltoreve më të famshme. Objekti i ri që u ndërtua mbi faltore ishte një pikë tepër e rëndësishme ndërlidhjeje spiun, që varej direkt nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë për të kapur valët e radiove ushtarake edhe të vendeve fqinje, me një mundësi ideale që ia krijonte lartësia prej 2416 m mbi nivelin e detit, por edhe fushëpamja, veç pjesës më të madhe të Shqipërisë, edhe të brigjeve italiane. Për ndërtimin e kësaj pike, sidomos rrugës automobilistike, e cila edhe sot shkon deri në majë, është dashur një punë tepër e madhe dhe e mundimshme. Po kështu një punë kolosale është dashur për shtrirjen nën tokë në një gjatësi prej 20 km të kabllove të tensionit të lartë dhe kabllove telefonike. Për shkak të izolimit të plotë për gjashtë muajt e dimrit, pika furnizohej me dru zjarri dhe ushqim që në verë dhe ushtarët dhe oficerët për gjashtë muaj nuk dilnin nga dera në çfarëdo rrethane që të ndodheshin. Efektivët që shërbenin në këtë pikë, ushtarë apo oficerë, ishin nga më të zgjedhurit dhe më të besuarit, madje ata, me që kishin shërbyer aty, gëzonin si të thuash një status prej heroi dhe ishin të privilegjuar edhe në jetën civile, ku vendoseshin në punë të mira dhe në sektorë delikatë shtetërorë. Tani nga ky repart nuk ka ngelur asnjë gjurmë, mbi themelet e tij lartësohet hijshëm një nga simbolet e shenjtërisë të malit të Tomorrit, tyrbja e rindërtuar e Abas Aliut. Rrugët. Stop...s’ka më tej! Megjithëse rrugët në Skrapar kanë ekzistuar që në lashtësi, në mesjetë dhe më pas, një ndërprerje brutale u bë në kohën e socializmit me rrethet fqinje, Përmetin, Kolonjën, Korçën dhe Gramshin, që s’janë më shumë se 30-40 km larg. Kjo për arsyet e njohura strategjike, që rrethi i Skraparit të ishte i izoluar dhe armiku të mos kishte mundësi të hynte në këtë vend, ku në një rast ekstrem do të vendosej qeveria dhe një pjesë e administratës shtetërore. Edhe tani Skrapari ka ngelur një xhep i futur. Deri atje e s’bën dot më tutje. Megjithëse është vetëm 50 km larg me shtetin fqinjë, Greqinë, je i detyruar të bësh 250 km rrugë për të shkuar atje. Kërkesa për çarje me Jugun, ku dhe kjo krahinë bën pjesë dhe është në zemër të tij, ka qenë një dëshirë e vazhdueshme dhe një ëndërr e skraparllinjve, jo një kërkesë e ëndërr luksi, por një domosdoshmëri zhvillimi, dhe jo vetëm të një apo dy-tre rretheve, por për tërë vendin. Edhe qeveritë e këtyre viteve të demokracisë, në mos si atëherë që Skrapari mbahej i izoluar për arsye strategjike, sot mbahet i izoluar për arsye politike...
©Corovoda On Line - Te drejta Publikimi nga autori Zylyftar Hoxha - Keto Materiale nuk mund te rishperndahen apo riperpunohen pa cituar autoresine dhe burimin mediatik

Autentik!

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

PËR KONTAKT - EMAIL: corovodaonline@post.com

Mbështetje

Këtu mund të jetë Njoftimi yt

PERSONALITETI 2018 PËR SKRAPARIN

skrapari në fletë

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

NAVIGON

breakingnews
www.bashkiaskrapar.gov.al www.albrafting.com www.visitskrapar.com

HAPËSIRË PËR REKLAMA APO NJOFTIMET TUAJA