Koordinata X: Qafa e Martes, Skrapar. Aty ku armiqte nuk munden dot **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Qafa e Martes, Skrapar. Aty ku armiqte nuk munden dot

Fatjon Kaloci
6.11.13
Qafa e Martës ndodhet në vargmalet e Ostrovicës në veri-lindje të fshatit Backë. Kjo qafë ka hyrë në histori për luftërat që janë zhvilluar nga pushtuesit otoman, grek, etj., të cilët kishin arritur të pushtonin fshatrat si Panaritin, Qemericën, Shtylla, Marjan dhe fshatrat të tjerë të zonës së Korçës. Si turqit e në veçanti andartët grek kërkonin me çdo kusht që nëpërmjet Qafës së Martës, të hynin në fshatin Backë dhe më tej të pushtonin tërë Skraparin. Për këtë qellim ishin bërë shumë tentativa, por nuk ja kishin arritur dot qëllimit, sepse rreth viteve 1890 në Backë ishte krijuar një çetë që quhej çeta e Lace Backës. Mjafton të përmendim që kjo çetë ishte krijuar në saj të ndihmës, të patriotit, bektashiut baba Fetaut, i cili zhvilloi një luftë të ashpër, kundra regjimit turk. Turqit duke mos çarë dot Qafën e Martës, në luftimet me çetën e “Lace Backës”, hynë nëpërmjet Panariti dhe arritën të futeshin në teqe. Sipas tregimeve të të moshuarve të kësaj zonë mësohet se, kur ata u futën në teqe në hyrje të saj ishte skalitur një shqiponjë me dy krerë. Turqit pyetën se ç’janë këta zogj, por baba Fetua i’u përgjigj, “këta zogj janë për të ngrënë kokën tuaj”. Në këto momente burrat e fshatit Backë, ishin afruar të armatosur e turqit kur i panë menjëherë u larguan duke qëlluar me armë. Kundërpërgjigja e burrave të fshatit Backë la të vrarë 10 turq, në afërsi të një lugine dhe tashmë kësaj lugine i është vënë emri “Varri i arabëve”. Por sipas shënimeve historike mësohet se duke filluar nga viti 1900 deri në vitin 1913 në këtë qafë u kryen luftime të ashpra ndërmjet grekëve dhe çetës së Lace Backa. Në këto luftime u plagosë rënd komandanti i çetës Lace Backa. Ai ashtu i plagosur dhe i mbytur në gjak ka dalë në majë të Qafës Martës dhe thirri, ‘ku jeni o djemtë e Backës, dilni nga një për derë të shuajmë këtë kolerë’, pas tre ditësh ai vdiq, por trimat që ai la pas nuk e lejuan të kalohej Qafa e Martës. Trimat si Riza Kodheli me të tjerë i dhënë një goditje të madhe andanteve grekë. Por historia e Qafës Martës nuk përfundon me këto ngjarje. Lufta Nacionale Çlirimtare përdori Qafën e Martës dhe fshatrat përreth si Backa, Helmësi, Starovec si baza strategjike. Ku në Helmës u vendosë dhe Shtabi i Përgjithshëm në operacionin e qershorit të vitit 1944. Batalioni “Tomorri” mbasi kreu detyrën për mbrojtjen e Shtabit të Përgjithshëm mori detyrën për të kaluar në zonën e Korçës. Në Selenicë të Pishës u ndeshën me 400 ballista, të cilët kishin plaçkitur fshatrat dhe Vllejët. Sipas shënimeve të ish-luftëtarit të batalionit “Tomorri”, Feim Tusha në këto momente lufta u ndez ashpër dhe u vranë dhjetëra ballistë. Por edhe nga batalioni “Tomorri”, ranë në betejë 6 dëshmorë, Kasëm Iljazi, Hysen Refati, Malush Potomi, Kasëm Rama, Qani Panariti dhe italiani Xhuzepe si dhe u plagosën tre luftëtarë të batalionit, ata ishin Feim Tusha, Qani Buzi dhe Belul Gjoni. Në bazë të luftimeve ndër vite më 21 qershor 1944 Qafa e Martës u krijuan varrezat e para të dëshmorëve, ku sot është një lapidar, i cili përkujton trimat e varrosur.
Shkrimi Kortezi Julian Xhelili/ Telegraf - Imazh Pamje nga Ostrovica, Skrapar
©Corovoda On Line