Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e pare **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e pare

Fatjon Kaloci
26.2.14
Bardhyl Ylli, Kahreman Ylli, Enver Hoxha
Corovode 1970
(Nje shkrim nga Kastriot Myftaraj)
Kur lindi Kahreman Ylli, në 22 prill 1917, në Leshnjë të Skraparit, në fshatin e tij kalonte vija që ndante palët ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. Në jug të kësaj vije gjendeshin trupat e Antantës, që në Shqipëri qenë forca italiane dhe franceze. Në veri të kësaj vije qenë forcat austrohungareze. Pikërisht në shtëpinë ku lindi Kahreman Ylli qenë mbajtur disa herë takime të palëve ndërluftuese, siç ndodh rëndom në raste të tilla, dhe pikërisht atje u nënshkrua armëpushimi midis palëve në 1918, për këtë pjesë të frontit. Këtë histori të dëgjuar nga Kahreman Ylli, Ismail Kadare e ka futur në novelën e vet “Viti i mbrapshtë”. Ngjarje si kjo e Leshnjës në Luftën e Parë Botërore nuk ndodhin rastësisht, se edhe në Luftën e Dytë Botërore, misioni i parë ushtarak që erdhi në Shqipëri, do të kishte në këtë fshat vendin e parë të hedhjes së furnizimeve nga ajri. Të huajt që vinë në Shqipëri i njohin misteret e historisë sonë shumë më mirë se ne. Mbiemri i çuditshëm “Ylli” i kësaj familjeje në këtë fshat malor të Skraparit, i kësaj familjeje me burra shtatlartë, gjë që u bën përshtypje edhe oficerëve britanikë në kujtimet e tyre, se në Shqipërinë e Jugut ata ndeshin më së shumti burra shtatshkurtër, dëshmon për një vjetërsi historike. Ky fshat duhet të ketë qenë një qendër e fisit ilir të Hyllejve, nga ku e ka origjinën dhe mbreti i parë mitik ilir, Hylli, dhe nga duket se vjen dhe vetë fjala “ilir” (Illyr), që në këtë trajtë e kemi trashëguar të shtrembëruar, ashtu siç e thoshin dhe e shkruanin autorët e vjetër grekë. E gjendur ndërmjet palëve ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore, familja Ylli ishte më e afërt me francezët. Këto ngjarje do të shenjonin jo pak fatin e foshnjës që nuk kuptonte se çfarë ndodhte përreth tij në atë kohë. Nuk është e rastësishme që në 1946, kur Shqipëria hapi të parën përfaqësi të saj diplomatike në Perëndim, në Francë, ministri fuqiplotë shqiptar do të ishte pikërisht Kahreman Ylli. Ai nuk u dërgua atje thjesht se kishte kryer studimet universitare në Francë, se si ai kishte dhe të tjerë. Madje Enver Hoxha, pasiqë nuk u arrit të dërgohej Hysni Kapo në këtë detyrë, donte që të dërgonte njeriun e tij nga Gjirokastra, Shemsi Totozanin (gjyshin e Avokatit të Popullit të sotëm, Igli Totozani), i cili ishte baxhanaku i anëtarit të Byrosë Politike, Bedri Spahiut, bashkëqytetarit të Enver Hoxhës. Por Enver Hoxha u detyrua që të heqë dorë se francezët i bënë me dije se Totozani nuk ishte i mirëpritur, pra nuk ia dhanë agreement-in. Duke qenë se Franca ishte vendi i parë perëndimor që e njohu qeverinë e Enver Hoxhës, ky i fundit ishte i detyruar që të pranonte disa kushte që më pas nuk do t’ i kishte pranuar. Fakti është se francezët pranuan emrin e Kahreman Yllin pasiqë u përmendën disa kandidatë për ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Paris. Enver Hoxha as që kishte ndërmend që ta dërgonte Kahreman Yllin ministër fuqiplotë në Paris, por u detyrua që ta bënte këtë gjë. Enver Hoxha kishte krijuar një antipati të fortë ndaj Kahreman Yllit që pas themelimit të PKSH në nëntor 1941, kur Hoxha si njeriu i besuar i Miladin Popoviçit kqyrte bashkë me këtë të fundit, listat e komunistëve të cilët kishin bërë kërkesë për të hyrë në partinë e re. Kahreman Ylli kishte pikërisht ato dy gjëra të cilat Enver Hoxhës i mungonin si intelektual dhe si veprimtar komunist. Kahreman Ylli kishte diplomuar në Francë, gjë që Enver Hoxha nuk kishte arritur që ta bënte. Kahreman Ylli ishte bërë anëtar i Partisë Komuniste të Francës, që në 1937, në vitin e dytë të vajtjes së tij në Francë, ndërsa Enver Hoxha nuk e kishte bërë këtë gjë gjatë pesë viteve që qëndroi në Francë. Nuk ka provë më të mirë, ndonëse të tërthortë, të antipatisë së Enver Hoxhës ndaj Kahreman Yllit se fakti që Enver Hoxha në kujtimet e veta lodhet shumë duke tjerrur gjatë historinë e lidhjes së tij me Partinë Komuniste të
Francës, duke qenë i detyruar që të pohojë njëkohësisht se ai nuk ishte bërë anëtar i kësaj partie gjatë kohës së qëndrimit në Francë. Prandaj, kuptohet se Enver Hoxha nuk mund të kishte simpati për një njeri si Kahreman Ylli për të cilin në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, botim i kohës së regjimit komunist, thuhej: “përqafoi idetë komuniste dhe u pranua anëtar i PK Franceze (1937). (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë 1985, f. 1191)” Enver Hoxha, natyrisht, do të kishte dashur shumë që kjo gjë të thuhej për të. Për fatin e mirë të Enver Hoxhës, të dërguarit jugosllavë në Shqipëri, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, nuk i pëlqenin ata njerëz që kishin qenë anëtarë të partive komuniste në Perëndim, ndonëse këto parti qenë anëtare të Kominternit dhe staliniste fund e krye. Merret vesh, njerëzit si Kahreman Ylli, i cili kishte qenë anëtar i partisë më të madhe komuniste në Perëndim, nuk mund të merrte leksione për komunizmin nga dy mësuesë të padiplomuar serbë, që kishin bërë jetë partie të dyshimtë në Jugosllavi. Kështu që, ndonëse Skrapari, nga ishte Kahreman Ylli, shihej si një vatër potenciale me rëndësi e luftës së ardhshme partizane, për shkak të terrenit të përshtatshëm, mendësisë luftarake të njerëzve të tij, malësorë të panënshtruar, si dhe për shkak të traditës guerrile noliane dhe antizogiste, që kishte si simbol Riza Cerovën, megjithatë Kahreman Ylli nuk u ftua të bënte pjesë në Komitetin Qendror Provizor, të krijuar në nëntor 1941. Për të mbuluar Qarkun e Beratit u emërua Gjin Marku, nga Mirdita, thjesht për faktin se kishte punuar në Berat pak kohë si agronom i mesëm. Gjin Marku, merret vesh nuk njihte as vendin dhe as njerëzit në masën e duhur për të drejtuar partinë dhe luftën partizane në Qarkun e Beratit. Kahreman Ylli e ndjeu veten të tepërt, kështu që në dhjetor 1941, pranoi ofertën që iu bë për të punuar si nëndrejtor i shkollës profesionale që ishte hapur atë vit në Gostivar, qytet që me ndryshimin e kufijve në 1941 i ishte bashkuar shtetit shqiptar. Kështu, Kahreman Ylli u bë një nga pionierët e arsimit shqip në trojet shqiptare përtej kufirit të vitit 1913, ku mësimi ishte bërë deri më atëherë vetëm në serbisht dhe në turqisht. Kjo do të bënte që Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha ta përcaktonin përfundimisht si një njeri të padëshirueshëm. Më pas, Kahreman Ylli do të emërohej në Berat, si drejtor didaktik i Inspektoratit Arsimor. Këtu ai u bë organizatori i vërtetë i PKSH dhe i luftës partizane në Qarkun e Beratit. Megjithatë, atij ende nuk po i jepej një vend i rendësishëm në hierarkinë e PKSH në Qarkorin e Beratit dhe aq më pak në Komitetin Qendror. Kahreman Ylli mori pjesë në Konferencën I të Vendit të PKSH, në Labinot të Elbasanit, në mars 1943, si delegat i Qarkut të Beratit. Por ai nuk u bë, jo më anëtar i Komitetit Qendror të zgjeruar, por as kandidat i tij. Kjo ishte paradoksale se tashmë Kahremani ishte përcaktuar për t’ u bërë Sekretar i Komitetit Qarkor të PKSH për Beratin (që përfshinte dhe Skraparin), detyrë që e mori më pak se një muaj pas Konferencës së Labinotit, në prill 1943. Pikërisht atë muaj, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi i dërguan Kahremanit në Berat, spiunin e tyre personal, Ramiz Alinë, të kamufluar si veprimtar të Rinisë Komuniste. Për Enver Hoxhën, Kahreman Ylli po bëhej gjithmonë e më tepër një njeri i dyshimtë. Kjo për faktin se Kahreman Ylli dinte të vërtetën e arrestimit dhe vrasjes së Kristaq dhe Margarita Tutulanit, në verën e vitit 1943. Kjo ngjarje, si dhe arrestimi i shumë komunistëve në Berat ato ditë, ndodhi fill pas arritjes së Ramiz Alisë në Berat, si i dërguar i posaçëm i Enver Hoxhës, çka u verifikua më pas, kur u mësua se Ramiz Alia i dërgonte raporte drejtpërdrejt Enver Hoxhës. Në korrik 1943, pas katastrofës që pësoi lëvizja komuniste në Berat, me disa qindra arrestime, ku përcaktues ishte roli shumë i dyshimtë i Ramiz Alisë, Kahreman Ylli nisi hetimet për të zbuluar shkaqet e asaj që kishte ndodhur. Por siç duhej kjo gjë nuk i pëlqente as Enver Hoxhës dhe as Miladin Popoviçit, kështu që Kahreman Yllin e larguan nga detyra e Sekretarit Politik të Qarkorit dhe e emëruan zëvendëskomisar të Zonës Operative Berat-Skrapar (më pas u bë komisar). Ajo që mund të quhet si krenaria dhe fatkeqësia që e ndoqi pas Kahreman Yllin gjithë jetën ishte se njerëzit kryesorë të cilët do të drejtonin Shqipërinë për gjysmë shekulli, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, shkuan dhe u strehuan në Skrapar në Operacionin e Dimrit 1943-44, pasi qenë shpartalluar në vendet ku vepronin me forcat e tyre partizane.
Fund Pjesa e Pare
Nje shkrim nga Kastriot Myftaraj
©Corovoda Online / kastriotmyftaraj.com