Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e gjashte **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e gjashte

Fatjon Kaloci
26.2.14
(Nje shkrim nga Kastriot Myftaraj) Edhe pas vdekjes së Kahreman Yllit, vazhdoi i njëjti qëndrim i dyfishtë ndaj tij. Në 1979 nisi botimi i serialit të librave “Veteranët tregojnë”, me kujtime të ish-partizanëve të shquar, të gjallë dhe të vdekur. Meqënëse Kahreman Ylli nuk ishte përfshirë në librin e botuar në 1960, me titull “Partizanët tregojnë”, duhej pritur që ai të ishte që në vëllimin e parë tw serisw “Veteranët tregojnë”. Por, Kahreman Ylli mungonte në vëllimin e parë ku qenë 31 veta. Duhej pritur që Kahreman Ylli të ishte në vëllimin e dytë, të botuar në 1982. Por ai mungoi edhe në vëllimin e dytë ku qenë 32 veta. Duhej pritur që së paku Kahreman Ylli të ishte në vëllimin e tretë, të botuar në 1984. Por Kahreman Ylli mungoi edhe në vëllimin e tretë ku qenë 57 veta. Në vëllimin e tretë qenë përfshirë kujtimet e skraparlinjve Mane Nishova, Neshat Hysi dhe Kastriot Ylli. E tepërt të thuhet, veprimtaria e të gjithë këtyre të marrë së bashku kishte qenë më pak e rëndësishme se ajo e Kahreman Yllit. Duhej pritur që Kahreman Ylli të gjendej në vëllimin e katërt, të botuar në 1985. Por Kahreman Ylli mungoi edhe në vëllimin e katërt ku gjendeshin 39 veta. Në 1985 opinioni publik mësoi se Kahreman Ylli nuk ishte një ndër 159 veteranët më të rëndësishëm në vend.
Më tutje prania e Kahreman Yllit në libër do të kishte qenë nënvlerësim për të, që kishte qenë Sekretar politik i një Komiteti Qarkor (kishte pasur dhjetë të tillë në të gjithë vendin), Komisar i Shtabit të një Zone Operative (kishte pasur vetëm tre të tilla në të gjithë vendin), si dhe komisar brigade. Të gjithë ata të cilët kishin qenë kuadro të rangut të tij gjatë Luftës, dhe të cilët nuk qenë eliminuar nga Enver Hoxha deri në 1979, qenë përfshirë në dy vëllimet e para. Mungesa e Kahreman Yllit qe në njëfarë mënyrë pohimi nga ana e Enver Hoxhës, se atij i qe bërë eliminimi i heshtur. Nuk ka dyshim se pas eliminimit të Kahreman Yllit qëndron dora e Ramiz Alisë. Ramiz Alia, i cili në fjalimin që mbajti në mitingun e Çorovodës në 1987 tha fjalë lavdëruese për Kahreman Yllin, nuk arriti që ta fshehë urrejtjen e tij për të. Kjo u duk kur në 1988 dhe në 1990 u botuan nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste dy vëllimet “Kujtime për Enverin”, ku 89 persona rrëfenin kujtimet e tyre për Enver Hoxhën. Midis tyre kishte dhe të tillë që kishin vdekur në atë kohë, por megjithatë u morën shkrime të tyre të dikurshme në shtyp, ose dorëshkrime, dhe u përfshinë në këto dy vëllime. Kahreman Ylli nuk ishte ndër këta 89 persona të përzgjedhur, ndonëse shumë prej atyre që u përfshinë në këtë listë qenë më pak të rëndësishëm se ai. Ramiz Alia, i cili shtiret në kujtimet e veta se ka një dashuri të veçantë për Skraparin ku u strehua gjatë Luftës, bëri gjithçka që kishte në dorë për t’ i eliminuar bijtë e Skraparit nga udhëheqja. Një shembull për këtë është eliminimi politik i Ajli Ajlushanit më pas nga ana e Ramiz Alisë, për arsye kinse morale. Dhe pikërisht në kohën kur Ramiz Alia padashje e tradhtonte veten në zyrë, para vartësve të tij, duke thënë teksa dëgjonte goditjen e takave të një femre në korridor “Po vjen filania!”. Kuptohet se ishte mësuar që ta njihte nga ritmi i ecjes këtë shoqe, djali i së cilës,



që sot është deputet, i ngjan çuditërisht Ramiz Alisë. E pra, ky Ramiz Alia e bëri të madhe një histori të Ajli Ajlushanit, duke gjetur rastin ta shkarkonte atë detyra e ministrit të Shëndetësisë. Ramiz Alia duhet të ketë ndjerë kënaqësi që eliminoi dhe një skraparli tjetër. Është interesante se edhe Partia Socialiste do të kishte një lloj refuzimi ndaj Kahreman Yllit. Presidenti socialist i zgjedhur në 1997, Rexhep Meidani nuk u kujtua që ta bënte Kahreman Yllin “Nderi i Kombit”, megjithë propozimet që pati. Këtë gjë e bëri vetëm Presidenti pasardhës Moisiu, i cili kishte edhe motive familjare për këtë gjë. Për aq sa Kahreman Ylli u nderua në kohën kur ishte në pushtet PS, kjo ndodhi kur kryeministër ishte Ilir Meta, me origjinë nga Skrapari. Është e çuditshme prirja e ndonjë autori të majtë skraparli, në libra të botuar pas vitit 1990, për të fshehur persekutimin e Kahreman Yllit nga Enver Hoxha. Kështu, Izet Dyrmishi, autor i një libri enciklopedik me titull “Skrapari në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në progresin shoqëror”, kur jep edhe një biografi të Kahreman Yllit, nuk thotë asgjë për pjesëmarrjen e tij në Komitetin Qendror të PPSH, ndonëse e përmend se nga viti 1970 deri në 1975 ka punuar si ndihmës në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH. Arsyeja nuk është e vështirë të kuptohet. Izet Dyrmishi nuk do që të përmendë mungesën e Kahremanit në Komitetin Qendror mes vitit 1952 dhe 1971. (Izet Dyrmishi, “Skrapari në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në progresin shoqëror”, Botim i “Mësonjtorja”, Tiranë 2003, f. 69) Kështu, Izet Dyrmishi që shkruan në vitin 2003, kërkon të jetë në pajtim me fjalimin e Enver Hoxhës në 1952, pavarësisht se vetë Enver Hoxha përgënjeshtroi vetveten në mes të Çorovodës, në 1963!
Ajo që nuk e thotë Izet Dyrmishi dhe studiuesit e tjerë skraparlinj, është se kur Enver Hoxha lavdëroi Kahreman Yllin në 1963, në Çorovodë, para popullit të Skraparit, ai në fakt kishte vendosur eliminimin e heshtur të Kahreman Yllit, pasiqë u detyrua të hiqte dorë nga eliminimi i hapur në 1952. Martesa e djalit të Kahremanit me mbesën e Nexhmije Hoxhës (vajzën e vëllait) nuk duhet të na gabojë mbi të vërtetën e vdekjes së Kahremanit, ashtu siç trajtimi që u bëri Enver Hoxha fëmijëve të kunatit të tij, Bahri Omarit, të cilin e vrau, nuk shpjegon gjestin e Enver Hoxhës, i cili dënoi me vdekje kunatin si ministër i Punëve të Jashtme i qeverisë kuislinge në të njëjtin gjyq ku morën dënime më të lehta kryeministri kuisling dhe kryetari i Partisë Fashiste! Nëse Enver Hoxha do të kishte zgjedhur që ta eliminonte kunatin e tij në një mënyrë të heshtur, a nuk do të na gabonte trajtimi i fëmijëve të Bahri Omarit mbi të vërtetën e vdekjes së tij? E njëjta logjikë vlen dhe për vdekjen e Kahreman Yllit. Kahreman Ylli ishte dhëndër në Himarë, një një nga familjet atdhetare shqiptare, të cilat Greqia i kishte halë në sy. Këtu duhet kërkuar dhe një nga arsyet e eliminimit të heshtur që Enver Hoxha i bëri Kahreman Yllit. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, në 1971, Enver Hoxha nisi një fushatë persekutimi të të krishterëve ortodoksë nga familje me veprimtari të njohur antigreke, si dhe të njerëzve të cilët qenë martuar në familje të tilla. Kështu kënaqej Athina. Nga eliminimi i një njeriu si Kahreman Ylli nuk kënaqej vetëm Athina, por edhe Beogradi, për arsye që i kam thënë më lart. Nuk është i rastësishëm largimi i Kahreman Yllit nga posti i rektorit të Universitetit të Tiranës, pikërisht në kohën që nisën marrëdhëniet mes këtij universiteti dhe atij të Prishtinës. Kahreman Ylli qe i papëlqyeshëm për Beogradin, i cili ndaj Shqipërisë punonte mbi bazën e raporteve që kishin lënë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në librin e vet “Kurban” ankohej se kryetari i LSI-së, Ilir Meta ishte shumë mosbesues, dhe dyshues, në kohën që ishte aleat i tij. Edi Rama harron, në rast se e ka ditur ndonjëherë, se Ilir Meta si skraparli, ka të ngulur thellë në mendjen e tij përshtypjen e rëndë, që bëri tek skraparlinjtë trajtimi i Kahreman Yllit nga ana e partisë së tij. Tekefundit a nuk ishte mënyra se si u eliminua politikisht Ilir Meta në PS, një version i përshtatur me kohët e reja, i eliminimit të Kahreman Yllit? Ashtu siç i ndodhi Kahreman Yllit, Ilir Meta u përdor nga ana e asaj që mund të quhet masoneria politike e partisë së tij, atëherë kur ishte i domosdoshëm për të, dhe më pas u bë viktimë e një skenari për eliminim politik. Thelbi i dramës së Ilir Metës është i njëjtë me atë të Kahreman Yllit: Ajo që mund të quhet si masoneria politike, e cila ka drejtuar PKSH- PPSH-PS, që prej vitit 1941 dhe deri më sot nuk pajtohet me ekzistencën e një lideri politik skraparli me profil të lartë. Skraparliu është i mirë si “Sulo Gradec”, por jo si lider. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë retorikë ambalazhuese. Prej këtej arsyeja kryesore e përçarjes serioze të së majtës, me daljen e LSI. Ky problem nuk mund të kapërcehet, ashtu siç kërkoi të bëjë Edi Rama, me praninë e Fidel Yllit në grupin parlamentar të PS. Edi Rama shikon tek Ilir Meta atë problem që Enver Hoxha shikonte tek Mehmet Shehu dhe Kahreman Ylli të marrë së bashku. Ndryshimi i vetëm është se Edi Rama nuk është Enver Hoxha për nga talenti politik. Gjithsesi, edhe këtu përdoret taktika e vjetër për t’ ia kundërvënë skraparliun skraparliut, e cila u përdor dikur edhe kundër Kahreman Yllit. Historia e Kahreman Yllit është tragjedia e një intelektuali që u takua me politikën, e një intelektuali që u bë politikan, dhe që i bëri nder vetes se bëri më shumë si intelektual për vendin e tij, në një kohë që intelektualët josheshin të bënin politikanin për të mbijetuar, siç ndodh rëndom në diktaturat e çfardollojta. Edhe sot, 55 vjet pas krijimit të Universitetit të Tiranës, Kahreman Ylli mbetet një ndër dy rektorët e këtij universiteti me diplomë universitare perëndimore. Si mësues, Kahreman Ylli është ndër të rrallët që ka dhënë mësim si në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Veriut, ashtu dhe në trojet shqiptare përtej kufijve të vitit 1913. Në kohën që Kahreman Ylli vdiq, në 1975, në moshën 58 vjeç, ai ishte anëtar partie prej 37 vjetësh, domethënë që prej katër vjetësh para krijimit të PKSH. Pothuajse të gjithë njerëzit e llojit të tij kishin përjetuar burgime dhe pushkatime. I fundit do të ishte Mehmet Shehu, gjashtë vite më pas. Kahreman Ylli është një mit për Skraparin, por deri më sot asnjë studiues i kësaj zone nuk është angazhuar për të zbuluar të vërtetën e tij. Njeriu i cili lindi në vijën e frontit të Luftës së Parë Botërore, jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij në vijën e frontit të luftës së ftohtë brenda udhëheqjes komuniste shqiptare, ku në fund humbi dhe jetën. Kjo është e vërteta e tij.
Nje Shkrim nga Kastriot Myftaraj
©Corovoda On Line / kastriotmyftaraj.com