Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e dyte **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e dyte

Fatjon Kaloci
26.2.14
Polican Skrapar 1970
Skrapari mbahej fort nga Kahreman Ylli. Kështu që Kahremani u kujtonte atyre të vërtetën e hidhur që qëndronte pas kultit heroik që kishin ndërtuar për vetveten. Këtë gjë ata nuk do t’ ia falnin kurrë. Kur Enver Hoxha në dimrin e vitit 1943-44, pasiqë ia arriti me sukses që të shkaktonte shpartallimin e plotë të forcave të mëdha partizane që kishte me vete në Çermenikë dhe në malësitë lindore të Tiranës, iku nga sytë këmbët me një grusht njerëzish, duke mbetur në fund vetë i tretë, ai u strehua në Skraparin që mbahej fort nën kontrollin partizan, në sajë të Kahreman Yllit. Enver Hoxha, në kujtimet e veta thotë se ai nuk ndjehej i sigurt në Panarit, një fshat të thellë malor të Korçës ku ishte vendosur pas ardhjes nga Shqipëria e Mesme, prandaj shkoi dhe u vendos në Skrapar. Kështu, Enver Hoxha shkoi dhe e la veten në dorën e “fashistit” Kahreman Ylli, siç do ta akuzonte tetë vjet më pas në Kongresin II të PPSH! Enver Hoxha nuk mund të mos e ndjente veten të poshtëruar që kishte qenë i detyruar të pohonte disfatën e vet dhe suksesin e Kahreman Yllit, si prijës partizan. Enver Hoxha u vendos në Helmës të Skraparit, si një një resort turistik malor, larg luftimeve, dhe atje bëri Plenumin I të Komitetit Qendror, ndonëse vetëm një pjesë e vogël e anëtarëve të KQ qenë atje. Hoxhës dhe Popoviçit, ndonëse kishin ardhur si të thuash në shtëpinë e Kahreman Yllit nuk u bëri zemra që ta kooptonin atë në Komitetin Qendror, siç kishin bërë më parë me njerëz të tjerë, pa asnjë meritë në luftën partizane, si Nako Spiru dhe Ymer Dishnica. Ata që kishin humbur lidhjet me forcat partizane atë dimër dhe që erdhën në Skrapar praktikisht si dezertorë u shpërblyen me detyra më të larta, siç ndodhi me Shemsi Totozanin, të cilin Kahreman Ylli në prill 1944, gjeti pothuajse të ngrirë nga të ftohtët në malësitë e Skraparit dhe e çoi në Helmës tek Enver Hoxha. Shemsi Totozani, Sekretarin organizativ të Komitetit Qarkor të PKSH për Gjirokastrën dhe anëtar i Shtabit të Zonës së Parë Operative, i cili i maskuar si dervish, po ikte pa e ditur se ku pasiqë kishte humbur lidhjet me forcat partizane. Enver Hoxha, në vend që ta qortonte Shemsiun e ngriti në detyrë, duke e bërë përgjegjës të Agjitpropit (Agjitacionit dhe Propagandës) pranë Shtabit të Përgjithshëm. Më pas Shemsiu do t’ ia shpërblente me të keq të mirën që i bëri Kahremani. Ndonëse Kahreman Ylli i kishte të gjitha cilësitë për të qenë qoftë komandant qoftë komisar i një brigade partizane, vetëm në gusht 1944 ai u bë komisar i Brigadës XIV. Në këtë detyre ai ishte ndër të paktët drejtues të brigadave partizane që rrezikoi seriozisht jetën në luftë duke marrë plagë të rënda, në Sarandë, në tetor 1944. Enver Hoxha, për të ulur lavdinë e Kahreman Yllit aludon në librin me kujtime “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” se Kahremani u plagos nga zjarri i topave të anijeve britanike, dhe jo nga gjermanët. Gjithsesi, Enver Hoxha, i cili kishte dhuntinë staliniane prej pushtetari që përkohësisht t’ i përdorte njerëzit, të cilëve në mendjen e tij ua kishte caktuar se deri ku do të shkonin, e kishte afruar Kahreman Yllin që pas kthimit të këtij të fundit në dhjetor 1944 nga Italia, ku u kurua në spitalet e aleatëve nga plagët e marra. Në atë kohë Enver Hoxha, i cili ishte kryeministër, nuk donte që ta lejonte Koçi Xoxen që të vendoste ndonjë nga njerëzit e tij në postin e shefit të kuadrit në Kryeministri. Koçi Xoxe, i cili ishte Sekretar i Komitetit Qendror për kuadrot, vinte njerëzit e tij në këto poste kyç gjithandej piramidës shtetërore-partiake. Emërimi i Kahreman Yllit ishte një kompromis mes Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes. Ky i fundit e dinte se Ylli nuk ishte njeriu i Hoxhës, ndonëse nuk ishte as njeriu i tij. Në atë kohë doli për herë të parë akuza ndaj Kahreman Yllit si veprimtar fashist. Kjo akuzë doli së pari në kohën kur Koçi Xoxe ishte ministër i Punëve të Brendshme, me ç’ rast u hapi dosje të gjithë kuadrove të lartë. Por Kahreman Ylli nuk do të rrinte shumë kohë në postin e minuar të shefit të kuadrit të Kryeministrisë. Në pranverën e vitit 1946, kur Shqipëria do të dërgonte një ministër fuqiplotë në të vetmen përfaqësi diplomatike të hapur në Perëndim, atë në Francë, jugosllavët, të cilët në atë kohë qenë zotërit e Shqipërisë, natyrisht që donin të dërgonin njeriun e tyre të besuar atje. Që Kahreman Ylli nuk ishte njeriu i besuar i tyre, kjo gjë nuk është e vështirë të kuptohet. Emri i tij nuk kishte hyrë në listat për Komitetin Qendror të PPSH, që kishin bërë të dërguarit jugosllavë në 1941, në mbledhjen themeluese, në 1943, në Konferencën e Parë të Vendit, të PKSH, dhe në 1944. në Plenumin e Beratit. Kështu që nuk kishte asnjë gjasë që Kahremani të ishte i përzgjedhuri i jugosllavëve për këtë post. Në fakt, jugosllavët donin që ministri i parë fuqiplotë i Shqipërisë në Paris, të bëhej Hysni Kapo, i cili kishte bashkëpunuar shumë mirë me Jugosllavët në Vlorë, në kohën e luftës, duke u bërë adjutant i Dushan Mugoshës. Në 1945-46 jugosllavët qenë duke e pompuar si diplomat. I emëruar zëvendësministër i Punëve të Jashtme (ministër ishte vetë Enver Hoxha), Hysni Kapo përfaqësonte Shqipërinë në konferencat e rëndësishme ndërkombëtare në Perëndim, si ajo për dëmshpërblimet e luftës, dëgjesat në Këshillin e Sigurimit të OKB etj. Merret vesh, Hysni Kapo në këtë rol ishte një katastrofë komike, se ai nuk kishte kryer shkollë tjetër, përveç shkollës së mesme tregtare italiane në Vlorë, ku kishte mësuar italishten. Ai nuk zotëronte asnjë nga të dy gjuhët e diplomacisë ndërkombëtare të kohës, frëngjishten dhe anglishten. Francezët nuk e dhanë pëlqimin për Hysni Kapon, duke i bërë me dije Enver Hoxhës, se fakti që ata kishin qenë i pari vend perëndimor, madje e para fuqi e madhe, anëtare e Këshillit të Sigurimit, që e kishte njohur Shqipërinë, bënte që gjithçka që kishte të bënte këtë çështje të shqyrtohej me vëmendje të veçantë nga aleatët perëndimorë të Francës, kështu që Franca i jepte vetes të drejtën që të vinte disa kushte që normalisht nuk do të mund të viheshin në marrëdhëniet mes dy vendeve. Më qartë, francezët po i thoshin Enver Hoxhës se nuk donin për ministër fuqiplotë një agjent jugosllav apo sovjetik. Jugosllavia në atë kohë ishte në një konflikt të ashpër me fuqitë perëndimore, për shkak të çështjes së kufirit jugosllavo-italian, dhe të ndihmës që Jugosllavia u jepte rebelëve komunistë në Greqi. Jugosllavia madje e shkallëzoi konfliktin me fuqitë perëndimore deri në veprime luftarake duke rrëzuar dy aeroplanë amerikanë mbi territorin jugosllav. Kështu që Enver Hoxha u detyrua që ta emëronte Kahreman Yllin ministër fuqiplotë në Paris, si persona grata për francezët. Por Enver Hoxha nuk do ta harronte kurrë se Kahreman Ylli kishte qenë i pëlqyeri i francezëve. Në ndërkohë atij i kishin ardhur në vesh edhe lidhjet e hershme të familjes “Ylli” me francezët. Kur Kahreman Ylli u emërua ministër fuqiplotë në Francë, në adresë të Enver Hoxhës dhe Koci Xoxes shkuan letra anonime ku i bëhej me dije “udhëheqjes” se familja e Kahreman Yllit kishte patur lidhje të hershme me francezët. Këto të dhëna Enver Hoxha do t’ i regjistronte në kujtesë, duke llogaritur që t’ i nxirrte më vonë kur të vinte ora e Kahreman Yllit. Gjithsesi, ashtu siç ndodhte me Stalinin, “karamelet” që jepte Enver Hoxha kishin edhe helm, dhe kështu ndodhi edhe me rastin e emërimit të Kahreman Yllit ministër fuqiplotë në Francë. Kahreman Ylli ishte i fejuar me vajzën e një familjeje të njohur të Skraparit, të lidhur me komunizmin, atë të Pasho Hysit. Vajza ishte kultivuar sipas traditave të mira vendase, por ajo ishte e pashkolluar dhe nuk e njihte botën. Enver Hoxha gjykoi se ajo nuk ishte e përshtatshme për të qenë gruaja e një diplomati në Paris. Ndoshta Enver Hoxha kishte të drejtë, por mënyra sesi ai e zgjidhi këtë problem, ishte karakteristike për stilin e tij djallëzor. Enver Hoxha i kërkoi Kahreman Yllit që ai ta prishte fejesën. Kur Kahremani e bëri këtë gjë, mes tij dhe familjes së vajzës, nisi një konflikt i ashpër. Pasho Hysi i coi fjalë Kahreman Yllit se do ta vriste nëse nuk e tërhiqte mbrapsht vendimin e tij. Enver Hoxha nuk do të ishte mërzitur nëse Pasho Hysi do të kishte vrarë Kahreman Yllin, madje do t’ i kishte pëlqyer kjo gjë, se ndaj Kahremanit kishte një antipati të llojit të atyre që tashmë qenë bërë pjesë e natyrës së tij. Atëherë, pikërisht në kohën që Enver Hoxha do të arrestonte dhe eliminonte komandantin e njohur partizan skraparli, Mestan Ujanikun, nuk do t’ i kishte ardhur keq nëse bashkë me të do të ikte, në një mënyrë apo një tjetër, edhe miku i këtij të fundit, Kahreman Ylli. Por Enver Hoxha e kishte hallin se mezi gjeti marrëveshjen me Francën për emrin e ministrit fuqiplotë, kështu që në ato momente Kahreman Ylli i duhej dhe nuk mund të lejonte që ai të humbte jetën në një grindje banale zakonore. Prandaj Enver Hoxha ndërhyri dhe u bë arbitër në sherrin, të cilin e kishte nxitur vetë, mes dy familjeve të njohura të Skraparit, duke i pajtuar ato. Në fakt, siç tregoi koha, qëllimi i Enver Hoxhës ishte që të përçante familjet e njohura skraparase, në mënyrë që t’ i kontrollonte më mirë ato. Kur Kahreman Yllin e nisën në Paris atij i thanë se do të kishte gjithsej si personel të Legatës gjashtë veta, nga të cilët vetëm tre qenë diplomatë dhe pjesa tjetër qenë punonjës teknikë. Do të qenë ministri fuqiplotë, sekretari i parë, një atashe i shtypit, një shifrant, një shofer dhe një punonjës tjetër. I thanë edhe formulën e zakonshme se nuk duhet të harronte se përfaqësia diplomatike shqiptare duhet të sillej në atë mënyrë që të tregonte vendosmërinë e Shqipërisë së re për të patur marrëdhënie reciproke me një vend të madh. Kahreman Ylli, i cili e mori seriozisht këtë gjë, tha se meqënëse Franca do të kishte në Tiranë një atashe ushtarak, a nuk do të ishte mirë që Shqipëria për të treguar reciprocitet, të kishte në Paris një të tillë. Por atij i thanë se nuk kishte nevojë për këtë gjë, pasiqë në Paris kishte një atashe ushtarak jugosllav.
Kahreman Ylli nuk e dinte se dy muaj pasiqë ai të shkonte në Paris, do të nënshkruhej traktati jugosllavo-shqiptar, i cili përmbante dhe dispozita ushtarake, që e bënin Shqipërinë protektorat ushtarak jugosllav. Prandaj nuk duhej që Shqipëria të kishte një atashe ushtarak në Paris. Mjaftonte atasheu ushtarak jugosllav atje. Kur i thanë në fund nëse kishte ndonjë gjë tjetër për të shtuar, Kahreman Ylli sugjeroi që meqënëse Legata shqiptare në Paris do të kishte vetëm tre diplomatë, atëherë e mira do të ishte që këta të zgjidheshin ndër shokët që e njihnin Francën dhe kishin studiuar atje, ashtu si dhe ai. Edhe këtë kërkesë nuk ia përmbushën. Sekretar i parë i Legatës u emërua Llambi Dishnica, nga Dishnica e Korçës, njeri i afërt i Koçi Xoxes, një punëtor i cili dikur kishte punuar edhe si mësues në fshatrat e Korçës, pasiqë kishte kryer një gjysmë shkolle të mesme. Llambi Dishnica ishte në fakt rezident i Sigurimit të Shtetit, i kamufluar si diplomat. Atasheu i shtypit ishte Javer Malo, nga Delvina, i cili kishte kryer klasat e ulta të Liceut francez të Gjirokastrës, dhe kishte përfunduar shkollën e mesme në Normalen e Elbasanit. Më pas ai kishte nisur studimet universitare në Itali, por i kishte ndërprerë kur Partia Komuniste Shqiptare u bëri thirrje studentëve universitarë jashtë vendit që të ktheheshin për të luftuar fashizmin. Ky Javer Malo, i cili kishte lënë përgjysëm studimet universitare në Itali, si dhe Liceun francez, do të ishte tani një ndër tre diplomatët shqiptarë në Paris, kjo në një kohë kur në Shqipëri kishte shumë njerëz me diploma universitare franceze. Javer Malo vajtjen e tij në Paris ia detyronte shokut të tij të shkollës nga Delvina, Vangjo Mitrojorgjit, Drejtorit të Sigurimit të Shtetit për Qarkun e Tiranës, dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Koçi Xoxes. Gjithsesi, Javer Malo ishte ku e ku më i mirë se eprori i tij, sekretari i parë Llambi Dishnica. Që jugosllavët nuk e mirëpritën emërimin e Kahreman Yllit në Paris, kjo u kuptua nga kushtet që i krijuan për udhëtimin e tij, se në atë kohë të gjithë udhëtimet jashtë Shqipërisë bëheshin nëpërmjet Jugosllavisë. Në atë kohë jugosllavët e kishin praktikë që, kur donin t’ i bënin për vete zyrtarët e ndryshëm shqiptarë që udhëtonin jashtë vendit, t’ u krijonin kushte të mira udhëtimi, duke u mundësuar që të udhëtonin me aeroplanët që vinin nga Beogradi në Tiranë. Atëherë Jugosllavia kishte marrë me ndihmat nga UNRRA dhe Bashkimi Sovjetik edhe aeroplanë transporti dhe e kishte këtë mundësi. Deri edhe delegacioneve të Rinisë nga Shqipëria, jugosllavët u mundësonin që të udhëtonin me aeroplan, për t’ i impresionuar dhe për t’ i bërë për vete. Vetëm për personelin prej gjashtë vetash të së parës përfaqësi diplomatike të Shqipërisë në Perëndim, jugosllavët nuk gjetën vende në aeroplanët e tyre. Javer Malo ka shkruar për këtë mision të parë diplomatik të tij një libër me kujtime, me titull “Përshtypje dhe mbresa”, ku ai e përshkruan kështu nisjen për në Francë, nëpërmjet Jugosllavisë: “U nisëm me një veturë dhe me një kamionçinë për në Shkup nga do të merrnim trenin për në Beograd, e andej do të shikonim ç’ mjet do të merrnim. Udhëtimi gjer në kryeqytetin jugosllav vazhdoi tri ditë, sikur të shkoje në fund të botës. Shkatërrimet e luftës, nga njëra anë, dhe gjendja e keqe e rrugëve të Ballkanit, të ngushta, të pashtruara, bënin që automobilat të ecnin me një shpejtësi që nuk ishte shumë larg nga ajo e karrocës. Udhëtuam një ditë të tërë dhe në mbrëmje mezi arritëm në Manastir. Të nesërmen nga mesi i ditës hymë më në fund në kryeqytetin e Maqedonisë. Treni për Beograd do të nisej në mbrëmje”. (Javer Malo, “Përshtypje dhe mbresa”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, f. 6) Por edhe kur arritën në Beograd i prisnin peripeci të tjera, të cilat Malo i rrëfen kështu: “Në atë kohë të niseshe nga Beogradi për në Paris ishte një punë e vështirë. Ekipit tonë të vogël iu desh të priste më shumë se një javë për të gjetur vend në ndonjë aeroplan të rrallë që fluturonte nga Beogradi për në Paris. E megjithatë vend për të gjithë ne dhe për bagazhet tona nuk kishte në aeroplan. Atëherë e ndamë ekipin më dysh dhe pastaj më tresh”.(Javer Malo, “Përshtypje dhe mbresa”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, f. 6) Arsyeja se përse ka ndodhur kështu duhet të jetë e ndryshme nga ajo që na jep Javer Malo, i cili ka arsyet e veta për të mos thënë krejt të vërtetën. Logjika të thotë se nisja nga Tirana për në Beograd duhet të ishte kordinuar me kohën kur nisej aeroplani nga Beogradi në Paris. Dhe kështu duhet të jetë bërë, por jugosllavët duhet të kenë gënjyer, në mënyrë që t’ i mbanin disa ditë në Beograd për përpunim diplomatët shqiptarë që do të shkonin në Francë. Edhe ndarja e njerëzve nga bagazhet është bërë me qëllim që të ushtrohej kontroll i ngeshëm në to. Paradoksi domethënës ishte se kur Kur Kahreman Ylli kishte shkuar në Francë si student në vitet tridhjetë, ai e kishte patur shumë të lehtë se tani që po shkonte si shefi i përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Beograd. Arsyeja e vetme ishte se rruga nga Tirana për në Paris tani kalonte nga Beogradi. Javer Malo, për shkak të kohës kur u botua libri, nuk përmend ndonjë episod me të vërtetë pikant. Kahremani bënte shaka në frëngjisht me Javer Malon, duke i thënë se si do ta prisnin vallë francezët sikur ata t’ ua përkthenin emrat e tyre. “Kahreman” në turqisht, ose më saktë në osmanisht, do të thoshte “kreshnik”, ndërsa “Javer” do të thoshte “adjutant”. Javer Malo i përgjigje duke i recituar vargjet e Servantesit, nga “Don Kishoti i Mançës”, sipas përkthimit të Fan Nolit: “O markez, o mantovan/ O xhaxha, o kahreman!” Kushedi se ç’ shkruante në raportet e tij për Koçi Xoxen Llambi Dishnica kur dëgjonte këto fjalë: Këta dy intelektualë të borgjezuar në Perëndim që tani nisën ta thërresin njëri tjetrin me tituj aristokratikë: Markezi Kahreman! Kushedi ç’ thonë në frëngjisht! Zyra e Kahreman Yllit në Legatën Shqiptare në Paris u shndërrua në zyrë pyetjesh të Sigurimit të Shtetit, ku i hetuari ishte ai. Me porosi të drejtpërdrejtë të Koçi Xoxes, rezidenti i Sigurimit të Shtetit në Paris, e pyeti ministrin fuqiplotë të Shqipërisë mbi veprimtarinë e mikut të vet, ish-komandantit të parë partizan të Skraparit, Mestan Ujanikut, i cili u arrestua në atë kohë si pjesëmarrës në një “grup armiqësor”, së bashku me mikun tjetër të Kahremanit, Nexhmi Ballkën, ish-anëtar i Komitetit Qarkor të PKSH-së për Beratin, i cili u arrestua pak kohë pas vajtjes së Kahreman Yllit në Paris. Nexhmi Ballka kishte qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, para se Koçi Xoxe të vinte në krye të kësaj ministrie, në mars 1946. Mestan Ujaniku dhe Nexhmi Ballka u arrestuan në 1947 si pjesëmarrës në atë që u quajt “Grupi i dytë armiqësor i deputetëve”, dhe në të cilin bënin pjesë deputetët Riza Dani, Faik Shehu (një komandant partizan në Dibër), Kostë Boshnjaku dhe Islam Radovicka (një komandant i njohur partizan).
Fund Pjesa e Dyte
Nje shkrim nga Kastriot Myftaraj
©Corovoda Online / kastriotmyftaraj.com