• NJË 29 VJEÇAR NGA SKRAPARI ARRESTOHET NË TIRANË
  • SHTETASI U ARRESTUA BASHKË ME 2 PERSONA TË TJERË PËR LËNDË NARKOTIKE
  • SIPAS POLICISË NGA KONTROLLI I BANESËS KU JETONTE I RIU NGA SKRAPARI U GJET CANNABIS
  • NDALIMI I 3 SHTETASVE U BË PASI PAS KONTROLLIT FIZIK 0.4 GRAM KOKAINË DHE 2.2 GRAM CANNABIS
  • NDËRSA NË SHTËPINË E 29 VJEÇARIT U GJET NJË SASI PREJ 90.8 GRAM CANNABIS

Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e trete

(vijon) Pjesa e trete. Nga Kastriot Myftaraj
Veç tyre në këtë “grup armiqësor” bënte pjesë edhe miku i ngushtë i Enver Hoxhës, Syrja Selfo. Në rastin e hetimeve të tilla, formula e zakonshme e Sigurimit të Shtetit, e kopjuar nga jugosllavët ishte që të hetohej për të zbuluar se veprimtaria armiqësore e të pandehurve kishte nisur që në kohën e Luftës, si agjentë fashistë. Pra, shoku Kahreman kishte detyrë që të gërmonte në kujtesën e vet për të ndihmuar Sigurimin e Shtetit me episode që ndriçonin këtë veprimtari dhe këtë gjë duhet ta bënte me përgjegjësi, se Partia dhe Sigurimi i Shtetit i dinin disa gjëra për të shkuarën e tij- aludohej për të shkuarën e tij si fashist. Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe, e dinin se Skrapari nuk do ta priste mirë dënimin e Mestan Ujanikut, të parit komandant partizan që po dënohej pas ardhjes në fuqi të regjimit të ri. Kështu që Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe do të kishin dashur që kundër Mestan Ujanikut të kishte dëshmuar edhe Kahreman Ylli, gjë që nuk ia arritën. Në të njëjtën kohë, Mestan Ujanikut dhe Nexhmi Ballkës në qelitë e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, iu kërkonin të dhëna kompromentuese për Kahreman Yllin, vajtjen e të cilit në Paris Koçi Xoxe dhe jugosllavët nuk e kishin gëlltitur dot. Por Koçi Xoxe kërkonte edhe që me anë të Kahreman Yllit të mblidhte të dhëna për Ramiz Alinë, njeriun e Nako Spirut (Alia ka pohuar vetë se shkoi në Berat me urdhër të Spirut), në mënyrë që të pasuronte dosjen e Spirut. Kahreman Ylli u bë pre e luftës me doreza mes Enver Hoxhës e Nako Spirut nga njëra anë dhe Koçi Xoxes e klanit të tij, në anën tjetër. Mestan Ujaniku u dënua me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burg. Nexhmi Ballka u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm, por më pas dënimi iu ul dhe doli nga burgu pas rënies së Koçi Xoxes, për t’ u arrestuar dhe dënuar përsëri më vonë. Enver Hoxha, duke dashur që ta kompromentonte Kahreman Yllin kërkoi që ai të merrte njëkohësisht me detyrën e ministrit fuqiplotë në Paris, edhe atë të përfaqësuesit të Shqipërisë në gjyqin që po mbahej në Hagë, mbi incidentin e Kanalit të Korfuzit. Kjo ishte absurde. Kahreman Ylli fillimisht nuk e pranoi këtë detyrë, duke sugjeruar se kjo detyrë duhet t’ i jepej një juristi, dhe se ai përveç gjuhës frënge në të cilën mund të komunikonte në gjyq, nuk kishte aftësi të tjera të posaçme. Enver Hoxhës nuk i mungonin juristët e shkolluar në Perëndim, si Manol Konomi, i cili ishte ministër i Drejtësisë, por Enver Hoxha nuk donte që ta dërgonte atë se e dinte që gjyqi ishte i humbur dhe njeriu që do të përfaqësonte Shqipërinë në Hagë nuk do të fitonte ndonjë lavdi. Enver Hoxha pajtohej me Koçi Xoxen për atë që Kahreman Ylli të regjistronte në karrierën e tij një betejë të humbur, kështu që ngulmoi për Kahreman Yllin, dhe ky pranoi detyrën, me përfundimin që dihet. Gjithsesi, pas rënies së Koçi Xoxes, Kahreman Ylli ishte një ndër ata që u quajtën viktima të Koçi Xoxes, dhe ai u shpërblye duke u bërë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Në 1948 Enver Hoxha konstatoi se sistemi arsimor në Shqipëri kishte hyrë në kaos të plotë. Që prej nëntorit të vitit 1944 qenë ndërruar katër ministra të Arsimit, dhe si për t’ i përkeqësuar gjërat pas dy mësuesve profesionistë, Gjergj Kokoshit dhe Kostaq Cipos, kishin ardhur dy demagogë profesionistë, Sejfulla Malëshova dhe Naxhije Dume- kjo e fundit u bë ministre e Arsimit vetëm se ishte gruaja e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, njëherësh dhe drejtorit të Sigurimit të Shtetit, të kohës së Koçi Xoxes, Nesti Kerenxhit. Reforma arsimore përmbysi krejt sistemin arsimor të krijuar dhe konsoliduar gjatë një çerek shekulli që prej vitit 1920, duke kaluar në sistemin me shkollë shtatëvjeçare dhe të mesme katërvjeçare, nga ai me shkollë fillore pesëvjeçare dhe të mesme tetëvjeçare. Në këto rrethana, duhej një specialist i pedagogjisë për ta bërë sistemin e ri që të funksiononte. Prandaj Kahreman Ylli u emërua ministër i Arsimit. Fakti është se Kahreman Ylli ka qenë më i shkolluari ndër ministrat e Arsimit që pati regjimi komunist, duke qenë se ai kishte diplomuar për pedagogji në Francë. Sipas praktikës së njohur të Enver Hoxhës, i cili vinte si drejtues dyshe njerëzish të cilët qenë armiq me njëri tjetrin, dy muaj pas emërimit të Kahreman Yllit ministër, zëvendës i tij u emërua Shemsi Totozani (gjyshi i Avokatit të Popullit, Igli Totozani), njeriu të cilin Kahremani e kishte shpëtuar dhe e kishte çuar të gjallë tek Enver Hoxha në Helmës, në 1944. Detyra e Shemsi Totozanit ishte që të spiunonte Kahreman Yllin tek Enver Hoxha. Tatëpjeta e Kahreman Yllit nisi në Kremlin. I ndodhur në një pritje atje gjatë një vizite në Moskë, Kahreman Ylli tërhoqi vëmendjen e Stalinit, të cilit dikush nga zyrtarët sovjetikë, gjatë paraqitjes së delegacionit shqiptar në pritje, i tha se ky ishte shoku shqiptar që kishte përfaqësuar vendin e tij në gjyqin ndërkombëtar. Stalini e ndaloi për disa momente ministrin shqiptar dhe kur një tjetër sovjetik i tha se mbiemri i shokut shqiptar përkthehej “zvezda” (yll) në rusisht, i tha se atë mbrëmje në Kremlin kishte një yll të çeliktë (Stalini bënte aluzion për emrin e tij që do të thoshte “Çelik”). Por kjo shaka e mori më qafë Kahreman Yllin se Enver Hoxhës iu ngjall dyshimi se mos Stalini kishte ndërmend që ta zëvendësonte me Kahreman Yllin. Kahreman Ylli ishte nëntë vjet më i ri se Enver Hoxha, ishte karizmatik, me një të shkuar të lavdishme si partizan, pra ishte një kandidat për zëvendësimin e Enver Hoxhës. Ky i fundit, si natyrë shumë dyshuese që ishte, komplimentin e Stalinit për Kahremanin nuk mund të mos e shihte si të lidhur me pyetjet që i bënte vazhdimisht Stalini Hoxhës në takimet e tyre, për gjendjen e tij shëndetësore. Unë nuk besoj se Stalinit qoftë edhe për një sekondë i kishte shkuar në mendje që ta zëvendësonte Enver Hoxhën me Kahreman Yllin. Por duket se Enver Hoxhës iu krijua kjo ide fikse se unë nuk gjej shpjegim tjetër për eliminimin politik të Kahreman Yllit pak muaj pas kthimit të tij nga një vizitë në Moskë. Natyrisht, nëse Enver Hoxha do ta godiste Kahreman Yllin, pa gjetur një arsye të fortë, pas fjalëve që tha Stalini për të, do të zbulohej prapamendimi i tij. Prandaj Enver Hoxha mendoi që të ngrinte një kurth për Kahreman Yllin, duke shfrytëzuar një kërkesë të sovjetikëve. Në atë kohë Enver Hoxha ishte shumë i preokupuar për atë se anëtarja e Byrosë Politike, Belishova, ish-gruaja e Nako Spirut, e cila kishte mbetur e ve, në moshën 21 vjeç, nuk po martohej. Nuk perceptohej mirë nga populli që një politbyroiste 26 vjeçare të ishte e pamartuar. Edhe sovjetikët ia kishin tërhequr vërejtjen Enver Hoxhës për këtë gjë. Por Enver Hoxha ishte i shqetësuar dhe nga ndonjë martesë e papritur që mund të kombinonin Shehu me Fiqret Shehun, për ta lidhur më fort Belishovën me veten. Aq më tepër që Belishova, ashtu si dhe Mehmet Shehu ishte nga Mallakastra. Prandaj Enver Hoxha thirri Kahreman Yllin, dhe i propozoi që të martohej me Belishovën. Enver Hoxha, duke e njohur temperamentin e Kahreman Yllit, mendonte se ai do të kundërshtonte, pasiqë Liri Belishova kishte pësuar një fatkeqësi, duke humbur një sy në një demonstratë në Tiranë, në 1943. Ashtu siç e priste Enver Hoxha, Kahreman Ylli, të cilit nuk i pëlqeu ky propozim, u largua duke thënë se do të mendohej dhe bëri një martesë rrufe me një vajzë nga Vunoi, kushërirë të dy anëtarëve të Byrosë Politike nga ky fshat (Spiro Koleka dhe Gogo Nushi), duke e vënë Hoxhën para faktit të kryer. Enver Hoxhës nuk i pëlqenin këto të papritura. Si një makiavelik i regjur Enver Hoxha hapi fjalë se Kahreman Ylli në fillim ishte shprehur dakord për t’ u martuar me Belishovën, por pastaj e kishte shkelur fjalën, ashtu siç kishte bërë edhe herën e parë. Atëherë Enver Hoxha mblodhi me ngut një plenum të Komitetit Qendror të Partisë, në prag të Kongresit II dhe e përjashtoi Kahreman Yllin nga Komiteti Qendror si hierark fashist. Në pranverën e vitit 1952 pritej që Kahreman Ylli të bëhej anëtar i Byrosë Politike të PPSH, në Kongresin II të kësaj partie, që do të mbahej në prill të atij viti. Kahreman Ylli, nga Skrapari, një drejtues i njohur partizan (komisar brigade), ishte ndër të paktët drejtues të brigadave partizane, të cilët qenë plagosur seriozisht në luftë. Kahreman Ylli, i cili qe zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror të PPSH në Kongresin I të mbajtur në nëntor 1948, mbante edhe postin e ministrit të Arsimit. Kahreman Ylli dukej si kandidati më i mundshëm për të zënë një nga dy vendet vakante në Byronë Politike prej nëntë anëtarësh, të zgjedhur në Kongresin I, në 1948. Byroja Politike e dalë nga Kongresi I nuk kishte kandidatë zyrtarë- kjo do të bëhej në Kongresin II. Nga Byroja Politike qe përjashtuar në 1951 Tuk Jakova, dhe pritej që të mos zgjidhej më Bedri Spahiu, gjë që ndodhi në Kongresin II. Por, befasisht, një plenum i Komitetit Qendror të PPSH, i mbledhur në 24 mars 1952, një javë para nisjes së kongresit, mori vendimin që Enver Hoxha ia kumtoi kongresit të habitur, në raportin e vet: “Komiteti Qëndror në mbledhjen e tij të datës 24 mars 1952, përjashtoi nga Komiteti Qëndror shokun Kahreman Ylli, për arsye se me rastin e verifikimit të dokumentit të tij ay nuk u tregua i sinqertë dhe u mundua të fshihte qënien e tij si anëtar i partisë i Partisë Fashiste dhe sidomos anëtar i direktoratit fashist të Peshkopisë”.(Enver Hoxha: “Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin II të PPSH”, Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1952, f. 67) Për këtë detaj të së shkuarës së Kahreman Yllit mund të thuhej çdo gjë, por jo se Enver Hoxha dhe Partia nuk qenë në dijeni. Nomenklatura e Partisë Fashiste kishte qenë botuar në gazetat e regjimit të kohës, ato “Fashizmi” dhe “Tomorri”. Anëtarësimi i Kahreman Yllit në Partinë Fashiste pati ndodhur në kohën e Paktit Molotov-Ribentrop, kur komunistët bashkëpunonin me fashistët. Ironia ishte se në kohën që Kahreman Ylli përjashtohej nga Komiteti Qendror, kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Omer Nishani, i cili kishte qenë jo vetëm anëtar i Partisë Fashiste, por edhe zyrtar i lartë i regjimit fashist, si dhe opinionist në gazetat fashiste, vazhdoi ta mbante postin e vet të kryetarit të shtetit, deri kur vdiq dy vjet më pas. Madje edhe zëvendësuesi i Kahreman Yllit në Ministrinë e Arsimit, Bedri Spahiu, pati qenë anëtar i Partisë Fashiste! I ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, i raporton Moskës në 7 prill 1952 për eliminimin e Spahiut: “Akuza kryesore dhe besoj, e vetme që u ngrit kundër tij është oportunizëm. Një sërë faktesh,- tha Enver Hoxha,- e vërtetojnë këtë tipar të Bedri Spahiut. Kështu, dikur, para themelimit të partisë, ai ka qenë anëtar i partisë fashiste dhe madje ka pasë rekrutuar edhe shokë të tjerë”.(“Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”, dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet “Toena”, Tiranë 2006, f. 352) Është e qartë se arsyeja e vërtetë për të cilën u ndëshkua Kahreman Ylli nuk ishte ajo që tha Enver Hoxha në kongres. Kur Enver Hoxha e goditi Kahreman Yllin në 1952, Shemsiu ishte i pari që veproi sipas skenarit të eliminimit. Shemsi Totozani, i cili kishte diplomuar në Francë, në Strasburg, nuk ia falte Kahremanit që i zuri vendin si ministër fuqiplotë në Paris. Si ministër i Arsimit, Kahremani ishte dhe kryetar i Komisionit Kombëtar të Luftës kundër Analfabetizmit. Shemsiu e akuzoi se kishte nënvlerësuar luftën kundër analfabetizmit tek romët, dhe inskenoi ardhjen e një grupi romësh në Ministrinë e Arsimit për t’ u ankuar, në kohën që Kahremani nuk gjendej atje. Shemsiu u doli para dhe në mënyrë pompoze i ftoi të hynin në ndërtesën e Ministrisë, duke shpallur me të madhe se ai vetë do t’ u bënte mësim. Romët për të festuar ia nisën me këngët e vallet e tyre, kështu që kur erdhi Kahremani nuk u besonte syve e veshëve, që po e shikonte Ministrinë të shndërruar në tahllava mejhane. Kahremani urdhëroi që të të ardhurit e çuditshëm të largoheshin në moment nga Ministria, por Totozani deklaroi se ai nuk zbatonte urdhërat e një fashisti. Shemsiu qartësisht ishte inkurajuar nga baxhanaku i tij, Bedri Spahiu, i cili pak kohë më pas do ta zëvendësonte Kahremanin në postin e ministrit të Arsimit. Në 9 prill 1952, dy ditë pas përfundimit të Kongresit II të PPSH, Kahreman Yllit iu hoq portofoli i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës, për t’ u zëvendësuar me ish-hierarkun fashist, Bedri Spahiu! Pas fjalëve që Enver Hoxha tha për Kahreman Yllin në Kongresin II duhej pritur që të shkallëzohej procesi i eliminimit të këtij të fundit, duke u bërë përjashtimi nga partia dhe më pas arrestimi. Kahreman Ylli do ta kishte pësuar me siguri sikur të mos kishin ndërhyrë sovjetikët, të cilët për shkak të fjalëve të Stalinit për të, e shpëtuan nga eliminimi i plotë. Enver Hoxha e emëroi Kahreman Yllin në vendin e Shemsi Totozanit, si zëvendësministër, se me ardhjen e baxhanakut në Ministrinë e Arsimit, Shemsi Totozani u largua prej andej dhe u bë kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Kulturës. Kështu, ish-ministri i Arsimit me diplomë universitare franceze e pa veten befas si vartës të një njeriu që kishte diplomën e një kursi njëvjeçar për oficerë ushtrie të kohës së Monarkisë. Kështu që kur Kahreman Ylli donte të merrej me çështjet e arsimit duhet të shkonte tek njëri baxhanak, Bedriu, dhe kur duhej të merrej me çështjet e shkencës, duhet të shkonte tek baxhanaku tjetër, Shemsiu! Në 1952, Kahremani, me sa duket me kërkesën e sovjetikëve, duhet të shkonte për studime në shkollën e lartë të partisë në Moskë, por Enver Hoxha bëri sa mundi që ta pengonte, dhe sa herë që Kahremani shkonte në Moskë thirrej shpejt në Tiranë kinse për një punë urgjente. Në Moskë në këtë kohë kishte shkuar për studime në të njëjtën shkollë edhe Ramiz Alia. Përsëri Kahremani do të ishte bashkë me Ramiz Alinë, që nuk i ndahej që prej prillit 1943! Kur Enver Hoxha pa se, pas vdekjes së Stalinit, liderët e vjetër të vendeve komuniste- vasale të Moskës, nisën të largohen njëri pas tjetrit, disa për shkak të vdekjeve të dyshimta dhe disa të tjerë të shkarkuar nën trysninë e Moskës, atij iu ringjall përsëri frika paranojake se sovjetikët donin që ta zëvendësonin me Kahreman Yllin, këtë herë shumë më e fortë. Paranojën e Enver Hoxhës e ushqeu një ngjarje që ndodhi në Moskë, në 1954 dhe që atij ia raportoi Ramiz Alia. Në 1954 lideri sovjetik Hrushovi bëri një takim në Moskë me një grup studentësh të shkollës së lartë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, nga vende të ndryshme, ndër të cilët qenë edhe Ramiz Alia, Kahreman Ylli dhe Liri Belishova. Hrushovi, i cili nëpërmjet tyre donte që t’ u jepte një kumt udhëheqjeve të vendeve përkatëse, i pyeti të pranishmit një për një se çfarë shkollimi kishin pasur para se të vinin në këtë shkollë. Në këto raste Hrushovi e kishte praktikë që të konsultohej me një çinovnik (nëpunës) që i pëshpëriste tek veshi të dhënat e duhura dhe pastaj Hrushovi bënte komentet e tij të mprehta. Kur i erdhi radha Ramiz Alisë ai tha se kishte përfunduar shkollën e mesme. “Shumë keq shok, i tha Hrushovi, ti je ende i ri, lufta ka një dekadë që ka përfunduar, kështu që ti mund ta kishe marrë tashmë një diplomë universitare, pastaj të kishe ardhur këtu. Ja, po marr vesh se ju jeni edhe anëtar i Komitetit Qendror. E ardhmja është e liderëve të shkolluar jo vetëm me shkollën e partisë. Ju nuk mund të jeni si ne. Ne jemi brezi që po ndërtojmë socializmin, por ju jeni brezi që do të ndërtoni komunizmin dhe kjo kërkon dije”. Ramiz Alisë nuk i erdhi mirë nga kjo vërejtje, por nuk kishte çfarë të thoshte. Pastaj Hrushovi iu drejtua Kahreman Yllit, duke i bërë të njëjtën pyetje. Kur

Kahreman Ylli i tha se kishte një diplomë universitare franceze, Hrushovi, sipas dëshmitarëve, tha: “Shumë mirë shoku Ylli, por ja, po më thonë se ti nuk je as anëtar i Komitetit Qendror. Ti je tetë vjet më i madh në moshë se shoku Alia, megjithatë nuk je anëtar i Komitetit Qendror ndonëse je i diplomuar. Shoku Alia, ndonëse tetë vjet më i vogël se ty nuk ka kryer studime universitare, dhe megjithatë është anëtar i Komitetit Qendror. Kështu janë punët në partinë tuaj. Kjo është domethënëse se po më bëjnë me dije që në Byronë Politike të partisë suaj nuk ka asnjë njeri me diplomë universitare. Ne jemi në 1954 shokë, nuk jemi në 1924”. Hrushovi qartësisht kërkonte të gjente edhe në Shqipëri njerëz me mendësi reformatore, të cilët qenë në gjendje që ta perceptonin frymën e re që vinte nga Moska dhe të vepronin sipas saj dhe në vendet e tyre. Kahreman Ylli ishte njeriu i përshtatshëm për këtë gjë. Kur Enver Hoxha i mësoi këto, ai mendoi se Kahreman Ylli ishte i përzgjedhur i Hrushovit për ta zëvendësuar atë. Natyrisht se lideri që do të zëvendësonte Enver Hoxhën duhet të ishte nga Shqipëria e Jugut ku ishte baza e fuqisë së regjimit. Enver Hoxha e dinte se në atë kohë Mehmet Shehu, numri dy i regjimit nuk mund të ishte i përzgjedhuri i Hrushovit për ta zëvendësuar atë, për shkak se Shehu duke qenë ministër i Punëve të Brendshme deri në 1954, kishte qenë homologu shqiptar i Berias, që ishte eliminuar në Bashkimin Sovjetik që në 1953. Hysni Kapo nuk mund të ishte një kandidat për ta zëvendësuar Enver Hoxhën se ai pati qenë përzgjedhur nga jugosllavët në 1946 për të qenë ministër fuqiplotë (ambasador) në Beograd, dhe shihej si shumë i përpunuar nga ana e e tyre. Hrushovi donte që në Tiranë të kishte një lider që do të mbante marrëdhënie miqësore me Titon, por që nuk do të kishte rrezik që të kontrollohej nga Beogradi. Enver Hoxha dha një provë force duke eliminuar në 1955 një kandidat potencial, Bedri Spahiun, por ai nuk mund t’ i eliminonte të gjithë kandidatët në atë kohë. Enver Hoxha do të kishte dashur që ta eliminonte edhe Kahreman Yllin në vitet 1955-56, por ai nuk mund ta bënte këtë gjë pas fjalëve që kishte thënë Hrushovi për të. Enver Hoxha bëri një gjë tjetër, karakteristike për stilin e tij, duke e vënë Kahreman Yllin nën kontrollin e Ramiz Alisë. Në 1955, kur Ramiz Alia u emërua ministër i Arsimit (qershor), ai gjeti atje si zëvendësministër Kahreman Yllin, i cili do të qëndronte në këtë post deri në 1961. Ishte padyshim një tregues i joseriozitetit të regjimit komunist, që një njeri me diplomë franceze për pedagogji, dhe me eksperiencë didaktike disavjeçare, të emërohej zëvendës i një ministri 30 vjeçar, i cili edhe gjimnazin e kishte përfunduar partizançe, duke i marrë dy vitet e fundit në një kurs veror të hapur në 1945 për partizanët që kishin braktisur shkollat e mesme! Ky emërim ishte një poshtërim për Kahreman Yllin, aq më tepër që Ramiz Alia kishte qenë dikur vartës i Kahreman Yllit, si një aktivist adoleshent shtatëmbëdhjetëvjeçar i Rinisë Komuniste në Berat, duke nisur që nga prilli i vitit 1943. Gjithsesi, kryeministri Mehmet Shehu konsideronte si ministër të Arsimit jo Ramiz Alinë, por Kahreman Yllin. Mehmet Shehu dhe Kahreman Ylli kishin respekt intelektual të ndërsjelltë dhe një miqësi që ushqehej nga fakti se skraparlinjtë e shihnin Mehmet Shehun si njeriun më të afërt të tyre në udhëheqjen e lartë komuniste. Ndaj Kahreman Yllit u bënë përpjekje që t’ i mohohej edhe veprimtaria gjatë Luftës. Kur u krijua Instituti i Historisë së Partisë pra Komitetit Qendror të PPSH (më pas Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste), në vitet pesëdhjetë, iu sugjerua pjesëmarrësve në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare që të shkruanin kujtime dhe t’ i depozitonin atje. Kështu bëri dhe Kahreman Ylli. Në 1960, Instituti i Historisë së Partisë, që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, botoi mbi bazën e këtyre tregimeve librin “Partizanët tregojnë”, ku 50 pjesëmarrës të shquar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare rrëfenin kujtimet e tyre. Ndër këta 50 persona nuk ishte Kahreman Ylli, ndonëse atje qenë njerëz më pak të rëndësishëm se ai. Thuhet se emrin e Kahreman Yllit e kishte hequr nga lista paraprake vetë Nexhmije Hoxha. Se me porosinë e kujt, nuk është e vështirë të merret me mend. Pas eliminimit të Liri Belishovës në 1960, Enver Hoxha, siç e kishte zakon, bëri kinste rehabilitoi disa njerëz që i kishte goditur më parë, duke i quajtur viktima të Liri Belishovës. Kështu, Kahreman Ylli u bë kandidat i Komitetit Qendror në Kongresin IV të PPSH, në 1961. Në atë kohë, Enver Hoxha, si manipulator makiavelik që ishte, bëri disa lëvizje dekorative për t’ u dhënë të kuptonin veçanërisht intelektualëve se po zmbrapsej fryma sovjetike që ishte sunduese në vend deri më atëherë. Kështu, u shkarkua rektori i Universitetit të Tiranës që kishte diplomuar në Bashkimin Sovjetik, Zija Këlliçi, dhe u zëvendësua me një njeri me diplomë franceze, Kahreman Yllin. Por Enver Hoxha kishte dhe arsye të tjera përse e bëri këtë lëvizje. Në atë kohë Enver Hoxha e kishte kuptuar se një universitet i sapokrijuar si ai i Tiranës, kishte nevojë për një drejtues që të ishte ekspert i pedagogjisë, në mënyrë që të vendoste bazat e mësimdhënies. Rektori i Universitetit të Tiranës, Zija Këlliçi, ishte inxhinier ndërtimi, që nuk e njihte pedagogjinë. Prandaj, Enver Hoxha e bëri Kahreman Yllin rektor, si specialist i fushës së mësimdhënies që ishte. Një arsye tjetër për të cilën Enver Hoxha e emëroi Kahremanin rektor ishte se tashmë që nuk do të dërgoheshin më studentë në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera komuniste të Europës Lindore, Enver Hoxha donte që të krijonte lidhje me universitetet franceze, për të dërguar një numër studentësh atje. Duke pasur Universiteti i Tiranës një rektor me diplomë franceze, do të lehtësoheshin shumë marrëdhëniet arsimore me Francën. Gjithsesi, Enver Hoxha i mbajti këto marrëdhënie në nivel minimal. Kur në Tiranë emëroi Kahreman Yllin rektor, në Paris çoi si rezident të Sigurimit të Shtetit kuçiotin Hasan Luçi që të mbikqyrte studentët e paktë që dërgoheshin atje, duke i mahnitur francezët. Gjithsesi, Kahreman Yllit i takon merita që vendosi marrëdhëniet e para të Universitetit të Tiranës me universitetet e një vendi perëndimor si Franca dhe nisi studentët e parë atje.
Fund Pjesa e Trete
Nje shkrim nga Kastriot Myftaraj
©Corovoda Online / kastriotmyftaraj.com

Autentik!

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

PËR KONTAKT - EMAIL: corovodaonline@post.com

Mbështetje

ALSSH SKRAPAR - Kjo faqe mbështetet nga Agjensia Lokale e Sigurimeve Shoqërore Skrapar.

skrapari në fletë

loading...

NAVIGON

Nga Dje

Gjithmonë

Përherë

www.bashkiaskrapar.gov.al www.albrafting.com www.visitskrapar.com

HAPËSIRË PËR REKLAMA APO NJOFTIMET TUAJA