• NJË 29 VJEÇAR NGA SKRAPARI ARRESTOHET NË TIRANË
  • SHTETASI U ARRESTUA BASHKË ME 2 PERSONA TË TJERË PËR LËNDË NARKOTIKE
  • SIPAS POLICISË NGA KONTROLLI I BANESËS KU JETONTE I RIU NGA SKRAPARI U GJET CANNABIS
  • NDALIMI I 3 SHTETASVE U BË PASI PAS KONTROLLIT FIZIK 0.4 GRAM KOKAINË DHE 2.2 GRAM CANNABIS
  • NDËRSA NË SHTËPINË E 29 VJEÇARIT U GJET NJË SASI PREJ 90.8 GRAM CANNABIS

Koordinata X: Kahreman Ylli. Kur mposhtet harresa e viteve. Pjesa e katert

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha ndërmori një tur vizitash nëpër Shqipëri, me ç’ rast shkoi edhe në Skrapar, ku në shtator 1963, mbajti një fjalim në mitingun e Çorovodës. Enver Hoxha në këtë miting u shpreh: “Sa gëzim i madh është për ne, për gjithë popullin tonë, për mua veçanërisht, që të kem këtu afër një nga bijtë më të shquar të Skraparit, Heroin e Popullit, Zylyftar Veleshnjën, që ka qenë shembull trimërie, guximi, heroizmi dhe sakrifice; të kem pranë plakun patriot Riza Valën, i shkuar në moshë por me zemër të re si të gjithë ne; të kem këtu afër nëna trimëresha dëshmorësh, njerëz të shquar të luftës dhe të shkencës si Kahreman Yllin, anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, që drejton sot Universitetin e Tiranës, njeri me një eksperiencë të madhe në fushën e arsimit dhe të kulturës, i cili sot duke qëndruar kurdoherë i gatshëm në krye të këtij institucioni të lartë u bën popullit, Partisë dhe atdheut një shërbim të madh”.(Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 25, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1977, f. 322) Përzgjedhja e fjalëve nga ana e Enver Hoxhës, është shumë domethënëse. Enver Hoxhës nuk i bëri goja që të thoshte për Kahreman Yllin “shoku i shquar i luftës dhe shkencës”, por tha “njeriu”. Për Enver Hoxhën, Kahreman Ylli nuk ishte “shoku”, por “njeriu”. Kjo do të thoshte se, në subkonshin e Enver Hoxhës, Kahreman Ylli ishte njeriu që duhej eliminuar. Lavdërimi që i bëri në fjalim nuk duhet të na gabojë. Enver Hoxha nuk mund të mos e lavdëronte Kahreman Yllin në fjalimin e tij se ky kishte qenë shefi i partisë gjatë luftës jo vetëm për Skraparin, por për krejt Qarkun e Beratit. Kë mbetej të përmendte Enver Hoxha si pjesëmarrës në udhëheqje nga Skrapari? Nga ata që përmendi ai, Zylyftar Veleshnja jetonte si invalid në Vlorë. Apo të përmendte Sulo Gradecin? Por, ndonëse Enver Hoxha e quajti Kahreman Yllin “anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë”, ky ishte i tillë vetëm si kandidat pa të drejtë vote. Për Kahreman Yllin, i cili ishte specialist i didaktikës, duhet të ketë qenë shumë kërshërore nga ana profesionale të dëgjonte fjalimin e Enver Hoxhës, i cili tha ndër të tjera trivialitete si: “Shokë, Skrapari është një vend malor. Fushat kanë rëndësinë e tyre, por edhe malet kanë bukuri”. (Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 25, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1977, f. 323) Ose kur Enver Hoxha u tha më tutje në fjalimin e tij, njerëzve të Skraparit, të cilët historikisht kishin qenë blegtorë të aftë: “Tufën të përpiqemi ta kemi sa më të madhe, por vetëm me bagëti pjellore për të marrë sa më shumë qengja, lesh, lëkurë, qumësht e mish”.(Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 25, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1977, f. 327) Kahreman Ylli nuk mund t’ i jepte turmës sinjalin për duartrokitje pas thënieve të tilla, siç pritej që të bënin në raste të tilla ata të cilët qenë në tribunë përreth Enver Hoxhës. Kështu që kjo detyrë i mbetej Sulo Gradecit, i cili kishte një dashuri të madhe revolucionare për qëngjat e Skraparit. Enver Hoxha nuk e përmendi faktin se kur ai u largua nga Shqipëria e Mesme në Operacionin e Dimrit 1943-44, shkoi dhe u strehua në Skrapar, por deklaroi në këtë miting: “Vetëm nga rrethi i Skraparit dolën rreth dy mijë partizanë aktivë. Po partizan mund të quhet gjithë populli i krahinës suaj që përbënte prapavijën, e cila ishte po aq e rëndësishme sa edhe çetat e batalionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nga ky numër partizanësh ranë mbi 140 dëshmorë nga rrethi juaj, eshtrat e të cilëve prehen këtu dhe në gjithë anët e Shqipërisë.” (Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 25, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1977, f. 320) Nëse Enver Hoxha do të kishte qenë i sinqertë ai do të kishte shtuar se 140 dëshmorët e Skraparit kishin një veçori, ata kishin që të gjithë emra, ndryshe nga dëshmorët e rretheve të tjera, të cilët qenë shifra të pazbërthyeshme. Enver Hoxha donte që ta merrte me të mirë Skraparin, por të gjithë në turmë mendonin se përse Skrapari megjithatë nuk kishte një anëtar ose së paku një kandidat në Byronë Politike, e cila në 1963 kishte njëmbëdhjetë anëtarë dhe kandidatë. Pas lavdërimit publik që i bëri Enver Hoxha Kahreman Yllit në 1963, në Çorovodë, pritej që në Kongresin V të PPSH, tre vite më pas, Kahreman Ylli të bëhej anëtar i Komitetit Qendror, madje edhe më tepër, kandidat i Byrosë Politike. Por në vend të kësaj, Enver Hoxha i dha një post dekorativ, duke e bërë në 1966 anëtar të Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryesisë kolektive të shtetit, prej pesëmbëdhjetë anëtarësh. Por Kahreman Ylli nuk firmosi në dënimet me vdekje që u dhanë ndaj ushtarakëve të lartë në 1975 (Presidiumi i Kuvendit Popullor vendoste mbi pranimin ose jo për faljen e jetës të të dënuarve me vdekje), se ai vdiq në shtator të atij viti, ndërsa ushtarakët u dënuan me vdekje në nëntor. Vetëm në Kongresin VI të PPSH, në 1971 Kahremani u bë përsëri anëtar i Komitetit Qendror të PPSH. Në 1971 Kahreman Ylli kaloi me punë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH, si përgjegjës për Arsimin dhe Shkencën, çka ishte një post i rangut të mesëm në hierarkinë e regjimit, shumë larg asaj që meritonte ai në sajë të së shkuarës së tij si veprimtar komunist dhe partizan. Por, kur në vitin 1972 u krijua Akademia e Shkencave me tetëmbëdhjetë anëtarë dhe katër anëtarë korrespondentë, Kahreman Ylli, ndonëse ishte specialisti më i mirë i pedagogjisë në vend, nuk bënte pjesë në asnjërën kategori. Paradoksisht, në Akademi bënte pjesë si anëtar me të drejta të plota Zija Këlliçi, të cilin Kahreman Ylli e kishte zëvendësuar si rektor të Universitetit të Tiranës në 1961, për arsyen që e tregova më lart. Gjithsesi, në një pikëpamje mosqënia e Kahreman Yllit në Akademinë e Shkencave ishte e drejtë. Përse duhej që Kahreman Ylli me diplomë universitare franceze të ishte anëtar i një akademie kryetari i së cilës (Aleks Buda) nuk kishte një diplomë universitare? Si specialist i pedagogjisë në Akademinë e Shkencave u parapëlqye të ishte një njeri i shkollës sovjetike, Bedri Dedja. Në fund të dhjetorit 1975, kur Shqipëria e tërë dridhej nën fshesën e hekurt të Enver Hoxhës, që kishte nisur befasisht një fushatë spastrimesh në elitën e regjimit komunist, Kahreman Ylli u bë aktor pa dëshirë i një akti të dramaturgjisë së terrorit të diktatorit. Në Sekretariatin e Komitetit Qendror qenë thirrur drejtuesit partiakë dhe qeveritarë të Arsimit dhe të Shkencës në vend. Ky ishte një nga rastet kur Enver Hoxha donte që të tregonte veçanërisht erudicionin e tij. Enver Hoxha e bënte këtë gjë veçanërisht duke përdorur fjalë frëngjisht. Kahreman Ylli përfitoi nga rasti që, për arsye praktike, të përdorte terma profesionale pedagogjike në frëngjisht, të cilat Enver Hoxha as që i kuptonte. Hamit Beqja, i pranishëm në mbledhje si vartës i Kahreman Yllit, e kuptoi me intuitën e burokratit antipatinë e fortë të Enver Hoxhës për Kahreman Yllin dhe ndërhyu duke thënë si me shaka se fjalët që tha shoku Kahreman mund të thuheshin mirë në shqip, por nuk dha një shembull. Për Enver Hoxhën, i cili për më tepër nuk ishte as në gjendje të mirë shëndetësore, pas infarktit të miokardit që kishte kaluar, kjo ishte shtysa përfundimtare për ta humbur vetëkontrollin se iu duk që Hamit Beqja kishte konfirmuar përshtypjen që kishte bërë ai, Hoxha, sikur nuk qe në lartësinë e duhur intelektuale për të biseduar me Kahreman Yllin. Enver Hoxha befas nisi të bërtiste duke duke i thënë Hamitit fjalët që u bënë anekdotike: “Çohu ti Hamut dhe na folë për punën tënde më mirë”. Servilët e Enver Hoxhës në sallë qeshën, duke e marrë këtë si një shaka të tij, me përjashtim të Kahreman Yllit që u vrenjt spontanisht. Kjo e nervozoi edhe më tepër Enver Hoxhën i cili rrotulloi sytë në sallë dhe u nervozua edhe më tepër kur pa se njeriu që kuptonte më pak se të gjithë në sallë, se ç’ po thuhej ministri i Arsimit dhe Kulturës, Thoma Deliana, ishte duke mbajtur shënime në atë moment. Dëshmitarët thonë se Enver Hoxhës i vetëtiu në buzë një nënqeshje, ndoshta se mendoi ironinë e situatës: Çfarë mbante shënim ministri injorant, fjalën “Hamut”? Derisa Enver Hoxhës nuk i mungonte ndjenja e ironisë, ai ishte në gjendje që të vlerësonte prapavajtjen e arsimit shqiptar që prej vitit 1952 në 1975, çka simbolizohej nga dyshja
Kahreman Ylli-Thoma Deliana, të ulur në krah të njëri-tjetrit, përballë tij. Në 1952, Shqipëria kishte pasur ministër të Arsimit Kahreman Yllin, me diplomë të Akademisë Pedagogjike të Lionit, në Francë. 23 vjet më pas, 31 vjet pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, ministër i Arsimit ishte Thoma Deliana, i cili kishte ndërprerë shkollën e mesme në Elbasan, në vitin 1943 (ai ishte nxënës i Shkollës Normale), për të dalë partizan. Pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, Thoma Deliana u dërgua në Moskë për të kryer një shkollë të Komsomolit (Rinisë Komuniste), e cila përgatiste burokratë të kësaj organizate. Ndonëse Thoma Deliana kishte këtë arsimim, ai që prej vitit 1965 ishte Ministër i Arsimit dhe Kulturës, post të cilin Deliana e mbajti për 11 vjet, deri në 1976. Ndoshta, në ato momente, Enver Hoxha, Kahreman Ylli dhe Ramiz Alia, i pranishëm gjithashtu në sallë si sekretar i Komitetit Qendror kanë menduar për fjalët që kishte thënë Hrushovi në 1954. Pas fjalëve të Enver Hoxhës mbledhja u prish dhe Kahreman Ylli doli nga ndërtesa e Komitetit Qendror në një gjendje të zymtë, siç e kujtojnë ata që e takuan në kafenenë e Hotel “Dajtit” pak më pas, ku shkoi të pinte një kafe për t’ u qetësuar sadopak. Enver Hoxha e kishte përdorur Kahreman Yllin në 1944, kur u strehua në Skrapar, e kishte përdorur në 1946, kur e nisi në Paris, e kishte përdorur në 1961, kur i duhej të tregonte se po krijonte një frymë të re intelektuale në vend, dhe tashmë që nuk i duhej më, kishte ardhur koha ta eliminonte. Tashmë kishte ardhur ora që kishte caktuar Enver Hoxha për Kahreman Yllin, që për të ishte njeri i dyshimtë se ishte njeriu i pëlqyer i Francës. Në mbledhjen e dhjetorit 1974 u vu në veprim mekanizmi i eliminimit përfundimtar të Kahreman Yllit. Por, duke qenë se Enver Hoxha nuk kishte ngritur në Byronë Politike asnjë kuadër nga Skrapari, ai parapëlqeu që të vetmin kuadër nga Skrapari që mund të ishte ngritur në këtë post, të mos e eliminonte me procedurën zyrtare të terrorit, siç bënte në atë kohë me të tjerët, të cilët i shpallte armiq. Eliminimi i Kahreman Yllit duhej edhe për t’ iu pastruar rruga trashëgimtarit të përzgjedhur politik të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë. Kahreman Yllit i kishte ndodhur që të ishte dëshmitar në momente të dyshimta të veprimtarisë së Ramiz Alisë. Prandaj, Kahreman Ylli ishte një nga ata njerëz që nuk duhej të mbetej gjallë pas vdekjes së Enver Hoxhës, e cila sipas mjekëve mund të ndodhte në çdo moment, në vitet e ardhshme. E gjithë periudha që nga dhjetori i vitit 1974 dhe deri në shtator 1975, kur Kahreman Ylli vdiq, ka qenë për të koha e ankthit të madh. Në ditët e para të shtatorit 1975 ai mori pjesë si i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë, në plenumin e Komitetit të Partisë të rrethit të Beratit. Atje Kahreman Ylli u gjend para kritikave të ashpra të dirigjuara, që shkonin deri në kufijtë e provokimit. Atë që ndodhi në Berat ai e shihte si rrjedhim të drejtpërdrejtë të mbledhjes së dhjetorit në Sekretariatin e Komitetit Qendror në Tiranë. Kahreman Ylli atë ditë të 3 shtatorit 1975 kishte bërë plan që pas Beratit të shkonte të kalonte disa ditë në Skrapar, ku në 5 shtator do të bëhej dhe festa e çlirimit të Çorovodës, ku ai merrte pjesë çdo vit. Befasisht, Kahremani vendosi që të shkojë në Tiranë atë ditë, ndonëse nuk kishte një arsye të veçantë për ta bërë këtë gjë. Me sa duket, pas atyre që ndodhën në dhjetor në Sekretariatin e Komitetit Qendror, dhe atyre që i ndodhën në Berat ato ditë, Kahremani dyshonte se tashmë do të luhej dhe akti i fundit i tragjedisë së tij dhe do të arrestohej. Mendja racionale e Kahreman Yllit ishte në gjendje të arrinte në përfundime mbi bazën e fakteve. Ai e kuptonte se dinamika e fushatës së re të spastrimeve që kishte nisur Enver Hoxha në 1973, tashmë po e përfshinte dhe atë. Kahreman Ylli shikonte se pas goditjeve në fushën e kulturës dhe ushtrisë, në 1973 dhe 1974, me ç’ rast u arrestuan zyrtarë të lartë në këto fusha, gjatë vitit 1975, vazhdoi fushata e spastrimeve në ekonomi, me arrestim zyrtarësh të lartë. Meqënëse të gjitha këto spastrime qenë paralajmëruar me kritika në mbledhjet e Sekretariatit të Komitetit Qendror, ashtu siç ndodhi në mbledhjen e dhjetorit 1974, ku ishte i pranishëm Kahreman Ylli, ky mendoi se tashmë i kishte ardhur radha Arsimit për të provuar fshesën e hekurt të Enver Hoxhës. Kahreman Ylli e dinte shumë shumë mirë se kur Enver Hoxha i lejoi vetes në 1952, që ta quante publikisht fashist nga tribuna e Kongresit II të Partisë, hapi një lojë e cila herët ose vonë duhej të mbyllej me eliminimin fizik të tij. Tani dukej se kishte ardhur koha për këtë gjë. Kahreman Ylli nuk donte që ta arrestonin në Skrapar, se kjo do ta lëndonte tepër në dinjitetin e tij, prandaj u nis në Tiranë. Atë ditë shtatori të vitit 1975, Kahreman Ylli duhet ta ketë përjetuar udhëtimin e tij nga Berati në Tiranë, si udhëtimin e miqve të tij Kristaq dhe Margarita Tutulanit, 32 vjet më parë, të cilët të arrestuar nga fashistët po dërgoheshin në burgun e Tiranës. Edhe Kahreman Ylli kishte ndjenjën se udhëtimi i tij do të merrte fund në burgun e Tiranës, ku ata nuk arritën dot. Arrestimi dhe pushkatimi i Kristaqit dhe Margaritës qe një episod shumë i dyshimtë për të cilin Kahreman Ylli nuk kishte rreshtur kurrë së bëri përpjekje që të zbulonte të vërtetën. Përse italianët ndaluan befasisht automjetet në një fshat në anë të rrugës dhe i pushkatuan me befasisht dy komunistët beratas, ndërsa po i çonin nga Berati në Tiranë, së bashku me të arrestuarit e tjerë? Çfarë kishin mësuar dy komunistët beratas, që duhet ta merrnin me vete në varr dhe nuk duhej t’ u jepej as mundësia më e vogël që të mund t’ ua rrëfenin shokëve komunistë në burgun e Tiranës? Mbi rolin e të dërguarit të Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, Ramiz Alisë, të cilin e kishin strehuar në shtëpinë e tyre?
Fund Pjesa e Pare
Nje shkrim nga Kastriot Myftaraj
©Corovoda Online / kastriotmyftaraj.com

Autentik!

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

PËR KONTAKT - EMAIL: corovodaonline@post.com

Mbështetje

ALSSH SKRAPAR - Kjo faqe mbështetet nga Agjensia Lokale e Sigurimeve Shoqërore Skrapar.

skrapari në fletë

loading...

NAVIGON

Nga Dje

Gjithmonë

Përherë

www.bashkiaskrapar.gov.al www.albrafting.com www.visitskrapar.com

HAPËSIRË PËR REKLAMA APO NJOFTIMET TUAJA