7 mars 2014 Eventi: Shoqata "Tomorri" Dega Durres feston 127 vjetorin **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

7 mars 2014 Eventi: Shoqata "Tomorri" Dega Durres feston 127 vjetorin

Fatjon Kaloci
8.3.14
Lulet e7 marsit të vitit 1887 hapën portat e dijes për shqiptarët (Shoqata Tomorri Durrës feston 127 vjetorin, ditën e 7 marsit, festën e mësuesit) Ishin të shumtë atë ditë të 6 marsit 2014, ku me dhjetra e qindra mësues e mësuese,veteranë e të rinjë të cilët u grumbulluan në lokalin e vëllezërve ‘’Doko’’ në lagjen e Plazhit të qytetit bregdetar të durrësit për të festuar 127 vjetorin e mësonjëtores së parë shqipe. Atmosfera e asaj dite marsi ku lulet kishin çelur më herët se nga vitet e mëparshme, ja shtonin edhe buzëqeshjet e armatës së madhe të mësuesëve që kishin ardhur enkas për të festuar te ai lokal modest,që tashmë është bërë një qëndër e rëndësishme atdhetare e kulturore. Ata vinin nga gjithë trevat e Shqipërisë. Shumica e tyre aderojnë edhe në Shoqatën Tomorri ( Dega Durrës). Te shoqata ‘’Tomorri’’ e ndjejmë veten si në shtëpinë tonë,- na thotë Kol Ulaj, banor i lagjes Shkozet, i cili ka zbritur shumë vite më parë nga Velipoja e Shkodrës e tani banon në qytetin e durrësit. Marsi i luleve! Muaji që sjell ripërtëritje ngado. Por më shumë se kudo, për ne shqiptarët marsi është simboli i dijes. Te 7 marsi i vitit 1887, atje në qytetin e Korçës lindi ‘’pema’’ e dijes, ku në degët e saj çelën ganxhet e bardha që shkruan me gërma të arta fjalën shqipe, emrin e dashur të atdheut tonë Shqipëri! U deshën shekuj me radhë e të derdhej gjaku lumë për të ardhur deri këtu, te mësonjtorja e parë shqipe në qytetin e Korçës, që fëmijët shqiptarë të shkruanin fjalën shqipe me alfabetin shqip. Armiqtë e kombit tonë, u munduan të pegonin hapjen e shkollave shqipe. Ata vranë dhe helmuan patriotët e dijes shqiptarë, po s’ja arritën dot qëllimit të tyre të mbrapshëm që shkolla shqipe të mos hapej në shqipëri. E pikërisht, 7 marsi i vitit 1887, është dita simbol i hapjes së shkollës së parë shqipe, me drejtor të parin patriotin Pandeli Sotiri. Kanë kaluar dekada të tëra, dhe sot më 7 mars 2014, festojmë me plot krenari këtë ditë të shenjtë të arsimit tonë kombëtar. Nga ajo çerdhe e vogël e dijes lindën shkolla e universitete në mbarë Shqipërinë. Sot janë me qindra e mijra mësues e mësuese, madje edhe me grada shkencore të të gjithave fushave të shkencës, që japin kontributet e tyre në shkallë kombëtare e ndërkombëtare.

Fjala e kryetarit të Shoqatës Tomorri z. Hajri Nuhu, nga të pranishmit pjesëmarrës në këtë aktivitet u ndoq me interes. Ai foli për arritjet e arsimit në vendin tonë dhe kontributet që kanë dhënë e japin arsimtarët në përhapjen e dijeve në mbarë shoqërinë, e sidomos te brezi i ri. Edhe arsimtarët e ardhur në vite në qytetin Durrës e rrethinat e tij nga të gjithë rrethet e shqipërisë, punojnë me përkushtim në përhapjen e djeve, e sidomos te brezi i ri. Në një dokument të kohës për hapjen e shkollës së parë shqipe thuhet: ‘’Komiteti Kombëtar i Korçës, i themeluar në vitin 1886, një vit më vonë, përkatësisht në fillim të vitit 1887 vendosi të krijonte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa patriotët e Korçës dhe të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisje, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare – Sami Frashëri dhe bilbili i gjuhës sonë – Naim Frashëri, pas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë turke, shkëputën prej saj lejen në emrin e Pandeli Sotirit për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë. Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel në Korçë shkolla e parë kombëtare dhe laike shqiptare, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga patrioti i mërguar korçar Mandi Tërpo. Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve shqiptarë dhe të patriotëve brenda vendit. Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës nuk varej dhe nuk financohej prej asnjë shteti apo shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua dhe u mbrojt nga populli dhe na shoqëritë shqiptare të mërgimit.’’.

Me mjaftë interes, që befasoi të pranishmit e këtij aktiviteti mbreslënës, ishte edhe shfaqja e filmit dokumentar që solli peizazhe nga jeta e mësuesit veteran Asqeri Goxhaj. Kujtimet shpërthyen si vetë lulet e marsit te të gjithë brezat e mësuesëve që ishin aty në atë auditor të tejmbushur me mësonjës të përkushtuar ndaj dijes,e fjalës së bukur shqipe. Një takim brezash,por edhe lot gëzimesh mes tyre, sepse aty kishte veteran të arsimit, por edhe ish nxënës , që sot janë edukatorë e mësonjës shëmbëllorë në edukimin e brezave.Festa e dijes solli shumë kujtime deri nëpër dekadat e shkuara, ku flokët e bardha si bora e rrudhat tregonin kohërat e bukura të profesionit të mësuesit e të edukatorit. Mësuesi veteran Asqeri Goxhaj është nga Skrapari dhe banon prej vitesh në qytetin e Durrësit. Ai ka punuar 40 vite në arsim. Kujton vitet e punës së tij që ka punuar në Kapinovë,Bargullas etj,deri në Fllakë të durrësit ku mbyll karierën si mësues e del në pension në vitin 2002. Interesante ishte edhe fjala e veteranit të arsimit e të kulturës, mësuesit nga Gjerbësi i Ttomorricës Idari Carkanji. E themi këtë, se ai i ka qëndruar shumë afër Artistit të Popullit bilbilit të këngës Skraparase Demir Zyko. Ishin të shumtë atë mbasdite festive të 7 marësit, ditës së mësuesit,këta flakadanët e diturisë që sillnin kujtimet e tyre e lotonin nga gëzimi që u shpërthenin nga shpirti si retë e bardha atje mbi malin e tomorrit. Ne mundëm të shkëpusim emrat e arsimtarëve Lili Hasanllari e cila ka 40 vite që punon në arsim. Dallandyshe Hoxha që la Poliçanin e sot jep mësim në shkollën”B.Curri,2’’,Razie Shabani, Ferruze Saliasi, Arif Meta, Engjëll Seferasi Enkeleda Mehmeti që jep anglishten në Romanat, Fuat Zerdelia, Islam Hasani, (poet nga Ermenji), Qemali Bregu, Zenepe Çela,  Iliran Çela etj. Në këtë aktivitet nuk munguan edhe të tjerë aktivistë të shoqatës tomorri që festuan së bashku me arsimtarët festën e dijes. Si: Bashkim Ismaili, Agron Hasanllari, Nuri Jaupllari( piktor), Ervis Mehmet,  Kajmak Hoxha, Skënder Mustafaraj, pesionist nga Përmeti por që banojnë e jetojnë në qytetin bregdetar të durrësit prej vitesh. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak janë pjesë e komunitetit të qytetarisë durrsake dhe japin vlerat e tyre sipas specialiteteve në zhvilimin e shoqërisë, e sidomos në arsim e kulturë. Ashtu së bashku, me gota në duar uruan njëri-tjetrin:Gëzuar 7 Marsin, festën e mësuesit, festën e dijes! E ku ka më bukur se 7 Marsi jonë!
©Corovoda Online / Reportazh nga Xhevahir Cirongu  Durrës, 06.3.2014