Koodinata X: Fidel Kastro e pëlqeu Rakinë e Skraparit. Ish Ambasadori nga Skrapari Ç. Çepani tregon Intervista **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koodinata X: Fidel Kastro e pëlqeu Rakinë e Skraparit. Ish Ambasadori nga Skrapari Ç. Çepani tregon Intervista

Fatjon Kaloci
6.6.14
Fidel Kastro mbeti i kënaqur pasi shijoi rakinë e Skraparit....
Diplomati i vjetër dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Kubë, Çlirim Çepani tregon një takim të pazakontë me Kastron më 12 dhjetor 1990 gjatë vizitës në Havanë të ministrit të Jashtëm, Reiz Malili. Çepani kujton detajet e takimit tre-orësh dhe krahason modelin kuban dhe atë shqiptar të socializmit. “Kastro s’e përmendi fare Enverin, por pyeti gjerë dhe gjatë për zhvillimet në Shqipëri” Ambasador Çepani, është e njohur karriera juaj e gjatë në disa vende të Amerikës Latine, njohjet që ju keni për atë pjesë të botës, personalitetet e shumta që keni takuar. Por ne do të donim të fokusoheshim në një ngjarje, e cila mendojmë se meriton të tregohet ashtu siç ka ndodhur.

Bëhet fjalë për një vizitë të ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Reis Malilaj, në fund të vitit 1990 dhe gjatë së cilës ndodhi diçka kurioze. Përse bëhet fjalë?


Është e vërtetë kjo që thoni. Në mesin e dhjetorit të vitit 1990 në Havanë vjen për vizitë zyrtare ministri i Punëve të Jashtme, Reis Malile, i cili gjatë qëndrimit të tij në Havanë nënshkroi disa marrëveshje bashkëpunimi, marrëveshje në fushën e kulturës, marrëveshje në fushën konsullore, bashkëpunimit tekniko shkencor, dhe ishte pra qëllimi i zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në fushat e interesit reciprok. Me rastin e kësaj vizite unë dhashë një pritje në rezidencën që kisha në atë kohë në Havanë, në datën 12 dhjetor 1990, ku ftova gjithë trupin diplomatik dhe personalitete të larta të vendit. Një çerek ore përpara kësaj pritjeje, vjen dhe më kontakton drejtori i përgjithshëm i protokollit dhe më thotë që në orën shtatë mbërrin në rezidencë lideri i këtij vendi, Fidel Kastro. Ishte e paparashikuar pra, apo jo. Sigurisht. Ishte jo vetëm e paparashikuar, por ishte edhe jashtë protokollit diplomatik, sepse Fidel Kastro në atë kohë ishte kryetar i shtetit, kryeministër dhe nuk i korrespondonte rangu për ardhjen në këtë veprimtari diplomatike. Ishte pra e paparashikuar dhe jashtë protokollit diplomatik. Por qëllimi duket që ka qenë diku tjetër. Në 12 dhjetor, atë ditë, kur u realizua pritja, në Shqipëri u shpall pluralizmi politik, për të cilin ne morëm njoftim atë ditë në mëngjes, së bashku me ministrin Malile. Duket se kubanët ishin të informuar më përpara dhe më shpejt nga ambasada e tyre në Tiranë dhe interesi i tij ndoshta ishte testimi i qëndrimit të ardhshëm të vendit tonë në këtë situatë.

A përmendi Fidel Kastro gjatë takimit me Malilen diçka rreth ngjarjeve në Tiranë, apo nuk u përmend gjë?
Gjatë bisedës ai nuk përmendi fare asgjë rreth këtyre ngjarjeve, por erdhi dhe shprehu interesin e takimit direkt me ministrin tonë të Jashtëm dhe njohjes me gjendjen ekonomike, gjendjen e përgjithshme të vendit tonë dhe interesin për t’i zhvilluar marrëdhëniet në fushat e interesit reciprok. Për këtë qëllim ai kishte sjellë më vete komplet qeverinë, duke filluar që nga ministri i Jashtëm, ministri i Tregëtisë, ministri i Bashkëpunimit Ekonomik. Pothuaj komplet, me përjashtim të Raul Kastros, i cili në atë kohë në atë kohë ishte ministër i Mbrojtjes. Vetë prezenca e Fidelit dhe e gjithë ekipit qeveritar në atë takim shprehte interesin që kishte Fideli për vendin tonë. Si interesin formal, që ishte zhvillimi i marrëdhënieve në fushat e interesit reciprok, ashtu edhe të zbulonte se çfarë mund t’i thoshim ne dhe si ishte situata në të dy vendet, si në Shqipëri, në zhillimet e fundit në Europën Lindore, por edhe në Kubë. Por faktisht ai nuk u fut fare në këto detaje të bisedave. Ishte një tip mjaft inteligjent, por edhe e njihte mirë situatën, sepse duke qenë edhe pesëdhjetë vjet në pushtet, njihte edhe problematikën e zhvillimeve ekonomike e atyre kulturore. Edhe gjatë bisedës, ai u zgjat veçanërisht në çështjen e zhvillimit të brendshëm ekonomik të Shqipërisë, zhvillimin e industrisë, të turizmit, të bujqësisë, zhvillimin e industrisë energjetike, perspekivës së këtyre sektorëve. Të gjitha këto duke i bërë pyetje konkrete dhe ministrit Malile dhe herë pas here dhe mua.

Nëse mundeni të na tregoni pak më shumë rreth atmosferës së takimit. Si u zhvillua ai, në qoftë se mund të na jepni ndonjë detaj?

Takimi ishte shumë miqësor. Gjatë mbrëmjes biseda zhvillohej shpesh edhe përmes batutave miqësore. A u përmend Enver Hoxha gjatë takimit? Jo, nuk u përmend asnjëherë. Dhe kjo kishte një arsye, sepse në shumë nga veprat që kishte shkruar Enver Hoxha, ndërhyrjen e kubanëve në Afrikë dhe në Amerikën Latine e cilësonte si një ndërhyrje në interes të rusëve dhe diku në veprat e tij, Hoxha e cilësonte Fidelin edhe si mercenar të rusëve dhe kjo nuk i kishte pëlqyer Fidelit, i cili edhe kishte argumentuar që s’kishte të bënte me marrëdhëniet me rusët, por kishte të bënte me invetsimin e tyre parimor në ndihmë të popujve të shtypur e të varfër. Nga ana tjetër duhet thënë se mes dy partive nuk egzistonin lidhje apo komunikim. Le t’i kthehemi takimit. Si u zhvillua më tej ai? Takimi pati edhe disa detaje interesante, sepse ne kishim përgatitur me atë rast edhe disa gatime tradicionale shqiptare. Në atë kohë kishim në ambasadë edhe disa prodhime konkrete nga Shqipëria, si një sasi rakie Skrapari, kishim bërë një bakllava, kishim disa ullinj Berati e plus gatimet e tjera që shoqëronin koktejin. Ai zakonisht nëpër pritje nuk pinte fare, as nuk hante. Dihet kjo, për arsye sigurie. Dhe gjithashtu ka qenë shumë i rezervuar në provimin e gjërave, nuk shijonte shumë nga ato që i vinin përpara. Ndërsa aty, në atë mbrëmje, më pyeti direkt për rakinë që po i servirja. Ishte një raki që më kishte ardhur nga Çepani, nga fshati im, ma dërgonte babai në atë kohë. Ishte një shishe që e kisha ruajtur të pa hapur. E hapa aty dhe kur e provoi atij i pëlqeu. Fideli vetë është me origjinë spanjole, nga Galicia. U ndal e më tha, – “Edhe ne në Galici bëjmë një raki shumë të mirë, por kjo qenka shumë më e mirë”, – dhe vazhdoi të pinte dhe të shijonte koktejin. Ndërkohë, edhe një tjetër detaj i vogël, por domethënës mendoj unë. Shoqëruesi i tij dhe doktori, që ishin nga pas kurrizit tonë, me sebepin si për të pastruar tavolinën, hoqën shishen e rakisë për ta çuar mbrapa në kuzhinë e për ta kontrolluar. Fideli e vuri re këtë gjë menjëherë, pas dy-tri minutash dhe, duke qenë njeri që s’i shpëtonte gjë në këto drejtime, ktheu kokën pas dhe i thotë atij që kishte pranë, – “sille shpejt rakinë që more”, – dhe më thotë mua, – “mbushe edhe një ambasador”, – si për të më siguruar edhe njëherë se ndjehej në një tryezë miqësore dhe nuk dyshonte se mund të ndodhte gjë.

A provoi diçka tjetër nga tryeza?


Provoi edhe një bakllava shqiptare, që i bëri përshtypje dhe u duk se e shijoi shumë. Në përgjithësi kubanezët i duan shumë ëmbëlsirat. Pastaj e pyeti bashkëshorten time se si e kishte bërë. – “Të lutem ma shpjego i tha, se unë e kam pasion gatimin dhe gatuaj vetë në shtëpi”. Në parantezë doja të shtoja se Fideli nuk kishte një shtëpi të tijën personale, por ka rezidenca të ndryshme nëpër të cilat qarkullon vazhdimisht, por pjesën më të madhe të kohës e kalon në zyrë. Kuptohet për arsye sigurie edhe kjo. E që të dal te bakllavaja, Fideli kërkoi t’i dërgonim recetën. Të nesërmen i dërguam një bakllava tjetër, megjithë recetën. Kujtoj gjithashtu, për kuriozitet, se në tryezë kishim vendosur edhe ullinj Berati të mbushur, që i kish sjellë anija Vlora. I provoi dhe ato e i pëlqyen shumë. E gjitha kjo bisedë e ngrohtë zgjati rreth tre orë. Kurrë më parë nuk kish qëndruar kaq gjatë Fidel Kastro në një ambasadë të huaj në Havanë. Mendoj se kjo tregonte sesa i afërt e miqësor ndjehej ai me ne asokohe. Çka më detyroi që të neglizhoj paksa gjithë ambasadorët e tjerë të huaj që ndodheshin në pritje, të cilët rrinin në oborrin e ambasadës me gota në duar, teksa në u ulëm në saletin e pritjeve brenda. Me pak fjalë, atë natë, Fidel Kastro paska qenë totalisht “i pambrojtur”? Është e vërtetë. Mund të duket si humor, por është kështu. Ai nuk foli fare as për çështje të sistemeve ideologjike, nuk përmendi fare as fjalën komunizëm, marksizën leninizëm, socializëm apo këto gjërat e tjera, por u ndal veçse në vlerat që i njihte popullit tonë. – “Populli shqiptar, tha, edhe pse një popull i vogël, është një popull trim dhe me një histori të lashtë. Unë kam njohur personalisht”, tha, “Nënë Terezën, e cila ka ardhur plot tri herë në Havanë. E kam mirëpritur dhe i kam hapur gjithë dyert e bashkëpunimit me fondacionin që kishte. Dhe siç duket populli shqiptar reflekton edhe cilësitë që ka Nënë Tereza, pra, popull i sakrificës dhe popull trim”. Por, tha, ne duhet të ecim përpara, të përmirësojmë jetesën dhe t’i reflektojmë këto. Ishte takimi më i gjatë që kam pasur me Kastron. Do e takoja sërish edhe në raste të tjera, si për shembull gjatë vizitës që bëri në Havanë Nelson Mandela, fill pas daljes nga burgu i Aparteidit. Ishte një lider karizmatik, komunikues dhe orator i përkryer. Ku ndryshonte komunizmi i Kastros nga komunizmi Hoxhës? Komunizmi i Kastros kishte prodhuar një sistem diktatorial, kuptohet. Fidel Kastro ishte pesëdhjetë vjet në pushtet, – duke i koncentruar në një të tri llojet e pushteteve, – ishte president i republikës, kryeministër, sekretari parë i Komitetit Qendror, në një kohë kaq të gjatë. Kuptohet që në këtë pikë, kohëzgjatja e qëndrimit në pushtet dhe mbi të gjtiha koncentrimi i pushteteve, të shtyn drejt diktaturës. Kjo reflektohej dukshëm edhe në ekonominë e tyre, në sistemin e triskëtimit dhe, si të thuash, në një gjendje të mjerueshme të tregut të brendshëm dhe të sistemit të të ardhurave të popullsisë. Por, ai kishte disa gjëra më të veçanta krahasuar me socializmin shqiptar dhe diktaturën tek ne. Për shembull, një nga drejtimet kryesore që u vu re te ne, lufta e zgjeruar e klasave, shkonte, siç e dimë të gjithë, që nga familjarët deri tek kushëriri i shtatë e me radhë. Nëse dënohej familja, do të dënoheshin e do të persekutoheshin edhe familje të tëra. Në Kubë kjo nuk ndodhte. Kastro e kishte paralajmëruar: Kush më shërben mua, do t’i shërbej dhe në rast se nuk më shërben direkt ai që kam bashkëpunëtor, do të futet ne burg. Ne nuk kishim dëgjuar ama asnjëherë për ndonjë rast ku ai të kishte internuar familje, apo të persekutonte anëtarë të tjerë të saj. Domethënë, ai nuk e shtriu luftën e klasve ashtu siç kishim bërë ne. Ai kishte, sigurisht, të dënuar poitikë nëpër burgjet e tij, siç kishte edhe të persekutuar, por këta ishin vetë personat ku binte akuza dhe jo familjarët e tyre. Së dyti, një gjë që e dallonte katërcipërisht Kubën nga komunizmi ynë kishte të bënte me fenë, respektimin e saj dhe ushtrimin e besimit fetar. Tek ne u mbyllën të gjitha institucionet fetare, u persekutuan e u burgosën sa e sa klerikë, ndërsa Fideli nuk vuri kurrë dorë mbi institucionet fetare. Ato ishin të hapura, të lira. Madje dihet që deri në vitet e para të karrierës së tij, ai ka qenë besimtar i fortë katolik dhe ka bërë shkollë fetare edhe në Havanë, pavarësisht se profesioni i tij ishte jurist e më vonë edhe i apasionuar pas mjekësisë. Së treti, në raporti me fshatin. Më shumë se gjysma e pronës në fshat nuk u kolektivizua, mbeti private. Dhe sa i takon jetës private të qytetarëve, të tërë në atë kohë kishin apartamentet, makinat e tyre dhe një pjesë e mirë e të ardhurave dhe mirëqenies ishin private, nuk ndërhynte fare shteti në këtë. Një raport tjetër ishte ndërhyrja e shtetit në jetët e kubanëve. Aty nuk futej Fronti në çdo çështje familjare, siç bëhej tek ne. Ai ishte shumë liberal në këto çështje. Nuk ndërhynte fare në çështje familjare, se ndaheshin, se martoheshin, se grindeshin… Po kështu edhe në raport me artin. Nuk censurohej aspak arti modern. Ju e dini që në Kubë është një nga muzetë më të mëdhenj të artit modern. Në rast se në Shqipëri një piktor i artit modern e kishte gjithmonë thikën në fyt, e po ashtu një shkrimtar apo muzikant, në Kubë kjo nuk ndodhte. Dihet që Fideli jo vetëm që ka qenë liberal në këtë drejtim, por ka pasur dhe plot miq të fuqishëm letrarë, si Gabriel Garsia Markezin, si të famshmin Ernest Heminguej. Me pak fjalë edhe në këtë drejtim ishte liberal. Të mos lë pa përmendur turizmin. Ai i dha një zhvillim të jashtëzakonshëm këtij sektori, në një kohë që ne ishim tërësisht të mbyllur dhe nuk pranonim asnjë turist të huaj. Ndërsa Fideli e ktheu turizmin në një industri të fuqishme, që vazhdon të mbahet fort edhe sot.

A mendoni se do të marrë fund ndonjëherë ai model komunizmi, në atë lloj forme që ju po e përshkruani, me ikjen e tij dhe të Raul Kastros? Mendoni se tek mbyllja e karrierës politike të këtyre dy personave, merr fund Kuba komuniste si e tillë dhe hapet një faqe e re, apo do të ketë një vazhdimësi?

Kjo është një dilemë e shumëdiskutuar gjithandej, por kam mendimin se do të marrë fund për dy arsye kryesore. Së pari, sepse vetë popullësia kubane është një popullsi liberale dhe e edukuar me konceptin e Perëndimit, që në marrëdhëniet që ka pasur, pavarësisht se jetonte në një diktaturë. Por jetesa dhe mentaliteti është perëndimor dhe popullsia këtë e reflekton, njësoj siç reflekton edhe pakënaqësitë. Edhe gjatë qëndrimit tim atje, por edhe sot aktualisht, varfëria ekonomike dhe mungesa e të ardhurave të mjaftueshme, krijon probleme të tilla që tregon dështimin e sistemit socialist në shoqëri, dhe detyrimisht ky rend duhet dhe do të bjerë, pavarësisht se sot është ende në këmbë. Sepse atje qeverisja mbahet nga dy faktorë pushteti politik. Varet nga dy faktorë, sepse janë gjallë akoma Fideli dhe Rauli, që janë dy drejtuesit, liderët historikë të revolucionit kuban, por janë dy nga diktatorët që kanë mbajtur mbërthyer vendin për pesëdhjetë vjet. Por pushteti nuk mund të mbahet kështu dhe kaq gjatë. Pushteti nuk mund të trashëgohet, sepse një gjë e tillë është vërtetuar se krijon pakënaqësi popullore. Pra është shumë i nevojshëm rotacioni politik, duhet pluralizmi politik. Duke qenë se komunizmi është një sistem që është vërtetuar se ka dështuar, normalisht, mendoj që me largimin e dy Kastrove, do të kthejë edhe sistemi politik në Kubë. Ky është mendimi im absolut.
©Corovoda Online