Nga Enver Cakaj: "Pa dëgjoni Razije Nuellarin ç'thotë?" Portreti i një gruaje plot kurajo **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Nga Enver Cakaj: "Pa dëgjoni Razije Nuellarin ç'thotë?" Portreti i një gruaje plot kurajo

Fatjon Kaloci
3.7.14
Një artikull nga Enver Cakaj: Në mes të një fshati shkëmbor e të egër, jetonte një vajzë me shpirt të pastër, që u jepte një farë zbutje atyre honeve. Është fjala për vitin 1933,kur atje sipër në Potom, ku qielli bashkohet me tokën,thurte ëndrrat e saj Razije Nuellari. Çfarë ëndrra shikonte ajo, kur e gjithë zona nuk kishte asnjë shkollë? Simfonia e Kollit të Sipërm ishin blegërimat e bagëtive dhe cicërimat gjithfarëshe të zogjve. Si të mos mungonin këto në moshën pesë vjeç mbeti pa baba. Kush do të kujdesej për ecurinë e kësaj vajze, kur grave u ishte caktuar kufiri deri te dera e shtëpisë? Nënë Nazikes iu hodh një barrë shumë e rëndë mbi supe, të cilën ja la i shoqi. Ajo do të merrej me edukimin e fëmijëve, e cila duhet ta kapërcente pragun e derës dhe të zinte veshët për të mos dëgjuar pëshpëshet që u thureshin atyre femrave që shkelnin mbi zakonet frenuese. Razija po rritej,por nuk e dinte, që vajzat e asaj kohe duhej të dashuronin me zemrat e të tjerëve. Do të pyetej vëllai, daja, halla,kurse vajza duhet të ulte kokën e të pranonte. Por Razija nuk ishte nga ato vajza që u përulej të tjerëve për ato që kishin lidhje me jetën e saj. Oferta e parë i erdhi, do të fejohej me një djalë nga Backa, tutje e më tutje Potomit. Këtë e mori vesh kur mbushi 15 vjeç. Atëherë ajo ishte bashkuar me djemtë e fshatit dhe luftonin për çrrënjosjen e zakoneve frenuese e konservatore. Pikërisht atëherë, kur sa ishte kthyer nga shkolla, e thërresin nëna me nusen e vëllait dhe i thonë prerë: “Tani nuk do të vesh më nëpër mbledhje, po ulu e bëj ndonjë punë shtëpie. Bëj edhe ndonjë qëndisje se të duhet për pajë, se tani je e fejuar dhe ata kanë kërkuar të të marrin!”. Ishte viti i fundit i shkollës fillore dhe Razija ishte pajisur me normat e moralit të ri,prandaj nuk e dëgjoi zërin e tyre. Ishte zëri i një kohe tjetër që i thërriste fuqishëm. Razija ndjehej më e lirë se vëllain e kishte ushtar. Ajo vajzë gjeti forca jo për të kundërshtuar nënën, që e donte shumë,po për të mposhtur ato zakone frenuese për rininë, që shikonte pak më tutje se ai vend i gurtë. Nuk e ndali veprimtarinë e saj, ku u brumos si veprimtare e dalluar. Nuk ishte e lehtë për një vajzë pa baba, e rritur në ato lartësi, ku s’zhvillohej asnjë aktivitet kulturor e sportiv të gjeje forcë për t’u bërë flamurtare e të drejtave të veta. Ndonëse me shumë përplasje e sakrifica, Razije Nuellari, ishte e vetmja vajzë në atë zonë, që e gjeti vetë shokun e jetës. Heshturazi e kishte fejuar nëna me atë backalliun, që nuk e kishte parë kurrë, heshturi e gjeti dhe ajo atë djalë, që i përshtatej asaj. Kjo ndodhi kur u hap shkolla fillore në vitin 1945. Ajo shkollë nuk ishte thjesht për mësimdhënie, por një vatër e zjarrtë, ku mblidheshin të rinjtë e diskutonin për të ardhmen e tyre. Aty ajo pa për herë të parë një djalë të pashëm, kaçurrel, që fliste lirshëm, i cili e tërhoqi me atë oratori e paraqitje. Në të vërtetë, siç na thotë Razija, atje ishin një grup vajzash që ja kishin hedhur sytë atij djali, që merrej me rininë dhe e dëgjonin me kujdes. Ndonjëherë bënin edhe ndonjë shaka, po më shumë kishin dëshirë të flisnin e punonin dhe ato si ai, që e quanin Demir Nuellari. Razijes i mbeti në mend ai njeri dhe iu prish qetësia. Por më e vështira ishte t’i thoshte nënës. Atëherë nuk merreshin parasysh dëshirat e vajzave, sepse e kishin gati sloganin: “Do burrë ti, ja ku po të pret,përse nuk e pranon”. Ajo dalloi tek Demiri, se ai dinte të bëhej serioz kur e donte puna,por zbriste krejt papritur në thjeshtësi në situata të tjera. Edhe pse e vogël e pushtuan ca ndjenja atdhetare, të cilat kishte dëshirë t’i demonstronte diku. Por mentalitetet e kohës u ishin bërë si zinxhirë burgu. Razija ishte nga ato vajza, që dinte t’i këpuste me forcë ato zinxhirë, që i prisnin rrugën e jetës. Familja e saj nuk ishte aq konservatore, por e kishte të vështirë të dilte kundër një opinioni, ku vajzat aktive e gratë pa burra tregoheshin me gisht. Ajo përfitoi nga një festim i çlirimit të rrethit dhe inaugurimi i të parës rrugë që lidhi Çorovodën me Beratin dhe zbriti në qytet të organizuar si fshat. Veç atyre veprimtarive të pakta që u zhvilluan, në darkë u shfaq dhe filmi “Skënderbeu”.Për herë të parë shikonte film ajo vajzë e zbritur nga malet. Kjo i bënte të afroheshin pas asaj beze, ku lëviznin pamjet dhe ishin kurajozë të dinin nëse ishin vërtet njerëz ata që luanin rolet në film. Sa kishte përfunduar filmi dolën në sheshin e qytetit, ku takojnë Teki Isuf Backën,që atëherë punonte me rininë në krahinën e Potomit, që ishte shokë i Demirin. Ajo e njihte Demirin, por Tekiu nuk e dinte dhe e prezantoi Razijen. Kur u takuan ai i la në dorë një copë letër. Ajo drithëroi e tëra se nuk kishte ndodhur që djemtë të këmbenin letra dashurie me vajzat pa isën e prindërve. Qyteti nuk kishte drita atëherë dhe atë e mbërtheu një ankth, se çfarë kishte brenda ajo letër. Një natë e tërë pa gjumë. Kur e lexoi në mëngjes letra kishte këtë përmbajtje: “Razije!Gjatë kohës që punoja në zonën e Potomit, të kam njohur, por dhe kam pyetur. Gjithashtu, jam në dijeni edhe për problemin që ke me familjen. Në qoftë se krijohen mundësitë dhe i arrin qëllimit, dëshiroj të fejohemi bashkë. Pres përgjigje. Demiri.” Përgjigjja donte kohën e saj dhe do të vinte përmes debatit dhe kërcënimeve të nënës. Vonesa krijonte frikë se Demiri mund të tërhiqej. Atëherë vajzat prisnin propozime nga prindërit jo nga ata që e donin. Vetë s’kishin të drejtë të propozonin, një mentalitet ky që vazhdoi gjatë. Për Razijen kjo ishte e vështirë, sepse nëna ja kishte gjetur burrin. Fejesat me mblesëri krijonin probleme, kur nuk realizoheshin, që shkonin edhe deri në vrasje. Rrugën për në Potom e bënë në këmbë duke kënduar, por Razijes nuk i këndohej dhe ishte mbyllur brenda hallit të saj. Po vriste mendjen se kujt t’i kërkonte ndihmë. Pas katër orësh udhëtimi arriti në shtëpi e telikosur Demiri punonte me shokët e vëllait të Razijes e miq të tjerë dhe i tha, se kjo punë do të rregullohet, po në darkë do të vij në shtëpi, po të pyeti nëna i thuaj se këtu i ka caktuar këshilli. Nëna dhe kunata nuk e njihnin Demirin. Megjithatë, ai u prezantua se ishte nga Dobrusha. Kurse shoku i tij i tregoi emrin e vërtetë, Izet Kapxhiu. Ata e pyetën nënën se ç’fëmijë kishte dhe ajo u tregoi, se veç djalit kishte dhe një vajzë të fejuar, por nuk do që ta marrë. Në mëngjes ajo i përcolli deri te oborri. Nëna kishte shkuar në shtëpinë e xhaxhait, ku ishte befasuar kur i kishin thënë: “A e përcolle dhëndrin, moj Nazike?”. Nuk kishte nevojë për benzinë zjarri që ishte ndezur dhe i lëshohet Razijes: “Ti të më sjellësh mua në shtëpi burrat e botës kur kam nuse brenda! Zemërata kishte kapur kulmin. Këtë e mori vesh dhe vëllai në Korçë dhe lëshon dhe ai të tijat me një letër: “Razije! Mora vesh se paske lidhje me një djalë,por ne kishim një fjalë gjetkë për ty. Ti nga je njohur me të dhe si e beson? Megjithatë, mendohu dhe sigurohu mirë, ndryshe kemi punë bashkë!”. Të gjitha iu lanë t’i zgjidhte Demiri. Por Razijes i doli një problem tjetër, ishte nën moshë për t’u martuar. Po këtë kush do ta zgjidhte? Veç Demirit nuk kishte njeri tjetër. Ai e lajmëroi kur do të zhvillohej gjyqi për të ngritur moshën dhe nëna e shoqëroi, duke marrë dhe një gavetë gjalpë për gjyqtarin. Këtu morën fund telashet e martesës. Ishin vite të vështira sepse sa kishin dalë nga lufta. Razija, që ishte vajza më aktive e ngarkuan me detyrë, që të drejtonte dy kurse kundër analfabetizmit në fshatin e saj Potom. Lagjet ku bëheshin kurset ishin larg dhe ajo pati vështirësi, sepse nuk ishte e lehtë të shkonte një vajzë vetëm. Gojët e liga dhe cinikët me këto merreshin, edhe pse Razija ishte vajza më me moral të lartë në ato lartësi. Për t’u bindur rreth kësaj,po u sjellim një shembull; Kishte nisur rindërtimi i vendit. Nëpër aksione do të vinin edhe vajzat. Partia në rreth mblodhi kuadrot dhe kërkoi që ata të jepnin shembullin duke dërguar gratë dhe vajzat e tyre. Razija sa ishte martuar. Në shtëpi kishte dy prindërit e Demirit,të cilët kundërshtuan ashpër: “Nusja sa ka ardhur, kurse ne ta dërgojmë në Hekurudhë. Ky është turp dhe nëse ikën, ne nuk e hamë bukën me turp!” U desh një kohë që të bindeshin pleqtë, që Razija tok me Leko Spahiun, Yrajete Kumbaron, Alime Spahiun, Xhane Spahiu,shkuan dy muaj në Hekurudhën Bradashesh-Elbasan. Pas kthimit nga Hekurudha Demirin e transferojnë në Rroskovec, ku Razijen e caktuan Kryetare të Organizatës së Grave. Mjedis tjetër, zakone të tjera, njerëz të panjohur. Razija kishte një natyrë tepër miqësore dhe mblodhi rreth vetes shumë shoqe e shokë. Por asaj i kishte bërë përshtypje, se në fshatin Jakodina, kur vajtën të bujtnin në një familje, nuk u doli asnjë grua t’i takonte. Familja ishte shumë e varfër dhe Razija me shoqe e gdhinë atë natë, se nuk kishin rroba për të shtruar e mbuluar. Në Roskovec nuk po i ecte mirë shëndeti dhe u detyrua të shtrohej dy muaj në spitalin e Beratit. Kur doli nga spitali shkoi të bënte një fotografi tek Ura e Goricës. Nën sqetull kishte një libër të Enver Hoxhës,por i dukej sikur dhe ai libër kishte marrë infeksion në spital dhe e kishte hedhur në lumë. Kjo ngjau në vitin 1955, por shpëtoi mirë se nuk e pa njeri. Me shkrirjen e rretheve të vogla siç ishte dhe Roskoveci, u detyruan të kthehen sërish në Skrapar me të njëjtën detyrë. Atëherë kuadrot që i përgatiste shteti ishin të detyruar të shkonin atje, ku kishte nevojë, jo ku donin ata. Demirin e dërguan në Institutin e Lartë Bujqësor dhe pas mbarimit të tij e caktojnë në Lushnje. Atje shkoi dhe Razija. Por gjatë jetës së saj nuk pati fat të kishte një fëmijë. Prindërit e Demirit ishin në merak dhe u rekomandojnë të birësonin një fëmijë nga fisi i tyre. Më humane u tregua motra e Demirit, Xhemikua, që u dhuroi djalin e fundit që lindi. Razija ishte nikoqire dhe e rregulloi mirë ekonominë. Djali i birësuar ja mbushi shtëpinë me fëmijë dhe ndiheshin të qetë. Por një ditë, tek fliste në një përvjetor për të kujtuar Riza Cerovën, Demiri u nda nga jeta dhe Razija e kalon kohën me nipërit e mbesa...
©Corovoda Online / Kortezi Gazeta Telegraf