Koordinata X: Masakrat greke në zonën Skrapar - Berat në vitet 1913 - 1914 Ja disa të dhëna nga Besim Dervishi **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Masakrat greke në zonën Skrapar - Berat në vitet 1913 - 1914 Ja disa të dhëna nga Besim Dervishi

Fatjon Kaloci
3.8.14
Masakrat greke edhe në zonën Skrapar - Berat patën si pikësynim zbatimin në terren të platformës famëkeqe “Megali Idhea”, projektuar nga Jani Koleti në vitin 1844. Kjo platformë në sinkron me platformën tjetër antishqiptare, “Nacertania” të ideuar nga Ilia Gracanini të po këtij viti, synonte zhdukjen përfundimtare të kombit shqiptar. (shih “Çështja Shqiptare”, R.Qosja. Prishtinë 1994). Për realizimin e kësaj platforme djallëzore, në shërbim të shovinistëve greke u vunë dhe disa shqipfolsa si Kristaq Zografo nga Qesarati i Gjirokastrës. Në zonat e Jugut të Shqipërisë nuk do të harrohen kurrë masakrat si ajo e Kosinës në Përmet, Hormovës në Tepelenë, Panaritit në Korçë, Borshit në Sarandë.

Bandat shoviniste të cilat hynë nga Greqia, bënë dhe shumë masakra dhe raprezalje në zonën Skrapar - Berat. Ngjarjet e kobshme të 1914 n'a vijnë përmes tregimeve të autorit Kosta Papa Tomorri, i cili i ka parë me sytë e tij disa nga masakrat e lartëpërmendura. Ja si shkruan ai midis të tjerave në librin e tij me titull “Barbaritë Greke Në Shqipëri”, botuar në USA 1917:

…Andartët bënë përgatitje për ofensivën kundër Këlcyrës dhe Çepanit e cila nisi ditën e Hënë, 29 Maj, 1914. Plani i ofensivës u bë kësisoj:
* Fjorgakaqi, Jorgollaqi, Qiro Vaso, në Miçan do ti binin Backës.
* Kapedan Farmaqi në Malind do ti binte Koprenckës.
* Sotir Bubuna në Sevran, do ti binte Qafës së Rogut.
* Kapedan Niko Aristidhi dhe trupat e Kocifaqit në Qarishtë, do ti binin Muzhakës.

Në ofensivë do të merrnin pjesë dhe Kapedan Psaroj, Papa Jani, Kapedan Zerva, Kapedan Kollovoj, trupat e Karaxhajt me gjithë topa. Ofensiva zuri në orën 2 në mëngjes në Qarishtë. Dyfeku u ndez në të tërë vijën, topi nga Brezhdani po bombardonte pa pushim Këlcyrën, topi nga Miçani po bombardonte Backën (shih fq. 66). Në pyllin e Qarishtës u përleshën trup me trup andartë dhe shqipëtarë, ku u vranë 4 andartë dhe 4 u plagosën. Shqiptarët u tërhoqën pas disa orë luftimesh të përgjakshme kjo fal epërsisë numerike të armikut dhe armëve të rënda të cilat zotëronte.
Atëherë andartet hynë në Backë, duke i vënë zjarrin gjithë fshatit, më vonë hynë në Çorovodë duke e djegur dhe atë. Trupat gjakatare andartë të cilat ishin në Sevran, hynë në fshatin Rog duke e djegur dhe atë plotësisht, pasi dogjën Rogun barbarët dogjën edhe fshatrat Muzhakë dhe Çepan. Trupat andarte të Qarrishtës dogjën në shenjë hakmarrje ndaj rezistencës së armatosur të skraparasve fshatin Prishtë ( shih fq.67).

Bandat e shovinistëve greke hynë dhe në fshatrat Turbohovë, pasi masakruan 7-8 pleq dhe fëmijë të cilët nuk kishin mundur dot të largoheshin. Andartët dogjën gati të gjithë fshatin. Masakra dhe djegie pati dhe në Vlushë si dhe në fshatin Gjerbës. Plaçka që zunë andartët në këto fshatra nuk kishte të numëruar. 300 barrë me kuaj dhe karroca i dërguan në Janinë. Me mijëra krerë gjë' të gjallë shkuan në Greqi. Në Backë u therën 30 gra dhe foshnja, të cilët nuk arritën të shkonin në Zhepovë. 15 gra me djep në krahë i zunë dhe i therën me gjithë foshnjet që kishin. Shqiptarët u demoralizuan se nga nje anë kishin andartet kurse nga ana tjeter bandat esadiste të cilat zunë Beratin. Shumë banorë të zonës së Skraparit shkuan “muhaxhirë” në Berat dhe rrethinat e tij, por dhe atje mundoheshin nga bandat esadiste, shumë nga këta persona vdiqën nga mosushqyerja dhe kushtet e këqija, por ata që mbijetuan vendosën që të ktheheshin. Mbi 400 fëmijë u kthyen ne Skrapar, të cilët ranë në pabesinë e andarteve (shih fq.67-68).

Autori tregon një episod:

" Një grek i quajtur Koqino nga Lefkadha e Greqisë me tre shokë të tjerë u nis nga Çepani dhe vajti në fshatin Rehovicë, pasi hëngrën dhe pinë, lidhen të gjithë burrat e fshatit, morën dy mushka që i kishin pëlqyer. Rrëmbyen një vajzë të re nga fshati të cilën e morën me vete dhe u nisën për në Çepan. Kur u afruan afër Çepanit qëndruan pak të pushonin. Këtu vendosën t'i lëshonin burrat që kishin marrë se meqenëse ishin afër Çepanit nuk kishte ndonjë rrezik. Burrat si u lëshuan nuk vajtën në fshatin e tyre por vajtën në një fshat tjetër për të kërkuar ndihmë. Burrat e atij fshati nuk pritën gjatë por rrëmbyen dyfekët dhe u nisën në drejtim të Çepanit për t'u zënë pritë andartëve, të cilët kishin marrë vajzën e re. Gjakësorët si e përdhunuan vajzën që kishin marrë me vete, e lëshuan atë, por sa u afruan afër një përroi ju erdhën bataretë breshëri nga gjithë banorët e zonës. Të gjithë kriminelët ngelën të vdekur në vend, përveçse njërit që i plagosur mundi të futej në pyllin aty pranë ( shih fq.68).

Në fshatin Rog, ishte një banor që quhej Rakip, ai kishte një vajzë 12 vjeçe. Një ditë vajtën disa andarte për të dëfryer me vajzën e vogël. Rakipi vuri ulërimën, por andartët të friksuar e therën atë së bashku me vajzën 12 vjeçe dhe gjithë fëmijët e tjerë (shih fq.69).

Beteja heroike e “Qafës së Vëndreshës”.

Andartët e trupave të Zervës shkuan në fshatin Vëndreshë dhe zunë 7 burra dhe një djalë. Shkaku i tyre që se gjoja kishin parë shqiptarët të hynin në Vëndreshë. Pasi i lidhen të gjithë i dërguan në Qafën e Vëndreshës, dhe atje i therën në mënyrën më makabre dhe më ç'njerëzore, të gjithë me radhë. Kur i erdhi radha djalit, ai qëndroj sypatrembur dhe tha: Doni ore barbarë duke therur shqiptarët t'i shuani, por edhe një shqiptar të mbetet nuk do t'ju lëj të qetë. Rroftë Mbreti i Shqipërisë. Pa mbaruar kete fjale, duart e katilve i rane me thika,kama dhe bajoneta ne zverk dhe gjithe trupin, djali i shtri perdhe dhe i gjakosur vdiq me fjalet “Rrofte Mbreti”. Shqiptaret te cilet ishin shperndare, me te mesuar kete ngjarje, u mblodhen te gjithe ne fshatin Vendreshe dhe vendosen te benin nje ofensive kunder bandave andarte.

Diten e Marte ora 12, shqiptarët sulmuan vendin e quajtur “Qafa e Vëndreshës”, e cila mbrohej prej 300 andartësh. Çetat shqiptare që morën pjesë në këtë betejë ishin: Çeta e Sulejman Spatharës nga fshati Spatharë i Skraparit, Çeta e Tajar Vëndreshës nga fshati Vëndreshë si edhe shumë banorë nga fshatrat Therepel dhe Valë të cilët udhëhiqeshin nga patrioti Riza Vala. Lufta nisi e rreptë nga të dyja palët, por shqiptarët luftuan heroikisht kundër andartëve grekë. Flitet se të dy palët pas disa orë luftimesh të përgjakshme lanë mënjanë armët e zjarrit dhe u përleshën trup me trup me thika, hanxhar dhe bajoneta. Andartët, duke mos patur asnjë rrugë shpëtimi vendosën të linin “Qafën e Vendreshës”. Çetat patriotike shqiptare i ndoqën deri në vendin e quajtur “Qafa e Kajcës”, duke ju shkaktuar dëme të mëdha si në njerëz dhe materiale. Kur mori vesh Komandanti i grekëve në Përmet për ofensivën e shqipëtarve, u tërbua dhe u nis në drejtim të Këlcyrës me një ushtri të madhe të pajisur me topa duke e bombarduar “Qafën e Kajcës”.

Andartët në shenjë hakmarrje për humbjen që pësuan nga Çetat patriotike në Vëndreshë u hakmorrën barbarisht, të gjithë fëmijët e këtyre fshatrave që zunë në pyll, i therën. Ata, në shenjë hakmarrje shkuan deri në Ujin e Zi dhe dogjën të gjithë fshatrat që ishin rreth e rrotull. Rreth 180 fëmijë theren andartët në Lumin e Skraparit (shih fq. 71).

Makabritetet e gjaksorëve nuk kishin kufij. Këta kriminela, pasi u thyen në Vëndreshë nga Çeta e Sulejman Spatharës u nisën në drejtim të fshatit Spatharë dhe dogjën lagjen Odobashi, Kushovalli dhe gati komplet fshatin. Banorët ishin larguar më parë në drejtim të Beratit. Të vetmin njeri që gjetën në fshat ishte një grua plakë e sëmurë, të cilën andartët e shkuan në hell dhe e poqën për së gjalli.

Forcat andarte nuk lanë pa djegur dhe shkatërruar dhe objektet e kulteve në zonën e Skraparit dhe më gjerë. Autori F. W. Hasluck në librin “Christianity And Islam Under The Sultans”, Vol II (1929), raporton për qindra objekte kulti të shkaterruara, djegura, plaçkitura apo të dëmtuara. Të gjitha objektet ishin të  besimit “Bektashi”(shih fq. 539). Shkaku i këtij persekutimi ishte se, teqet bektashiane në këtë zonë ishin vatra të patriotizmit shqipëtar. Beteja legjendare e “Qafës së Martës” Konsiderohet si më e madhja dhe më historikja. Ajo u zhvillua në Qershor të vitit 1914. Prof. Skënder Luarasi e ka quajtur me të drejtë dhe “Beteja e Termopileve”, ashtu si 300 spartanët nën udhëheqjen e mbretit Leonidhas, luftuan heroikisht kundër ushtrisë Perse, ashtu dhe 150 skraparasit dhe kolonjarët, nën udhëheqjen e komandantëve legjendar Lace Backa dhe Sali Butka pas luftimesh të përgjakshme që zgjatën disa ditë gozhduan mbi 500 forca kriminale andartësh, duke ju shkaktuar humbje të mëdha. Kjo betejë ishte dhe një fitore strategjike sepse andartët grekë të cilët hynë nga Marjani i Korçës, kishin si pikësynim pushtimin e qytetit të Beratit dhe atëherë mundet të quhej gati e realizuar ëndrra e tyre gati shekullore e “Megali Idhese”.

Në ndihmë të Lace Backës vajti Sali Butka i cili si fillim shkoi dhe u këshillua me “beun e Mëlovës” dhe vendosën të mblidheshin në Turbohovë, në atë që u quajt “Kuvendi i Burrave” të gjithë zonës. Në këtë kuvend morën pjesë banorët e Tomorricës, Gjerbësit, Grevës, Mëlovës, Grëmshit, Kuçit e të tjerë. Kuvendi u mbajt në shtëpinë e Fetah Ymer Koxhabellitu. Rreth 58 luftëtarë të lirisë u rregjistruan menjëherë në Çetën e Sali Butkës, e cila u nis pa humbur kohë në drejtim të “Qafës së Martës” me qëllim që ti shkonte në ndihmë Çetës së Lace Backës, e cila po luftonte heroikisht atje.

Në këtë betejë morën pjesë dhe Çeta e Servet Zaloshnjës, Çeta e Abedin Kuçit dhe Çeta e Muço Kapinovës. Në vitin 1913 treva e zonës Tozhan - Tërpan u pushtua nga andartët grekë. Ata përshkruan intinerarin Përmet - Skrapar në drejtim të Tendës së Qypit, Qafa e Shkozës, Tozhar, Malinat, Berat.

Ata kudo që kaluan bënë masakra të mëdha, sidomos tek banorët e besimit myslimanë. Pleqtë tregonin për krime monstruoze sa kur shikonin gra shtatëzëna u çanin barkun me bajonetë dhe u nxirrnin fëmijën jashtë. Por populli i kësaj treve nuk ndejti duarkryq.

Sipas të dhënave një ndër luftëtarët i cili ka marr pjesë në luftime kundër andartëve ishte Mane Shehu nga Çorrogjafi. Banorët e zonës i'u bënë grekëve shume kurthe dhe prita duke ju shkaktuar humbje të mëdha. Pak nga këta mbërritën në kufi por i lanë kockat maleve të Temanit, Tërrovës, Tozharit, Paraspuarit, Grykës së Ujit te Zi, Qafës së Shkozës.

Sipas Veteranit Qemal Hyseni banorët e Tërrovës të organizuar nga trimat Sulo Tërrova dhe Zaim Tërrova i goditën grekët në vendin e quajtur “Qafa e Tërrovës” ku u vranë disa grekë. Nga banorët u vra Dervish Cenollari. Robërit grekë të cilët u kapën i'u bë gjyqi dhe i ekzekutoi të gjithë Ali Nuredini duke i hedhur në greminën e Tërrovës.

Vrasja e Kostë Beçorit. Si u vra krimineli më i madh i andartëve grekë në fshatin Vërzhezhë?
Qeveria greke kishte liruar shumë kriminelë nga burgjet e Greqisë si nga burgu i Kretës, të cilët pasi i kishte armatosur i kishte hedhur në Shqipëri me të vetmin qëllim për të bërë tërror. Një nga këta ishte dhe kryekrimineli Kosta Beçori. Ky katil qëndroj në Miçan së bashku me trupat e tij. Ky dinak zuri miqësi me shqiptarët dhe ju zotohej që të vinin tek vendi i tij ku rrinte se nuk do të pësonin asgjë. Një ditë shqiptarët i bënë një gosti në Koprënckë, ku e ftuan. Ky shkoi së bashku me disa shokë të tij. U prit mirë prej shqiptarëve aq sa shkëmbeu dhe dyfekun me një shqipëtar. Si mbaroi gostia, i ftoi dhe ky shqipëtarët për një gosti, të cilët i dhanë fjalën se do të shkonin. Por ky nuk kishte ndërmend që t'i gostiste shqipëtarët, por ti vriste ata në pabesi. Ky plan i vajti në vesh komandantit grek Papa Gjeorgjiut i cili e ndaloi të bënte këtë veprim. Një ditë tjetër vajti në fshatin Vërzhezhë ku u prit prej banorëve të fshatit, hëngrën dhe pinë me tërë të mirat. Por Kosta kishte si qëllim të merrte vajzën e të zotit të shtëpisë. I ati i vajzës i'a kuptoi planin dhe lajmëroi shokët e fshatit me kujdes, duke dërguar djalin e tij të vogël. Kur u ngritën për të ikur ky kriminel u shkeli syrin shokëve, si shenjë që ata të rrëmbenin vajzën, por më parë, doli te dera për të parë nëse kishte njeri. Sapo doli te dera u ekzekutua me një plumb në ballë nga banorët e fshatit Vërzhezhë të cilët e kishin  rrethuar shtëpinë. Beçori ra dhe thirri: “me efagan i alvani”(më vranë shqiptarët). Pasi vranë dhe shokët e tij banorët i'u shtypën kokën me gurë dhe i hodhën në një gropë. Ky ishte edhe fundi i Kosta Beçorit, kriminelit të lëshuar nga burgjet greke me qëllim për të bërë masakra ndaj popullsisë së pambrojtur shqipëtare( shih K.Papa fq. 58-59).

©Corovoda Online / Të drejtat e publikimit nga Autori i këtij Materiali Besim Dervishi