• COROVODA ONLINE PUBLIKON TË DHËNAT E POPULLSISË DERI NË 1 JANAR 2018
  • NË ÇOROVODË BANOJNË GJITHËSEJ 17 476 BANORË
  • NË POLIÇAN BANOJNË GJITHËSEJ 17 271 BANORË

Koordinata X: Ismail Qemali dhe simpatia e veçantë që kishte për skraparasit. Nga: Skënder Malindi

Në një shkrim nga Skënder Malindi rubrika Koordinata X e Corovoda Online ndalet mbi fakte dhe dokumente historikë që dëshmojnë lidhjen e Ismail Qemalit me personalitete të krahinave shqiptare. Ka dokumente e të dhëna që Ismail Qemali kishte simpati për skraparllinjtë, të cilët ai nuk i njohu vetëm kur ndërmori hapin e madh, formimin e shtetit shqiptar më 1912, por që më parë kur ai ishte deputet në parlamentin osman, duke ardhur disa herë në këtë krahinë.
Ajo që e lidhi më tepër këtë burrë të madh me Skraparin, ishte momenti kur përfaqësuesit e krahinës së Tomorricës, të mbledhur në Konak, me qenë se ishte vonë, një ditë patra ngritjes së Flamurit dhe nuk shkonin dot në Vlorë, me anë të një telegrami, ata autorizuan Ismail Qemalin si përfaqësues të tyre, gjë që ai e pranoi me kënaqësi dhe ia vuri në dukje përfaqësisë së mandateve në këshill dhe në qeveri. Por Ismail Qemali kishte edhe shumë miq skraparas.
Ai kishte mik Xhelal Bej Koprënckën, të cilin e lajmëroi të linte detyrën si oficer në Janinë dhe të vinte pas tij në Vlorë (Xhelal Bej Koprencka ka firmën në aktin e Pavarësisë. Më pas u zgjodh në Pleqësinë që zgjodhi qeverinë e parë, si dhe u ngarkua me detyrë komandant i forcave kundër grekut në rajonin Skrapar, Korçë, Përmet). Tjetër mik ai kishte Tefik Rogun, të cilin thirri që nga Turqia. Ka një numër jo të vogël telegramesh që kanë shkëmbyer me të, kur ky i fundit u vendos në administratën e qeverisë së re dhe veproi në zonën Berat dhe Skrapar. Një simpati të veçantë Ismail Qemali kishte për Maliq Vlushën, të cilin zgjodhi në kabinetin e tij, një prej njerëzve të shquar intelektual Maliq Sanxhaku (Vlusha), por që ai preferonte t'i thërriste Maliq Skrapari, duke e emëruar drejtor të Departamentit të Bujqësisë. Simpatia e Ismail Qemalit dëshmohet edhe nga telegrami që ai i dërgonte popullit e parisë së Skraparit ku midis të tjerash thuhet se:  
"...populli i kësaj krahine, ashtu si dhe më parë dhe tani do të jetë në këmbë për çështjen kombëtare..."

Në fund të dhjetorit të vitit 1912, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, cakton si nënprefekt të Skraparit Baki Gjebrean. Si qendër zyrtare e nënprefekturës u caktua fshati Çorovodë, por meqenëse ai ishte djegur zyrë për n/prefektin u bë një dhomë e shtëpisë së Abaz Zhabanit në fshatin Zhaban. Zëvendës i nënprefektit u zgjodh një vendali, njëri me influencë e kontribut të shquar në çështje kombëtare Abdulla Koprencka (Dule). Baki Gjebrea qëndroi plot një vit në Skrapar dhe në tetor 1913 u zëvendësua nga Themistokli Germenji, i cili në Skrapar kishte qenë në muajin gusht i dërguar nga qeveria e Ismail Qemalit, për rekrutimin e xhandarëve për xhandarmërinë shqiptare. Në nënprefekturë ai është paraqitur në 22 tetor 1913. Me datën 23 tetor thirri parinë e Skraparit. Ai mori masa të rrepta për vendosjen e qetësisë e sigurisë në nënprefekturë. Në këtë detyre ai qëndroi deri në shkurt 1914.

Skrapari kishte dhënë një kontribut jo të vogël në luftën për pavarësi. Që në ditët e para të vitit 1913, qeveria e Vlorës u ballafaqua me situata të jashtëzakonshme. Trupat greke i ishin drejtuar vilajetit të Janinës e synonin në drejtim të Himarës e Korçës. Këtë gjendje të vështirë të veprimtarisë politike e diplomatike të Ismail Qemalit e shohim edhe në telegramin që përmendëm më sipër ku ai vazhdon:

"... me marshimin e armatës greke mbi Janinë, ka mundësi që disa detashmente (greke) të afrohen e sulmojnë krahinën e Skraparit e të Beratit. Është detyrë patriotike t'u presim hovin sulmeve e dhunimeve, duke marrë masa të rrepta kundër kësaj mundësie ...  ....Gjithë populli duhet të dijë se përsa i përket mbrojtjes është një trup i vetëm..."

Më tej ai porosiste që të mos krijohej asnjë shkak për grindje e ngatërresa në Shqipëri. Duhej të ruhej uniteti. të zihen të gjitha shtigjet e të mos lejohej armiku të mos hidhte asnjë hap përpara. Synimi taktik i Ismail Qemalit ishte që nëpërmjet rezistencës në këto vise, ushtria greke të gozhdohej sa më larg Vlorës. Çdo qëndresë lokale kishte rëndësi për qeverinë. Skraparllinjtë rrezikut që kërcënonte vendin iu përgjigjen me gatishmëri për të qenë përkrah qeverisë së Përkohshme dhe çështjes kombëtare. Menjëherë burrat trima të Skraparit ngritën çetat e tyre.

Me mijëra burra skraparas rrokën përsëri armët, nën udhëheqjen e trimave si Lace Backa, Riza Kodheli, Ali Çepani (Farmaqi)Ali Koprencka, Sokoll Radeshi, Sulejman Spathara, Servet Zaloshnja, Muco e Avni Kapinova, Myftar Cepani, Veiz Naska, Qazim Zaberzani, Sefedin Visocka, Tefik Rogu etj.

Më 3 janar 1913 i dërgohet qeverisë në Vlorë nga nënprefektura e Skraparit një telegram, ku ndër të tjera thuhet se : "...Të gjithë trimat e Skraparit e Tomorricës, që prej tre ditësh janë duke vrapuar turma-turma, për të mbrojtur pozitat strategjike në front..." Kur forcat greke hynë në Kolonjë duke vrarë, prerë e djegur një pjesë e popullsisë së saj mori rrugën e muhaxhillekut në drejtim të Skraparit e përkundrejt Beratit e Vlorës. Në këtë luftë që ne e njohim me emrin Lufta Patriotike gdhenden monumentin e historisë, bijtë trima të kësaj treve si: Tajar Vendresha, Sulejman Spathara, Ali Koprencka, Sokoll Radeshi (Satka) Rustem Çepani, Muço Kapinova, Riza Vala, Bektash Zaberzani, Taulla Dyrmishi e shumë, e shumë të tjerë.

Skënder Luarasi në librin e tij "Isa Buletini" tregon një episod për një skraparlli në ditët e formimit të ushtrisë, më 4 dhjetor 1912, të cilin ia kishte treguar një bashkëkohës me emrin Shefki Aliko. "Në Vlorë në muret e ndërtesave të qytetit u afishua një urdhër: ...Kushdo që dëshiron të shkruhet suvarí (kalorës) të vijë në zyrën...". Dhe shënonte zyrën. Kamber Grëmshi, që qe shtatshkurtër u paraqit te organizatorët dhe u tha se kam edhe unë kalë me shalë me takëmet dhe armët, prandaj dua të regjistrohem. "Mirë, more mirë, i tha një oficer shqiptar, po pa mbështet një çikë trupin pas murit atje të shohim sa i gjatë. Kamberi bëri si e urdhëruan; oficeri lexoi lartësinë metrit në mur dhe tha se shtatin e ka disa centimetra më të shkurtër nga sa e parashikonte rregullorja, prandaj nuk e pranuan. "Ashtu, më i shkurtër seç e parashikon rregullorja! Ja këtë nuk ma kanë thënë në kohën e Turqisë, kur shërbeva kaq vjet si suvari Por pa më thoni ku mund ta gjej Ismail Qemalin? Dhe u nis drejt Skelës. I dhanë leje dhe gjeti në shoqëri me Isa Buletinin. Si e përshëndeti kryetarin e qeverisë provizore me atë fisnikëri të vërtetë që dinë të përshëndesin vetëm fshatarët shqiptarë, Kamberi i tha me nxitim dhe i zemëruar: "A nuk më thoni, Ismail Bej, për cilin e ke bërë zotrote Shqipërinë, vetëm për të gjatët apo edhe të shkurtrit?" Ismail Qemali donte ta dinte si e kishte hallin skraparlliu. Dhe ky i tregoi se çfarë kishte ngjarë në zyrën e rekrutimit. Plaku i nderuar i Shqipërisë vuri buzën në gaz, shikoi Isa Buletinin, sikur do t'i përgjigjej ai Kamberit: "Edhe për të shkurtrit, edhe për të gjatët", tha Isa Boletini, duke vënë buzën në gaz. Dhe e përcolli të gëzuar me porosi për komisionin që ta pranonin Kamberin si suvari.
©Corovoda Online / Një shkrim nga Skënder Malindi

Autentik!

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

PËR KONTAKT - EMAIL: corovodaonline@post.com

Mbështetje

ALSSH SKRAPAR - Kjo faqe mbështetet nga Agjensia Lokale e Sigurimeve Shoqërore Skrapar.

skrapari në fletë

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

NAVIGON

www.bashkiaskrapar.gov.al www.albrafting.com www.visitskrapar.com

HAPËSIRË PËR REKLAMA APO NJOFTIMET TUAJA