Kumtesë nga Viktor Bakillari mbi promovimin e librit: "Radëshi - Tremijë vjet histori". **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Kumtesë nga Viktor Bakillari mbi promovimin e librit: "Radëshi - Tremijë vjet histori".

Fatjon Kaloci
15.3.15
RRETH LIBRIT “RADËSHI – TRE MIJË VJET HISTORI” (DY FJALË ZEMRE PËR DRITËPASTIN NEIM MUSTAFARAJ)
Para pak ditësh, në fund të shkurtit (2015), u botua prej familjes për të mirën e Radëshit dhe të gjithë Skraparit libri i z. Neim Mustafaraj “Radëshi - tre mijë vjet histori”. Libri është botuar nga shtëpia DDS dhe është shtypur në Shtypshkronjën DOLLONJA. E prita JO pa kënaqësi duke ditur se kush ishte autori. Ky libër paraprihet nga një parathënie e ndjeshme, e qenësishme dhe objektive për autorin, nga z. Petrit Zeneli. Po ç’është ky libër? Ç’është kjo vepër post mortum (pas vdekjes së autorit). Kush është autori i saj? Çne unë me këtë vepër në mes të kaq e kaq zonjave dhe zotërinjve të Radëshit të nderuar?
Ja, rreth këtyre çështjeve do të përqëndrohemi shkurtimisht. Ishte thjesht dëshira e pinjojve Mustafaraj, Myslimit dhe Bshkimit që t’i nderoja me dy fjalë me rastin e botimit të këtij libri. Ndjeva sa emocione, aq edhe kënaqësi apo sedër të përkëdhelur për këtë përzgjedhje nga kjo familje skraparase me taban. Ç’emocione, do të pyesni ju? Po! Emocione dhe gati në kufijt e frikës, madje. Do ta kisha më të lehtë të merrja një thes me çimento në krah nga Ujmbreti (Çorovoda) dhe ta ngjisa nëpër atë të përpjeme të madhe të Pirogosh-Radëshit në pisk të vapës së korrikut e të rregulloja atë çezmën ndanë udhës që na shuante etjen ne, Tomorricarëve, dhe shumë udhëtarëve të tjerë, sesa të flisja para kësaj salle plot e përplot për një njeri të rrallë jo vetëm të tyre, por të krejt Skraparit. Si mund të flasësh për studiuesin e madh të Skraparit, z. Neim Mustafaraj e të mos kesh emocione? Si mund të flasësh përpara tërë këtyre zonjave, nënave, motrave, hallove, bijave e mbesave të gjithë atyre dëshmorëve dhe trimave nga Radëshi e të mos kesh emocione? Si mund të flasësh përpara kaq e kaq burrash e vëllezërish pasardhës Sokolësh e Petritësh, Dilaverësh e Jahjash, Barjamësh e Sazanësh e të mos kesh emocione? E megjithatë, nga ana tjetër, ndjehem i nderuar që oxhaku i madh i Mustafarajve më përzgjodhi mua të flas rreth veprës së lisit të tyre gati shekullor. Faleminderit, familja Mustafaraj! Respekt e përulje përpara emrit dhe veprës së babait tuaj! *** Shumë burra te gishtit (pushkës) ka pasur dhe ka Skrapari, shumë edhe te penës, por pak, shumë pak të etonokulurës. Madje këta nuk kalojnë as gishtat e duarve. Kemi një Moisi Zaloshnja, kemi një Xhevdet Greva, një Neim Radëshi, një Bashkim Prishta, një Ilmi Çepani, një Gjergj Vërzhezha, njëri prej nipërve të shenjtit Dervish Iljaz... Padyshim, vend dinjitoz në këtë lëmë zë i nderuari Neim Mustafaraj, dritë pastë! Z. Mustafaraj (17 mars 1920 – 11 prill 1997) ka qenë një mbledhës shokrrallë folklori, këngësh popullore, fjalësh karakteristike të Skraparit, shprehjesh, përrallash, shënimesh biografike, ndriçues dhe dritëhedhës mbi figura të shquara të rrethit tonë e sidimos mbi gjithë figurat e mëdha të fshatit Radësh, të cilët i kanë kaluar kufijtë e rrethit tonë. Padyshim, dy kryeveprat e tij kanë qenë mbledhja e këngëve popullore fshat më fshat në rrethin tonë dhe vepra në fjalë Historiku i Radëshit. Historiku i Radëshit është një vepër e gjithanshme gjeografike - historike, etno-kulturore dhe gjenealogjike, të cilën z. Mustafaraj e nisi në vitet 1960 dhe e përfundoi në vitin 1980, e cila, edhe sot mbas 35 vjetësh që shikon dritën e botimit, ruan objektivitet dhe ka rëndësi njohëse, kulturore dhe dokumentare. Fillimisht, z. Mustafaraj na flet për pozitën gjeografike të Radëshit, për kufijtë dhe relievin e fshatit, për klimën, ujërat, florën dhe faunën e tij. Më pas, (Kreu II.) autori përqëndrohet në lashtësinë, në qëndresën ndaj pushtuesëve, te origjina e emrit Radësh, e cila vjen nga sllavishtja e vjetër / bullgarishtja, e cila në gjuhën shqipe do të thotë “Gëzim, I lumtur” (f.55). Parantezë: Në vitin 1938, qeveria e kohës, mbretëria, ndërmori një nismë për heqjen e emrave me prejardhe të huaj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Duke qenë se edhe emri Radësh kishte prejardhje të huaj, komisioni vendosi ndryshimin për të si edhe për 52 fshatra të tjerë të Skraparit. Për Çorovodën u caktua emri Ujmbret, çka unë në të gjitha shkrimet e mia rekomandoj që ta thërrasim, ta quajmë e ta shkruajmë kështu, ndërsa për Radëshin (për ata që janë kureshtarë) u vendos emri “Greminë/ Gremina”, mesa duket për shkak të terrenit të thyer e malor... Mikrotoponimia e Radëshit sipas z. Mustafaraj edhe pse ka emërtime sllavo-bullgare, në masën më të madhe flet shqip. Në kreun III. flitet gjatë për periudhën 1912 – 1939, për jehonën e shpalljes së Pavarësië, për luftën dhe qëndresën ndaj andartëve grekë, 1914, për një nga djemtë e parë që u sakrifikuan për këtë tokë, për dëshmorin e parë të Radëshit, Sakoll Satkën – Radëshin, varur barbarisht në ditë pazari nga Esat Pashë Toptani më 13 gusht 1915 në Durrës. Ndërsa Petref Xhevo Hysenbelliun dhe Asllan Vëseshtën i pushkatuan. Populli, Sakollit i skaliti vargje të paharrueshme: Sakoll Radëshi trim i rrallë, luftoi e ra për fukaranë”. Vijon pastaj përshkrimi i Luftës së Parë Botërore (1914 – 1918) dhe episode të ndërmjetme si vrasja e firmëtarit të Pavarsisë Xhelal Bej Koprënckës për hakmarrje. Varianti i vrasjes së Xhelal Beut, sipas autorit, ky vjelë rrëfimin nga bashkëfshatari i tij dëshmitar Qerim Kaloçi, është i tillë: “Disa fshatarë nga Leshnja kishin vajtur për dru në pyllin e Selckës, të cilin Xhelal Beu e kishte përvetësuar me mashtrim, ashtu siç kishte zaptuar malet Janobeç, Symizë etj. Djali i Xhelal Beut shkoi atje me dyfek në dorë, i kërcënoi, u preu litarët e kuajve dhe drutë u ranë përtokë. Pastaj u thoshte atyre që bënë dru: - hajdeni me mua t’ju gjykojë babi im! Ata nuk i vanë, por iu hodhë përsipër, i muarë pushkën e i thanë sikter! Të nesërmen, ia dërguan pushkën, por Xhelal Beu kërkoi gjak. Dërgoi trimat dhe vranë një burrë në Leshnje. I biri i këtij e vrau atje Xhelal Benë” (f. 110 – 111). Më tej vazhdon përshkrimin e ngjarjeve të vitit 1920, ku autori thekson se forcat mbrojtëse të sigurimit të vazhdimit në qetësi të punimeve të Kongresit të Lushnjes ishin nga Skrapari. 300 forca mbrojtëse të këtij Kongresi ishin nga Skrapari të komanduara nga Heroi i Popullit Riza Cerova, ku nga Radëshi juaj merrnin pjesë jo pak, por 25 trima vullnetarë me në krye Sabri Sulçen. Në libër jepen edhe emrat e vullnetarëve mbrojtës. Në kreun 4. Flitet për popullsinë e fshatit, për lagjet e hershme të fshatit: Shehu, Kotorri, Cumbo, Ymerdeliu, Kuçuku, Shinko, Guri e Kurti si dhe për këto të mëvonshme e bashkëkohore pas viteve 1990: Muho, Guri, Satka, Sulçe, Kanxha, Pirogoshti, Cfinishti, Hysembelli, Kurti, Shkëmbi, Bregu, Mustafaraj, Shinko, Zhuka, Shabani, Petriti dhe Kaloçi duke paraqitur të dhëna interesante për gjeografinë e popullimit të këtij fshati, e cila nis që nga fshatrat përreth e deri në ngulime me prejardhje nga Prishtina. Jo pa rëndësi janë edhe pemët gjenealogjike për çdo lagje, dere a oxhak bashkëkohor të fshatit. Autori na sjell edhe të dhëna për marrëdhëniet e Radëshit me fqinjët. Na lejoni të sjellim dy episode interesante dhe që na kanë tërhequr vëmendjen së tepërmi: Mali Ramie ndodhet midis Mollasit dhe Radëshit dhe secili fshat e ka pretenduar majën e tij. 1. Në një kuvend pleqsh, për malin e Ramies, ishte parë e udhës që majën e saj ta kishte Mollasi, për arsye se atje ishte vrarë një bari nga ky fshat. Para Çlirimit, pleqtë e Radshit thoshin se, për një kokë njeriu, Mollasi na ka prerë kokën e malit. Pleqtë e Mollasit bënin shaka, dhe ua kthenin: Na jepni një radëshlli ta vrasim dhe merreni Ramien! Ja, vramëni mua! – u pat thënë njëri. – Jo, e duam të zgjedhur – përgjigjeshin ata. 2. Për çështje mali, Radëshi ka qenë ngushtë edhe nga ana e Gradecit. Përroi i Dëvririt dhe i Bobovixhtit ishin kufi ndarës midis dy fshatrave. I mirë është mali i Gradecit, por s’ka ujë, thuhej në popull. Atëherë binin në marrëveshje pleqtë e dy fshatrave, që tufa e bagëtive të Gradecit të vinin e të pinin ujë në përruan e Radëshit, kurse bagëtitë e Radëshit të vinin të kullosnin në malin e Gradecit.” (f. 130). Pleqtë e zgjuar të Radëshit bashkë me ata të fshatrave fqinjë me takt shmangnin dhe u jepnin udhë çdo sherri, çdo grindjeje e çdo hasmërie. Dhe kjo e nderon dhe është vlerë e madhe për këtë fshat dhe shembull edhe për fshatrat e tjerë. Një rëndësi të veçantë autori i kushton edhe Trashëgimisë kulturore të fshatit si traditave, dokeve, zakoneve, fejesave, martesave, lindjeve, vdekjeve, festave, folklorit të pasur, këngëve, baladave, valleve, çështjeve gjuhësore – leksikore, veshjeve, zanateve etj.etj. Edhe këtu, në gjithë këtë mori përshkrimesh me vlera të mëdha çka bëjnë edhe palcën e librit, sipas mendimit tonë, na lejoni të përshkruajmë një episod të shkurtër që lidhet me gëzimet, më konkeretisht me dasmat. Dasma ka qenë gëzimi më i madh në gjithë ato vuajtje. Por, edhe gjatë zhvillimit të saj ka pasur shaka, qyfyre, romuze e ngacmime nga më të ndryshmet. Një rëndësi të madhe u kushtohej përzgjedhjes së krushqve. Ata duhet të ishin jo vetëm të këngës, valles e dollisë, por edhe të mbrujtur me zgjuarsi natyrore. Në ngacmime të ndryshme, të cilat, nëse nuk mund të ishe i mprehtë, mund të çonin edhe në sherre të mëdha, duhej të ishe i duruar dhe i qetë në marrjen e vendimeve. Njerëz që martonin vajzat, meqë këto do të largoheshin nga dera prindërore, krahas gëzimit, ndjenin edhe keqardhje dhe përpiqeshin ta shkarkonin inatin e marrjes së vajzës te ...krushqit. Po, po! Ka ndodhur që gjatë muhabetit, në raki e sipër, njerëz nga i zoti i shtëpisë i qepnin fshehtas ndonjë krushku xhaketën me shiltenë ose qilimin a rrobën e shtruar dhe kur ky ngrihej, e tërhiqte zvarrë. Shaka pa kripë!, por ja që ka ndodhur pa po e rrëfejmë. Në një rast të tillë, rrëfen xha Neimi “njëri u tregua trim, e bëri palë rrobën dhe e mori me vete”. Por ka pasur edhe shaka të tjera me fund gazmor, por që duhej të ishe i zgjuar që ta shmangie grindjen apo sherrin e sigurt vërtet në kufijtë e së pashmangshmes. Njerëzit më para e pinin rakinë në filxhanë. Kur mbaronte muhabeti, dhe krushqit bëheshin gati të dilnin, qëllonte që ndonjë krushku i fusnin fshehurazi në xhepin e palltos filxhanin e rakisë!!! Në ikje e sipër të krushqve, lëshoheshin njerëz nga të shtëpisë së nuses dhe mes zhurmash dhe bërtitjesh i “akuzonin” miqtë se u kishin vjedhur filxhanët. E rëndë sa s’kishte ku të vinte më! Krushqit kontrollonin xhepat të habitur dhe ai që e gjente në xhepin e tij sigurisht që nuk ndjehej mirë e rehat, por, vetëkuptohet, këtu del në pah dhe e shfaqet gjenialiteti i krushkt, zgjuarësia e tij. Si duhej vepruar? T’ua ktheje të zotve të shtëpisë filxhanin, ishte pranim gabimi e turp i madh sa s’e ngrinte ziqi (kandari). Të justifikoheshe me fjalë, zinin e të qeshnin. Të pranoje fajin, të vinin damkën hajdut dhe gjente belaja jo vetëm krushkun, por gjithë fshatin. Ta merrje dhe ta flakje në tokë, ishte pranim vjedhjeje e veprim jo i këndshëm, po e po, por edhe shumë i ulët, i shëmtuar denigrues e poshtërues. Gjenialiteti i krushkut nga Radëshi, këtu është sipëror. Absolut! Ai që gjente filxhanin në xhep, e merrte, e vinte në majë të tytës së maliherit a kobures (armës), uronte: Hajde gëzuar e me trashëgime! dhe bam! shkrepte armën duke e bërë filxhanin cifla - cifla në ajër. Kjo ka qenë zgjidhja ideale e krushkut skraparas! Kreun VI autori ia kushton arsimit, kulturës dhe shëndetësisë në Radësh. Ai na jep lista intelektualësh që ka nxjerrë ky fshat, listën e mësuesve, komisarëve të dritës. Kreun e VII ia kushton epopesë së lavdishme të LNÇ, pjesëmarrjes aktive të 150 banorëve të Radëshit në këtë luftë, përfshi edhe vetë autorin, lidhjen e tyre me forcat progresiste e udhëheqëse të kohës, përshkrimin e luftës që u bë për Çlirimin e Ujmbretit (Çorovodës), ndihmën që dhanë bijtë partizanë të Radëshit për çlirimin e trojeve brenda dhe jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, ku pati edhe të plagosur rëndë në Kosovë dhe bilancin e luftës duke na dhënë një tabelë me 18 dëshmorë, të cilët ia kanë zbardhur faqen Radëshit, Skraparit, Shqipërisë. Lista e tyre është si më poshtë vijon: 1. Sakoll Ali Satka; 2. Petref Xhevo Hysenbelliu; 3. Nazif Refat Hysenbelliu; 4. Gani Ramadan Shabanaj; 5. Dule Alizot Kaloçi; 6. Feta Myrteza Sulçe; 7. Gani Qazim Sulçe; 8. Myhyr Zylyftar Hysenbelliu; 9. Rustem Fejzo Mustafaraj; 10. Faik Rexhep Sulçe; 11. Hasan Seit Shkëmbi; 12. Shaban Shaqir Hysenbelliu; 13. Hysni Sinan Shabanaj; 14. Sali Mustafa Shinko; 15. Taulla Tahir Korita; 16. File Petref Kaloçi; 17. Alo Myftar Mustafaraj; 18. Veli Haki Sulçe. Lavdi dëshmorëve të Radëshit e njëkohësisht të krejt Atdheut! Të gjithë këta yje që sakrifikuan jetën për çlirimin e vendit do të meritonin secili nga një monografi. Historitë dhe bëmat e tyre janë midis reales dhe sureales, madje ka edhe bëma që vetëm imagjinata mund t’i rrokë dhe vetëm letërsia dhe një penë e fuqishme mund t’i përshkojë sa me realizëm, aq edhe me metafora. Njërën prej tyre na e përshkruan edhe autori i veprës. Fjala është për dëshmorin e atdheut Gani Ramadan Shabani (27 .11.1921 – 20.1.1944) Partizan Ganiu ishte plagosur keq në pjesën e poshtme të këmbës. Plaga iu infektua keq dhe nisi t’i gangrenizohej. Sakaq doktori i partizanëve Petro Cani që mjekonte partizanët e lënduar, konstatoi se punët me të plagosurin e Radëshit po shkonin keq. Si rrugëzgjidhje ishte... prerja e këmbës. Kushtet ishin të këqia, mjetet mungonin, mjedisi ishte mal, sallë operacioni nuk kishte. Dhe a e dini me se ia preu doktori kërcirin këtij partizani? Me sharrën e druve! Po, po! Dhe ky djalë duroi atë operacion si rrallëkush, e duroi si buRRë!!! Por plaga nuk po shërohej, madje po keqësohej. Rrugëzgjidhje? Po, doktori mendoi edhe një operacion tjetër. Kësaj radhe gjymtim të këmbës që në rrëzë. Operacion i tmerrshëm! Pas disa orësh, Ganiu u përmend – shkruan autori. Më vonë, vendi i partizanëve ku gjendej Ganiu u rrezikua si rezultat i fillimit të operacionit armik, prandaj, partizanët u tërhoqën në Protopapë (Opar). Ganiun e hipën dhe e lidhën në një kalë. Në të hyrë të fshatit partizanët ndeshën me gjermanët, të cilët qëlluan pandërprerë kundër tyre. Në këtë betejë, rrëfen autori (f. 295) Ganiu, hipur në kalë, hapi zjarr e qëlloi në drejtim të gjermanëve, madje edhe duke vrarë nga ata. Në përpjekje e sipër, gjermanët e vranë atë dhe kalin i tij. Ky ishte trimi i Radëshit tuaj dhe tonit Gani Shabani, të cilin, falë kësaj rrëfenje, autori na e përjetëson pa aspak hiperbolizim. Për këtë ngjarje të vërtetë shtypi ka shkruar disa herë. Unë, ç’është e vërteta, kisha dëgjuar për një histori të tillë, por nuk e dija, të jem i sinqertë, se bëhej fjalë për një hero nga Radëshi, nga Skrapari. Përshkrimit të z. Mustafaraj, do të dëshiroja t’i shtoja edhe një hollësi, e cila, mesa duket i ka shpëtuar. Tek njeriu nuk mund të kryhet një operacion kaq i rëndë pa analgjezikë, pa narkozë. Gani Shabani ishte këngëtar dhe e ndjente dhe e kishte këngën në gjak. Atëherë u veprua kështu: Njëri nga partizanët ia mori këngës, tjetri ia preu dhe disa të tjerë mbanin iso. Ndërkohë, kur kënga shkoi gjym, kur i sëmuri ishte bërë njësh me të, doktori kreu operacionin e vështirë. Ky ishte durimi burrëror i Gani Shabanit, kënga i shërbeu si narkozë atij si edhe shumë partizanëve të tjerë kur operoheshin nga plagët e rënda të plumbit. Të tillë luanë ka nxjerrë edhe Radëshi ynë. Libri mbyllet me dy figura të shquara të këtij fshati, të cilat për shkak të kushteve politike nuk mund të shkruheshin lirshëm nga z. Mustafaraj. Ato mund të konsiderohen si shtojcë e librit duke qenë se dhe janë shkruar nga autorë të tjerë. Këto figura të ndritura janë: Jahja Satka, sipërmarrës i suksesshëm mërguar nga Radëshi në Turqi dhe ushtaraku legjendar Dilaver Radëshi. Libri i historikut të Radëshit është studimi i parë i plotë i kryer deri sot për këtë fshat gjithë virtyte. Kushdo që do të ndërmarrë një nismë në të ardhmen për ndonjë monografi tjetër, si gur themeli ka për t’i shërbyer libri i studiuesit Neim Mustafaraj, i cili shkriu jetën dhe energjitë e tij për Radëshin, e deshi dhe e lartësoi, ia zbardhi faqen atij dhe dhe banorëve të tij, të cilët nga sot kanë se me ç’krenohen, kanë se ç’të tregojnë, kanë me se të mburren në mënyrë të ligjshme për lashtësinë, për historinë e tyre, për zakonet e traditat e shëndosha të paraardhësve të tyre. Nga sot, banorët e Radëshit e kanë detyrim moral që të nderojnë e respektojnë edhe më shumë, ashtu siç u ka hije, studiuesin zemërmirë, Thimi Mitkon e Skraparit, z. Neim Mustafaraj, i cili shkriu krejt energjitë e tij për të nxjerrë në pah vlerat dhe visaret jo vetëm të Radëshit plak-mjekërbardhë – 3000 – vjeçar, por të krejt Skraparit. Sot, ne e kujtojmë me respekt e dashuri z. Mustafaraj! Sot shembëlltyra dhe shpirti i tij na sodit nga lart. Sot ai gjendet mes nesh. Sot ai, i cili revolucionarizoi dhe ndriçoi mendjet e qindra e qindra nxënësve jo vetëm në Radësh, por në krejt Skraparin ka festën e tij, festën e mësuesit. Ai është tok me ne, në zemrat tona! Këto ditë, ai do të mbushte 95 vjet. Duke përfituar nga ky rast, edhe pse ai nuk gjendet fizikisht në gjirin tonë, na lejoni të shtojmë: I paharruar emri, vepra dhe kujtimi i Skraparasit 24 karatësh Neim MUSTAFARAJ!
Faleminderit!
Tiranë, 7 Mars, 2015, Muzeu Historik Kombëtar / Tiranë.
Viktor BAKILLARI ©Corovoda Online