• COROVODA ONLINE PUBLIKON TË DHËNAT E POPULLSISË DERI NË 1 JANAR 2018
  • NË SKRAPAR BANOJNË GJITHËSEJ 17 476 BANORË
  • NË POLIÇAN BANOJNË GJITHËSEJ 17 271 BANORË

Riza Cerova në kujtimet e Xhelal Staraveckës. "Përpara Gjyqit të Historisë" (1935)

Në kuadër të 80 Vjetorit të rënies së Heroit Riza Cerova, Corovoda Online vjen me një shkrim interesant marrë nga libri me kujtime i Xhelal Staraveckës "Historia përpara Gjyqit" Paris 1966 sjellë në Shqipëri nga botimet "Naimi"
80-vjetori i Kryengritjes së Fierit, gusht 1935, sipas librit me kujtime të Xhelal Staraveckës, një prej protagonistëve të saj: Roli i Riza Cerovës dhe vrasja e tij

Si u ndalua Ahmet Zogu prej Lidhjes së Kombeve për pushkatimin e mbi 40 protagonistëve të Kryengritjes së Fierit

...Kur arrita në Durrës, në fundin e korrikut 1935 nga Italia, me habitje të madhe ndesha në skelë Salim Kokalarin që e kisha pasur mësonjës në shkollën e Fierit. Në bisedim më tha se Riza Cerova, me një dekret falje nga Zogu, ishte kthyer në Shqipëri duke ardhur nga Turqia.
Posa dëgjova këtë në mendjen time lindi besimi se i dërguari nga Bashkimi Sovjetik për të hyrë dhe për të drejtuar lëvizjen që na kishte thënë Hasan Reçi një vit më parë, ishte Riza trimi që do të kryesonte atë lëvizje, andaj me padurim e pyeta nëse ai ishte futur në atë organizatë. Më tha se jo vetëm ishte pjesëtar i saj, por vetë shtatmadhoria e asaj organizate, që përbëhej prej tre kolonelëve: Ramiz Dibrës, Ali Shefqet Shkupit dhe Ali Fehmi Kosturit, e kishte zgjedhur si komandant suprem të operacionit revolucionar. Me një fjalë ishte Rizai jo vetëm koka drejtonjëse por edhe krahu vepronjës i asaj kryengritje.
...Mbasi u njohën efektivët që kishim për kryengritjen e Fierit, Musai (Kranja) na tha se dita e plasjes së lëvizjes ishte caktuar të mërkurën, 14 gusht, në orët e para të pasdites sipas rrethanave që mund të sundonin çdo qendër të Shqipërisë, duke u lënë liri të plotë revolucionarëve të zgjidhnin kohën e plasjes së lëvizjes prej orës 14:00 deri në orën 16:00 të asaj dite.
Megjithëse do të bisedonim dhe njëherë mbi vendosjen e orës për shpërthimin e revolucionit, aty vendosëm ta shpërthenim në ora 16:00 dhe më ngarkuan mua, pasi kisha më tepër se kushdo tjetër burra të armatosur, për të marshuar mbi qytetin e Fierit dhe për sulmin dhe marrjen e depove, veç asaj të rekrutimit sidomos atë të paraushtarakëve ku ndodheshin, sipas mendimit tonë, më se një mijë pushkë.
Në natën 13-14 gusht, me 65 burra të armatosur (rritja e numrit nga 50 në 65 u bë nga shkaku se disa nga ata që kisha thirrur të vinin me mua, erdhën me armët e tyre që kishin fshehur qysh në kohët që armët gjendeshin sheshit mbas mbarimit të Luftës Parë Botërore), u futa në hotelin “Shkoza” e kur u çelën zyrat shkova për t’u takuar me Musanë e shokë.
Në orën 14:00 unë dola me njerëzit e mi të armatosur deri në dhëmbë nga hoteli “Shkoza” dhe shpërtheva kryengritjen, duke marshuar drejt depove të paraushtarakëve e pastaj të atyre të tjerëve. Në depot e paraushtarakëve gjetëm 800 armë të gjata italiane, jo vetëm pa asnjë fishek, por edhe pa shula dhe lloza.
Prej orës 17:00 filluam të prisnim arritjen e revolucionarëve të Vlorës, mirëpo nuk po na vinin. Në ora 20:00, Salim Kokalarin që kam folur më lart në rastin e Durrësit, e dërguam në Vlorë të shihte se ç’ngjante në atë anë. U kthye në orën 22:00 e na tha se në Vlorë kishte qenë viktima e organizatës që shpëtoi në 1932, andaj vlonjatet kishin vendosur të ecnin mbi ura të sigurta. Tradhtia e Qemal Vrionit e kishte bërë veprën e saj. Në atë rast nuk na mbeti tjetër veç se të marshonim drejt Tiranës. Në mes të natës arritëm në Lushnjë, ku dy orë më parë kishin arritur dy kapitenët e gjindarmërisë, dy vëllezërit Marashi, Lleshi dhe Gjeka të cilët na pritën me pushkë. E rrethuam dhe e sulmuam dhe e morëm zyrën e post-telegrafit e gjatë kohës që pushka valonte, ne pyesnim gati krejt qytetet e Shqipërisë, bile dhe Tiranën, se ç’kishin bërë mbasi lëvizja duhej të ishte e përgjithshme në krejt Shqipërinë, e kudo na u përgjigjën qeveritarët e Zogut...
Lëvizja e Fierit bëri një bujë të madhe në botën e jashtme si do të shohim këtu në vazhdim.
Riza Cerova me skraparllinjtë erdhi deri afër Beratit, duke qenë i sigurt se në Berat do të kishte shpërthyer kryengritja. Përkundrazi, në Berat sikurse gjetkë, nuk luajti asnjë mizë kundra regjimit, pse revolucionarët bejlerë si Sehit Vrioni, Sybhi Vrioni, Mahmut Shehu e të tjerë qysh në natën e 13-14 gushtit kishin ngarkuar nëpër gomarë jatak e jorganë e banalitete të tjerë të tualetit dhe kishin krisur nga katundet e Nahijes për mos u ndodhur në Berat, kur Riza Cerova të vinte dhe të shpërthente kryengritjen me skraparllinjtë e tij.
I shkreti Riza Cerova! Kur e pa se një botë e tërë në shërbim të Zogut po marshonte kundër tij, mori vetëm 7-8 veta me të cilët kaloi Skraparin dhe hyri në rrethin e Pogradecit. Mirëpo ai Pogradec tradhtar e rebel, ku Gani Butka la jetën nga plumbat e tradhtisë së Starovarëve, ashtu si e kishte lënë dhe kolonel Thomsoni, vrau dhe Riza Cerovën.
Ne të Fierit, kur e pamë se dara po shtrëngohesh rreth nesh në Lushnjë, e lamë atë qytet dhe u kthyem. Musai erdhi deri në rrugën që çon në Karavasta me aventurierin Cekrezi, që erdhi në Fier nga Tirana pas vrasjes së gjeneral Gjilardit. Me këta dy shkuan: Zenel Hekali, Arshi Shehu nga Tepelena, tetar Kadri Kosova dhe gjindarmi Xhevahir Spathara. Së bashku shkuan në atë katund dhe që andej me një bark peshkimi shkuan në Itali.
Ndërsa unë që isha i shtrënguar të ndiqja fatin e njerëzve që kisha futur në luftë kundra regjimit, preferova të qëndroja dhe të jepja llogari si i vetmi përgjegjës për t’i shpëtuar ata nga konsekuencat e ndjekjeve ligjore, mbasi i porosita të thoshin se i kisha marrë me forcë. Dhe ashtu u bë.
Në 14 gusht, ditën e mërkurë, ne shpërthyem kryengritjen që duhej ta kishin bërë të gjithë, si e bëmë ne në Fier dhe Riza Cerova në Skrapar. Në 15 gusht mbas dreke, në atë Fier që ne e bëmë republikën tonë për 24 orë, hyri kolona ushtarake e komanduar nga kolonel Ali Riza Topalli për të bërë operacion, tortura, gjykime, dënime e pushkatime të tjera.
Ali Riza Topalli ishte plot deri në majë të flokëve me ndjenja servilizmi. Duke qenë një nga injorantët e turmës së oficerëve të Zogut, i dominuar nga një egoizëm që nuk njeh kufi, i shterpëzuar nga çdo ndjenjë atdhetare, për Zogun ai ishte njeriu më i përshtatshëm për ta ngarkuar duke i dhënë kartë të bardhë të zhyste në gjak si komandant operacioni dhe kryetar i gjyqit për faje politikë atë Fier që shpërtheu lëvizjen kundra tiranit, prefektit të Duçes, Ahmed bej Burgajetit nga Mati.
Po, Zogut i pëlqenin njerëzit e zhveshur nga çdo pajë burrërore.
Bashkia, shtëpitë e Qemal Vrionit këto ditë ishin sallë gjyqi dhe natën sallë torturash, zyra e post telegrafit, dyqanet e Idris Bylos, zyra e gjindarmërisë e rrethit dhe ajo e postkomandës, shkolla “Platore” e Fierit në Bishanak, hoteli i Ramis Omarit e të tjerë lokale, ishin burgje dhe salla torturash. Më se pesë mijë të burgosur lëngonin në ato ndërtesa, duar dhe këmbë të lidhur me zinxhir qensh dhe me plagë në trup që shumoheshin nga një çast në tjetrin.
Gjatë ditëve të torturave më bënin vetëm një pyetje; pse kisha marrë pjesë në atë lëvizje, mbasi Naltmadhnia e Tij më kishte dërguar në shkollë e më mbante me të hollat e tij. Natyrisht, pse shteti për regjimin e Zogut nuk ekzistonte, por gjithçka në shtet ishte pronë e Zogut. Dhe për nëntë ditë me radhë përgjigja ime ka qenë kjo: kam marrë pjesë në këtë lëvizje për të shpëtuar nga okupacioni italian.
Operacioni i Fierit ka qenë kulmi i sjelljeve shtazore i atyre që qenë ngarkuar me kartë të bardhë të linin kujtimin më të tmerruar të një reagimi personal, i specializuar në krim, kusari e të tjera.
Shumë gra në lagjet e Fierit dështuan nga tmerri.
Në përfundim të gjyqit, 42 qemë të dënuar me vdekje dhe një mijë me dënime, prej burgimit të përjetshëm deri në një vit burg.
Gjykimi im filloi në 14 shtator 1935, ditën e shtunë, dhe vendimi m’u këndua ditën e hënë, më 16 shtator po të atij muaji. Në 17 shtator gjykimet morën fund.
Me qenë se të martën bëhet Pazar në Fier, e kishin lënë ekzekutimi tonë ditën e martë, më 24 shtator...
Kush nuk e di arsyen pse na fali Zogu, mendon si mendonin ato kohë shqiptarët që nuk dinin “prapaskenën” se Zogu gjoja na fali për shpirtmadhësinë e tij e jo pse qe i detyruar, si do të shohim më poshtë.
Popullsia në shumicën dërrmonjëse të qytetit të Fierit ishte kristiane. Nuk e di me siguri, por patjetër prej 85% deri në 90 % ishin ortodoks e ndër të dënuarit me vdekje dhe me burgime të përjetshëm, si Spiro Papa, doktor Kostantin Kollojeri e të tjerë, ishin një numër i madh.
Në atë kohë në shoqërinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë pati radhën si kryetar i asaj Asambleje, ministër i Jashtëm i Rumanisë, i famshmi Titulesku. Ai çeli një diskutim në Lidhjen e Kombeve mbi çështjen e Fieri, mbasi ekzekutimi i njëmbëdhjetë gjindarmëve dhe graduatëve, nga ana tjetër dënimet me vdekje dhe tortura, kishin bërë në bujë shumë të madhe në botën e jashtme në atë kohë.
Përfaqësonjësi i Shqipërisë në Gjenevë ishte Mehdi Frashëri. Kur u hap seanca e diskutimi në pasdreken e ditës së hënë, 23 shtator, Titulesku iu drejtua përfaqësonjësit të Shqipërisë, duke e pyetur se ç’ngjante në qytetin e Fierit në Shqipëri. Dhe Mehdi Frashëri që kishte porosinë nga Zogu t’i zvogëlonte ngjarjet shqiptare për të mos vënë në dukje mos-kënaqësinë e popullit shqiptar kundra regjimit të tij përpara botës së jashtme, iu përgjigj se një lëvizje lokale e provokuar nga disa elementë të papërgjegjshëm, kishte detyruar qeverinë të ndërhynte për të vënë rregullin.
Kur Titulesku e pyeti se sa banorë kishte Fieri, Mehdi Frashëri e kuptoi kurthin dhe si atdhetar i kulluar që ishte, nuk hezitoi të hynte në atë kurth me qëllim për të na shpëtuar ne, u përgjigj se Fieri kishte pesë mijë banorë, atëherë Titulesku u çua në këmbë dhe iu drejtua Asamblesë duke thënë:
-Zotnij përfaqësonjës të gjithë kombeve të botës mbarë... Popullsia e Fierit është pesë mijë banorë, të burgosurit për lëvizjen lokale të Fierit arrijnë pesë mijë, atëherë regjimi monstruoz i Zogut ka burgosur, veç meshkujve të çdo moshe, por edhe gratë të çdo moshe pa përjashtuar kalamaqët e të dy sekseve. Me një fjalë, ka burgosur krejt popullsinë e Fierit.
Në atë çast Mehdi Frashëri deklaroi në Asamble se të burgosurit nuk ishin vetëm të qytetit të Fierit, por dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë. Pa mbaruar fjalën përfaqësonjësi i Shqipërisë, jo vetëm Titulesku, por krejt Asambleja u ngrit në këmbë dhe e cilësoi Zogun një nga tiranët e urryer, mbasi lëvizja e Fierit nuk ishte lokale, por e përgjithshme, në krejt Shqipërinë. E, shpejt e shpejt, i thanë Mehdi Frashërit t’i drejtohesh Zogut dhe t’i thoshte se po të mos ndërronte qysh atë ditë metodën barbare me pushkatime, tortura, dënime dhe të tjera abuzime mbi kurrizin e popullit shqiptar, ajo Lidhje, që rrëzoi para-ardhësin Fan Noli, nuk do të gjente vështirësi të përmbyste dhe atë regjim bashkë me tiranin Zog. Mehdi Frashëri, posa doli nga seanca në orën 18:00, i drejtoi një telegram urgjent pallatit, duke i thënë Zogut që të ndalonte torturat, dënimet dhe ekzekutimet, nëse nuk donte përmbysjen e regjimit të tij dhe futjen e Shqipërisë në aventura të rrezikshme.
Telegrami i Zogut arriti në orën 22:00 të datës 23 shtator. Atë të hënë mbas dreke komanda e operacionit përgatiti 42 trekëndësh për varjen tonë në ora katër e pesë të mëngjesit, ditën e martë më 24 shtator, bile na prenë dhe flokët për ta bërë kokën njëlloj me atë pjesën e rruar që na torturonin.
Kur e pyeta mbi këtë çështje Medi Frashërin, mbasi me të pata ndenjur shumë herë në bisedim qoftë në Shqipëri, qoftë në Itali, mbas daljes time nga burgu, nëse ra në atë kurth me dashje, m’u përgjigj me një nënqeshje që tregonte kënaqësinë e tij.
Nuk kisha tjetër mjet, më tha, veç asaj dinakërie për t’u shpëtuar nga kasaphana e Fierit...
Kapiten Vas Kiri, i bindur se të nesërmen do të na ekzekutonin, erdhi dhe hyri në bimcat e të dënuarve me vdekje dhe filloi t’u thoshte me një gëzim qe dukej çiltaz, se vuajtjet e tyre ishin duke prekur fundin. Ne e dinim me siguri, pse kryerojet që na donin, na thanë qysh në mëngjes me lot në faqe se do të na ekzekutonin.
Zogu, që e kishte frikë Lidhjen e Kombeve, me të shpejtë i dërgoi komandantit të operacionit, kolonel Ali Riza Topallit, një telegram në të cilin i thoshte se të dënuarve me vdekje të asaj lëvizje u kthehej ndëshkimi në burgim të përjetshëm.
Pas atij telegrami, Ali Rizajt, i arriti telegrami i Musa Jukës me formulën hipokrite: “Nalt Madhnia e Tij, Zogu i I, Mbret i shqiptarëve dhe shpëtimtari i atdheut, denjoi faljen nga vdekja e të dënuarve nga gjyqi për faje politike i operacionit të Fierit, duke ua kthyer ndëshkimin kapital në burgim të përjetshëm”.
Telegrami i Zogut arriti në fier në orën 23:00, dhe ai i Musa Jukës në orën 24:00, porse ky i fundit jo me 42 të falur por me 41. Hekuran Manekun e kishin lënë jashtë faljes.
Zogu, mbas çuarjes të telegramit Ali Rizajt, mendoi se një komision internacional nuk ishte çudi të vinte në Shqipëri për të konstatuar sjelljet shtazore dhe torturat e mallkuara që u kishin perpetruar sejmenët e tij kryengritësve, andaj menjëherë i dha urdhër Musa Jukës, që t’i telegrafonte Ali Rizajt për përjashtimin e Hekuran Manekut nga falja duke e akuzuar për krim komun se sa për krim politik, mbasi ai ishte më tepër i rrezikshëm i gjallë për regjimin e satrapit të Matit, me ato tortura që kishte pasur trupi i tij, se sa i vdekur nga ekzekutimi.
Në orën 01:00 të mëngjesit të ditës martë, 24 shtator 1935, rojet, duke tundur çelësat, si bënin gjithnjë çdo natë drejt orëve tre dhe katër të mëngjesit, për t’u dhënë përshtypjen të dënuarve se po vinin t’i merrnin për t’i varur, kur hapën derën e bimcës ku ndodhesha unë me Hekuran Manekun dhe disa skraparllinj, shokët e Riza Cerovës, pamë se u shfaq në derë kolonel Ali Rizaj. Nuk kishte asnjë dyshim; ishte çasti i ekzekutimit, mbasi Ali Rizaj nuk kishte ardhur asnjëherë në bimcat tona.
Ali Rizaj ishte një dështim i vërtetë i natyrës. Ajo jo vetëm e kishte lënë me shumë të meta, me një këmbë të shkurtër dhe të trashë, ndërsa tjetra e gjatë, e hollë dhe e shtrembër, me një fytyrë të shëmtuar dhe me një sy të vëngër e të tjera të meta fizike, por fliste keq dhe gjuhën shqipe.
Posa u afrua te pragu i portës për të hyrë brenda, i dha urdhër rojës të më zgjidhte, mbasi më mbanin lidhur duar e këmbë me të njëjtin zinxhir e nuk mund të ngriheshim në këmbë.
U dha urdhër rojeve të zgjidhnin dhe të tjerët veç Hekuranit. Ashtu të zgjidhur, na çuan në tjetrën bimcë që e ndante nga e jona vetëm një mur, për të lënë Hekuran Manekun vetëm.
Egërsira Ali Rizaj dha urdhër t’ia hiqnin zinxhirët nga duart e nga këmbët dhe i vunë kllapat në duar të kthyera në shpinë, e pastaj ja shtrënguan aq shumë sa mundën dhe e lanë e shkuan në bimcat e tjerë për t’u komunikuar të dënuarve me vdekje mëshirën e satrapit të Matit që nuk na vari pse nuk mundi...

(Marrë me shkurtime nga libri me kujtime i Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë, Paris 1966”, botimet “Naimi”)
© Corovoda Online / Naim Zoto (Me të drejta publikimi për Corovoda Online)

Autentik!

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

PËR KONTAKT - EMAIL: corovodaonline@post.com

Mbështetje

Këtu mund të jetë Njoftimi yt

PERSONALITETI 2018 PËR SKRAPARIN

skrapari në fletë

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

NAVIGON

breakingnews
www.bashkiaskrapar.gov.al www.albrafting.com www.visitskrapar.com

HAPËSIRË PËR REKLAMA APO NJOFTIMET TUAJA