Skrapari mes Natyrës: Të formuara mbi 10 000 vjet më parë. Cirqet akullnajore të Tomorrit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Skrapari mes Natyrës: Të formuara mbi 10 000 vjet më parë. Cirqet akullnajore të Tomorrit

Fatjon Kaloci
25.1.16
Me misionin për të përcjellë tek ju disa ndër veçantitë skraparase, Corovoda Online vijon me serinë e postimeve nga cikli Skrapari mes Natyrës. Këtë herë ndalemi në Tomorr dhe do të flasim për Cirqet Akullnajore të Tomorrit.  Ato lokalizohen në Verilindje të shpatit të Malit të Tomorrit. Pozicionohet në lartësitë 1800 deri 1900 metra mbi nivelin e detit. Janë forma negative të relievit akullnajor, të formuara nga gërryerja e akullnajave mbi 10.000 vjet më parë. Përfshihen në grupin e cirqeve të tipit glacio-karstikë, pasi kanë vepruar edhe proçeset e karstit. Sektori ku ndodhen këto cirqe është më shumë se 2 kilometra i gjatë, ndërsa gjerësia më e madhe e cirqeve, është pak më shumë se 100 metra. Cirqet kanë formën e poltronëve të mëdhenj ose të groporeve gjysmë harkore, me disa forma më të vogla karstike në brendësi. Nga jugu dhe perëndimi rrethohen me faqet shkëmbore të thepisura, të pakalueshme për këmbësorët. Në rrëzën e këtyre rrëpirave, në pjesën qëndrore të cirqeve dhe në pjesën më lindore të tyre, ndodhet material prej çakulli kryesisht. Cirqet formojnë një ekosistem të veçantë dhe tepër interesant të lartësive malore. Në to, bimësia është e pakët, më shumë në formën e livadheve barishtore që mund të dalin midis gjithë atij materiali copëzor të krijuar nga gërryerja akullnajore dhe nga proceset e tjetërsimit fizik.
Monumenti ka vlera shkencore, didaktike, ekologjike dhe kulturore të karakterit vendor. Për të vizituar cirqet duhet ndjekur rruga automobilistike rurale: Çorovodë – Gjerbës – Ujanik. Prej këtu sheh shumë qartë peizazhin mahnitës të cirqeve. Nëse dikush kërkon që të ngjitet deri në brendësi të gropës së cirkut, atëherë duhet të ndjek rrugën këmbësore dhe pas rreth 2 – 3 orëve mund të arrijë edhe në kurrizin e malit të Tomorrit. Prej këtej pamja që të ofrohet nga të gjitha drejtimet është madhështore e mbresëlënëse. Ndoshta kjo e ka bër poetin e madh A.Z. Çajupin që në librin “Baba Tomori”, të botuar në vitin 1902, t'a quante malin e Tomorit “me kryet në qiell, mbret i qiellit, Kishë e Shqipërisë dhe fron të Perëndisë”. E këshilla e corovoda online është të shfrytëzoni stinët e ngrohta për vizitën tuaj magjepse... ah edhe veshje pak të trasha pasi mëngjeset dhe mbrëmjet janë të ftohta, por ju sigurojmë Lindja e Diellit në syrin tuaj prej këtej nuk ka të krahësuar. Shijoni klikimet e radhës edhe në rrjetet tona sociale  të rrjetit Corovoda Online
© Corovoda Online