Shkrimi: I kushtohet Zylyftar Hoxhës - Këta lloj njerëzish Janë Koha ime - nga: Jovan Jano **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Shkrimi: I kushtohet Zylyftar Hoxhës - Këta lloj njerëzish Janë Koha ime - nga: Jovan Jano

Fatjon Kaloci
30.7.16
Tabloidi mediatik Koha Jonë, më herët publikoi një artikull nga Jovan Jano kushtuar një prej kontribuesve të mëdhenj të gazetarisë së shkruar dhe asaj vizive, kronistit, reporterit, arsimitarit dhe gazetarit Zylyftar Hoxha. Me titull "Këta lloj njerëzish Janë Koha Ime" materiali në brendësi bën një udhëtim në krijimtarinë, profesionin dhe përkushtimin e Zylyftar Hoxhës si dhe ndalon në disa mendime të kolanave të arta të letrave dhe artit shqip. Corovoda Online publikon me kortezi të plotë shkrimin e postuar në faqen web të gazetës Koha Jonë.
Shkrim nga Jovan Jano
Koha më bën të harroj disa njerëz; disa njerëz më bëjnë të harroj kohën, ndërsa të tjerë janë koha ime! Dhe koha ime është familja ime gjenetike, miqtë e mi që në momente të vështira më kanë qëndruar pranë, më kanë ndihmuar e më kanë inkurajuar.

Një ndër këta është edhe Zylyftar Hoxha nga fshati Qafë i Skraparit. E kam njohur herët që në vitet e shkollës pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” në Berat, atëherë kur ishte djalosh biond – kaçurrel dhe që shkëlqente në “Letrari i Ri”, një lloj gazetë muri që na motivonte me hartimet e tij tepër të bukura dhe që tregonin formim të parakohshëm të një djali me personalitet.

Më kujtohet që këtë gazetë muri të rrethit letrar e drejtonin dy pedagogë të mrekullueshëm të letërsisë, Elsa Vakëflliu dhe Viktor Papa. Në “Letrarin e Ri” promovoheshin jo vetëm hartimet dhe vjershat e Zylyftarit, por edhe ato të shoqeve tona sharmante, Shpresa Peltekut, Shpresa Sanxhakut, Sefedin Çelës, Xhevahir Lleshit, Kozma Gjinit, Kujtim Kapllanit, Enver Zotos, të mijat e mjaft të tjerëve.
E kam në sy imazhin e Zylyftarit me flokët e tij biond, të valëzuara si malet me rrudha gjigante të krahinës që e lindi e me ata sy te kaltër e të kthjellët si brendia e shpirtit të tij. Nuk ka fshat të Skraparit ku të mos ketë shkelur këmba e mikut tim Zylyftar. Ai me cilësinë e mësuesit, të kinooperatorit të Televizionit Shqiptar dhe të inspektorit të Komitetit i është dhënë mundësia të shkelë fshat më fshat krahinën e rakisë dhe të mikpritjes. Jo vetëm kaq, por edhe nga lartësitë e Tomorrit e Ostrovicës ai ka zbuluar bukuritë e këtyre viteve të thella malore. Edhe pse po troket tek të 70, është korrekt dhe vazhdon të shkruajë, madje shkruan bukur! Di ta trajtojë historinë me artin e letërsisë, sepse lexon shumë, mban shënime për gjera interesante dhe di t’i trajtojë problemet.

Përveçse një gazetar dhe shkrimtar, Zylyftari është edhe një faqosës shtypi i talentuar si dhe kinooperator, pasi për vite me radhë ka punuar si telekronist në Radio Televizionin Shqiptar.  Zylyftar Hoxha në vitin 1973 do të fillonte punë si redaktori i gazetës lokale “Jehona e Skraparit”, në vitin 1974 paralelisht do të niste edhe një punë vullnetare, të të qenit telekronist i Televizionit Shqiptar për rrethin Skrapar. Falë punës së tij pasiononte, Skrapari përveçse ishte pjesë e medias lokale të gazetës “Jehona e Skraparit” për çdo ditë e javë nga ky njeri do të gjeje kronika në të tërë shtypin e asaj kohe, në radio, në gazetën “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori”.

Në çdo ngjarje lokale, që përbënte lajm, ai dhe “Bolex”-i i tij i xhirimit nuk do të mungonin, por vëmendja më e lartë do të përqendrohej në festat kulmore apo jubilare të Skraparit, ku reportazhet e ekipit me Zylyftar Hoxhën, gazetarin e mirënjohur Alfons Gurashi dhe operatorin Gazmir Shtino ishin të një nivelit ekstra që hapnin edicionet e lajmeve. Në vitin 1979, pasi aderohet në Partinë e Punës së Shqipërisë, u detyrua të dorëzonte çelësat e kështjellës së vetme mediatike të gazetës “Jehona e Skraparit” si edhe të braktiste “Bolex”-in e tij të shtrenjtë me të cilin kishte bërë qindra kronika pasi, si çdo anëtar partie do të detyrohej të punonte aty, ku Partia e mendonte më shumë, përtej aftësisë gazetareske dhe mediatike qe ai kishte.

Kështu për tre vjet, që prej 1979-ës e deri më vitin 1982 ai do të punonte në fermë, në një punë fizike, ku, me shumë vështirësi në oraret e lira do të mbante me mund prirjet intelektuale, të leximit, të pjesëmarrjes në veprimtaritë shoqërore e kulturore si edhe të bashkëpunonte e të shkruante disi më pak në shtypin qendror.
Zylyftar Hoxha është nga ata lloj intelektualësh që nuk e mat moshën me vitet që i kanë kaluar, por me sasinë e miqve dhe miqtë e tij janë kualitativë dhe dinjitozë. Nuk arriti ndonjë famë, se nuk e ndoqi, por bëri dhe bën një jetë të mbushur intelektuale dhe familjare. Nuk u pasurua si disa ekstravagantë, me duar të gjata, por ka gjithë çfarë që i duhet një intelektuali që rron me djersën e ballit e me një pension shpërfillës, që fyen moralin dhe inteligjencën e tij. Mund të mos u pëlqej disave që e lanë shumë vite pa punë, por shumë e shumë të tjerë e duan dhe ai ndjehet i respektuar.
Vlera e një njeriu shihet në atë që jep dhe jo në atë që merr! Nëse ndonjë qytetar do që të njihet me krahinën e Skraparit, sidomos me atë të Tomorricës, le të lexojë librin e Zylyftarit, “Orakuj të harruar”, këtë biografi të Skraparit dhe i gjen të gjitha aty. Deri në një farë mase mund të shprehem se jo Zylyftari i mbetet borxhli Skraparit, por Skrapari i mbetet borxh atij. Këtë duhet ta dinë edhe ata që sot drejtojnë në krahinë. Nëse sot, atij, si “çupë fshati”, nuk i dihet vlera, nesër do të jenë brezat e ardhshëm që do ta njohin dhe do ta nderojnë për gjithë atë pasuri që ai nuk e mori me vete, por ua la të tjerëve.
Zylyftar Hoxha është një gazetar i vjetër. Është lindur këtu e afro 70 vjet më parë në zemër të Skraparit. Vetëm pak kohë më parë ka nxjerrë në qarkullim një libër. “Orakuj të Harruar” të mbushur plot me mall për vendlindjen e tij. Një nga këto shkrime bën fjalë për Uzinën e Poliçanit. E kush më mirë se Zylua i njeh këto anë?” – shkruan gazetari Fatos Baxhaku.

Ndërsa gazetari dhe shkrimtari Naim Zoto shprehet:
Kur lexon mbi jetën e autorit, mbi rrugën që ai ka përshkruar për t’u bërë gazetar, shikon se Zylyftar Hoxha nuk mund të ishte ndryshe: as si njeri, as si gazetar. Është një rrëfenjë reale, krejt e sinqertë, por edhe simbolike, pasqyrë e brezave të tërë të asaj krahine që u arsimuan dhe ngjitën shkallët e karrierës profesionale me sakrifica dhe mundime të mëdha. Njëherazi, me dinjitet.”

Sapo ke mbaruar së lexuari librin e publicistit Zylyftar Hoxha “Orakuj të harruar”, të duket se ke përpirë në shpirtin tënd atë që të ka munguar prej vitesh. Shumëkujt që e lexon i bie në sy menjëherë se ai me lapsin e tij të mprehtë prej specialisti, në përshkrimet e reportazhet e sjell Skraparin në mes të Tiranës. “Merreni,- thotë,- se u ka marrë malli për të!”. “Orakuj të harruar”, janë disa perla të një orakulli të paharruar, të një dore atdhetare që dridhet nga malli kur shkruan për këtë trevë, e cila tej e tej ka një histori luftërash dhe në çdo pëllëmbë mban flori. Floriri më i shndritshëm është njeriu i kësaj krahine, krenar për ekzistencën e vet mes këngësh e plumbash, mes gurësh e lisash, plot zhaurima e cicërime”, – shkruan dhe shkrimtari dhe publicisti Ylli Polovina.
Zylyftari është pasqyrë e brezave të tërë të asaj krahine që nuk janë të paktë si: Xhevahir Spahiu, Sefedin Çela, Bashkim Koçi, Naim Zoto, Vladimir Zoto, Mehdi Goxhaj, Hajri Nuhu, Muhamet Basho, vëllezërit Enver dhe Luman Caka etj.
Zylua, miku ynë i shtrenjtë, është një ndër gazetarët më të talentuar të Skraparit, por edhe nga më të njohurit në brezin e tij në shkallë vendi, që në ndryshim nga shumë kolegë, vazhdon të shkruajë dhe të shkruajë më mirë, më cilësisht, më artistikisht. Pavarësisht moshës, ai ngelet në krijimtari përherë i ri, i freskët, penëshkathët, siç e kanë cilësuar disa kolegë të tij.
Një lexues i rregullt nuk mund të mos jetë emocionuar nga shkrimet, portretet, reportazhet apo krijime të gjinisë së humorit. Nuk mund të mos ketë ndjerë kënaqësi estetike gjithashtu, nga kronikat televizive të realizuara me pasion e mjeshtëri në Televizionin Shqiptar në vitet ‘70.
Një nga njohësit më të mirë të veprimtarisë letrare të Zylyftar Hoxhës është gazetari vjetër dhe miku i tij, Bashkim Koçi. Në parathënien e librit “Orakuj të Harruar”, Bashkimi shkruan ndër të tjera:
… Sidoqoftë Zylua e ka “shkruar” mjaft mirë portretin e tij, të mbushur cep më cep me punë e veprimtari të çmuara, me përpjekje që pakkush i realizon ashtu si i ka menduar. Hapat e para të formimit si njeri, si intelektual, Zylyftari i hodhi aty në fshatin e tij të lindjes, në Qafë. Ndoshta, ndoshta është Qafa e bekuar dhe njerëzit që e rrethuan ata që “i ngjitën” Zylos si me zamkë të qenit njeri punëtor, kërkues nga vetja, pa vese e qibër, për të qenë miku i të gjithëve.
Kush ka qoftë edhe pak njohje me Zylyftar Hoxhën, jam i bindur që ka marrë vesh se sa e madhe është “galeria e personazheve” për të cilët ai ka shkruar, numri i njerëzve që ai njeh, pa lëre pastaj numri i atyre që e njohin e që kanë ndjerë nga afër fjalën e mençur apo ndihmesat e një njeriu me zëmër të madhe si ai.
Në krijimtarinë e Zylyftarit e “gjen” Skraparin të tërë, të gjithë fshatrat, arat, pemëtore e kullota, gjeografinë e krahinës, ashtu siç i ka bërë Zoti. Vihet re fare lehtë që ky njeri i pasionuar në fushën e të shkruarit ka vjelë pak e nga pak mençurinë popullore dhe e ka përdorur atë me mjeshtëri të rrallë në shkrimet e tij.
“Zylua nuk i ka ngritur përmendore të shkruar vetëm Skraparit, por dhe miqve të tij. Iljaz Kapxhiu ishte një ndër ta, krijues thumbues i spikatur në Skrapar, “gjembi” aq i saktë për anët negative të shoqërisë. Ndonëse me fjalë të thjeshta, humori i shndritshëm i Iljazit qe dhe mbetet një kapak për të gjitha tenxheret boshe apo plot të kohës. Ai ishte mjeshtër i fjalës kritike për të mirën e njerëzve; e Zylua, me të drejtë, i mëshon shumë kësaj ane, humori të luajë rolin e një force lëvizëse të shoqërisë e jo të vulgarizojë apo të poshtërojë…Përjetësimin e mikut të vet Iljaz Kapxhiu, Zylua e bëri me librin që përgatiti enkas për të, “Flakërimat e Iljazit”. Nuk bëhesh intelektual nëse blen një gazetë ditore, nuk bëhesh intelektual nëse vishesh me kostum e kravatë, as duke marrë një diplomë në një universitet privat shqiptar! Intelektual bëhesh duke lexuar libra të dobishëm dhe duke promovuar guximin që të kundërshtosh të ligat e individëve të këqij, por edhe të shoqërisë!
Të tillë personalitet ka skraparlliu Zylyftar Hoxha, i pari ndër dhjetë fëmijët e familjes së Ismail Hoxhës, të lindur e të rritur me mjaft sakrifica nga një baba e nënë partizane që luftuan e punuan për një Shqipëri të pavarur e sovrane Ata i edukuan fëmijët jo me frymën e dëshirës për t’u pasuruar, por  që të  dinë vlerën e gjerave, jo vetëm çmimin e tyre.
Për Zylyftarin bota ideale përbëhet nga libra të mirë, miq të mirë dhe nga një jetë e ndershme. Por problemi është se jetojmë në një kohë kur marrëzia adhurohet dhe mençuria injorohet, ndërsa edukata quhet “demode”!
Corovoda Online / Shkrimi publikohet me Kortezi për Autorin Jovan Jano