Koordinata X: 4 vilat sekrete të komunizmit që u ndërtuan në Skrapar. Ato përballonin edhe Goditjet atomike **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: 4 vilat sekrete të komunizmit që u ndërtuan në Skrapar. Ato përballonin edhe Goditjet atomike

Fatjon Kaloci
23.8.16
Në një rrëfim të kohës, ish-majori i Ushtrisë Popullore Shqipëtare Ahmet Mehmeti tregon ndër të tjera edhe disa detaje të atyre që konisderoheshin ndërtime tepër sekrete, mes investimeve kolosale të kohës dhe që fatkeqësisht e tashmja po i çon drejt degradimit. Ndalesa e radhës e Koordinata X dhe Corovoda Online po i referohet thënieve të major Ahmet Mehmeti që tregon detaje për ndërtimin e tuneleve të fshehta të thesarit dhe të shtabit në Skrapar.

"...për ndërtimin, pas marrjes së vendimeve nga ana e Këshillit të Mbrojtjes, për zbatimin e tyre u ngarkua ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, të cilët, gjithashtu, ngarkuan një grup pune të përbërë nga gjeneralët Vaskë Gjino e Mendu Backa; nga kolonelët Josif Zegali e Kadri Brahimaj; si dhe nga unë e Kristaq Qarri, që mbanim gradat e majorit.

Pasi na u komunikua detyra, nga ana e Beqir Ballukut e Petrit Dumes, ne si grup pune shkuam në rrethin e Skraparit dhe bëmë rikonicionin, apo më saktë njohjen e terrenit, për të përcaktuar e piketuar vendin ekzakt se ku do të ndërtoheshin objektet strategjike tepër sekrete, që asokohe konsideroheshin të një rëndësie të veçantë
".

Kështu e kujton Ahmet Mehmeti, ish-ushtarak i lartë pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, atë kohë në fillimin e viteve '60, kur u ngarkua si oficer drejtimi për të ndjekur zbatimin e disa objekteve tepër sekrete që do të ndërtoheshin në rrethin e Skraparit. Mehmeti, në mesin e viteve 70' do të largohej si " i padëshiruar" nga Ministria e Mbrojtjes e atyre kohëve. Por le të vijojmë me rrëfimin e tij.

Si u ndërtuan 4 vilat për Enverin, Mehmetin, Hysnin e Beqirin
"Objektet sekrete të Skraparit i përballonin edhe goditjet atomike"
Por sa kohë zgjatën punimet për ndërtimin e objekteve sekrete të Skraparit dhe cili ishte vlerësimi që iu bë atyre nga udhëheqja e lartë?  Lidhur me këtë, Ahmet Mehmeti kujton:

- "Punimet për ndërtimin e atyre objekteve sekrete zgjatën më pak se një vit, pasi aty u organizuan një numër i madh forcash të specializuara dhe nuk mungonte asnjëlloj materiali. Ndërtimi i tyre u bë me një cilësi tepër të lartë dhe aty, në zyrat dhe dhomat e punës e të ndenjijes të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm, nuk mungonte asnjë nga elementet e domosdoshme të jetesës normale. Ato objekte ishin maskuar më së miri me pemë dhe rrjeta kamuflazhi dhe ishin parashikuar të përballonin të gjitha goditjet e armikut, si atë atomike ashtu dhe ato kimike. Po kështu edhe katër vilat për udhëheqësit më të lartë të shtetit u ndërtuan me të gjitha kondicionet fizike, pa u lënë gjë mangut atyre të Dajtit në Tiranë, Pogradecit, Vlorës apo Durrësit, ku ata pushonin normalisht me familjet e tyre.

Kur mbaroi ndërtimi i objektit të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në Qafën e Devrisë, i cili ishte i gjithi nën tokë, u vendosën edhe masat e forta të sigurisë për ruajtjen e tij me truproje të posaçme. Aty, në afërsi të atij objekti, u vendos një repart i komanduar nga shefi i mbrojtjes së objekteve, Sytki Korita. Kur mbaroi ndërtimi i objekteve dhe do të bëhej përurimi i tyre, nga udhëheqja e lartë erdhi Mehmet Shehu me Beqir Ballukun e Petrit Dumen, si dhe gjeneralët Mendu Backa, Vaskë Gjino, Tanush Shyti, Todi Naço e Kadri Brahimaj (kolonel). Të gjithë këta u shoqëruan nga kolonel Dilaver Radëshi, të cilin Mehmeti e merrte gjithnjë me vete në Skrapar, si dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, Teki Malindi, dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Qetsor Kaltanji. Mehmeti i shkeli me këmbë të gjitha objektet, që nga vendkomanda e Shtabit, tuneli i thesarit e deri tek vilat e udhëheqjes, duke u futur zyrë më zyrë e dhomë më dhomë. Atij i pëlqeu shumë cilësia e ndërtimeve të atyre objekteve dhe na tha: "Ju lumtë, si këto objekte që bëmë këtu, së shpejti do të ndërtojmë edhe në zonën verilindore të vendit".

Pas prishjes me sovjetikët u mblodh urgjent aktivi i ushtrisë në Durrës "Enveri mbështeti Ballukun për 'mbrojtjen me forcat tona'"
Lidhur me periudhën kur u hodh për herë të parë ideja për tunelizimin masiv të ushtrisë, dhe çfarë u disktutua në mbledhjen e aktivit të Ushtrisë, që u zhvillua në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në plazhin e Durrësit, Ahmet Mehmeti kujton:
"Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1961, udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe e Këshillit të Mbrojtjes vendosën që mbrojtja e vendit të mbështetej krejtësisht në forcat tona, pasi deri në atë kohë mbrojtja e vendit ishte e mbështetur edhe nga Moska, që konsiderohej si aleati ynë më i madh. Pra, me pak fjalë, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, mbrojtja e vendit do të mbështetej krejtësisht në forcat tona, që solli si pasojë dhe zhvillimin e atij aktivi të Ushtrisë, ku, veç të tjerash, u vendos ndërtimi edhe i tuneleve të Skraparit. Aktivi i zgjeruar i Ushtrisë u zhvillua në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, në plazhin e Durrësit, dhe aty morën pjesë drejtuesit kryesorë të njësive të Ushtrisë, siç ishin Korpuset e Brigadat dhe kuadrot kryesorë të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa nga udhëheqja e lartë aty morën pjesë: Enver Hoxha; kryeministri Mehmet Shehu; Sekretari i KQ të PPSH-së që mbulonte dhe Ushtrinë, Hysni Kapo; ministri i Mbrojtjes, Gjeneral-leitnant, Beqir Balluku; dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Gjeneral-major Petrit Dume; të cilët përbënin dhe presidiumin e asaj mbledhjeje tepër të rëndësishme.

Referatin kryesor të asaj mbledhjeje e mbajti ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku.
Tema e saj ishte: Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat. Pas atij diskutimi u bënë dhe shumë diskutime të tjera, të cilat kryesisht ishin në mbështetje të referatit të ministrit të Mbrojtjes. Aty pati dhe debate të diskutantëve të tjerë që e morën fjalën, por ato u sheshuan shpejt me ndërhyrjen e Enver Hoxhës, i cili u shpreh se gjithsecili duhej ta thoshte mendimin e tij lirshëm, pasi për atë gjë ishin thirrur aty të gjithë drejtuesit kryesorë të njësive të Ushtrisë. Pas atyre debateve, punimet e aktivit vijuan normalisht dhe në përfundim, si pikë kryesore, u vendos: Ndërtimi i mbrojtjes pozicionale-aktive, i kombinuar me mbrojtjen e manovrueshme, kryesisht në bregdet, në Jug të Shqipërisë dhe në zonat verilindore, të cilat ishin zona më të rrezikuara nga një agresion ushtarak i mundshëm.

Më shumë në këto lidhje:
- Vilat e Nëndheshme të Krorëzës / Dëvri, Skrapar
- Tuneli i Thesarit / Çorovodë, Skrapar
  Corovoda Online