BREAKING NEWS

The life of a child soldier in Congo

Skrapari i Legjendave - Arusha e Madhe "Tomorricare" - Çfarë kuptimi merrte yjësia nga të moçmit?

Posted on Sunday, January 22, 2017 and filed under , , , , . You can follow any responses to this entry through theRSS 2.0 . You can leave a response or trackback to this entry from your site

Një bujk, i cili e kishte nisur punën qysh me kaposhin e parë, (orët e para të mëngjesit)  po lëronte tokën me parmendë. Toka kishte mjaftueshëm vlagë dhe fshatarit po i ecte puna mirë. Pas disa orësh punë, pllakosi vapa. E shoqja, pasi bëri punët e shtëpisë, përgatiti drekën dhe ia çoi të shoqit bashkë me një katruve ujë. Bujku nuk i çmbrehu Verdhanin dhe Kuqalin, por i la në brazdë dhe shkoi u ul me të shoqen tej tutje nën një hije. Atypari, kalojnë dy hajdutë dhe, duke parë që s’kishte njeri, zgjidhin qetë dhe i marrin me vete. Bujku u kthye, por... kërko qe e qe s’ka. Sakaq vihet në ndjekje të vjedhësve. Pas tij, shkon edhe e shoqja dhe pas saj edhe qeni. Dhe kështu, numri arriti në shtatë:
Çifti i parë i yjeve simbolizon pendën e qeve me zgjedhë në qafë.
Çifti i dytë presupozon dy hajdutët, ylli i pestë nënkupton bujkun që u vihet pas, ylli i gjashtë (në fakt është “yllka”) është e shoqja e bujkut dhe, i shtati, qeni.
Kjo e sipërmja është një nga legjendat që pleqtë e moçëm të zonës së Tomorricës në Skrapar e mbartin ndër vite duke nënkuptuar yjësinë e "Arushës së Madhe".

Duke iu rikthyer legjendës kemi:
1. Hajdutët vodhën qetë.
2. Bujku, në vend që të mendonte edhe për kafshët e punës që i sigurojnë bukën, i la në pisk të vapës, u tregua egoist, mendoi vetëm për vete dhe e paguan duke i kërkuar. Kush s’ka kokë, ka këmbë. (Populli).
3. Gruaja, po kur kuptoi se ç’kishte ngjarë, e humbi dhe ndoqi të shoqin si “delja pas dashit”.
4. Qeni nuk u tregua aspak i kujdesshëm, nuk i ruajti qetë, nuk u lehu vjedhësve.

Siç shihet të gjithë kanë bërë faj, prandaj dhe u ngurosën, u qiellëzuan, u yjëzuan në qiell në mënyrë të tillë që ne t’i shikojmë e të mos bëjmë të njëjtin gabim (në fakt, faj).

** Në Tomorricë / Skrapar., një nga sinonimet e “Arushës së Madhe”, apo ndryshe "Qerres së Madhe", e cila nuk figuron në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (Botime të Akademisë), as në fjalorët normativë, as edhe në ata krahinorë, është fjala “ZGJEDHË” pikërisht sepse fshatari nuk ua hoqi zgjedhën qeve kur u çlodh vetë gjatë pushimit të drekës.

Fjalët Arushë e Madhe”, "Qerre e Madhe" vërtet janë fjalë shqipe, por janë kalke gjuhësh të huaja, janë përkthime të fjalëpërfjalshme nga gjuhë të ndryshme të huaja.

Fjala "ZGJEDHË" jo vetëm që është fjalë e brumit amtar (të shqipes), por edhe si nocion është 100 % krijim i veçantë i gjenisë popullore.

Shembull: Shikoni, e dalloni dot Zgjedhën ( = Arushëne Madhe, Qerren e Madhe) në qiell? A duhet futur në fjalor ky nocion nga leksikografët shqiptarë?

Viktor Bakillari / Tiranë - 21.01.2017
Corovoda Online / Me leje publikimi për Corovoda Online nga V.Bakillari

0 Responses for “ Skrapari i Legjendave - Arusha e Madhe "Tomorricare" - Çfarë kuptimi merrte yjësia nga të moçmit? ”

Leave a Reply

Recently Commented

Recent Entries

Photo Gallery

Footer Social