• NJË 29 VJEÇAR NGA SKRAPARI ARRESTOHET NË TIRANË
  • SHTETASI U ARRESTUA BASHKË ME 2 PERSONA TË TJERË PËR LËNDË NARKOTIKE
  • SIPAS POLICISË NGA KONTROLLI I BANESËS KU JETONTE I RIU NGA SKRAPARI U GJET CANNABIS
  • NDALIMI I 3 SHTETASVE U BË PASI PAS KONTROLLIT FIZIK 0.4 GRAM KOKAINË DHE 2.2 GRAM CANNABIS
  • NDËRSA NË SHTËPINË E 29 VJEÇARIT U GJET NJË SASI PREJ 90.8 GRAM CANNABIS

Dritëro... Skrapari në kujtimet e Dritëro Agollit

Ndarja nga jeta e Dritero Agollit, publicistit, poetit dhe shkrimtari tonë të madh ka krijuar, siç thotë populli, ”shteg të madh”, duhen ndoshta shekuj të vijë një si ai.
Fli i qetë Dritero! Ti nuk ke vdekur, do “të piqemi” bashkë, siç e ke thënë vetë, sa herë do të shfletojmë libra në raftet tona!...
Me këtë rast po sjell një foto me Driteroin dhe konsideratat e tij për Skraparin dhe skraparllinjtë, të botuara të botuara në “Dielli i Tomorrit” në dhjetor 2004:
Unë, kur isha i ri, në gazetën “Zëri i Popullit”, shpesh herë vija në Skrapar dhe, ç’është e vërteta, nga të gjitha krahinat që kam pasur qejf për të shkuar me shërbim, ishte kjo krahinë. Do të them edhe një kuriozitet nga kjo. Ne atëhere shkonim me dieta, dietat nuk të dilnin, duhet të shtoje diçka nga xhepi. Mua çuditërisht më tepronin dietat në Skrapar, po kështu në Mat dhe në Shkodër. Pse, se ishte mikpritja e madhe, dashuria e madhe.
Edhe tani vonë, kur Partia Socialiste ishte në opozitë, isha në Skrapar me Moikom Zeqon dhe nja dy shokë të tjerë, vajtëm në një sebep në shtëpinë e Demir Zykos në Gjerbës. Por, kur po rrinim në një lokal në qytet, para se të ngjiteshim lart në Gjerbës, nga një tavolinë tjetër na vjen një porosi me nga një dopio raki. “Nuk ua prishim, u thamë, faleminderit, po nga kush e kemi, ta dimë”. “Nga kryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i SHIK-ut”, thanë ata. Si u ngritën, u përqafuan me ne. Unë u thashë se ju të Partisë Demokratike të Skraparit, jeni si ata të Partisë Socialiste të Tiranës. U ndodh, më duket, një nga gazeta “Koha Jonë” dhe e botuan këtë shprehje.
Në Skrapar mua, përveç miqve të shumtë që kam, përveç natyrës shumë të veçantë, sepse ay ka Tomorrin, që Rilindësit i thoshin fron i Perëndisë, përveç rrushit, pjergullave në lisa, natyrës së zhveshur nga erozioni e të thyer, por me një dhe të ëmbël dhe të dashur, që ka krijuar një identitet të veçantë të kësaj krahine. Ja, këto më kanë çuar në Skrapar.
Skrapari kufizohet me Korçën, Kolonjën, Përmetin, Beratin, Gramshin, ai ka marrë e ka dhënë me këto krahina, që unë i quaj të mrekullueshme për nga traditat.
Unë kisha një shok, ka vdekur i ziu, më thoshte shpesh kur mërziteshim këtu në Tiranë: “Hajde shkojmë në Skrapar që të këndojmë”. Skraparllinjtë, s’mund të them që janë të qejfit, por mikut dinë t’ia bëjnë qejfin, dinë ta bëjnë të ndihet rehat, si në shtëpinë e tij. Duke qenë mikpritës, duke nxjerrë atë të bekuarën raki përpara, doemos do të bësh muhabet e do të këndosh. Dhe skraparllinjtë këndojnë shumë. S’bëjnë muhabet pa këngë. Ndaj më thoshte ai shoku: “Hajde vemi në Skrapar të këndojmë”. Po që të këndoje, më përpara do të pije raki. Është si ajo puna e hoxhës, që s’donte gjë tjetër, një çorbë me zorrë, por që dilnin zorrët duhej therur mishi.
Kur ishte gjallë nëna ime, ndjesë pastë, një herë kam marr në shtëpi gjithë grupin folklorik të Skraparit me këngëtarë të zgjedhur që vinin në Tiranë në koncerte e festivale. Ja, këtu ku jemi, kemi kërcyer e kemi kënduar për shtatë palë qejfe, dasmë tamam.
Në atë rast Demiri nuk ka qenë, por ka qenë ai berberi, Beluli nga Strora, këngëtar shumë i mirë. Nëna ime po nga Kolonja u përzje me ta e zuri të këndonte. Kanë ndenjur nja pesë-gjashtë orë këtu, u kënaqëm të gjithë, edhe ne, edhe ata, por më shumë nëna ime, Hatixheja. Më pas, në vitet e tjera, nëna, që u miqësua shumë me ta, më thoshte: “Ç’i bëre ata skraparllinjtë, pse s’u thuaj të vinë”.
Skrapari ka tradita të mëdha të mikpritjes, të natyrës, që thamë, të trimërisë, të trimave të mëdhenj, kapedanë, njerëz përparimtarë, siç ishte Riza Cerova., që është një nga revolucionarët më të mëdhenj tanët, ka qenë në Kryengritjen e Fierit bashkë me Zylyftar Veleshnjen, ka shkuar edhe për të zgjuar edhe popujt e tjerë, deri në Kinë ka vajtur, ishte internacionalist në kuptimin e vërtetë të fjalës, që donte lirinë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të popujve të tjerë. Skrapari ka nxjerrë Kahreman Yllin, njeri i kulturuar, por edhe udhëheqës. Ai ka patur vetitë e një njeriu të madh, të një njeriu të vërtetë, të një njeriu të shpirtit, me zemër të gjerë.
Dhe unë kam një kujtim prej tij, kur isha nxënës në Gjirokastër, nga ’48-a në ’52- in. Ai ishte në ato vite ministër apo zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe vjen në Gjirokastër. Unë recitova një vjershë dhe kisha botuar në atë kohë disa të tjera në “Zërin e Rinisë” dhe “Letrari i Ri”. Ishte fundi i shkollës së mesme dhe do të jepeshin bursat, ca brenda vendit dhe ca jashtë shtetit. Shumica shkuan jashtë. “Për çfarë ke qejf ti”, më pyeti Kahremani. “Unë do të vete për veteriner”, i thashë. “Ti do të shkosh për letërsi”, më tha ai. Mirëpo unë e kisha mbledhur mendjen dhe në lutjen me shkrim vura të parën zooveteriner, pastaj letërsi dhe gjeografi, këto tri degë. Kahreman Ylli, pasi i pa ato, më tha: “Jo more, ti do të shkosh për letërsi se s’bën, hiqi këto të tjerat”. Dhe unë shkova për letërsi. Dhe që bëra atë shkollë të lartë, e kam nga ai. Se kudh e di si do të kishte vajtur puna.
Kam respekt edhe për të tjerë burra të Skraparit, psh, për Zylyftar Veleshnjen, që e kam takuar disa herë kur ishte plak. Një herë i kam shkuar në Vlorë, te vila ku pushonte. Isha në “Zërin e Popullit”. Atëherë do të kem shkruar ndonjë gjë, s’më kujtohet. Kam parasysh një tjetër trim të Skraparit, Lace Backën me një barrë histori. Që i vogël këndoja këngën e tij: “Doli Laceja nga stani,/ Shtiri sytë nga Mariani,/ Atje te kishkë e Marianit,/ Mbushur Asqer i Junanit,/ Trim, o Lace, trim, o djalë,/ Thojini nënës të mos dalë,/ Se Lacia e ngopi xhanë”...
Një tjetër trim i madh, kapedan, është Riza Kodheli. E kisha mik. Sa herë vija në Korçë, kur isha në “Zërin e Populli”, do të kthehesha te ai. E gjeja me Agush Gjergjevicën, se edhe Gjergjevica është afër me Skraparin. Riza Kodheli më tregonte histori, ca nga ato të Luftës i dija edhe vetë. Por edhe atë që ai nuk i kishte qejf komisarët e dija se m’i kishte treguar edhe Misto Treska, komisari i tij, që në fillim i tha jam sekretari yt e jo komisar, për ta zbutur. Më vonë mori vesh Rizai se ai ishte komisar. Të gjitha këto unë i kam shkruar në roman. Ai që është në libër, komandanti Rrapo, është Rizai. Kur vdiq Rizai la porosi, të më vijë filani me gërnetë e t’i bjerë te arkivoli, ishte një që e qante gërnetën. Kur vdiq xha Rizai, ai gërnetës e mori vesh dhe erdhi vërtetë. Filloi t’i binte, njerëzit thoshin, ç’do ky këtu dhe deshën ta përzinin. “Jo, tha ai, ma ka lënë amanet Xha Rizai”.
I tillë ishte xha Rizai. Njeri interesant. Po kështu, unë habitem edhe me ju, pak kini shkruar për Hysen Zaloshnjen, një patriot i madh, por edhe njeri i mençur. Po kështu për Pasho Hysin, Njazi Çepanin e për shumë të tjerë duhet të shkruani.
Në fushën e kulturës Skrapari ka njerëz të shquar në plan kombëtar, siç është Xhevahir Spahiu. Ai është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.
Po kështu mjaft i mirë ka qenë Iliaz Kapxhiu, me një humor tepër të këndshëm në kritikat që bënte në “Hosteni”. Ai bënte tregime humori ku luftonte fenomenet negative të kohës, me një guxim të madh. Unë kisha qejf Lazen se ishte edhe gjahtar i shkëlqyer. Unë vija shpesh në shtëpinë e tij, edhe ai vinte te ne, ishim miq shtëpie. Edhe Sadia e kishte qejf për humorin e gjallë. Më erdhi keq që vdiq aq shpejt. Të fundit herë e kam takuar në një përvjetor në Gjerbës. Edhe ti ke bërë një libër të mirë për Iliazin, duhen përjetësuar këta njerëz.
Skrapari ka edhe gazetarë të mirë. Unë kam njohur shumë nga ata si Mustafa Nanon, Përparim Xhixhën, Mehdi Goxhain, Naim Zoton (që është, jo për t’i bërë qejfin, një poet shumë i mirë), Jerina Zaloshnjen, Bashkim Koçin, Zylyftar Hoxhën, Enver Cakën. Po dhe këta të rinjtë janë të mirë, si Roland Qafoku, që është një djalë i shkëlqyer, zemërgjerë njeri. E nxjerr gazetën “Panorama” më mirë nga të gjithë. Di të mbajë rreth vetes bashkëpunëtorë. Po kështu gazetarë të mirë janë Zylyftar Bregu, Ylli Molla, Artan Hoxha, Luan Kondi, Vladimir Zoto etj.

Skrapari ka edhe simbolet e tij, një nga të cilat është Rakia. S’mund të themi raki Devolli, Devolli ka tjetër simbol, ka punën. Po të bëje një monument pune, do ta vije në Devoll. Ndërsa Skrapari ka rakinë dhe s’ia merr dot njeri këtë nam. Rakia e Skraparit bëhet nga pjergulla e lisit, bashkëjeton pjergulla me lisin. Sa të ketë lisa, do të ketë edhe pjergulla. Dhe Skrapari ndaj i ruan lisat. Skrapari dallohet edhe për mikpritjen, mikpritjen se ka rakinë. Duke shtruar raki në sofër, lezetohet muhabeti. Bëhen dolli e valon kënga. Dhe skraparllinjtë i bëjnë mirë këto.

Corovoda Online / Zylyftar Hoxha

Autentik!

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

PËR KONTAKT - EMAIL: corovodaonline@post.com

Mbështetje

ALSSH SKRAPAR - Kjo faqe mbështetet nga Agjensia Lokale e Sigurimeve Shoqërore Skrapar.

skrapari në fletë

loading...

NAVIGON

Nga Dje

Gjithmonë

Përherë

www.bashkiaskrapar.gov.al www.albrafting.com www.visitskrapar.com

HAPËSIRË PËR REKLAMA APO NJOFTIMET TUAJA