Albanologu dhe Akademiku Kosovar mbush 100 vjeç - Urimi nis... nga Tomorrica e Skraparit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Albanologu dhe Akademiku Kosovar mbush 100 vjeç - Urimi nis... nga Tomorrica e Skraparit

Fatjon Kaloci
4.7.17
Kjo e premte 30 qershor 2017, në Prishtinë mblodhi "bijtë e shqipes" për një rast ndryshe.. Kjo sepse albanologu i madh shqiptar, nga Kosova, Akademik Idriz Ajeti, festoi 100 vjetorin e lindjes. Mes të ftuarve, nuk kishte si të mungonte edhe një prej emrave të një krenarie më shumë për Skraparin Viktor Bakillari. Urimi i veçantë n'a tërhoqi vëmendjen dhe më poshtë e publikojmë të plotë urimin përshëndetës që u lexua për të pranishmit nga gazetarja prishtinalie Mentore Qemal Murati.
Por përpara, le të shohim në Bio shkrutimisht mbi Idriz Ajeti.
Lindi në qershor 1917 në Tupallë, Medvegjë. Studimet e larta i nisi në Universitetin e Zagrebit dhe Lufta e dytë botërore solli një shkëputje, por në 1949 do të diplomohej në Universitetin e Beogradit në Fakultetin e Filozofisë. Gjatë viteve 1953 - 1960 punoi si pedagog pranë Universitetit të Beogradit për Albanologji. Ai njihet si krijuesi i revistës shkencore "Gjurmime Albanologjike" Gjatë viteve ai ka mbajtur detura të larta si Rektor i Universitetit të Prishtinës, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Artit në Kosovë, si dhe ka një kontribut të pafundëm botimesh dhe studimesh dhe është vlerësuar me disa tituj.



Fort i dashur profesor Idriz Ajeti!
Unë që po shkruaj këta dy rreshta quhem Viktor BAKILLARI.
Jam nga Tomorrica e Skraparit.
Kisha vërtet dëshirë të skajshme të merrja pjesë në kremtimet me rastin e qindvjetëshin tuaj, t’ju shtrëngoja dorën, të merrja sadopak biorrymë të përcjellë nga dora juaj, t’ju uroja gojarisht për më shumë jetëgjatësi por, për arsye objektive, nuk mundem.
Andaj, shquarësi Profesor, do të dëshiroja t’ju shkruaja shpengueshëm dy fjalë zemre.

I shtrenjti profesor!
Më besoni, nuk e kam asfare të lehtë sepse nuk di nga t’ia nis. Ky nuk është referat për një temë të caktuar, por thjesht një urim, dhe urimet kanë si karakteristikë dëshirën e zjarrtë, shkurtësinë dhe thuktësinë.

Fillimisht, më lejoni t’ia nis me një llogaritje të thjeshtë aritmetikore:
Ju, profesori ynë visar, mbushni 100 vjet rrumbullak!
Dhe, 100 vjet, do të thotë as më shumë dhe as më pak:
36.524 ditë,
5.217 javë,
1.200 muaj,
400 stinë,
1 shekull,
Ëndërruese për secilin dhe dëshiruese për cilindo.


Thesar profesor,
Para nja 10 vjetësh, unë, shoqëruar nga im atë, shkuam tek një mik i largët i familjes për të blerë... mjaltë.
Miku nuk ndodhi atë çast në shtëpi, dhe një pjesëtar i familjes na tha se nuk vonohej.
Në pritje, e zonja e shtëpisë, bëri nderet e familjes, duke na nxjerrë raki dhe mjaltë...
Pas nja 15 minutash, vjen një i moshuar duke tërhequr për kapistre një kalë të ngarkuar me jonxhë.
...

Ishte një plak i thantë, energjik, me shumë dritë në sy, hokatar e flokëbardhë.
Në bisedë e sipër, pasi na uroi mirëseardhjen, e pyes:
- Xhaxhi, më falni, sa vjeç jeni?
Eh, or bir, më përgjigjet: Dua edhe një dorë të dal në pension.
Im atë qeshi... dhe më pyeti nëse e kuptova.
Jo, iu përgjigja, duke ngritur supet...
E pra, shqip t’u përgjigj: është 95 vjeç, shtoi im atë...
Kështu pra, ju, akademiku dhe albanologu ynë floknajëbardhë, sipas të folmes së Skraparit, nga dita e sotme, dilni në pension, ose më bukur akoma, në krijimtari të lirë...
Ju uroj me gjithë zemër që ta gëzoni “pensionin” sa më gjatë!


Dijetar profesor,
Ju keni privilegjin e rrallë që nuk keni kundërshtarë të përbetuar, të gjithë i keni vënë para, të gjithë i keni përcjellë atje, matanë...
Ju jeni dëshmitar pamor se jeta është luftë e egër; është ndërrime sistemesh, rendesh, shtetesh, shekujsh, mijëvjeçarësh ku 100 vitet e para të saj janë më të vështirat...
Ju paçim fatin, profesor!
Kushdo do ta ëndërronte që në tortën e datëlindjes, pesha e qirinjve t’ia kalonte asaj të ëmbëlsirës.
Kushdo do ta dëshironte që flaka e qirinjve t’ia kalonte asaj të një zjarri bubulak.
Kushdo do të dëshironte që numri i qirinjve t’ia kalonte rrathëve të një rrapi plak.


Albanologu ynë i madh,
Zoti, fati, natyra a Babamal Tomorri, merreni si ta dëshironi, ju lëntë pranë nesh edhe shumë vite të tjera!
Duke shkruar këto dy rreshta, (edhe pse në kontekst krejt tjetër; mendja lidh gjëra të palidhshme dhe ajo vete tek nuk vihet!) më vinë ndër mend vargjet e një kënge që këndohej në vitet 1980 në Shqipëri.
Lum si ne / Lum si ti / Shqipëri që s’ke pleqëri...
Fjala Shqipëri në këtë rast mund të zëvendësohet lehtë me emrin tuaj, i dashur profesor dhe të këngëzohet si një arie e bukur:
Lum si na / Lum si ti / Profesor Ajeti që s’ke pleqni...
Gëzuar e vazhdofshi paçi pleqëri të bardhë, o Dijetar dhe buRRë i madh shqiptar!
Me plot dashamirësi

Viktor BAKILLARI
Tiranë, më 30.06.2017


Corovoda Online