Reporteri "ikonë" i Skraparit mbush 70 vjeç - Zylyftar Hoxha mbledh "orakujt" **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Reporteri "ikonë" i Skraparit mbush 70 vjeç - Zylyftar Hoxha mbledh "orakujt"

Fatjon Kaloci
5.7.17
Më herët, në Durrës me qindra u mblodhën për urimin që s'mund t'a linin pa ja thënë atij... Atij që shumë e shumë ka thënë përmes një jete që edhe pse numëron 70 për të vijon të mbetet nën energjinë djaloshare të të riut të dikurshëm që shkruante për gazetën lokale "Jehona e Skraparit"
Dega e shoqatës “Tomorri” Durrës zhvilloi një veprimtari në jubileun e 70-të të gazetarit dhe publicistit Zylyftar Hoxha.

Intelektualë e qytetarë që jetojnë në Tiranë e në Durrës dhe miq e emra të nderuar të gazetarisë shqiptare u mblodhën në mjediset e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” Durrës. Moderuar nga gazetarja Elitjona Doko, veprimtaria nisi me përshëndetjen e kryetarit të degës Hajri Nuhu. Për veprën publicistike të Zylyftar Hoxhës, vlerat e risitë që sjell ajo në publicistikën shqiptare foli poeti dhe kritiku Mihal Gjergji, autor i librit “Drithërimat e fjalës”.
Në veprimtari u shfaq edhe dokumentari “Zylyftar Hoxha, ky punëtor mëditës i medias shqiptare”.
Hajri Nuhu


Nuk numërohen vitet e jetës, por jeta në këto vite. Nuk di pse kjo thënie më erdhi kur nisa të ideoja bashkë me miqtë e mi një veprimtari për 70-vjetorin e Zylyftar Hoxhës. Është një stacion i jetës së një njeriu që i ka dhënë kuptim asaj si rrallëkush. Ka disa arsye që e bëjnë Zylyftarin një personazh jo të zakonshëm. Është një emër që shkrihet e bëhet njësh me historinë e një treve, me Skraparin dhe jo vetëm. Ka rreth 50 vjet që si një udhërrëfyes i besës të merr për dore dhe pa u lodhur të çon atje tek rrënjët, në Qafën e tij, në Skraparin tonë, në trevën tomorriane. Me të shëtit bukurive të Osumit, ngjitesh lartësive të Tomorrit, qëndron grykave të ashpra, kundron e çlodhesh krojeve e burimeve…Hapësira e veprimtarisë së këtij njeriu të punëve të mira nuk është thjesht e vetëm gjeografike .Ajo së pari është njerëzore se ka dritë, ka jetë, ka ngjyra. Nxënës dhe mësues gjithë jetën
Ishte vetëm 11 vjeç kur shkoi konviktor në Çorovodë. La fshatin. Deri atëherë atdheu për të kishin qenë, siç thotë një poet, përkëdheljet e nënës, krahët e fuqishëm të babait, metrat katrore të dhomës, rrugica e shtëpisë…Përpara tij nisi të bëhej më e madhe bota. Dhe botën nisën ta bënin për të më të bukur dhe më interesante librat. Zylyftari ka 50 e kusur vite që lexon, lexon shumë…Ai kujton fillimet.


Kujton ata që e mbajtën afër siç ishte bashkëfshatari i tij Bajram Myrtollari. Nuk harron shokët që e futën botën e leximit, në këtë hapësirë, që, për moshën, i dukej magjike. Sefedin Cela, një personalitet më vonë i gazetarisë dhe i televizionit ishte model i parë për Zylyftarin fëmijë e adoleshent. Përpinte veprat e Tolstoit, Shollohovin, Balzakun, Gëten, Remarkun e kolosë të tjerë. Në shkollën e mesme pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” në Berat, shkëlqeu në mësime. “Nisi të dallojë, të spikasë për poezi, hartime të bukura -kujton ish-nxënësi i asaj shkolle, studiuesi Jovan Jano. Më vonë u rrit, u maturua, u bë një nga publicistët më në zë në vend”. Në vitin 1967 kthehet në Qafë dhe është drejtor i shkollës në vendlindje për dy vjet. “Mbaj mend gjithçka si nxënës, si mësues e drejtues. Ditën e parë dhe klasën e parë, mësuesin e parë, Mehmet Veizajn e më pas, Xhemal Veizajn... Kishte bërë kërkesë për shkollë të lartë, por e thërrasin për të kryer shërbimin ushtarak. Në vitin 1969 niset të kryejë shërbimin ushtarak. U duk sikur ëndrra për universitetin u fashit…Por nuk ndodhi kështu. Në vitet kur kreu shërbimin ushtarak në degën ushtarake në Gjirokastër vazhdoi edhe studimet për Histori-Gjeografi. Natyrisht, me rezultate të shkëlqyera. Gazetari i njerëzve Në vitin 1973 për të nis një jetë ndryshe…Nisi një profesion te ri, atë të gazetarit. Një profesion që në vitet që do të pasonin do ta ngjitnin Zylyftarin në fron, do t’i jepnin shkëlqimin e një profesionisti të zotë, do t’i jepnin këtij intelektuali gjithë hapësirën për të shpalosur botën e tij shpirtërore, të butë e të brishtë në përgjithësi, talentin, vlerat e tij njerëzore e atdhetare. Se Zylo shkruan me një dorë atdhetare, ai shkruan me zemër. Shkruan bukur se shkruan për njerëzit. Nisi me “Jehonën e Skraparit” dhe gazetat e kohës. Shkruan dhe bën edhe telekronistin e televizionit të vetëm shqiptar të kohës. Gazetari dhe publicisti i mirënjohur Bashkim Koçi e vlerëson maksimalisht Zylyftarin. “Ngriti një oxhak në median e shkruar. Ka shkëlqyer. I ra cep më cep Skraparit, me punë të çmuara, me punë të mira, të ndjera. Një njeri punëtor si ai, i pastër, pa vese e qibër u bë miku i të gjithëve. I bën të gjitha, gazetarin, telekronistin, fotografin, montazhierin. I kompletuar. I bën nder Skraparit një emër si Zylylyftar Hoxha…” Është një ndër ikonat e reportazhit shqiptar. Merr edhe dy çmime kombëtare për reportazhin. Njërin në gazetën Drita në vitin 1978 dhe tjetrin në vitin 1984. Personazhet e reportazheve janë pafund. Ata janë njerëz të thjeshtë e kapedanë betejash, janë barinj dhe intelektualë, të rinj e të vjetër, janë miq e shokë të tij, janë bashkë, të njohur e të panjohur. Ata janë copëza jete nëpër breza. Ato janë vetë historia. ”Është i papërsëritshëm në reportazhin e shkruar - shprehet gazetari Urim Bajrami. Kam punuar në dy-tri gazeta në Tiranë me të. I aftë, i talentuar, korrekt. Njeri me vlera…” “Në Tirana Observer” e thërrisnin “profesor” - shprehet gazetari Roland Qafoku. Jo thjesht për moshën e përvojën, por për atë çfarë afron Zylyftari. Të gjithë i kërkonin mendime. I lije një detyrë, “rrije i qetë” se Zylyftari do të bënte më të mirën…” “Nuk rri kot asnjëherë. Ka ide, se i do njerëzit. Ka dashuri për ta, për Skraparin të cilit i ka ngritur një përmendore me çfarë ka shkruar për të - thotë gazetari Dhimitër Shtëmbari. Ndër “pionierët e parë” të Televizionit Shqiptar

Zylyftari guxoi dhe iu fut edhe rrugës së kronikanit televiziv. Ai kujton vitet e para, punën e vështirësitë. I kudogjendur, me bllokun e shënimeve dhe aparatin e famshëm “Bolex”. Gazetar e telekronist. Të dy profesionet i realizon me një pasion të habitshëm. Veç kronikave televizive realizon në bashkëpunim me TVSH edhe dy dokumentarë dhe telereportazhe. Në këtë fushë të kronikës televizive Zylyftari u bë shpejt profesionist. Ikona e Televizionit Shqiptar dhe ish-drejtori i këtij institucioni, Virgjil Kule shprehet: “E kujtoj me shumë respekt këtë gazetar. Që atëherë binte në sy për talentin, pasionin e këmbënguljen. Të mendosh që tërë atë punë e bënte pa “para”, pa pagesë. Ishte ndër pionierët e parë të televizionit. Shumë shpejt emri i tij i kaloi kufijtë e Skraparit. Dëgjohej dhe vlerësohej. Peshën e fjalës së tij dhe qartësinë e fuqinë e mendimit ia jepte dashuria për jetën, për njerëzit, për atë trevë” … Vitet ‘90 e vunë në provë. Iu rikthye pak kohë profesionit mësuesit. Gazetarisë nuk ju nda. Shkruan në gazetën “Orakulli i Tomorrit” dhe në shtypin qendror. Në Çorovodë ngriti edhe një lok al të modest dhe me shije prej artisti.Më pas u shpërngul në Tiranë dhe përsëri falë aftësive si gazetar ai gjen veten. Punoi në gazeta prestigjioze si “ABC”, “Tirana Observer”, “Dita”, “Expres”, “Telegraf”. Për 7 vjet drejton si kryeredaktor gazetën “Dielli i Tomorrit”. “Orakulli” i dashurisë njerëzore Kurorën Zylyftar Hoxhës ia dhanë librat. Ka botuar “Flakërimat e Iljaz Kapxhiut”. Qëmtoi dhe i mblodhi xhevahiret e humoristit të njohur që e kishte mik dhe shok. Zylos i pëlqen humori. Ai vjel si askush mençurinë popullore, dhe kjo ndihet në tërë publicistikën e tij. Edhe ai ka humor, rrëfen bukur. Që në fillimet e gazetës “Orakulli i Tomorrit” pati një rubrikë “Nastradinë e selamazë”. Më e bukura…Ka nxjerrë nga arkivi i i njerëzve të zgjuar të asaj zone që shkollë kishin jetën humorin brilant Por kryevepra e tij mbetet “Orakuj të harruar”. E vlerësuar si një rrëfenjë e gjallë, e sinqertë, e rrallë ku shkrihen e shkuara dhe e tashmja e një treve dhe jo vetëm. Është një vepër publicistike, letrare, historike. Nëse do të njohësh trevën tomorriane me gjithë madhështinë e saj, lexo këtë libër. Në faqet e tij një galeri interesante personazhesh si Arkitet Kasëmi e Eduard Lir, Dritëro Agolli e Antonio Gramshi, Petro Marko e Ali Podrimja,Valtraud Tunger dhe Hilmi Bejko e të tjerë pafund…lidhjet e tyre me hyjninë e Tomorrit e me njerëzit e tyre të mirë. Siç thotë miku i tij i hershëm, poet i madh Xhevahir Spahiu “Zylyftari rron me zjarrminë e mardhjen e dherave ku ka lindur e ka kaluar jetë. E krenon shumëçka, e pezmojnë mundimet e hershme dhe shkretimet e vona….Zylyftari ka befasuar me këtë libër, vlerësuar si “biografia e Skraparit”. Vlerësimet e gazetarëve e studiuesve si Ylli Polovina, Naim Zoto, Hilmi Qazimi, Jovan Jano, Bashkim Koçi, Dhimitër Shtëmbari etj. janë të merituara. Në këtë 70 –vjetor të ditëlindjes së Zylyftarit vjen edhe libri “Drithërimat e fjalës, publicistika e Zylyfatr Hoxhës”, shkruar nga poeti dhe kritiku Mihal Gjergji. Një kartolinë e bukur në këtë jubile, por edhe një vepër e bukur eseistike e shkruar mjeshtërisht nga autori.
Corovoda Online