Skrapari mes Natyrës - Sterra e Katafiqit - Dy sterrat ndodhen shumë pranë **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Skrapari mes Natyrës - Sterra e Katafiqit - Dy sterrat ndodhen shumë pranë

Fatjon Kaloci
6.7.17
Në ndalesën e radhës Corovoda Online dhe Skrapari mes Natyrës ndalet në këtë postim në Sterrat e Katafiqit. Me këtë emër njihen dy sterra pranë njëra-tjetrës, të eksploruara gjatë verës të vitit 1995 nga grupet speleologjike italiane “Puglia Grotte” dhe “Dauno”, të shoqëruara nga guida shkencore e grupit Speleologjik të Tiranës (Skënder Sala). Ato janë emërtuar
Katafiqi 1 dhe Katafiqi 2. E para është 50 metra e thellë, ndërsa e dyta 63 metra. Ndodhet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit të Kulmakut, rreth 1 kilometër në juglindje të qafës së Kulmakut, në lartësinë 1440 metra mbi nivelin e detit; në kordinatat 40°38’01” gjerësi gjeografike veriore dhe 20°12’43” gjatësi gjeografike lindore. Sterra ka hyrje vertikale në rrëpirën shkëmbore të rrëzës perëndimore të një hinke karstike me diametër mbi 15 metra dhe thellësi mbi 20 metra. Shkëmbinjtë ku është formuar janë gëlqerorët e kretës, shumë të prirur ndaj proceseve të karstit. Kjo sterrë ka ngushtime e zgjerime dhe pak stalaktite e stalagmite, etj. Peizazhi përreth përfaqëson karstin e zhveshur. Vizitorët e saj duhet të jenë speleologë, alpinistë të përgatitur dhe me pajisjet speleologjike për të zbritur në sterrë. Ajo mund të vizitohet, duke ndjekur rrugën rurale: Çorovodë – Gjerbës – Ujanik – Qafa e Kulmakut. Më tej ndiqet rruga këmbësore, që zgjat rreth 15 minuta.
Corovoda Online