75 Vjet Çlirim - Çorovoda Feston vitin Jubilar - Presidenti Ilir Meta i pranishëm në festime **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

75 Vjet Çlirim - Çorovoda Feston vitin Jubilar - Presidenti Ilir Meta i pranishëm në festime

Fatjon Kaloci
5.9.17
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ishte sot në Çorovodë në datën historike të Skraparit 5 Shtator. Më herët, banderolat Kuq e Zi kishin veshur prej pasdites së djeshme qytetin e Çorovodës ndërsa atmosfera e këngëve patriotike zgjoi mëngjesin e pestë të kësaj të marte të Shtatorit. Rreth orës 10:00 në Nderimet e Rastit pranë Varrezave të Dëshmorëve shumë të pranishëm nderuan kujtimin e atyre që dhanë jetën si sakrificë për brezat që do të vinin. Shumë Personalitete morrën pjesë në këtë event. Mes emrave edhe Presidenti Ilir Meta, Fidel Ylli, Nasip Naço, Silva Caka, Ilirjan Celibashi, Jorid Çela, Selfo Kapllani, Enver Naska kryetari i komitetit të veteranëve Skrapar, Harulla Çela, Elmaz Puto e shumë emra të tjerë, mes qindra të pranishmëve të mikpritur nga Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu. Pas vendosjes së Kurorave pranë Lapidarit të Dëshmorëve, vëmendja shkoi në një vizitë në Muzeun Historik të Skraparit. Rreth orës 11:00 në qëndër të Çorovodës, një aktivitet u mbajt me kumtesa dhe fjalë rasti në promemorie të 5 Shtatorit 1942. Ndjekim më poshtë, të plotë fjalën e mbajtur nga Presidenti Ilir Meta në këtë takim:
Të dashur qytetarë të Çorovodës, të dashur veteranë të LANÇ dhe familje të dëshmorëve, por edhe të dëshmorëve që nuk jetojnë më. është kënaqësi e veçantë që të marr pjesë sot në ceremoninë e 75-vjetorit të Çlirimit të Skraparit. Një ngjarje shumë e shënuar, jo vetëm për popullin e Skraparit, por një ngjarje shumë e shënuar për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit tonë.
Në ngjarje e cila ndodhi në kulmin e pushtimit fashist për të dhënë një mesazh të fuqishëm shprese për çlirimin e të gjithë vendit. Një ngjarje që ndodhi vetëm pak ditë para se në Pezë të mblidhej Konferenca e lavdishme e Pezës, që bashkoi forcat më pozitive më patriotike të popullit shqiptar në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
5 shtatori është një ngjarje shumë e rëndësishme për arsye sepse i dha një shkëndijë të fortë shpresës dhe besimit se vendi mund të çlirohej. Shpresës dhe besimit se pushtuesi mund të thyhej dhe Çorovoda qëndroi e papushtuar deri më 29 nëntor të vitit 1944, atëherë kur u çlirua i gjithë vendi. Populli i Skraparit ka arsye që të jetë krenar, jo vetëm se dha i pari mesazhin e çlirimit dhe të luftës kundër okupatorit, por sepse i dha mbi 2 mijë partizanë LANÇ-it, i dha mbi 300 dëshmorë kësaj lufte, djemtë dhe vajzat e tij më të mira, por njëkohësisht në Skrapar pavarësisht nga 5 shtatori i vitit 1942 u zhvilluan disa nga betejat më heroike dhe më të përgjakshme të LANÇ-it.
Populli i Skraparit nuk do të harrojë kurrë plagët e Zylyftar Veleshnjës dhe sakrificat e grupit të Skraparit në betejën e Tendës së Qypit përkrah Brigadës së I-rë sulmuese, që është një nga betejat më të rëndësishme gjatë operacionit të dimrit. Apo beteja të tjera si ato të Qafës së Gjarprit, të Qafës së Shkozës ku shkëlqeu heroizmi i djemve dhe vajzave të Skraparit.
Populli i Skraparit është krenar që në Vlushë u krijua një nga formacionet më të lavdishme të gjithë formacioneve partizane siç ishte Brigada e VII-të sulmuese ku djemtë dhe vajzat e Skraparit patën një rol shumë të veçantë që nga çlirimi i vendit e duke kontribuar edhe përtej kufijve të vendit në luftë kundër nazizmit. Brigada e XVI-të sulmuese apo fakti që në Skraparin e çliruar u organizua Kongresi i Parë i rinisë Antifashiste. Ndaj jemi sot në këtë 5 shtator, jo vetëm për të përkujtuar 75-vjetorin e një ngjarjeje kaq kuptimplotë si çlirimi i Çorovodës dhe i Skraparit, por për t’u përkulur me nderim për gjithë kontributin dhe sakrificat që populli i Skraparit dha për çlirimin e atdheut.
Ashtu sikurse ju sot, për të dhënë mesazhin se duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar më shumë se asnjëherë tjetër rreth vlerave më të mira të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, atyre të atdhedashurisë dhe lirisë.
Duhet të përkulemi me nderim përpara atyre që dhanë jetën, përpara atyre që luftuan dhe që sot nuk jetojnë më e sidomos të tregojmë kujdes maksimal për veteranët, që jetojnë dhe që i urojmë jetë të gjatë. Për të gjithë ata të cilët mbetën invalidë nga një luftë jashtëzakonisht e kushtueshme dhe e vështirë dhe po kështu këto tradita të shkëlqyera t’i transmetojmë te gjeneratat më të reja.
Sepse vlerat e kësaj lufte për të garantuar pavarësinë e Shqipërisë, integritetin e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë, janë të pavdekshme, janë të përjetshme dhe ne duhet t’i ruajmë ato si sytë e ballit.
Ato na udhëheqin gjithmonë për të një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe për brezat e rinj.
Dhe meqenëse se jemi në prag të fillimit të vitit shkollor, i uroj të gjithë fëmijëve të mësojnë sa më shumë edhe mirënjohje më të madhe për mësuesit edhe njëkohësisht edhe dëshirën që së bashku me mësimet të punojmë të gjithë për të kultivuar te këta fëmijë, te këta të rinj dashurinë për historinë e Skraparit, për vlerat e saj më të mira dhe kontributin që populli i Skraparit ka dhënë për zhvillimin e vendit, për lirinë e vendit, por edhe për pavarësinë e vendit.
Të mos harrojmë që Skrapari dhe Berati kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për t’i paraprirë edhe 28 nëntorit të vitit 1912 dhe historia e Skraparit fillon edhe më herët se sa kaq.
Prandaj urime të gjithëve! Gëzuar 5 shtatorin! Gëzuar edhe festat në vijim!

Corovoda Online / Imazhi Kredit - FB/ Ilir Meta