Sihariqi i Shuteriqit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Sihariqi i Shuteriqit

Fatjon Kaloci
22.9.17
Me sa mbaj mend, dhe s’gaboj, megjithëse fatkeqësisht s’kam shënime të kësaj ndodhie, ka qenë vera e vitit 1973, kur në derën e redaksisë së gazetës lokale “Jehona e Skraparit”, që në atë kohë ishte në godinën e vjetër të Komitetit të Partisë, shfaqet pa pritur Dhimitër Shuteriqi me atë portretin e tij të veçantë, trup të plotë, fytyrë të bëshme, babaxhane dhe të qeshur, sipër së cilës rrinte hijshëm, paksa mënjanë, bereta e tij legjendare në ngjyrë të zezë, me atë thumbin karakteristik në majë; nën sqetull mbante një çantë të hollë lëkure nga ato që jepeshin në kongrese apo konferenca të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, ndërsa nga dora që mbante çantën, çibuku, një tjetër send simbol veç beretës së Shuteriqit, disa sekonda pas mbylljes së derës, filloi të ravijëzonte një fjollë të hollë tymi perpendikulare. Unë, atëherë djalë i ri, i sapo dalë nga shkolla dhe sa kisha filluar punë në gazetë, me ato pasionet e para që të mbërthejnë në atë moshë, sa pashë Kryetarin e Madh të letrave shqipe në derë (kështu e dija unë atëherë) për një çast u hutova. Me siguri do të kem marrë pamjen e një guhaku lumi, por e mblodha shpejt veten, fillova të hiqja dengjet e letrave që ishin në karrigen e vetme që ishte përballë tavolinës sime të punës dhe i thashë mikut të veçantë të ulej. Pas disa minutash, pasi u përshëndetëm dhe shkëmbyem fjalët e para, i propozova të pinim një kafe te Tamja aty pranë. “Patjetër”, tha ai dhe u ngritëm. “Kam ardhur kastile nga Tirana këtu, në Skrapar, për të thënë një fjalë, filloi menjëherë bisedën në kafe profesori i shquar, por atë s’e thashë dot. Të zestë ne që i kemi merak këto gjëra, pa s’do t’ia dijë njeri...”. Zëri i tij kishte marrë një ton të dukshëm nervoz. Autoritetet e rrethit, sekretari i parë dhe kryetari i komitetit, ku ishte drejtuar zyrtarisht profesori, megjithëse ishin njoftuar për ardhjen e tij, e kishin lënë me orë të tëra pas derës, pasi, sipas tyre, kishin një mbledhje të rëndësishme byroje. Pas një pritje të gjatë, profesori i nxehur dhe i fyer ishte larguar pa i takuar dhe kish ardhur në zyrat e gazetës. Pasi tregoi për këtë, me një ton më të butë, ai mu drejtua mua: “Dëgjo, mor djalë, po ta them ty atë sekret që kisha e që kam bërë gjithë atë udhë deri këtu për ta dhënë si sihariq, mbaje për vete, edhe në Tiranë dy tre veta jemi që e dimë, dhe së shpejti do ta bëjmë të njohur për shtyp. Është konfirmuar edhe me një dokument tjetër, shumë të rëndësishëm, që është gjetur këto ditë në arkivat osmane, veç “Kamus ul alamit” të Sami Frashërit, se origjina e Familjes së Frashërllinjve të mëdhenj është nga Grëmshi i Tomorricës. Ja, këtë desha t’u thosha dhe atyre, ndaj erdha tërë qejf e dëshirë. Por...” Natyrisht që unë u gëzova për një fakt të tillë. E falënderova profesorin që ma besoi mua atë sekret apo sihariq, më mirë ta quaje. Ndoshta ca nga zemërimi ose ndoshta ashtu e kish planifikuar, më kërkoi ta ndihmoja t’i gjeja një makinë të rastit për deri në Berat. “Ku do të shkosh, i thashë, ne do ta festojmë sot sihariqin tuaj. Apo s’kam ca shokë...”. Pas shumë përpjekjesh, mezi e binda profesorin të qëndronte për darkë, për të cilën më vuri një kusht, të mos vinin ata që e lanë pas dere në atë mënyrë. Dhe vërtet me profesorin në krye, bashkë me Iliaz Kapxhiun, Xhemal Mollën, Muhamet Hoxhën, Abdulla Braçen, Enver Cakën e disa të tjerë që s’më kujtohen, kemi kaluar një mbrëmje fantastike, ku festuam lajmin e gëzuar dhe e bëmë profesorin ta harronte incidentin e paradites.
Corovoda Online / Zylyftar Hoxha / Orakuj të Harruar