Viti 1940 - 2 oficerët italianë drejt Buzuqit, Skrapar - Do t'i akordonin medalje dhe çmim "Kaporal Buzuki" **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Viti 1940 - 2 oficerët italianë drejt Buzuqit, Skrapar - Do t'i akordonin medalje dhe çmim "Kaporal Buzuki"

Fatjon Kaloci
29.9.17
Corovoda Online, arkiva më e madhe elektronike e Skraparit ndalet më poshtë në një shkrim të veçantë që n'a çon në vitin 1940. Shkrimi i publicistit Zylyftar Hoxha na njeh me faktin sesi me mision të veçantë, dy oficerë madhorë të Italisë nisen drejt Skraparit për të kërkuar një person për të cilin shteti italian kishte akorduar një medalje dhe disa vlera monetare. I quajtur prej tyre si "Kaporal Buzuki" ( Buzuki një version i gjuhësisë italiane që thuhet për termin Buzuqi). Ndjekim shkrimin e plotë.

Miku im, Ilmi Qazimi, publicist dhe studiues, një nga bashkëpunëtorët më aktiv të gazetës “Dielli i Tomorrit”, më tregoi një ditë një ngjarje shumë interesante, që e kishte dëgjuar në një bisedë tavoline. Protagonist i kësaj ngjarjeje ishte një fshatar nga Buzuqi, rreshtuar në ushtrinë italiane gjatë Luftë së Parë Botërore. Duke pyetur andej-këtej, arritëm të gjenim të birin e tij, që jetonte në Laprakë, i cili jo vetëm tha se ato që kishim mësuar ne ishin të vërtëta, por na dha edhe detaje të tjera. Ja ngjarja:

Në fund të vitit 1940, dy oficerë madhorë italianë, të ndodhur në Luftën Italo-Greke, kishin ardhur në nënprefekturën e Çorovodës edhe me një mision tjetër të ngarkuar nga qeveria italiane. Ata duhet të kërkonin dhe gjenin një ushtarak shqiptar me emrin Refat Buzuku, i cili kishte qenë në radhët e ushtrisë italiane në Luftën e Parë Botërore.

Qeveria italiane dhe Ministria e Mbrojtjes e Italisë, që para 20 e ca vjetësh, i kishin akorduar atij medalje, një shumë parash shpërblim dhe disa gjëra të tjera. Tani, emisarët, me që u kishte rënë puna për në Shqipëri, ishin urdhëruar t'a gjenin këtë njeri dhe t’i jepnin ato që i takonin.

Ata kërkonin të dinin nga autoritet në se ishte gjallë ai vetë, kishte njerëz të familjes, farefisit apo pasardhës. Një skraparas i moshuar, u jep informatën se Refati jo vetëm që ishte gjallë, mbi 75 vjeç, por jetonte me krenari e punë në fshatin e tij të lindjes, në Buzuq, jo shumë larg Çorovodës.

Atëhere dy ushtarakët madhorë italianë shkuan në Buzuq. Refati i priti siç dinë të presin shqiptarët kur u vjen si mik, veçanërisht kur je i huaj. Ata ishin në luftë me grekun dhe Refati nuk kishte qeder, aq me tepër që akoma nuk i kishte harruar masakrat e andartëve në vitin 1914.

Refati ruante kujtime të shumta nga Lufta e Parë Botërore. Valët e turbullta të jetës e kishin shpënë në rreshtat e ushtrisë italiane, si ushtar i mobilizuar me pagesë. Ishin kohë të vështira dhe nuk dihej as fillimi as mbarimi i luftës mes të Italisë dhe Austro-Hungarisë. Refati ishte vetëm dhe thjeshtë një ushtar trim shqiptar.

Nga beteja në betejë i ra kryq e tërthor Italisë dhe Ballkanit, ku e çoi detyra, dhe gjatë kësaj kohe ai kishte arritur deri në gradën e kaporalit. Pas luftës ai u kthye shëndoshë e mirë në Buzuq dhe, po për fatin e tij të mirë, gjen shumë mirë gruan dhe fëmijët. Solli ca para gjaku dhe vijoi jetën në katund...

Rrodhi shumë ujë nëpër Osum qysh nga ajo kohë deri atë ditë, kur në odë ai kishte mysafirë të papritur dy oficerët italianë. Po ata dukeshin që nuk ishin ardhur për keq. Pasi u përshëndoshën, shpejt u mor vesh edhe qëllimi i ardhjes së tyre në shtëpinë e Refatit pas më shumë se 26 vjetësh: në dokumentet e ushtrisë italiane, Refati kishte pasur qenë njohur kaporal trim dhe kishte mbetur pa u nderuar dhe shpërblyer. Urdhri i qeverisë nëpërmjet komandës eprore ishte që ai të gjendej, t’i jepej dekorata, të shpërblehej me të hollat që i kishin takuar dhe t’i bëhej si dhuratë e merituar edhe një kalë. Refati tani ishte pranë të tetëdhjetave, i pranoi shpërblimet dhe i prekur i falënderoi miqtë dhe qeverinë italiane për vlerësimin që i bënë, por për kalin u tha se nuk ishte nevoja, pasi ai nuk qe më në gjendje të vërdallisej me të.

Ushtarakët këmbëngulën se kishin urdhër dhe nuk mund të vepronin ndryshe. Ndaj do t’i jepej një kalë (pelë apo mushkë Italie) pas disa ditësh, pasi të bëheshin disa kalime inventari në frontin italian të luftimeve. Por punët e luftës morën për ters, nuk u mor vesh as fati i ushtarakëve të lartë që erdhën në Buzuq, pa le kali.

Megjithatë Refat Buzuqi, kaporali trim që kishte bërë gjithë atë luftë, nuk iu mburr askujt, bëri një jetë të qetë si një njeri që kish bërë detyrën për të ushqyer familjen.

Corovoda Online / Zylyftar Hoxha