Çorovoda me fjongo Rozë - Tetori i ndërgjegjësimit të Paradalimit të Kancerit të Gjirit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Çorovoda me fjongo Rozë - Tetori i ndërgjegjësimit të Paradalimit të Kancerit të Gjirit

Fatjon Kaloci
21.10.17
Me qindra ishin ata që simbolikisht ju bashkuan fushatës sensibilizuese të parandalimit të Kancerit të gjirit edhe në Çorovodë. Prej fillimit të javës që lamë pas, simbolika e Tetorit "fjongoja ngjyrë rozë" ishte mes çdo banorëve të Skraparit si një zë komunitativ ndërgjegjësimi për parandalimin dhe nxitjen për diagnostifikimin e hershëm me qëllim për t'ju thënë grave, të rejave e nënave se çdo pjesëtar i Çorovodës është me ta. Më poshtë shohim disa informacione të nevojshme, ndërsa Corovoda Online përkrah nismat sensibilizuese dhe nxit të ti drejtoheni Mjekut tuaj të Familjes në Skrapar për çdo info më shumë
Kanceri i gjirit, Ne mund t'a zvogëlojmë  rrezikun tonë!
Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit.
Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe
shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, emë pas, në të gjithë trupin.
Njihuni me rrezikun
Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri. Dimë se disa  faktorë duken se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri.
Çdo grua është e rrezikuar për kancer gjiri.
Faktorë rreziku per kancerin e gjirit janë :
• Mosha mbi 50 vjeç;
• Pasja e një kanceri gjiri më pare;
• Histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht me nënën, motrën ose vajzën) të diagnostikuara përpara menopauses;
• Ndryshimet gjenetike prezente me genet BRCA1 ose BRCA2;
• Histori familjare me kancer të ovarit ;
• Femrat që nuk kanë lindur fëmijë ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më tëmadhe se 30 vjeç;
• Menstruacione në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç;
• Menopauzë pas moshës 50 vjeç;
• Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një  kohë të gjatë, më shumë se 5 vite;
• Densitet të shtuar të indeve të gjirit (e dukshme në një mamogram);
• Një histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave  jonormale që nuk janë kanceroze (hiperplazi atipike);
• Trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30-vjeçare, p.sh., trajtimi i limfomave Hodgkin;
• Mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzë;
• Përdorimi i alkoolit;
• Duhanpirja;
• Marrja e kontraceptivëve nga goja  e pakontrolluar nga mjeku;
• Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore;
• Moskryerja e aktivitetit fizik.
POR, KUJDES! Rreth 70% e rasteve të Kancerit të Gjirit ndodh tek gra, të cilat nuk kanë faktorë që rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri!
Kush zhvillon kancer gjiri
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në gratë. Ai mund të gjëndet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet në gratë në moshë mbi 50 vjeç. Kanceri i gjirit mund të gjendet dhe tek burrat por është shumë i rrallë.
Por ka një shpresë……se kanceri i gjirit mund të zbulohet në faza të hershme dhe të trajtohet.
Si mund të zbulohet kanceri i gjirit
Nëse ju jeni një nga këto gra me risk të lartë për Kancer Gjiri, ju mund të keni mundësi të kryeni:
• Teste depistuese në moshë me të re dhe më shpesh se rekomadimet;
• Vlerësim të riskut gjenetik ;
• Disa trajtime parandaluese si marrja e anti-estrogeneve ose kirurgjia profilaktike.
Ndiqni udhëzimet për ekzaminimet depistuese
Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për diagnostikimim e kancerit të gjirit mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë  në faza të hershme dhe kur ka më shumë mundësi për t’u trajtuar. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i  saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi depistues, ndonjëhere mund të diagnostikohet kanceri kur nuk është, ose nuk arrin të diagnostikohet kur ka kancer.
Megjithatë testet depistuese shpëtojne me mijëra jetë.
Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit  janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
1. Mamografia
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo  mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X. Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.
2. Ekzaminimi klinik i gjirit
Një ekzaminim klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar.
Lloji dhe shpeshtesia e testeve depistuese ne mosha te ndryshme
Nëse ju jeni: 40-49 vjeç                       Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Flisni me mjekun tuaj rreth rrezikut tuaj të kancerit të gjirit, përfitimet dhe rreziqet nga mamografia.
Nëse ju jeni: 50-69 vjeç                       Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjeksor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Mamografi çdo 2 vjet.
Nëse ju jeni: Mbi 70 vjeç                     Ju duhet: Të flisni me mjekun se sa shpesh duhet të testoheni për kancer gjiri.
Shumë gra janë në jetë sot për arsye sepse ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri.
Çfarë duhet të kuptojmë me dijeninë për gjinjtë?
Një pjesë e rëndësishme e kujdesit për  trupin tuaj është njohja e gjinjve tuaj dhe mënyra se si ata ndryshojnë gjatë gjithë jetës.
Njihni gjinjtë tuaj
Nuk ka rëndësi se çfarë moshe keni, për të pasur gjinj të shëndetshëm, duhet të fillojmë me njohjen e tyre. Bëhuni e vetëdijshme për të kuptuar se çfarë është normale tek gjinjtë tuaj. Kjo arrihet vetëm duke bërë një kontroll të rregullt të tyre.
Shumë gra e zbulojnë vetë kancerin e gjirit të tyre, vetëm dukë parë dhe ndjerëndryshimet në gjinjtë e tyre.
Indet e gjirit mbulojnë një sipërfaqe më të madhe se sa vetë gjinjtë. Shtrihen nga klavikula dhe nga sqetulla dhe përgjatë  kockës së kraharorit. Gjiri mbështetet në  muskujt e gjoksit që mbulojnë brinjët.
Gjinjtë duhe kontrolluar vazhdimisht 
Kontrollo, Prek dhe Shiko të gjitha pjesët e gjirit, afër gjirit dhe nën sqetullave.
Njihni indet e gjirit tuaj dukë i parë dhe ndjerë gjinjtë tuaj. Njihni gjinjtë tuaj dhe çfarë është normale për ju, sipas asaj që funksionon më mirë për ju. Gjeni mënyrën që të mësoheni me gjinjtë, dhe të zgjidhni mënyrën më të rehatshme për ju.
Është normale që gjinjtë tuaj t’i ndieni të fortë dhe të dhimbshëm para menstruacioneve. Indet e gjirit ndryshojnë edhe me moshën. Prandaj, për të kuptuar se çfarë është nomale për ju, do t`ju ndihmojë të njihni dhe të dini se çfarë t’i raportoni mjekut.
Shumë kokrra që mund të prekni nuk janë kancer gjiri.
Prandaj, flisni dhe tregojini mjekut nëse vëreni në gjinjtë tuaj ndonjë ndryshim si:
• Gjëndër apo kokërr në gji ose nën sqetull;
• Ndryshim në formë ose në madhësi të gjirit;
• Ndryshim në lëkurën e gjinjve tuaj. si gropëza ose tërheqje;
• Skuqje, enjtje në gjinjtë, përreth tyre apo nën sqetull;
• Futje brenda të thumbit së gjirit;
• Rrjedhje lëngu nga thitha e gjirit;
• Kore ose luspa në thithën e gjirit;
• Puçrra të imta në majë të gjirit apo përreth tij;
• Dhimbje e vazhdueshme në një pjesë të gjirit tuaj, apo nën sqetull.

Pritja për rezultatet e ekzaminimeve nuk është e lehtë. Nëse ju raportoni një ndryshim mjekut tuaj, ose mamograma që ju keni bërë tregon diçka që nuk është normale, atëherë do t’ju duhet të bëni disa ekzaminime të tjera për të parë nëse është kancer apo jo.
Njohuri të rëndësishme për gjinjtë tuaj:
• Kuptoni se çfarë është normale për ju;
• Kuptoni se çfarë ndryshimesh duhet të kërkoni dhe të prekni;
• Shiko, Prek dhe Kontrollo;
• Shkoni te mjeku për çfarëdolloj ndryshimi pa vonesë;
• Bëni kontrollin e gjirit, sidomos nëse jeni në moshën 50 vjeç e sipër.
Zvogëloni rrezikun tuaj
Ju nuk mund të ndryshoni shumicën e faktorëve të rrezikut për kancerin e gjirit, si sëmundjet tuaja familjare ose menstruacionet në moshë shumë të re, por ajo çka ju mund të bëni lehtësisht, është ndryshimi i disa faktorëve, si pesha juaj apo dieta e asaj çfarë konsumoni.
Për zvogëlimin e rrezikut tuaj…
• Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme;
• Kryeni rregullisht aktivitet fizik;
• Konsumoni ushqime me yndyrna të pakta;
• Konsumoni perime dhe fruta;
• Mos konsumoni alkool;
• Konsultohuni me mjekun për përdorimim e kontraceptivëve ;
• Mos pini duhan dhe shmangni duhanpirjen pasive;
• Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj;
• Flisni me mjekun tuaj për vlerësimin e rrezikut tuaj;

Pyesni mjekun tuaj për ekzaminimet e gjirit që ofrohen në qytetin ku ju banoni. Konsultohuni me mjekun e qëndrës suaj shëndetësore për çdo informacion që ju kërkoni të dini.
Ky informacioni mund t`ju ndihmojë ju të kuptoni më shumë rreth kancerit të gjirit dhe se çfarë mund të bëni ju për të zvogëluar rrezikun tuaj për këtë sëmundje.
Ndajeni informacionin me vajza dhe gra të tjera.

Corovoda Online