Kush ishte Bedri Lumani? - Skraparasi në 1964 takoi kryeministrin kinez Çu En Lai **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Kush ishte Bedri Lumani? - Skraparasi në 1964 takoi kryeministrin kinez Çu En Lai

Fatjon Kaloci
15.10.17
Kinë 1964
Bedri Lumani dhe puna e tij do të jenë në këtë ndalesë me Corovoda Online në një shkrim nga Zylyftar Hoxha ku përmes rrëfimeve të prof.Resmi Osmani do të njihemi me një tjetër skraparas, të një krenarie më shumë, Bedri Lumani, i lindur në 1905 në Osojë Skrapar mes viteve dhe përkushtimit emri i tij do të shndërrohej në referim si një ndër themeltarët e bujqësisë shqiptare. Shkrimi i poshtëm është i konceptuar në disa minitituj dhe shoqërohet me imazhe.

Bedri Lumani, një legjendë e bujqësisë shqiptare
Edhe pse ka shkruar bukur një libër të tërë për mjeshtrin e madh të pemëtarisë, Bedri Lumanin, edhe pse sa herë që vjen rasti të tregojë për të, përsëri profesor Resmi Osmanin e rrëmben pasioni dhe i duket se fjalët nuk mjaftojnë të japin dimensionet e këtij njeriu të thjeshtë e punëtor, por që bëri çudira shkencore e që la pas një vepër monumentale. Megjithëse autodidakt, thotë profesori, Bedri Lumani ka zënë një vend nderi në shkencën e bujqësisë shqiptare. Në leksionet e tyre pedagogët e pemëtarisë i referohen punës eksperimentale e zbatuese të Bedri Lumanit. Më tej prof. dr. Resmi Osmani me nostalgji, por edhe krenar që ka punuar me këtë njeri, që tani s’jeton më, vazhdon të rrëfejë:

Si e njoha Bedri Lumanin?
Ishte maj i vitit 1963, nis të tregojë Resmiu. I sapodiplomuar, u paraqita në sektorin e fidanishtes së Otllakut, në Berat për të filluar punën. Detyrën e përgjegjësit dhe të specialistit e kryente Bedri Lumani. Emri dhe puna e tij për mua ishin të njohura, përvoja e tij na ishte përmendur nga pedagogët në ligjëratat e tyre për kulturën e ullirit. Që ditën e parë më tha: “S’është e lehtë të punosh me mua”. Dhe vërtet, s’ishte e lehtë t’i bëje ballë asaj disipline aq të rreptë. Megjithatë, unë mora një edukatë spartane nga Bedriu dhe ia quaj për nder. Si i ri që isha, më pëlqente të kisha pak kohë të lirë. S’më mbante vendi, shfaqja dhe shënja nervozizmi, më shihte me bisht të syrit, kollitej dhe…boll! E quaj fat, që kam punuar me të dhe një pjesë të karrierës sime shkencore ia dedikoj punës në Otllak përkrah këtij njeriu të madh, thotë profesori.

Kush ishte Bedri Lumani?
U lind në fshatin Osojë të Skraparit, më 1905. Në moshën 9 vjeç i vdesin prindërit dhe mbetet jetim. Në shënimet e tij Bedriu shkruan: “Mbas vdekjes së prindërve, u rrita hysmeqar në pesë vende, me dhi në Polenë, bari me dhen te Luloja, në Grëmsh të Skraparit, shërbyes te karabinierët italianë në Polenë, në vitin 1922, shërbyes në zyrën e Myrdyllëkut (komunë) në Luaras të Kolonjës”. Nga 10 deri 17 vjeç ai punonte sa për të mbajtur veten gjallë. Se si mësoi të shkruajë e të lexojë, është një histori më vete. Xhaxhai i tij, Fejzo Caka, u kthye nga kurbeti, nga Stambolli me një barrë me libra, në vend të pasurisë. Hapi dhe shkollë në shtëpinë e tij. Bedriu i përpiu këto libra. Në moshën 17-vjeçare e merr me vete xhaxhai i tij, Asllani në myrdyrllëkun e Luarasit të Kolojës. Sekretar ishte djali i Petro Nini Luarasit. Aty vazhdoi, krahas punës, dy vjet shkollë. Më pas zyrat u mbyllën dhe u detyrua të punojë bari në Voskop të Korçës. Më vonë, në moshën e burrërisë, i plotësoi dituritë me një kurs njëvjeçar në Lushnjë (1929) dhe në shkollën e mesme bujqësore “Ylli i Kuq” në Malin e Robit, Kavajë, në një kurs njëvjeçar (1956-1957). Kjo ishte “shkolla” e Bedriut. Por shkolla e madhe për të, në vitet që erdhën, ishte shkolla e jetës, një shkollë çudibërëse, një libër i hapur, që ai diti ta “lexojë”.

A.Çiçi dhe B.Lumani

Ku e thirri koha?
Ishte 15 vjeç, kur la lopët e u bashkua me vullnetarët që ishin nisur drejt Vlorës. Mori pjesë në betejat e Drashovicës e të Llakatundit të vitit 1920, ku edhe plagoset në kokë, por lehtë. Në ‘24-ën merr pjesë në Revolucionin e Qershorit. Pas rënies së Qeverisë së Nolit, çel shkollë në fshat ku u mëson bashkëfshatarëve shkrim e këndim. Në vitin 1927 shkon ushtar në Shkodër e në Berat.

Hapat e para në botën e gjelbër
Pas kthimit nga ushtria, Bedriu tashmë ishte burrëruar plotësisht. Ishte viti 1928, kur ai u nis për në Australi, të cilën ia kishin lëvdur si vend të mirë për kurbet. Por rasti solli të papriturën. Maliq Skrapari, mik i familjes, funksionar në atë kohë në Ministrinë e Bujqësisë, ia ndërpreu aventurën, i dha një shënim dhe e sistemoi në fidanishten shtetërore të Laprakës. Atje punoi si punëtor, por ra në sy të administatorit italian si një punëtor i pafjalë, i sjellshëm, i disiplinuar, serioz dhe aq më tepër me një arsim elementar. Kështu që u “gradua” brenda tre muajve kryepunëtor. Më 1929 nisi puna për prodhimin e fidanave. Në korrik-gusht u bënë shartimet e para. Në vitin 1931 u shpërndanë fidanat e para falas, ku përfituan pronarët e çifligjeve dhe ç’ngelej u shpërndanë nëpër rrethe. Në fidanishte filluan punën Abedin Çiçi, Isuf Kamba, Emin Harizaj, Veis Pipa, Sulo Malilaj dhe më vonë Hysen Dashi dhe Irakli Tërrova, që sollën freski me pikpamjet e tyre demokratike. Bedriu ishte me ata, dhe një nga ata.

Muguj ndjenjash
Bashkësia e banorëve të fidanishtes ishte e vogël. Në shtëpizën dykatëshe, zhytur mes gjelbërimit, jetonte Abedin Çiçi dhe familja Kamba: Aneja, dy djemtë e saj, Isufi dhe Petriti dhe vajza e vogël, Drita. Rreth 40 metra më larg ishte baraka që ishte përshtatur nga Bedriu. Bedriu u lidh me Dritën. Kur ajo shkoi në shkollë në Kavajë, Bedriu gjeti shkak dhe u transferua në fidanishten e Kavajës. Me një dasmë të thjeshtë ata u martuan në vitin 1938. Dhe po këtë vit u transferuan bashkë në Delvinë. Por s’shkoi gjatë dhe Drita u sëmur nga tuberkulozi. Bedriu e çoi edhe në senatorium në Itali, por përpjekjet dualën bosh. Ajo u fik dalngadalë si qiri. Për Bedriun kjo qe goditja më e rëndë në jetë.

Profil politik
Po vinte lufta. Edhe fidanishtja e Laprakës u fashistizua. Aty Bedriu kishte kohë që kishte çfaqur edhe profilin e tij politik, si kundërshtar i regjimit zogist dhe Italisë fashiste. Kishte marrë detyrë që, kur të sinjalizohej, bashkë me punëtorët të sulmonte autorepartin italian aty pranë. Armët ishin fshehur posht barakës. Por aksioni dështoi, Bedriu u arrestua, por për mungesë provash, u lirua. Pushtimi fashist, 1939-a e gjeti në Delvinë. Më pas ai vjen në Tiranë. Isufi, vëllai i Dritës u hodh në ilegalitet, Abedin Çiçi mori arratinë. Mbeti me Anenë dhe hallet, por kjo s’e pengoi të lidhej me ilegalët dhe militantët komunistë: Isuf Kambën, Mane Nishovën, Tajar Grepckën, Kahreman Yllin, Me porosi të Isuf Kambës ai shoqëroi për t’u strehuar në Skrapar dy ilegalë, Sotir Gurrën dhe Mustafa Gjinishin. Në gusht të vitit 1944 i nënshtohet një operacioni. Me të dalë nga spitali hidhet në ilegalitet, pasi kishte rënë në sy të spiunëve. Vepron në Priskë, Valias, Kamëz, Zall Herr, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Berat - 1975 B.Lumani


Ditari
Për ditët e para të pas luftës, për të njohur jetën dhe peripecitë e Bedriut prof. dr. Resmi Osmani ka gjetur edhe një ditar të shkruar nga Bedriu. Prej këtij ditari mëson se Gaqo Tashko, ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve e emëron përgjegjes të fidanishtes, vendim që ishte marrë nga Qeveria e Përkohëshme e Beratit. Por, për shkak të mosmarrëveshjeve që pati me Abedin Çiçin dhe më pas me Veis Pipën, u pushua nga puna. Shkon ca kohë në fshat, në Skrapar, pastaj rikthehet përsëri në Tiranë, punëtor në Kamëz.

Hapësirë
Viti 1946 u mbyll mbrapsht, kur në dhjetor e thërret Thoma Bello dhe Riza Kuçi, kuadro kryesore në Berat, të cilët i komunikuan emërimin si përgjegjës teknik i Stacionit Bujqësor të Otllakut në Berat. Otllaku i ishte dhënë një shoqërie ajrore italiane për 99 vjet. Fusha ishte e shkretë, në të kullosnin vetëm kuaj e lopë. “Otllak” në turqisht do të thotë kullotë. Kjo ishte mbretëria e re e Bedriut. Ai duhej që nga hiçi të ngrinte një mrekulli. Vilën e vogël vendosi ta bënte qendër administrative. Zgjodhi një dhomë të vogël për vete. Ditët e para të dhjetorit qëlluan të kthiellta dhe të ftohta. Kalimtarët që kalonin aty pari, vunë re të habitur një burrë me çizme të verdha llastiku, që me majën e belit hapte gropa, merrte një grusht tokë, e shkërrmoqte mes duarve, e nuhaste sikur donte ta hante. I ra kryq e tërthor fushës, mbajti shënime, mori mostra deri sa më në fund u bind se tani e njihte lëndën e tij të parë, tuallin mbi të cilin do të ngrinte ngrehinën e tij të gjelbër.

Mbretëria e re
Erdhi gjeometri Sotir Xhokaxhi, me një ndihmës dhe filloi rilevimin e tokës, hodhi në hartë territorin. Bedriu gdhihej para hartës që kishte vënë në mur dhe pëshpëriste me vete: “Do të bëhet!” Punëtorët e parë erdhën nga fshatrat rrotull dhe nga Berati. Mesut Hoxha nga Lapardhaja, Brahim Dollani, Shaban Lika, Bajram Xhelo, Tetem Kuqo, Hilmi Braho dhe një vajzë e re, Ervehe Jemini. Bedriu u vuri kushtet dhe u tha se për hallet do t’i ndihmonte. Mos harrojmë se rreth e rrotull syri të shihte vetëm ferra, kallama kënete dhe ujëra të ndenjura. Në nëntor të atij viti (1946) Bedriu shkoi në Laprakë dhe siguroi 150 fidanë për pemëtoren mëmë, nga ku do të nxirreshin kalema për shartim. Në dhjetor bashkë me një skuadër punëtorësh u hodh në fshatrat Plashnik, Roshnik, Karkanjoz, Bogdan e Mimias për të nxjerrë copa fiqsh të kultivarit të njohur “Roshnikas”. Në muajt e parë të vitit 1947 u punua intensivisht për kullimin, pak nga pak uji u tërhoq dhe fusha doli në shesh. Erdhi traktori i parë “Llanc Bullduk” dhe më pas edhe dy të tjerë të një tipi tjetër.

Qytezë e re, njerëz të rinj
Në vitet 1949-1950 mbanë udhe doli në dritë një qytezë e re. U ngritën 20 ndërtesa, secila me dy apartamente për 40 familje, hodhi shtat një fjetore për 80 punëtorë, që do të ishin pa familje. U ndërtuan hangarë, magazina, kovaçhana, stalla për kafshët. Djemve të rinj u mësoi zanatin, por më parë u nguliti se fidanishtja dhe pemëtaria janë art. Ky art duhet mësuar dhe zotëruar. Zhvillonte kurse teorike, ndërsa gjatë punës u mësonte se si veprohej, e bënte vetë, pastaj i vinte të gjithë me radhë, u korrigjonte gabimet. Ndaj ndonjë gabimi të qëllimshëm, ai shpërthente dhe ishte i pamëshirshëm. Punëtorët e donin Bedriun se ai ishte i rreptë, autoritar, kërkues, por shumë i drejtë dhe i mirë në shpirt.

Rikrijimi i familjes
Me përpjekjet dashamirëse të shokëve më të mirë që kish, ai dëgjoi këshillën e tyre për të rikrijuar familjen. Në vitin 1951 u martua me Fitnete Belegun, bijë e një familjeje të njohur elbasanase të lidhur me Luftën. Fitneti ishte një aktiviste e mirë. Pas martesës ajo iu përkushtua tërësisht familjes dhe kujdesit për të shoqin. Ajo ishte një grua e qetë. E kujtoj me nderim këtë zonjë, që më priti e më përcolli me dhembshurinë e një motre të madhe, kujton me nostalgji e respekt Bahriu.
B.Lumani vlerësuar me Medaljen "Hero i Punës"



“Bukuroshja e Fjetur”
1948-a ka qenë fillimi i mbjelljes së farërave për fidana. U muarën 280 kg farë nga Saranda. Fara ishte si “e Bukura e Fjetur”, duhej zgjuar nga gjumi. Fara u vu në zgjim, pastaj u mboll në farishte. Për kënaqësinë e tij nga fundi i shtatorit u shfaqën bimëzat e para. Ai tani u çlirua nga ankthi. Filluan më pas shartimet mbi ata fidanë, si mbishartesë u përdor “Kokërrmadhi i Beratit”. Pas 11 vjetësh, në vitin 1964, arriti të prodhojë një milionë fidana ulliri, të cilat tashmë veshin brezin e kodrave të Beratit, Lushnjës, Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit dhe Fierit.

Monument
Kudo që hedh sytë në vargun e kodrave nga Lapardhaja, Otllaku, Dushniku e deri në ullishtet e Beratit si dhe në vargun e kodrave të luginës së Osumit, që nga Bilça, Ura e Kuçit, deri në Qafë të Sqepurit; nga Kuçova, kodrat e Lapardhasë e deri në Lumas; masivi i kodrave të Starovës e të Vodicës, por edhe kodrat e Shqipërisë, ku janë shpërndarë fidanat e Otllakut, janë duart e punëtorëve dhe mendimi teknik i Bedri Lumanit, që i ngritën vetes një monument për së gjalli. Po kështu një monument i rrallë, ku ai derdhi mendje dhe energji, është edhe masivi i fiqve të Uznovës, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan, që fatkeqësisht tani është prishur dhe degraduar, siç u prishën dhe shumë vlera të tjera gjatë tranzicionit.

Pasion
Një nga pasionet e tij ishte njohja e larmisë së drufrutorëve, grumbullimi dhe studimi i germoplazmës së kultivuar dhe të vetvetishme, nga rajoni i Beratit dhe më larg. Zbulimi i një kultivari, forme apo ekotipi, për të ishte kënaqësi emocionale, si ajo e lundërtarëve të mëdhenj kur zbulonin kontinente. Arriti të sigurojë një koleksion të pasur me varietete të egra, por edhe varietete të rezistueshme të zonës, si molla e Teqesë së Prishtës, mollët e Kostrenit, dardhët e Rrëzës së Shpiragut, qershinë “Bukje” të Zhitomit, fikun e lashtë “Stambolli”, rrushin “Pulëz” me aromë muskati të Skraparit si dhe shumë materiale të tjera bimore, që i shkëmbente me fidanishtet e tjera.

“Kokërrmadhi i Beratit”, në Kinë
Më 26 janar të vitit 1964 Bedriut iu dha rasti për një udhëtim spektakolar në Kinë. Kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu i kish bërë dhuratë homologut dhe mikut të tij të shquar kinez, Çu En Lait, 10 800 fidana ulliri, 1 500 prej tyre “Kokërrmadhi i Beratit”. Fidanat do t’i shoqëronte dhe do t’i mbillte atje Bedriu, detyrë, që ai e mori seriozisht, pasi përfaqësonte shtetin dhe duhej të nderohej para miqve. Qëndrimi në Kinë zgjati 48 ditë. Ata i ranë kryq e tërthor, nga veriu në jug këtij vendi të madh, duke parë klimën, tokën dhe në përgjithësi ekosistemin se ku e pranonte vendi ullirin mesdhetar shqiptar. Krahas kësaj, si një delegacion i posaçëm, dërgatë me dhurata e kryeministrit shqiptar, kinezët i pritën mirë, duke u krijuar një axhendë gati turistike. Ata me këtë rast vizituan edhe qendra të mëdha si: Pekini, Shangai, Nankini, Junani, Kunmini etj. U njohën me monumente të lashtësisë kineze: pallatet e perandorëve, Murin e Madh, kopshtet botanike, parqet pyjore etj.

Me Çu En Lain
Më 2 mars 1964, në Kunmin, në hotelin ku bujtnin, në sallën e pritjes u takuan me Çu En Lain. Natyrisht Bedriu, që ishte një nga kryesorët e delegacionit, e ndjeu veten të emocionuar dhe të nderuar që një punëtor i thjeshtë, siç e quante veten ai, të qëndronte kaq gjatë dhe kaq shumë me një burrë shteti si Çu En Lai. Por edhe kryeministri kinez ishte mirinformuar për njeriun që kishte përballë, i kishin thënë se kishte të bënte me një hero popullor, inteligjent nga natyra, me një njeri që e kishte ngritur dhe e kishte sjellë deri atje puna. Ndaj dhe për ta çliruar nga emocionet e dukshme, kryeministri kinez u tregua shumë diplomat dhe popullor, me një ton miqësor e gati familjar ai i pyeti për shëndetin, për kuzhinën kineze, u interesua për ullirin, nëse mund të zihej në klimën dhe tokën kineze. Propozoi të shkonin bashkërisht dhe të mbillnin disa rrënjë ullinj. Dhe kështu u bë, në një bllok të ri mbollën simbolikisht bashkë dy rrënjë ullinj. Veprimtaria u filmua dhe u fotografua nga fotoreporterët e shumtë. Çu En Lai më pas dha një darkë. Kjo qe edhe më e ngrohtë se gjithë veprimtaria ditore. Ai u mbushi miqve gotat me “sake” me një pije të fortë si rakia, bëri dolli e shëndete. Më pas ai foli për mënyrën e jetesës dhe të ushqimit kinez dhe iu dha shkopinj e i mësoi se si përdoreshin për të ngrënë. Në Kinë, me interesimin e vetë Çu En Lait, me dekret të veçantë, Bedriu u dekorua me medaljen e Miqësisë Shqiptaro-Kineze.

Misionar ilumunist
Në shënimet e tij, por edhe në bisedat e thjeshta prof. dr. Resmiu e radhit Bedri Lumanin te iluministët, e radhit te ata njerëz të zakonshëm, por me kontribute të veçanta, të atyre që bëjnë histori dhe hyjnë në histori. Ai ishte një personalitet kompleks, kishte filozofinë dhe mënyrën e tij për të vlerësuar veprimet dhe punën e të tjerëve. Baza e këtij vlerësimi ishte drejtësia, ndershmëria dhe paanshmëria, thotë profesori. U nda nga jeta më 30 dhjetor 1985, në vigjilje të Vitit të Ri, në moshën 80 vjeç. Për merita pune ai u dekorua me “Urdhrin e Punës të Klasit të Dytë, me medalje për Luftën e Vlorës, medaljet e Miqësisë Shqipëri- Bashkimi Sovjetik, Shqipëri-Kinë, medalje dhe urdhra pune për pjesëmarrje në aksione të ndryshme. Vlerësimin më të lartë ai e mori në vitin 1970, ku u nderua me “Çmimin e Republikës të shkallës III”. Megjithatë te të gjithë ata që e njohën, që punuan me të, te pedagogët e bujqësisë ai ka një vlerësim tjetër, të një misionari, të një ilumunisti, emrin e të cilit do ta gjejmë në çdo lule peme që çel në pranverë, në çdo syth që shpërthen, në çdo lastar që rritet, në çdo ulli që bleron në kodrat e Shqipërisë, përfundon jo pa emocion tregimin profesor Resmiu për mikun e tij të zemrës.
Corovoda Online / Zylyftar Hoxha