Në vitet 40 - 43' ishte Shefi i Botores në Prefekturën e Beratit - Kush ishte Qemal Nishica? **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Në vitet 40 - 43' ishte Shefi i Botores në Prefekturën e Beratit - Kush ishte Qemal Nishica?

Fatjon Kaloci
29.10.17
Qemal Nishica (në mes) Foto e periudhës kur ishte shef i botores në Berat 1940 - 1943
Në këtë shkrim ndalemi në një tjetër emër krenarie të Skraparit duke ndalur historinë vite më pas. Quhej Qemal Pëllumbi (Nishica),dhe lindi në Nishicë në vitin 1912. Prindërit e dërguan në shkollë në Tiranë ku kreu dy vjet të plotores dhe pastaj Liceun e Korçës, një nga shkollat më serioze të kohës, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm.

Duke parë rezultatet e tij, megjithëse i ri në moshë, pas mbarimit të shkollës e caktojnë kryetar komune në Voskopojë ku punon për disa vjet. Me qenë se ishte larg shtëpisë Qemali më vonë u vendos kryetar komune në Potom të Skraparit.

Në vitin 1940, si dhe shumë intelektualë të asaj kohe arrestohet për veprimtari kundër fashizmit, futet në bur, por pas tre muajsh del nga ndërhyrjet miqësore.

Gjatë viteve 1940-43 ai ka punuar në prefekturën e Beratit si shef i Botores dhe më pas në Fier si sekretar prokurorie. Me formimin e Grupit të Tretë të Skraparit në Liqedh radhitet në këtë formacion partizan. Në familjen e Qemalit në Nishicë ka qëndruar për 3 ditë shtabi i Brigadës së Parë Sulmuese, Mehmet Shehu me të shoqen Fiqireten, dhe batalioni i parë i kësaj brigade me komandant Ndreko Rinon, si dhe formacione të tjera partizane. Por s’kaloi shumë dhe gjermani i dogji shtëpitë, kështu që ai u kthye pranë familjes që kishte ngelur në qiell të hapur, por edhe që s’kishin një të rritur për t’u kujdesur. Edhe pse u kthye në shtëpi, ai punoi në Komandën e Vendit në Çorovodë si shef i Financës, njëkohësish dhe anëtar i Këshillit të Rrethit.
Ahmet ( i ati ) dhe Qemal Nishica

Pas çlirimit, në vitin 1945 emërohet kryetar i Degës së Gjendjes Civile të rrethit, ku punoi deri në vitin 1951, vit kur për familjen fillojnë peripecitë politike, të cilat vazhduan gjatë dhe patën pasoja të rënda për të tërë fëmijët e Qemalit.

“Faji” i vetëm i Qemalit ishte pasuria e vënë me gjak e djersë nga brezat e më përparshëm. Në vitin 1977, në kohën që po viheshin eksponatet e Muzeut Historik të rrethit Qemalit i hoqën emrin si anëtar i Këshillit të Rrethit dhe pllaka si “Shtëpi Bazë e Luftës NaÇl”. Po kështu iu hoq emri Ahmeti nga lisat dekorimit që kishte qenë në Luftën e Vlorës.

Pasardhësit e Qemalit

Ylli, Ferdi, Arta, Petrit dhe Bashkimi - Pasardhësit e Qemal Nishica ( Pëllumbi)
Me një kulturë të kultivuar dhe të lashtë brezash, fëmijët e Qemalit, Ferdiu, Petriti, Ylli, Bashkimi, ulën kokën dhe punuan me ndershmëri dhe përkushtim kudo që u ra puna. Ferdiu ka punuar në fshat, për një kohë shef llogarie, por edhe në punë të ndryshme, duke e përballuar jetën me dinjitet e ndershmëri.Djali i dytë, Petriti ka punuar kryesisht në ndërmarrjen e ndërtimit si brigadier, normist, kryetar i Degës së Planit dhe së fundi, në vitet e demokracisë, si drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit. Ylli, djali tjetër i Qemalit ka punuar në disa sektorë të prodhimit, rrobaqepës, teknik lëkure, llogaritar etj. Duke e ditur se ishte gjithmonë nën vëzhgim, ai ka punuar me përkushtim e profesionalizëm, duke zgjedhur për mbijetesë urtësinë e tij karakteristike. Më i vogli i djemve të Qemalit, Bashkimi, ishte i vetmi që shkau dhe çau rrugën e arsimimit në ato vite të vështira. Ai ka punuar si mësues në disa fshatra të Skraparit, në gjimnazin e Çorovodës dhe në disa shkolla të mesme të Vlorës. Arta ka punuar si laborante dentiste në Çorovodë deri në vitin 1974, pasi u martua në Tepelenë në një familje të nderuar. Nga nipërit dhe mbesat e Qemalit, 15 prej tyre janë me arsim të lartë dhe punojnë në sektorë të rëndësishëm të shtetit, si në Ministrinë e Brendshme, Gardën e Republikës, arsim, ekonomi, shëndetësi, në sektorë dhe biznese private etj. Vetëm Ahmeti, që mban emrin e gjyshit, është në fshat me gruan dhe djemtë.

Një shkrim nga Zylyftar Hoxha për Corovoda Online