Vendimi i Këshillit të Ministrave - Edhe disa prona në Skrapar, në funksion të projektit T.A.P. nën shpronësim, servitut apo përdorim të përkohshëm **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Vendimi i Këshillit të Ministrave - Edhe disa prona në Skrapar, në funksion të projektit T.A.P. nën shpronësim, servitut apo përdorim të përkohshëm

Fatjon Kaloci
5.10.17
Përmes një vendimi që pritet të publikohet në Fletoren Zyrtare gjatë këtij muaji tetor, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e datës 27 shtator 2017 ka marrë një vendimarrje mbi Shpronësimin, Marrjen në Përdorim të Përkohshëm apo vendosjen e Servitutit të Përhershëm të kalimit për Interes Publik të pasurive të paluajtshme, pronave private që preken nga korridori i punës apo sistemi gazsjellës i T.A.P.
Disa pasuri të paluajtshme në rast se preken nga Korridori i Punimeve do merren edhe në Përdorim të Përkohshëm në afatin 1 vjeçar, apo në rast se preken nga Sistemi Gazsjellës në afatin 2 vjeçar. Edhe disa prona në Skrapar janë objekt i këtij vendimi, disa nga pikat e të cilit të pasqyruara si më poshtë:
V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT TË PËRHERSHËM TË KALIMIT, PËR INTERES PUBLIK, MBI DISA PASURI TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA KORRIDORI I PUNËS (RRUGËT HYRËSE) DHE SISTEMI I GAZSJELLËSIT (MIKROTUNELI), PJESË  E  PROJEKTIT  TRANS ADRIATIK (TAP)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG”, si dhe të neneve 5/1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit të përhershëm të kalimit, për interes publik, mbi disa pasuri të paluajtshme, pronë private, që preken nga korridori i punës (rrugët hyrëse) dhe sistemi i gazsjellësit (mikrotuneli) në zonat Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, pjesë e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP).
2. Shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit të përhershëm të kalimit mbi këto pasuri të bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga ish-Ministria e Energjisë dhe Industrisë, aktualisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, të paraqitur në tabelën bashkëlidhur, për sipërfaqen prej  29 (njëzet e nëntë) m2 që shpronësohet; për sipërfaqen prej 7 433 (shtatë mijë e katërqind e tridhjetë e tre) m2 që merret në përdorim të përkohshëm; për sipërfaqen prej 1 511 (një mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë) m2 mbi të cilën vendoset servituti, me një vlerë të përgjithshme prej 29 102 690.65 (njëzet e nëntë milionë e njëqind e dy mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Marrja në përdorim të përkohshëm për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të jetë përkatësisht sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi:
a)       1 (një)-vjeçar, për pasuritë që preken nga “Korridori i punës për 1 vit”;
b)       2 (dy)-vjeçar, për pasuritë që preken nga “Sistemi i gazsjellësit (Mikrotuneli)”.         
5. Vlera e përgjithshme prej 29 102 690.65 (njëzet e nëntë milionë e njëqind e dy mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e pesë) lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekti kërkues i kësaj kërkese.
6. Për likuidimin, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit mbi pasuritë e përcaktuara në tabelën bashkëlidhur  të procedohet, si më poshtë vijon:
a) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët të likuidohen, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, pas  dorëzimit të dokumentacionit të  pronësisë, që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë shoqërisë TAP AG.
b) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se mbi pasurinë është vendosur kufizim”, pronarët të likuidohen, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, pas heqjes së kufizimit dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, pranë shoqërisë TAP AG.
c) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se mbi këtë pasuri është vendosur sekuestroja”, pronarët të likuidohen, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, pas heqjes së masës së sekuestros dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, pranë shoqërisë TAP AG.
7. Çdo pronar, për t’u likuiduar për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, të dorëzojë pranë shoqërisë TAP AG, dega Shqipëri, dokumentacionin e plotë të pronësisë, vërtetimin bankar lidhur me numrin e llogarisë dhe IBAN-in, si dhe kopjen e kartës së identitetit, të shoqëruar me një kërkesë.
8. Çdo përdorues të likuidohet, për efekt të kompensimit të kulturave për shumat përkatëse, të pasqyruara në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në bazë të kopjes së dokumentit të identifikimit, vërtetimit bankar lidhur me numrin e llogarisë dhe IBAN-in, si dhe certifikatës familjare që do të dorëzojë pranë shoqërisë TAP AG.
9. Shoqëria TAP AG të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të bazë të pikave 6, 7 dhe 8, të këtij vendimi.
10. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë sipas listave që i bashkëlidhen këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.
11. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga shoqëria TAP AG.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.           

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI 


Corovoda Online