• ---
  • ISLANDË, SËRISHT NË FOKUS TË MEDIAVE KLEVIS SULA
  • NJË TUBIM LUTJEJE PËR 20 VJEÇARIN NGA SKRAPARI DO TË MBAHET NË REJKJAVIK
  • QINDRA ISLANDEZË JANË NJOFTUAR PËR NJË EVENT NË FACEBOOK PËR DATËN 17 DHJETOR 2017
  • SIPAS NJË POSTIMI NË FACEBOOK, DO TË NDIZEN QIRINJ E KRYHEN LUTJE PRANË VENDIT KU NDODHI NGJARJA
  • TRUPI I PAJETË I KLEVIS SULA, 20 VJEÇARI NGA SKRAPARI PRITET TË VIJ NË FUNDJAVË
  • CEREMONIA MORTORE DO TË MBAHET NË ÇOROVODË KU PREJ DITËSH FAMILJA KA HAPUR DYERT E MORTIT
  • 20 VJEÇARI NGA SKRAPARI U QËLLUA DISA HERË ME THIKË NË MENGJESIN E 3 DHJETORIT, NË REJKJAVIK - ISLANDË

Koordinata X: Viti 1961 - Kapiteni i anijes "Vlora" ishte nga Korita e Skraparit. Njihemi me Qemal Hate

Në qershor 1961, shteti shqipëtar bleu anijen transoqeanike që u pagëzua me emrin "Vlora". Dy muaj më vonë, në gusht 1961 në krye të saj, si kapiten i anijes që përshkonte oqeane do vendosej Qemal Hate. Për 17 vjet në drejtimin e saj, mes aventurave e rreziqeve "Vlora" që mbahet mend për "eksodin masiv të shqipëtareve drejt brigjeve italiane" mes dallgësh historia mbart edhe një krenari më shumë skraparase. Shkrimi më poshtë është i shkruar Demir Koritadhe vjen i ridimensionuar në versionin online për blogun tonë.

Por kush ishte djaloshi nga Korita e Skraparit, kapiteni i një prej anijeve të historisë së Shqipërisë?
Qemal Hatja u lind në Koritë të Skraparit në një familje të njohur e me tradita. Në moshën 15 vjeç u hodh në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në batalionin partizan “Riza Cerova”. Luftoi përkrah shokëve në Skrapar, mori pjesë në luftimet për çlirimin e Beratit dhe të Kuçovës. Në tetor të vitit 1944 rreshtohet në Brigadën e 11 Sulmuese, ku merr pjesë në luftimet e Durrësit, Shijakut dhe çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit, vitin 1945 u vendos në Gjirokastër për ruajtjen e rendit dhe të kufirit shtetëror.
Nga Toka në Det.
Duke shkuar me lejë në fshat, takohet me Hysni Kapon, që në atë kohë ishte komisar i Korparmatës së Parë Sulmuese. Hysniu i thotë se do ta dërgonin në shkollë detare, por Qemali i ishte përgjigjur se ai ishte mësuar me male dhe ata i njihte me rrënjë, ndaj do të qe mirë që në këto punë të shkonin ata që e kishin traditë detin, djem të Durrësit e të Vlorës. Megjithatë ai e pranoi propozimin. Në vitin 1947 mbaron shkollën “Skënderbej”. Prej andej shkon në shkollën e marinës luftarake në Divulje të Splitit (Kroaci), ku kryen vetëm një vit shkollë, pasi u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos. Prej këtej shkon në Akademinë e Marinës “S.M. Kirov” në Baku të Azerbaxhanit, ku mbaron studimet me rezultate të shkëlqyera. Me kthimin në atdhe, fillon të punojë në njësinë luftarake detare të Durrësit, pastaj në Sazan me detyrën komandant i grupit të gjuajtësve. Në këtë kohë në histotinë e Marinës Luftarake Detare shënohet një ngjarje, ku Qemali luajti rolin kryesor. Një nëndetëse e huaj që hyri në ujërat tona u rrethua, por më pas me urdhër nga lart u la e lirë. Sidoqoftë detyra u krye me sukses. Duke parë aftësitë profesionale, në vitin 1959, ai dërgohet përsëri me studime po për detari, këtë radhë në Akademinë e Lartë Detare të Shtabeve në Leningrad (Sot San Petërburg) të Bashkimit Sovjetik. Edhe këtu Qemali dallohet për përpjekjet që bën për të përvetësuar artin detar të lundrimit dhe të drejtimit.
Provokimi
Siç dihet, në vitet ‘60 marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik ishin acaruar shumë. Studentët që studionin atje përballeshin me provokime të shumta, por ata u qëndronin me burrëri këtyre provokimeve dhe, kur ishte rasti, me harbutin, tregoheshin harbut e gjysmë. Kështu në një rast, në natën e Vitit të Ri të vitit 1960, kur një grup studentësh shqiptarë, ku ishte dhe Qemali, po festonin në qejfin e tyre, në dhomë, pa pritur hyn një admiral dhe dy oficerë të tjerë të lartë sovjetikë. Sa hyri gjenerali filloi të hidhte çikë për sherr. Çdo të bëni ju pa ne, thoshte ai, do vini nga do vini, te ne do ta mbështesni kokën, ndryshe…”. Po Qemali nuk e la të vazhdonte. “Sot jemi në qejfin tonë, siç e shihni, edhe ju, bëni mirë të ikni e festoni Vitin e Ri se u pret familja. Pa për të tjerat, një fjala jonë e urtë thotë: “Mos i qani hallin kalorësit, se i varen këmbët”. Jasno, admiral! Mos na prishni shijen e darkës”. Pas kësaj, admirali dhe dy shoqëruesit ikën bishtlagur.
Në krye të transoqeanikut "Vlora"
Në gusht të vitit 1961, Qemali, që tani mban gradën e kolonelit, ngarkohet me detyrën e kapitenit të transoqeanikut “Vlora”, që u ble në qershor të atij viti. Si kapiten i këtij vapori, ai punoi për 17 vjet rresht, duke kryer udhëtimet më të gjata dhe më të rëndësishme, kryesisht Shqipëri-Kinë, duke kaluar në disa dete dhe oqeane, në kushte normale, por në të shumtën e rasteve shumë të vështira dhe të rrezikshme nga musonet e Oqeanit Indian dhe tajfundet e Detit të Kinës. Disa herë, falë aftësive të tij, transoqeaniku “Vlora” ka shpëtuar nga katastrofat detare, të cilat tani njihen dhe janë regjistruar në historinë tonë të lundrimit. Po kështu, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1963, ai çoi me vapor në Kinë delegacionin qeveritar shqiptar të kryesuar nga Hysni Kapo dhe Ramiz Alia.
Lundrimi më i vështirë
Lundrimi më i bujshëm dhe më i vështirë dhe që u quajt legjendë, është ai i vitit 1967, që vetëm një njeri si Qemali do t’ia dilte. “Vlora” udhëtoi drejt jugut të Afrikës, duke kaluar nëpër Oqeanin Atlantik. Këtë rrugë nëpër tre kontinente, tre dete dhe dy oqeane “Vlora” e përshkoi për 7 vjet me radhë, pas bllokimit të Kanalit të Suezit nga minimi izraelit. Mbërritja e ekuipazhit, pas udhëtimit të parë u festua madhërishëm në atë kohë në Durrës. Marinarët u pritën si heronj. Kur iu akordua titulli i lartë Hero i Punës Socialiste, ai ishte në lundrim në Oqeanin Indian. Aty mori vesh edhe lajmin dhe vajti e puthi flamurin. Gazeta “Zëri i Popullit” e titullonte kështu shkrimin për Qemalin atë ditë: “Një skraparlli na përshëndet nga Oqeani Indian”
Hero deri në fund
Pas një jete të gjatë në det dhe heroizma të shumta, në vitin 1976, Qemali vendoset në detyrën e presidentit të kompanisë aksionere C.H.AL -ship, më pas si kapiten i Përgjithshëm i Porteve Shqiptare dhe për disa vjet, deri sa doli në pension, drejtor i Flotës Tregtare Detare Shqiptare. Edhe pse doli në pension, ai interesohej për flotën, kapitenët, marinarët, detarët, me të cilët kishte lidhur jetën. Edhe ata e donin dhe vinin e këshilloheshin sa herë u dilnin vështirësi. Atij i dhimbsej çdo gjë, por dhimbjen më të madhe e provoi kur “Vlora” e tij e dashur ra në duar të njerëzve të papërgjegjshëm. Veprimtaria e tij është vlerësuar, veç Hero i Punës Socialiste, ai mbante edhe shumë urdhra dhe medalje si të Trimërisë, Ylli i Kuq, Urdhri i Skënderbeut, Urdhri Punës i Klasit të Parë, por mbi të gjitha, ai kishte medaljen e respektit e të dashurisë së detarëve dhe të të gjithë popullit durrsak që e kujton dhe e nderon edhe sot.
"Vdiq Plaku i Detit"
Kur u nda nga jeta një prej legjendave detare, Heroi i Punës Socialiste, Qemal Hate, shtypi i kohës, edhe pse pak indiferent e dyshues për disa nga figurat e së kaluarës, doli me epitete e cilësime të tilla: “Kolombi shqiptar”,“Vdiq Plaku i Detit”, duke e krahasuar atë me heroin e Hemingueit, “Kapiten Hatja, shqiptari që kaloi jetën më shumë në det, se sa në tokë”, “Respekt për kapitenin e fundit”… etj. Këto vlerësime tregojnë gjurmët që ka lënë ky bir i shquar i Skraparit në qytetin bregdetar të Durrësit dhe më gjerë.
Anija "Vlora" - Klandestinia më e embël
Kjo anije, moderne për kohën dhe krenari e flotës tregtare shqiptare, kishte një kapacitet mbartës deri në 12 700 tonë. Anija ishte një prodhim italian i vitit 1961. Në kohën që u prodhua ishte një ndër anijet më moderne dhe më luksoze në rajon. Të gjithë marinarët e huaj që hipnin në këtë anije habiteshin me komoditetin e saj. Për vetë lëvizjet e kryera, për detyrat e realizuara kjo anije mori titullin “Heroinë e Punës Socialiste”. Dhe në atë sistem ky titull ishte një vlerësim i madh. Pak anije apo njerëz e merrnin këtë titull. Lëvizjet bëheshin për në Kinë dhe në vendet ish-komuniste aziatike si Vietnami, Koreja etj…Në Europë ishin kryesisht Polonia, por edhe Franca dhe Italia. Në vitin 1963 kjo anije ka çuar në Kinë, Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë, të cilët kanë ndenjur 6 muaj në det. Kjo anije legjendë iku me eksodin dhe s’dihet ku ka përfunduar. Me siguri për skrap, në një kohë që sot ajo mund të lundronte. Jo u quajt nga emigrantët e eksodit të viteve ’90, “anija e ëmbël”. Zhdukja e saj, zhduku edhe historinë që mbante mbi vete. Sot detarët e vjetër janë harruar, mungon një muze për detin dhe njerëzit e tij heronj të vërtetë. Jemi i vetmi vend në glob që qyteti me port ndër më të vjetrit në botë, nuk ka një muze deti.
Një shkrim nga Demir Korita / versioni online nga Zylyftar Hoxha / Fatjon Kaloci

Autentik!

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

PËR KONTAKT - EMAIL: corovodaonline@post.com

Mbështetje

ALSSH SKRAPAR - Kjo faqe mbështetet nga Agjensia Lokale e Sigurimeve Shoqërore Skrapar.

skrapari në fletë

Reklama Online

loading...

skrapari në fletë

NAVIGON

www.bashkiaskrapar.gov.al www.albrafting.com www.visitskrapar.com

HAPËSIRË PËR REKLAMA APO NJOFTIMET TUAJA