97 Vite më Parë - Në Prishtë, Skrapar mbahet Kongresi i parë bektashi në Shqipëri / VIDEO / **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

97 Vite më Parë - Në Prishtë, Skrapar mbahet Kongresi i parë bektashi në Shqipëri / VIDEO /

Fatjon Kaloci
20.1.18
Për tre ditë, nga 14 janari i 1921 në Prishtë, Skrapar u mbajt Kongresi i Parë Bektashi në Shqipëri. Ky kongres për nga rëndësia ishte i nevojshëm për kohën dhe besimin, ndërsa prej tij u nda përfundimisht duke fituar autonomi bektashizmi shqiptar nga ai turk. Prej këtej deri në vjeshtën e 1925 të gjithë dervishët turq u dëbuan nga vendi ku tashmë do të flitej shqip. Deri në mes vitet 1940' do të numëroheshin rreth 280 baba dhe dervish në Shqipëri, nën të njëjtin përkushtim: bektashizmës.
Corovoda Online në këtë ndalesë risjell tek ndjekësit disa nga elementët më të rëndësishëm kur këto ditë përkojnë me 97 vite nga Kongresi i Parë Bektashi që u mbajt në Prishtë, Skrapar.
Kongresi u mbajt mes datave 14 - 17 janar 1921 dhe në të morën pjesë delegatë nga e gjithë Shqipëria. Qeveria u përfaqësua nga patrioti Feim Zavalani. Në punimet 3 ditore Kongresi miratoi statutin e quajtur ndryshe si " Lidhja Bektashiane" me 28 nene ku në nenin 8 shprehej Pavarësia e Bektashizmës Shqipëtare. Statuti bektashi pati rëndësinë jo vetëm për bektashizmën Shqipëtare por edhe për besimet e tjera për krijimet e statuteve të tyre.
Teqeja e Prishtës është ndërtuar në vitin 1819 në vendin e quajtur dikur Kisha. Dhe në fakt kur është ndërtuar teqeja janë gjetur themelet e kishës.

Deri në mesin e shekullit të 19-të (1850) prishtallinjtë kanë qenë myslimanë të sektit helveti me përfaqësuesin më në zë, Malko Shehun e Lazellarëve, një lagje e njohur në Prishtë. Pas kësaj kohe hyri sekti bektashi i inkurajuar dhe nxitur nga rilindësit. Përfaqësuesi i parë i bektashinjve të Prishtës ka qenë Baba Tahiri nga fisi i Kotobellëve, i cili themeloi edhe teqenë e parë në një vend tjetër dhe jo atje ku është sot teqeja.

Lufta për dominim të dy sekteve fetare solli mosmarrëveshje jo të vogël në fshat, pasi fshatarët u ndanë sipas fiseve duke përkrahur njërën apo tjetrën palë.

Natyrisht sekti helveti, radikal, që kishte dominuar deri në atë kohë, ishte i destinuar të ulte armët e të dorëzohej para reformave të reja të bektashinjve që ishin më të pranueshme, më liberale, më të zbatueshme, por edhe sepse ato në thelb e shtronin më mirë dhe më drejtë çështjen kombëtare.

Ndërsa helvetinjët ishin më fanatikë dhe veç pushtetit ushtarako-fetar turk nuk kishin ide tjetër. Ka pasur edhe një ngjarje tjetër që e detyroi Malko Shehun që, veç fshatit, të bëhej edhe vetë bektashi.

Në kulmin e konfliktit në Prishtë ra një breshër shumë i madh që s’mbahej mend të kish rënë ndonjë herë dhe që prishi gjithçka. U hap fjala se këtë breshër e solli baba Tahiri për të treguar forcën e tij dhe të frymëzuesit shpirtëror të bektashinjve, Haxhi Bektash Veliu për të pabindurit.


Pas kësaj doli edhe kënga që këndohet edhe sot, pas gati 160 vjetësh:

Prishtë e mjerë, moj Prishtë e mjerë,
         Shkëmbinj e kërcunj për derë,
Baba Tahiri u thye nga Tomorri,
Një re të bardhë nxori
Baba Tahirit
që i bie nefirit
Mos dëgjoni Malko Shehnë,
Po besoni Tahir Dedenë...

...

Në vitin 1914 Teqeja e Prishtës u plaçkit keqas dhe u dogj, fakt që e bën të ditur shkrimi i më poshtëm botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë”, me drejtor Kristo Luarasi, që botohej në Sofje.

Gazeta mban datën 27 mars (9 prill) 1915. Kronika është shkruar nga Dervish Aliu që shërbente në këtë teqe. Ja ç’thotë ai ndër të tjera:

Prishta është një nga fshatrat e Malësisë së Skraparit, ku 60 vjet e po tëhu gjendet Shtëpi Zoti (teqe) pan-bektashiane, në të cilën gjer njëdizanj jetonin afro 30 veta varfë, nën udhërrëfenjësin e shkëlqesisë At Çoban Buzit. Atje ndodhem edhe unë me titullin varfë, si shërbëtor i udhërrëfenjësit tim. Këtë shtëpi të madhe hijerore që po rrëfenj e ka djegur njëherë më parë qeveria turke dhe prap u ndërtua, por mjerisht vandalët e Kostës, këlyshët e bushtrës Greqi, duke parë që kjo Shtëpi Zoti epte dritën e zgjimit te populli i paditur shqipëtar, si në të gjithë fshatrat edhe në Prishtë, u derdhë me egërsi: vranë, prenë, plaçkuan Teqenë edhe shtëpitë e fshatit dhe iknë praptazi, ku muarën tok varfë e fshatarë si robër. Në shtëpinë e Zotit pyetnë: ”Ku është at Çobani që do shumë Shqipërinë, duke mbajtur me të ngrënë e me të pirë ata që shpëtojnë nga thonjtë tanë? Ku është varf Abas Mërtinji e varf Ali Tepelena që tërbuan botën me ca paçavure të shtypit shqip? Ah, t’i kishim gjetur, cop i kishim për të bërë! Ah, për fat të keq!
Si s’i gjetnë dot, u derdhë në qilar të begatshme, muarën ç’u donte barku për të ngrënë e s’lanë gjë prej gjëje; pasandaj vanë në dhomat e Udhërrëfenjësit, në të varfëvet, në gjelltore, në bukaroren, në kafet, në sallë të miqet edhe në të gjitha dhomat ku i muarrë të gjithë shtesat e vlyera.
Ç’ t’u them, o këndonjës! Ç’t’u shkruaj, vetëm të katër muret lanë në çdo dhomë që hynë! Si duket këta shpirtkazëm qënkan nga ajo farë e vandalëvet edhe e mongolëve barbarë! Neve s’duam të dimë, ësht’ Shtëpij’ e Zotit jonë, ësht’ e begatshme, do të vihen në vënt përsëri të gjitha ato sendet e rrëbyera, por emri i rrëmbenjësve të ushtrisë së Greqisë do të jetë përherë e qërtuar ndë historit! Sa për kallanjxhinjtë këpucgrisur, që mbenë të hidhëruar që s’gjetnë dot varf Alinë ta coptonin, guxoj t’u përgjigjem kësisoj: Me varf Alinë, or qirikallanjxhinj, do të hasi këto ditë në Përmet, i cili në vënt të ligësivet që i bëtë, do të marrë shpagë duke bërë mirësi e duke hedhur shkëndiat e dritës’ së bashkimit dhe vëllazërisë në trutë tuaj të ndryshkura”!!!

Teqeja e re u ndërtua në vitin 1919. Në vitin 1922 në Teqenë e Prishtës ka ardhur Baba Kamberi nga Pagria e Përmetit. Baba Kamberi ishte një njeri i zgjuar dhe inteligjent. Ai erdhi në Prishtë që nga SHBA. Duke ecur në gjurmët e paraardhësve, ai u kujdes për forcimin e pronës së teqesë.

©Corovoda Online / Fatjon Kaloci / Zylyftar Hoxha
VIDEO