Në 17 mars 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit u krijua Brigada e VII-të Sulmuese. Formacioni i rëndësishëm luftarak do të kishte si komandant Gjin Marku ndërsa komisarët politikë të Brigadës së VII-të Sulmuese do të ishin Kadri Hoxha dhe Adil Çarçani. Arsyeja se përse kjo brigadë do të formohej pikërisht në Vlushë lidhej me faktin se kjo zonë ishte përfshirë në një dhimbje të madhe pasi në janarin e 1944 pra vetëm dy muaj më përpapa krijimit, nazistët gjermanë vranë 114 skraparllinj, duke përfshirë edhe ata të fshatrave Krushovë, Kapinovë e Turbehovë. Vlusha do të ishte simbolika e qëndrueshmërisë dhe e ringritjes. Në rreshtat e brigadës u rreshtuan partizanë me eksperiencë në luftë të batalioneve të qarkut të Beratit, të Grupit të Skraparit, të batalionit të rinisë “Margarita Tutulani” etj. Për themelimin e Brigadës puna për organizimin e saj u nis paraprakisht që nga momenti që Gjin Marku me marrjen e urdhrit për ngritjen e Brigadës si komandant i saj së bashku me Myqerem Fugën bënë planin e organizimit në shtëpinë e Kahreman Yllit. Në bazë të planit organizativ u formua Batalioni i Parë që kishte në përbërje kryesisht partizanë të Qarkut të Beratit si dhe një nga kompanitë e këtij batalioni vinte nga Devolli. Batalioni i Dytë kryesisht përbëhej me partizanë të grupit të Skraparit, ndërsa Batalioni i Tretë u formua nga partizanë të Qarkut të Gjirokastrës. Ceremonia e themelimit të Brigadës së VII-të u zhvillua më 17 mars 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit, ku luftëtarët thërrisnin thirrjen "Vlusha Vlon, Vlusha Sulmon" që u bë motiv i pjesëtarëve të kësaj brigade. Brigada arriti të kishte në gjirin e saj 2229 partizanë. Nga kjo brigadë mbetën dëshmorë 302 bij e bija, ndërsa 142 partizanë të tjerë mbetën të plagosur. Luftimet e kësaj brigade shkuan deri në Vishegrad.
Më poshtë @corovodaonline ripublikon disa imazhe arkiv që i përkasin vitit 1964 nga pervjetori i njëzetë i themelimit të Brigadës së Shtatë Sulmuese.