Ylli: "Sportin do ta ringjallin vetem ata qe e duan Sportin. **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Ylli: "Sportin do ta ringjallin vetem ata qe e duan Sportin.

Fatjon Kaloci
10.11.12
E perditshmja sportive Sport Ekspres me heret gjate mesjaves publikoi te plote nje interviste me deputetin e Qarkut Berat Fidel Ylli. Nen kortezi per Sport Ekspres , Corovoda On Line ripropozon kete material ne vijim.
Në këto 22 vjet, përfshi edhe 8 vitet e qeverisjes nga socialistët e mi, nuk është bërë asgjë për këtë sport…”,- thekson ndër të tjera, Fidel Ylli, një emër që ka dalë nga sporti dhe që hallet e këtij fakir sporti ia ka përcjellë direkt dhe LIVE ministrave, duke zbardhur mistere të errëta të një maskarade në kurriz të lëvizjes sportive.
- Aktualisht që po flasim, në çfarë situate gjendet sporti? Sipas jush, ka faturë politike, apo është një braktisje prej vitesh si pasojë e mungesës së vullnetit?
- Aktualisht sporti është në ditët e tij më të errëta dhe për këtë situatë, padyshim që politika, por veçanërisht politika aktuale e kësaj qeverie, kanë faturën më të rëndë. Pasi ky shtet dhe kjo qeveri kërkon të uzurpojë çdo institucion sportiv, nga shoqatat e federatat sportive, deri në kupolën sportive, Komitetin Olimpik. Kjo qeveri dhe kjo MTKRS në këto vite kanë futur vetëm frymën e përçarjes në lëvizjen sportive, duke i ndarë njerëzit e sportit në të majtë dhe të djathtë, duke nxitur luftën e klasave ndërmjet shokësh e miqsh, ata që kanë derdhur mund, djersë dhe gjak për vendin dhe flamurin kombëtar. Asnjë qeveri në këto 22 vjet “Demokraci” nuk ka pasur në vëmendje dhe prioritet sportin. Me ardhjen e PS-së në pushtet në vitin 2013, ne do ta ndryshojmë këtë situatë dhe me programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” do të kërkojmë edhe Rilindjen e Sportit.
- Cilat kanë qenë lëvizjet më të fundit tuaja në lidhje me apsektin ligjor për sportin? A ka nevojë, sipas jush, të ndryshojë sërish “Ligji për Sportin”? Nëse po, ku, në çfarë pikash?
- Ka një Komision PS dhe një grup ekspertësh që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për të perfeksionuar një draft-program për rilindjen e sportit. Një nga studiot më prestigjioze të avokatisë po jep një kontribut shumë të rëndësishëm për pjesën ligjore të këtij draft-programi, që po bën rishikimin e “Ligjit për Sportin”, që në frymën e tij që nga përbërja e këshillit të lartë të sportit, i cili sot është i mbushur me zv/ministra, të të gjitha ministrive, të cilët nuk kanë pikën e ndjesisë për sportin, tek privatizimet e klubeve të shumësportëshit, të klubeve të futbollit, tek pavarësia e federatave, shoqatave dhe KOKSH, për dopingun që në këto vite është kthyer në një gangrenë për imazhin e vendit tonë, për një paketë ligjore për sportistët elitarë që garojnë me dinjitet për vendin e tyre, për orët e mësimit nëpër shkolla, për klasat sportive, futjen në efiçencë të terreneve sportive, të ndërtimit të impianteve të reja, që janë detyrë kryesore e shtetit. Për kualifikimin e kuadrove të fizkulturës, për punësimin e të gjithë atyre kuadrove që mbarojnë Universitetin e Sporteve, të cilët aktualisht marrin rrugët e emigrimit ose kthehen në klientë apo kamerierë lokalesh, duke e ndjerë veten të braktisur nga ky shtet, nga kjo qeveri. Do të shikojmë me shumë kujdes pjesën e harruar të shoqërisë, të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, në mënyrë që të arrijmë t’i integrojmë edhe ata në shoqëri nëpërmjet sportit dhe mbi të gjitha, në ndryshimin e jetës së tyre. Me këtë ne do të bëjmë ndryshime thelbësore ligjore, të cilat falë programit tonë do të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë imazhin dhe realitetin e sportit në Shqipëri.
- Përtej politikës, çfarë vullneti konstatoni në kampin tuaj të djathtë në lidhje me sportin? Dhe a ka një dëshirë të fshehur të deputetëve për të bërë diçka më shumë?
- Duhet të ndërhyhet urgjentisht, se sporti po vdes nga stresi dhe dhimbjet që i shkaktohen çdo ditë. Në këto 22 vjet, përfshi edhe 8 vitet e qeverisjes nga socialistët e mi, nuk është bërë asgjë për këtë sport. Ju e di shumë mirë që unë gjithnjë kam qenë kritik në deklarimet e mia për situatën e sportit, për njerëzit që e drejtojnë këtë sport. Ndaj sot i kam kërkuar me forcë Partisë Sopcialiste që sporti të kthehet në prioritet dhe kam gjetur mbështetjen jo vetëm të kryetarit Edi Rama, por edhe të të gjithë grupit parlamentar, për të hartuar e mbështetur një program për një Rilindje të sportit shqiptar. Dhe këtë draft, ne e kemi bërë prezent në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet tryezave të hapura me praninë e të gjithë grupeve të interesit. Dhe mua i gjithë ky rrugëtim në Shqipëri, më ka dhënë më shumë besim, se me ardhjen në pushtet të PS në 2013 ne do ta vëmë në lëvizje këtë makineri të rëndë, për të kontribuuar që shqiptarët kudo që janë, të mbushin stadiumet, pallatet e sportit, palestrat e ambientet sportive, për të ndërruar cilësinë e jetës së tyre dhe të fëmijëve të tyre, për imazhin e vendit dhe flamurit tonë kombëtar. Të gjithë jemi të bindur dhe këtë ëndërr do ta bëjmë realitet.
- Mendoni se me ardhjen e krahut tjetër politik në pushtet, sporti duhet të përfaqësohet në Qeveri me një Ministri? Mendoni se duhet të ndryshojë niveli i përfaqësimit?
- Sikur të ishte që sporti të përfaqësohej me Ministrinë e vet, kjo do të ishte ideale, por kjo nuk varet nga ardhja e PS-së në pushtet. Por unë mendoj se e keqja sportit nuk i ka ardhur nga mungesa e një ministrie të pavarur, pasi në të gjithë Europën e Bashkuar vetëm Franca e ka sportin në ministri të veçantë, të gjitha shtetet e tjera e kanë të bashkëngjitur si ne. Thelbësore që gjërat të ndryshojnë në lëvizjen fizkulturore sportive është që të merret një vendim i rëndësishëm politk, siç e ka bërë aktuakisht PS, duke e bërë prioritet sportin në qeverisjen tonë. Mbi të gjitha tek fryma e bashkëpunimit dhe tolerancës që ne njerëzit e sportit të jemi bashkë, për veten tonë, për mundin dhe djersën që kanë derdhur për sportin dhe këto ligje apo vendime duhet t’i rezistojnë kohës, t’i bëjnë ballë çdo qeverie, duke ngritur zërin që sporti të zërë vendin që i takon në shoqërinë shqiptare.
- Zoti Ylli, MTKRS në çfarë niveli e ka zbritur buxhetin e sportit? Shifrat, nëse i dispononi, si kanë qenë, të paktën në këto vitet e fundit?
- MTKRS, ka 4 vjet që buxhetet e sportit i ka në ulje në masën 20-30%. Për sportin, në vitin e fundit janë akorduar 234 milionë lekë të reja, që janë përafërsisht 2 milionë dollarë, për të gjitha federatat, në formën e GRANT-it, ku përfshihen rroga sekretarësh, siguracione për administratën, qera të ndryshme, ujë, drita, aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Çfarë mund të bëjë një federatë me një GRANT që ndahet nga shteti në 25 Federata? Asgjë. Ne bëjmë sikur bëjmë sport elitar dhe qeveria bën sikur na paguan. Në vitin që jemi, Federata Greke e Peshëngritjes e ka buxhetin e saj 2 milionë euro, me krizën që ka pllakosur atë vend. E imagjinoni sa mund ta ketë patur më parë? Si mund të kërkojmë ne kampionë Europe apo Bote, apo Medalje Olimpike, kur nuk kemi buxhete, nuk ka trajtime, kualifikime, pa mjekësi sportive, kushte stërvitore, pa vëmendjen e MTKRS? Imagjinoni, kjo qeveri akordon 34 milionë lekë të vjetra për Olimpiadën e Londrës për sportistët që do të përfaqësonin Shqipërinë në këtë aktivitet botëror dhe këto para lëvrohen në 20 gusht, kur i gjithë aktiviteti kishte përfunduar në 8 gusht. E kuptoni këtë paradoks se në çfarë situate dramatike ndodhet sporti sot?
- Pse e kontestoni sistemin e çrregulluar të Federatave sportive dhe përfaqësuesve të tyre, duke qenë se është moda për të bërë shumë palë zgjedhje?
- Do kontestoj gjithçka që është bërë dhe vazhdon të bëhet gabim. Sistemi sportiv është totalisht i prishur dhe i çorganizuar, që në themel, te klubet, shoqatat dhe federatat, pasi këto federata e kanë pavarësinë me ligj, këta duan që sekretarin ta vendosë ministria dhe të drejtën për të votuar në asamble e ka kryetari i bashkisë. Çfarë pavarësie është kjo, kur kryetari i Bashkisë i paaftë, socialist apo democrat, i jep urdhër inspektorit apo shefit të klubit të vet të votojë për atë, apo këtë kandidat, që anon nga PS, apo nga PD, por që nuk i përshtatet dhe u shërben komunitetit sportiv? Kjo është pavarësia e Federatave? Gënjen ministri dhe ata gënjejnë veten me këto forma manaxhimi. Bashkitë dhe komunat në bashkëpunim me MTKRS nuk duhet ta ndrydhin dhe dhunojnë sportin, duke e parë si lopë që vetëm duan ta mjelin, t’i marrin frutet, imazhin e mirë dhe pastaj ta flakin siç e kanë flakur në këto 22 vjet, të majtë e të djathtë.
- Si njeri që keni kontribuuar shumë në KOKSH, a mendoni se është normale që KOKSH të qëndrojë pa president prej më shumë se një viti, të komandojë vetë presidentin (pa e patur në asnjë cep të statutit), dhe ende të mos shpallë datë zgjedhjesh?
- KOKSH është një institucion i pavarur nga shteti, një OJQ që vetëm subvencionohet me gjashtë rroga në formë granti, e që kjo MTKRS tre nga këto rroga ia ka kaluar një sektori të kulturës, brenda ministrisë. Gjithashtu nuk është normale që ky institucion prestigjioz i lëvizjes sportive shqiptare të jetë pa president. Mendoj se përveç bordit drejtues ata kanë detyrim në bazë të Kartës Olimpike që për organizimin e zgjedhjeve të kenë aprovimin e CIO-s, ku me sa jam i informuar në rrugë zyrtare, CIO, i ka dhënë mandat deri në organizimin e zgjedhjeve të reja zëvendëspresidentes Ela Tase dhe puna aty po vazhdon normalisht dhe do të organizohen zgjedhjet e reja, të cilat në bazë të Statusit të KOKSH dhe Kartës Olimpike nuk ka të bëjë me zgjedhjen e federatave sportive.
- A mendon deputeti Ylli që nuk ka më peshë dhe rol Komiteti Olimpik në Shqipëri?
- Nuk e mendoj kurrë që KOKSH nuk ka më peshë në lëvizjen sportive. KOKSH është një institucion i rëndësishëm në lëvizjen fiskulturore sportive të një vendi, pavarësisht situatës që jemi sot. Pasi kjo qeveri pasi dhunoi dhe uzurpoi të gjitha federatat e shoqatat me presione nga më të ndryshmet, tani do të uzurpojë edhe KOKSH. Çfarë duhet të bëjë KOKSH në këto kushte, kur ky institucion nga shteti shihet si një institucion jo i veti? KOKSH-in nuk duhet ta dhunojmë më siç e kemi dhunuar, duke i thyer kutitë, duke i bërë presion federatave për të votuar kandidatin që do ministria ose partia në pushtet, duke i prerë buxhetet, rrogat, etj. KOKSH është kupola sportive dhe ne duhet t’ia heqim zgjedhën që i kemi vënë, që të vetorganizohet dhe të marrë përsipër siç i takon këtë “qerre” të rëndë siç është lëvizja fiskutulturore sportive shqiptare.
- Cilat janë nismat ligjore që do te ndërmerrni ju, ose cilat janë hapat më emergjente për të nisur një rimëkëmbje që kërkon kohë dhe vullnet?
- Nismat ligjore do të jenë ndryshimi në tërësi i “Ligjit të Sportit”, fryma e këtij ligji, vendime qeverie me ministrin e Arsimit për orët e mësimit, klasat sportive, punësimin e mbi 1200 mësuesve të edukimit fizik nëpër shkolla. Bashkëpunimi me Ministrinë e Financave për disa ndryshime në taksa e tatime, për ata që kontribuojnë e ndihmojnë sportin dhe investojnë për të. Për shtesa në buxhet nga Lotaria Kombëtare, që një pjesë e saj t’i shkojë sportit, ashtu sikundër edhe prej kompanive të basteve, si edhe të ardhura të tjera nga aktivitetet sportive. Bashkëpunimi me të gjitha ministritë e tjera që kanë lidhje me sportin, si ajo e Arsimit, e Shëndetësisë, e Mbrojtjes, si edhe ajo e brendshme. Bashkëpunimi me pushtetin lokal, komunat e bashkitë. Ku çdo gjë do të jetë e mirorganizuar dhe jo vetëm si një dëshirë e ministrit, kryetarit të bashkisë apo ndonjë funksionari tjetër shtetëror. Tek ne do të mbizotërojë fryma e ligjit dhe e zbatimit të tij.
- Mund të themi që me ardhjen e së majtës në pushtet, Ylli do të jetë ministri i parë i ministrisë së vetme të sporteve në të gjitha kohërat në Shqipëri?
- Faktit nëse do jem unë, apo jo, personalisht për mua nuk përbën asnjë problem. Unë jam një deputet i PS që bëj me përkushtim punën time në zonën ku jam zgjedhur, atje në Skraparin e largët, një zonë e harruar krejtësisht nga ky shtet, ashtu siç është harruar edhe sporti. Unë aktualisht po drejtoj një nga 21 komisionet e PS për rilindjen e Shqipërisë dhe është pikërisht Komisioni i Sportit. Ky komision është i përbërë nga deputetë socialistë, por mbi të gjitha nga shumë personalitetet dhe specialistët e shquar të sportit shqiptar ndër vite, të cilët po bëjnë prezent në të gjithë Shqipërinë një draft shumë të mirë, i cili së bashku me të gjitha vërejtjet dhe sygjerimet e kuadrove sportive në vend, do të përbëje themelet e një strategjie frytdhënëse për sportin shqiptar, me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet. Pastaj se çfarë vendos partia nuk është detyra ime.
- Ndjeni keqardhje për largimin e dy klubeve si Partizani e Dinamo, por edhe Tirana që mbetet ende në vorbullën bashkiake?
- E kam ngritur disa herë në Komision dhe në Parlament prolemin e Partizanit, Dinamos dhe Tiranës. Kjo që po ndodh me këto klube është e qëllimshme nga qeveria, që për disa interesa të ngushta familjare apo biznesi, shkatërron historinë e sportit shqiptar. Shkatërruan terrenet, për t’i kthyer në pallate, për interesa të tyre. U ndërrua ligji në Parlament në mes të natës që të përfitonin familjarët e tyre. Ky është skandal! Ku janë njerëzit e sportit? Pse heshtin? Pse janë tulatur? Pse kanë frikë? Këtë punë unë nuk e bëj dot vetëm, duhen shokë, miq, njerëz me integritet dhe dinjitet, e jo me kulisa që fusin kokën poshtë tavolinës dhe presin të nxjerrin gështenjën nga zjarri me duart e të tjerëve. Ne do ndryshojmë këtë realitet dhe do t’i çojmë para drejtësisë ata që shkatërruan dhe po shkatërrojnë sportin shqiptar.
- Mendoni se klubet e futbollit duhet të kalojnë nga duart e Bashkisë në ato të sipërmarrësit privat dhe të mos mbahen nga kryetarët e bashkive?
- Kjo është gjëja kryesore që ne do të bëjmë, që klubet dhe shoqatat të kenë statusin e tyre siç e kanë në të gjithë botën. Të jenë “sh.a” me qëllim fitimi dhe të vetorganizohen. Ç’punë kanë kryetarët e Bashkive me klubet e futbollit? Ju mendoni se i duan? Jo, ua them unë që asnjëri nuk do ta ketë në kurriz futbollin, po e kanë nga halli se nuk i merr njeri për t’i blerë. Ky është ai sistem që është i kalbur. Prandaj po tërhiqen zvarrë duke gënjyer veten se po bëjnë sport, ndërkohë që futbolli çdo javë prodhon vetëm dhunë. Dhe përsëri është shteti përgjegjës, pasi mjafton të ndërhyjë në Kodin Penal, të bashkëpunojë më shumë me Federatën, për të parandaluar e më pas për të evidentuar njerëzit që dhunojnë futbollin dhe njerëzit që bëjnë futbollin. Është shteti dhe qeveria që duhet të ndërtojnë impiante sportive moderne, me kushte teknike dhe sigurie, si në të gjithë botën e civilizuar. Pra, njerëzit e sportit e duan shtetin, po shteti vallë a na do ne? Deri tani ky binom nuk ka funksionuar. Kini besim se ne do ta ndryshojmë këtë realitet të hidhur. Nuk mendoj se jemi në Europë dhe kemi mentalitet europian. Kur nuk kanë patur dëshirë ta ndihmojnë me ligje apo buxhete, të paktën ta lënë rehat në hallet e veta dhe jo ta dhunojnë apo ta ironizojnë dhe të kujtohen për të vetëm kur fitohet një medalje apo kur në Tiranë vijnë për të luajtur Franca e Anglia. Dhe me duhet t’i jap të drejtë edhe Presidentit të Federatës, Armando Duka, kur thotë: “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sa të vijë radha e sportit na ka zënë gjumi!”