Misteret e natyrës në Skrapar janë të panumërta, aq më tepër kur flasim për sterra dhe shpella ku ekplorimi nuk është i plotë, si kjo e radhës ku shumë degëzime janë ende të paeksploruara. Përmes blogut tonë lokal e çojmë lexuesin në vendin e quajtur Sterra e Kakrukës. Ajo pozicionohet në lartësinë 1980 metra mbi nivelin e detit, në kurrizin malor të malit të Kulmakut; në koordinatat gjeografike 40°30’50” gjerësi gjeografike veriore dhe 20°14’48” gjatësi gjeografike lindore. Është formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë të kretës së sipërme.
Peizazhi përreth është karstik i tipit të zhveshur, me lugje e lugina karstike, hinka, gropa, etj. Sterra ndodhet në një hinkë përgjatë lugut karstik. Ajo njihej prej kohësh nga banorët e fshatrave përreth që shkonin me tufat e deleve në stinën e verës në kullota alpine të pasura me bimësi barishtore. Produktet e qumështit të kësaj kullote janë ndër më cilësoret.
Kjo sterrë u eksplorua gjatë gushtit të vitit 1996 nga grupet speleologjike italiane “Puglia Grotte” dhe “Dauno”, të shoqëruara nga guida e grupit speleologjik të Skraparit. Hyrja ka një zbritje vertikale rreth 30 metra dhe më pas duket qartë zhvillimi i saj sipas shkëputjej tektonike. Ka ende degëzime të paeksploruara. Thellësia e saj është 203 metra. Ka katër zgjerime të ndërthurura me ngushtime vertikale e disi të shkallëzuara. Në fundin e zgjerimit të tretë ka një degëzim të emërtuar “Rruga e Vjetër’’ në drejtim të jugut – juglindjes dhe një më të ri me drejtim veriveriperëndim. Në tavanin e zgjerimeve ka stalaktite dhe stalagmite me ngjyrë të bardhë. Pas thellësisë 203 metra sterra vazhdon, por eksplorimi pengohet nga bllokimi prej rrëshqitjes dhe rrëzimeve të blloqeve shkëmbore. Ky monument ka vlera shkencore, ekologjike dhe turistike. Për të vizituar këtë bukuri natyrore corvodaonline këshillon për vizitorë të specializuar apo trainuar pasi ka rrisqe kalimi në të. Për të shkuar tek sterra e Kakrukës duhet të ndjekim itinerarin në rrugën rurale Çorovodë – Gjerbës – Ujanik – Qafa e Kulmakut e prej këtej disa orë udhëtimi vijon në këmbë drejt shpatit perëndimor të malit të Kulmakut.
Më shume mistere të natyrës skraparase e bukuri të saj. Na ndiqni edhe në rrjetet tona sociale @corovodaonline
©Corovoda Online
Më shume mistere të natyrës skraparase e bukuri të saj. Na ndiqni edhe në rrjetet tona sociale @corovodaonline
©Corovoda Online