Nënpunësi i disa qeverive - Maliq Vlusha (Skrapari) - Një shkrim nga Hajri Nuhu **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Nënpunësi i disa qeverive - Maliq Vlusha (Skrapari) - Një shkrim nga Hajri Nuhu

Fatjon Kaloci
20.10.17
Maliq Vlusha (Skrapari)
Është fjala për Maliq Vlushën. Në fakt me mbiemrin Skrapari e thirri Ismali Qemali. Një njeri i shquar, një profesor i vërtetë i ekonomisë. Në 27 dhjetor të vitit 1940 revista “Bujqësia” e asaj kohe, ndër të tjera shkruan: Me zhdukjen e Maliq Skraparit vendi humbi një element me vlerë që mori pjesë në themelimin e Shqipërisë. Skrapari humbi një njeri të ditur, me të cilin përfaqësohej denjësisht në shoqërinë shqiptare…Njeri me kulturë, inteligjent prej natyre, njohës i thellë i çështjeve të ekonomisë shqiptare, administrator i shquar”.

Nxënës i shkëlqyer i Selanikut e i Stambollit
Lindi në Vlushë të Skraparit në vitin 1884. Në fisin Sanxhaku, në një familje patriarkale të mesme, ai hodhi hapat e parë në jetë. Por që në vitet e para mbeti jetim. Nuk kishte mbushur 2 vjet, kur i kishte vdekur e ëma dhe pas dy vjetësh humbi edhe të atin. E rriti e emta me mundime… Mësimet e para i mori në Vlushë, ku u dallua si nxënës shumë i mirë. Vëllai i tij i madh, Adili ishte në Selanik, kurbetlli, si mjaft skraparas të tjerë. Ai e mori vëllanë, por nuk e futi në punë. Maliqi u bë nxënës i shkollës së mesme bujqësore. Megjithëse mësimet zhvilloheshin në gjuhë të huaj për të, ai shkëlqeu dhe u dërgua me bursë në shkollën e lartë bujqësore “Hallkaly” të Stambollit. Në pushimet e verës punonte në fermën e shkollës që të përballonte shpenzimet për libra e veshje. Kishte marrë për të fund, një fëmijëri e vështirë e plot sakrifica. Maliq Sanxhaku tashmë ishte një intelektual i formuar.

Drejtor i vilajetit të Janinës
Pas shkollës Maliqi kthehet përsëri në Greqi. Kur ishte në shkollën e mesme ai njohu shqiptarë, burra që i mbajti miq deri në fund, midis të cilëve Fejzo Cakën (Osoja), Seit Strenecin, Sulejman Qafën, Riza Shahinin etj. Megjithëse i ri në moshë, në vitin 1908 u emërua drejtor i bujqësisë në Vilajetin e Janinës…Në këtë qytet, ditën qëndronte në zyrë e kohën e lirë e kalonte në klubin e Shoqërisë Shqiptare “Bashkimi”. Ai ka qenë pjesëtar aktiv në kryesinë e tij, ku bashkëpunoi me emra të tillë si Kadri Gjata, Fehmi Xhakulli, Jorgo Qiriazi, Zija Kërcaku, Nuçi Naçi që ishte edhe sekretar dhe redaktor i gazetës “Zgjimi i Shqipërisë”. Pranë klubit punonin edhe Bajo e Çerçiz Topulli, Petro Nini Luarasi e patriotë të tjerë. Por lidhjet me shqiptarët e Stambollit nuk i shkëputi. Lajmërohet nga Ismail Qemali dhe më 28 nëntor të 1912-ës u gjend në Vlorë, duke braktisur edhe detyrën si drejtor bujqësie në Janinë. Bashkëpunëtori i tij, V. Goxhomani, para varrit të tij ndër të tjera u shpreh: “Nuk më harrohen kurrë fjalët e tua kur më thoshe se Vilajeti i Janinës me rrethina i përkasin Shqipërisë.”

Patriot dhe intelektual i shquar
Ismail Qemali e emëron drejtor të Përgjithshëm të Bujqësisë, ndërsa në vitin 1914, ai është inspektor i bujqësisë. Duke dëgjuar për masakrat greke në Jug, kthehet në Skrapar dhe, në vitin 1916, ishte nënprefekt i vendlindjes së tij. Qeveria austro-hungareze e emëron drejtor të pasurive të shtetit nga Shkumbini e poshtë. Qendra e tij ishte në Libofshë. Aty ai zhvilloi një veprimtari të madhe për ruajtjen e pasurive shtetërore, duke u bërë “hasëm” me pronarët e mëdhenj të tokave të Myzeqesë. Dokumentet flasin se për të po kurdisej edhe plani për ta hequr qafe fizikisht. Vrionasit i ofruan para Arshin Koprënckës që t’u tregonte rrugën nga shkonte Maliqi për në Fier. Por skraparlliu nuk e tradhtoi, bile ai e njoftoi Maliqin për rrezikun që i kanosej. “Nuk më shpon plumbi i tyre, o Arshin se unë për popullin e varfër punoj dhe ata më mbrojnë, nuk vras e nuk grabis si ata”, u përgjigj ai. Në vitin 1919, në Zaloshnjë me iniciativën e tij dhe të Ali Koprënckës, Servet e Hysen Zaloshnjës, Riza Cerovës, Sali Butkës e Sinan Leshnjes krijohet Komiteti i Shpëtimit Kombëtar që luajti një rol të madh në mobilizimin e njerëzve kundër politikës përçarëse të kohës. Në vitin 1920 ai mori pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës (Për këtë akt ai është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor më 31 gusht 1971).

Në Kongresin e Lushnjes, në krahun demokratik
Në janar 1920 Skrapari ishte i lirë dhe skraparasit dhanë ndihmesën e tyre të vyer për Kongresin e Lushnjes. Në të Maliqi është delegat i Skraparit. Në vitin 1922, ai është përsëri drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve në Ministri, ndërsa në vitin 1923, drejtor i Përgjithshëm i Bujqësisë. Në vitin 1923, ai zgjidhet bashkë me Ali Koprënckën anëtar për Asamblenë Kombëtare. Ai lidhet me Fan Nolin, Bajram Currin, Avni Rustemin… Është protagonist i zbatimit të reformës agrare dhe, me metër në dorë i bie “pashë më pashë” Myzeqesë. E pa të arsyeshme që në fushën që është sot Fieri, të ndërtohej një qytet. E vendosi vendin pa pyetur për kundërshtimet e Vrionasve. Në bashkëpunim me Naum Priftin (nga Libofsha) organizonte demaskimin e bejlerëve të mëdhenj, duke shfrytëzuar ditët e pazarit. Këto ishin edhe arsyet që e pezulluan nga puna. Në vitin 1924 marshon drejt Tiranës dhe punon pa u lodhur për zbatimin e programit të qeverisë së Nolit. Mandej arratiset jashtë atdheut dhe në Greqi merr një bronkopneumoni. Nuk kishte lekë të kurohej dhe kthehet në atdhe. Si internim ai dërgohet drejtor ferme në Lushnjë dhe në 1926 kthehet përsëri drejtori i Bujqësisë. Në vitin 1928 emërohet sekretar i Përgjithshëm i Ekonomisë Kombëtare dhe qëndron në këtë detyrë deri në vitin 1934.

Fashizmi e la pa punë…
Në vitin 1934 e lenë në dizpozicion. Ai nuk firmosi aktin me të cilin italianëve u krijohej mundësia të shfrytëzonin pyjet që nga Mamurrasi, deri në veri të vendit. Iu bënë presione, por ai nuk firmosi, ndaj edhe e nxorën në pension. Por falë aftësive që zotëronte si njohës i shkëlqyer i ekonomisë, ia kishin nevojën dhe u kujtuan përsëri për të dhe e dërgojnë në Lushnjë si drejtor i pasurive të shtetit. Pas ardhjes së Italisë fashiste, pikërisht në qershor 1939, pushohet nga puna me motivacionin “spastrim i administratës shtetërore…” Arsyet e këtij akti dukeshin qartë. Ai nuk pranoi t’i jepeshin Musolinit fshatrat e Myzeqesë, Fier-Shegani dhe Zhelizhani si dhuratë nga drejtoria e pasurive të shtetit dhe dogji edhe dokumentet e huas shtetërore që bujqit e varfër kishin marrë nga ajo drejtori. U bë propagandist kundër pushtimit fashist deri sa mbylli sytë në Tiranë më 27 dhjetor 1940. Mbeti deri në fund intelektual i përmasave kombëtare, por edhe si luftëtar e patriot i gjendur në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të kohës.

Somario
Në qershor 1939 pushohet nga puna me motivacionin “spastrim i administratës shtetërore…”, pasi nuk pranoi t’i jepeshin Musolinit fshatrat e Myzeqesë, Fier-Shegani dhe Zhelizhani si dhuratë nga Drejtoria e Pasurive të Shtetit, veç kësaj dogji edhe dokumentet e huas shtetërore që bujqit e varfër kishin marrë nga ajo drejtori ku ai ish vetë drejtor
Corovoda Online / Hajri Nuhu