Aktiviteti - Çertifikatë Mirënjohje për stomatologun e njohur skraparas Maksim Musabelliu **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Aktiviteti - Çertifikatë Mirënjohje për stomatologun e njohur skraparas Maksim Musabelliu

Fatjon Kaloci
11.11.17

Një aktivitet u mbajt sot në Çorovodë, ku në vlerësimin e mbi 40 viteve në profesion do të akordohej një mirënjohje për Maksim Musabelliu. Dr. Maksi të paktën kështu thuhet ende që prej 1975 sa herë skraparasit flasin rreth apo për të. Një aktivitet u mbajt sot, ku krahas Kreut të Bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu ishte edhe Presidenti i Urdhërit të Stomatologut dr. Nikoll Deda për t'i dorëzuar simbolikisht mirënjohjen për mëse 40 vite punë në profesion fisnik. Çertifikata e mirënjohjes u dha me motivacionin: "Për kontribut të veçantë mbi 40 vjet për rritjen dhe zhvillimin e shërbimit stamatologjik si mjek stomatolog i talentuar, i palodhur dhe me një etikë të shkëlqyer, në shërbimin dentar shqiptar”. Disa imazhe u publikuan më herët në një rrjet social ( lidhje e jashtme facebook ). Corovoda Online në një profilizim të shkurtër liston një informacion njohës me Maksim Musabelliu.
Ai u diplomua në 1973 në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës - Dega Stomatologji. Fillimisht në Janar 1975 punon në Klinkën Dentare ( asokohe shtetërore ) në Gjerbës, Skrapar. Aty do të punonte deri në vitin 1981, ndërsa prej këtij viti do të emërohej si Shef i Klinikës Dentare të Çorovodës dhe i shërbimit stomatologjik të gjithë rrethit të Skraparit. Në 1985 do të ishte njëherësh edhe Drejtori i Drejtorisë i profilaksisë dhe sëmundjeve të gojës e të dhëmbëve, një Drejtori që pati një kohëzgjatje 1 vjeçare pasi u suprimua më pas. Në 1986 do të ishte Shef i Poliklinikës së Çorovodës deri në 1993. Konsiderohet si i pari që hapi shërbimin e kirurgjisë maksilo-faciale në Çorovodë. Pas 1994 e deri në korrik të vitit 2000 do të vijonte profesionin në klinikën e tij dentare. Në Tiranën e destinacionit të shumë intelektualëve skraparas, Dr.Maksi nuk do ta braktiste as atje profesionin duke punuar për shumë vite. Ish Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me medaljen: "Për shërbim të Mirë të Popullit". Në shumë shkrime studimore shfaqet si bashkëautor i artikujve shkencorë mbi stomatologjinë.
F.Kaloci / Corovoda Online