Koordinata X: Orë pas Ore - Si u zhvillua Beteja e Tendës së Qypit - Operacioni "Horidok" në Skrapar **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Orë pas Ore - Si u zhvillua Beteja e Tendës së Qypit - Operacioni "Horidok" në Skrapar

Fatjon Kaloci
21.1.18
"Horidok" i ashtuquajturi Operacioni Gjerman i Dimrit 1944 në Skrapar u përball me një ndër betejat më të mëdha në vend. Corovoda Online, në këtë postim të dedikuar vjen ndryshe duke renditur kronologjikisht atë që ka ndodhur 74 vite më parë duke e sjellë më të sintetizuar ngjarjen.

I famshmi "Horidok" do të niste në 7 janar 1944 e do të përfundonte në 17 shkurt 1944. Beteja e Tendës Qypit është një nga betejat më të mëdha dhe më të lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo është beteja kryesore që u zhvillua në operacionin e dimrit të ushtrisë gjermane të vitit 1944, kundër forcave partizane shqiptare. Operacioni gjerman i dimrit që u quajt “Horidok” përbëhej nga disa operacione, por më kryesorët ishin tre: Operacioni i parë u zhvillua në zonën Korçë- Skrapar prej 7-25 janar; operacioni i dytë u zhvillua në zonën Përmet-Gjirokastër prej 24 janar deri më 2 shkurt dhe operacioni i tretë që u zhvillua në zonën Vlorë-Tepelenë prej 29 janarit deri më 17 shkurt 1944.

Për operacionin në Shqipërinë e Jugut kundër forcave partizane komanda gjermane përdori dy divizione të korpusit 21, divizionin 100 dhe 297, forcat kryesore të divizionit 104 si dhe një pjesë të divizionit  të 1-rë malor të korpusit 22.

Më datën 18 janar 1944 ora 10:00 u formua me shpejtësi grupi i 3-të i Skraparit në fshatin Slatinjë, në vendin e quajtur Qafa e Liqedhit. Ideja e komandës së Grupit të 3-të ishte që me forcat partizane të ndalonte depërtimin e trupave armike në drejtimin Berat- Skrapar dhe Korçë-Skrapar-Këlcyrë, të ndihmonin formimin e Brigadës 6-të në Përmet, të siguronin tërheqjen e të plagosurve nga spitalet dhe evakuimin e depove në Zagori e gjetkë. 

Në këto kushte vendosi që  batalioni i dytë të mbrohej në rajonin kodrat e Slatinjës-Veleshnjë-Tenda Qypit; batalioni i parë të mbrohej në rajonin Munushtir-Tepelenë-Spatharë, për të ndaluar mësymjen e armikut në drejtim të Malit Spatharë-Qafa e Murrizit.

Orë pas Ore
19 janar 1944 rreth orës 15:00, kolona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tetë e regjimentit 227 dhe bateria e tetë e regjimentit të artilerisë së divizionit 100-të, mbasi përshkruan Oparin dhe Tomorricën dhe pushkatuan në fshatrat e Skraparit 114 njerëz si, në Vëlushë, Turbëhovë, Kapinovë, Krushovë e gjetkë, mbërritën në Çorovodë. Po atë mbasdite, në orën 16:00, goditën me artileri pozicionet partizane të vendosura në Kalanë e Skraparit, karshi Çorovodës, por pa arritur të shkaktonin asnjë dëm.

Kolona e trupave gjermane në mëngjesin e datës 20 janar 1944 u nis nga Çorovoda në drejtim të Tendës Qypit, kaloi Sharovën, u ngjit përpjetë, hyri në Veleshnje dhe rreth orës 12:00 sulmoi pozicionet e batalionit dytë. Beteja u zhvillua e rreptë dhe në volum të madh zjarri nga të dy anët. Trupat gjermane në sulmin e parë nuk mundën të shpërthejnë mbrojtjen partizane, prandaj u detyruan të hapin gjithë forcat e tyre në formacion luftimi, duke vendosur në pozicione zjarri artilerinë e mortajat dhe duke hapur zjarr kundra forcave partizane dhe vetëm pastaj kaluan përsëri në sulm.
Në kurrizin e kodrave të Veleshnjës dhe të Kodrës së Karakollit e deri në afërsi të Tendës Qypit u zhvilluan luftime shumë të ashpra dhe këmbëngulëse.
Gjermanët megjithëse përsëritën disa herë sulmet e tyre të fuqishme nuk mundën të përparojnë me lehtësi përpara.
Vetëm pas tre orë luftimesh të ashpra, rreth orës 15:00 trupat gjermane mundën të përparojnë në drejtim të Tendës Qypit dhe të rrezikojnë pushtimin e saj; mbasi në këtë drejtim luftonin vetëm forcat e batalionit të dytë, kurse forcat e batalionit të parë nuk ishin angazhuar në luftë në drejtimin Vëndreshë-Spatharë. Kështu që gjithë barra e luftimeve kundra gjermanëve binte vetëm mbi batalionin e dytë, i cili i mbrojti pozicionet e tij me guxim të pa treguar dhe me këmbëngulje të fuqishme.

Ora 21:00 data 20 janar 1944. Forcat gjermane tërhiqen nga Tenda e Qypit por një togë e tyre zë pozicionin e Kalasë së Çorovodës. Pasi lanë Tendën e Qypit, partizanët mundën t'u kapnin 1 top, 1 Murtajë, 5 mitraloza të rëndë, mitraloza të lehtë, pushkë automatike etj.

Ora 01:00 e datës 21 janar 1944, partizanët i afrohen Kalasë,duke marrë në marshim pozicion luftimi dhe filluan të ngjiten drejt saj. Ndonse prisnin që të kishin sërisht një sulm nga gjermanët kjo gjë nuk ndodhi kjo pasi mendohej se gjermanët mund të ishin tërhequr gjatë natës. Në këto kushte ata lajmërojnë Mehmet Shehun duke i thënë se Urdhëri i tij u zbatua. Pas kësaj Mehmet Shehu urdhëron tërheqjen e forcave partizane sërisht drejt Tëndës së qypit.

Në mbrëmjen e 21 janarit 1944 rreth orës 21:00 , në Tendën e Qypit të mbuluar me dëborë, partizanët bënë zjarre të mëdha dhe u mblodhën rreth e rrotull për tu ngrohur e treguar ngjarjet.

22 janar 1944 Trupat gjermane të grumbulluara në Çorovodë, bënë evakuimin e të plagosurve me aviona të vegjël që uleshin në sheshin e Çorovodës.

Një avion i vogël në ngritje u përplas me një rrap dhe ra në zallin e lumit Osum.

Komanda gjermane bëri gjithashtu riorganizimin me trupa të tjera të ardhura nga Tomorrica dhe marshuan në drejtim të fshatit Vendreshë.

Po gjatë kësaj dite një kollonë tjetër gjermane me dy bateri artilerie, me tanke e autoblinda u nis nga Berati gjatë rrugës automobilistike për të dalë në Qafën e Kiçokut.

23 janar 1944, trupat gjermane goditën me artileri Tendën e Qypit dhe sulmuan forcat partizane nga Mali i Spatharës.

24 janar 1944  rifilluan sulmin pas një breshërie artilerie nga Vendresha e Spathara në drejtim të Tendës së Qypit. Rreth orës 14:00 artileria gjermane nga Ballabani qëllon mbi forcat partizane në Tendën e Qypit. Situata u bë shumë kritike dhe forcat partizane rrezikoheshin të pësonin humbje të rënda, prandaj u vendos që partizanët të tërhiqeshin.

Shfaqet Mehmet Shehu
Në këtë kohë nga fshatrat e krahinës së Dëshnicës po marshonin në drejtim të Tendës Qypit, batalioni tretë, batalioni i parë dhe një kompani e batalionit “Antonio Gramshi” së bashku me komandantin e Brigadës së parë. Mehmet Shehu, i cili sa dëgjoi krismat e armëve, matanë Tendës Qypit, erdhi me shpejtësi, përpara se të vinin batalionet e tij.
Mehmeti pasi u takua me komandën e Grupit të 3-të dhe u njoh me situatën, vendosi të krijojë një shtab operativ të përbashkët për drejtimin e gjithë forcave partizane. Komandat u caktua Mehmet Shehu. Ai përpiloi shpejt e shpejt planin kundërsulmit dhe lajmëroi që batalionet e tij të afroheshin sa më parë në majën e Tendës së Qypit.
Batalioni i tretë i Brigadës së Parë, i komanduar nga Gjeli Argjiri, sapo mbërriti mori urdhër për kundërsulm dhe u hap menjëherë në formacion luftimi. Së bashku me ta do vepronin dhe partizanët e batalionit të dytë të Grupit të 3-të.
U dha urdhri që para se të hidheshin në kundërsulm, partizanët të hidhnin dy granatat e dorës një nga një me komandën “Granata hidh”, sepse në këtë mënyrë bënin më shumë efekt dhe zëvendësonin si të thuash një farë përgatitje artilerie para sulmit.
Borizani legjendar Haki Kapaj
Mbasi u hodhën granatat, gjithë partizanët u ngritën për kundërsulm nga lart-poshtë gjatë kurrizit të kodrave nga Nishica në Veleshnjë, nën tingujt e borisë së Haki Kapajt nga Gjerbësi i Mallakastrës. Duke vazhduar sulmin përpara boria nuk po binte vazhdimisht si më parë, sepse borizan Hakiu ishte goditur nga një plumb në fyt, komandanti i batalionit duke mos dëgjuar tingujt e borisë, sepse nuk e dinte se borizani ishte plagosur dhe gjaku nuk e lejonte t’i binte borisë, i dha urdhër atij të vazhdonte t’i binte borisë, për të entuziazmuar partizanët në sulm. Haki Kapaj për të zbatuar urdhrin e komandantit, me një gisht zuri plagën në fyt që të mos i rridhte gjaku dhe filloi t’i binte prapë borisë, por kjo nuk vazhdonte shumë se boria u mbush me gjak përsëri dhe nuk jepte më tinguj. Beteja e Tendës së Qypit është përjetësuar në një pikturë shumë të bukur nga Piktori i Popullit Fatmir Haxhiu, ku duket e dhe burizani Haki Kapaj.
Në betejë plagosen Zylyftar Veleshnja, Iljaz Sevrani dhe Abaz Rogu, Neim Therepeli, Tahir Murrizi
Në këtë kohë një togë gjermane, pa u diktuar nga ne lëvizi gjatë përroit të Veleshnjës, me qëllim që të zinte qafën e Murrizit në krahun verior të Tendës Qypit, për t’u dalë në shpinë forcave partizanëve që kundërsulmonin. Toga nuk mundi të dalë në qafë, se parashikoi se mund të asgjësohej, prandaj dërgoi një grup të vogël zbuluesish, të cilët në fshehtësinë më të madhe dhe të maskuar shumë mirë iu afruan Tendës Qypit nga ana e qafës së Murrizit. Aty pranë ndodhej vend-vrojtimi i komandës së grupit. Zylyftar Velëshnja, duke vrojtuar luftimet që zhvilloheshin te kodrat e Karakollit u godit pa pritur dhe në befasi nga një zbulues gjerman në këmbën e djathtë dhe u rrëzua menjëherë në tokë. Iliaz Sevrani duke parë Zylyftarin e shtrirë, u ngrit në këmbë të shihte çfarë ka ndodhur, se nuk mendonte që gjermanët të jenë kaq afër, kur lufta bëhej larg përpara, por dhe ky u godit në nofull nga zbuluesi gjerman. Partizani Ali Zaimi nga Dobrusha, korrier i komandës së grupit shkoi të ndihmonte të plagosurit, por dhe ky u godit për vdekje nga zbuluesit gjermanë, të cilët, mbasi kryen aksionin, u larguan me fshehtësi pa u dëmtuar nga ne. Mitralozat “Sharrës” të gjermanëve të vendosur në llogoret e luftës italo-greke në kodrat e Karakollit, bënin zjarr të pandërprerë dhe shumë preçiz kundër partizanëve, të cilët u gozhduan në vend dhe nuk mund të lëviznin përpara nga ky zjarri i tmerrshëm. Partizani Abaz Rogu, i cili duke dashur të ndërrojë pozicion, u godit nga një breshëri plumbash mitralozi në të dyja kofshët, u rrëzua përtokë. Mehmet Shehu dhe si dëgjon të thirrurat e Abazit, pyet çfarë ka ndodhur. Pasi mësoi ngjarjen duke pritur erresirën i plagosui Abaz Rogu shoqërohet për në spitalin partizan.Gjithësej u plagosën 12 partizanë.
Kthesa e luftës
Situata luftarake prapë u vështirësua. Në këtë situatë vetëm futja në luftim e forcave të tjera mund të ndryshonte situatën në favorin tonë. Prandaj Mehmet Shehu vendosi të fusë në luftim me shpejtësi batalionin e parë të Brigadës së Parë, të komanduar nga Xheladin Beqiri (Karadaku). Me hedhjen në kundërsulm të batalionit parë, u hodhën edhe partizanët e batalionit tretë dhe të dytë të Gupit të 3-të. Kodrat në drejtim të majës Karakollit u ndezën flakë nga bombat, luftimet u bënë të ashpra dhe të përgjakshme, duke arritur pikën kulminante trup me trup. Nuk kaloi shumë dhe situata kaloi në favorin tonë. Gjermanët u shkulën nga pozicionet dhe filluan të tërhiqeshin në drejtim të Çorovodës, duke lënë një sasi materiale që kishin me vete.
Të Pashuar
Beteja zgjati gjashtë orë. Pas gjashte ore luftimesh të ashpra u korr një fitore tjetër të madhe, e cila bëri jehonë dhe pati ndikim pothuajse vendimtar ne dështimin e operacionit te mëtejshëm armik të dimrit. Fitorja e Tendës së Qypit u arrit me heroizmin partizan. Aty derdhën gjakun e tyre 17 dëshmorë:
1. Hilmi Xhaferri
2. Ali Zaimi
3. Niazi Nishica
4. Fatushe Kadiu

5. Mefail Rozhani,
6. Sotir Beçka (Bulgareci),
7. Sulo Buxheli,
8. Ago Topulli, (nga familja e Bajo & Çerçiz Topullit)
9. Sabri Caka,
10. Leke (Aleks) Babaliu,
11. Piro Gazepi,
12. Fiqret Struga,
13. Mario Kronika,
14. Maksut Hyseni (Dobrenji),
15. Gani Agolli,
16. Xhuzepe Riki,

17. Franko (partizan italian - nuk i dimë mbiemrin)
© Corovoda Online / Fatjon Kaloci