Botimi i ngjet enciklopedisë së mirëfilltë: Del në qarkullim libri "Krahina e Tomorricës" me autorë Elmas dhe Arben Guga **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Botimi i ngjet enciklopedisë së mirëfilltë: Del në qarkullim libri "Krahina e Tomorricës" me autorë Elmas dhe Arben Guga

Fatjon Kaloci
30.3.19
Një udhëtim i kahershëm në kohëra për Tomorricën e detajeve mes viteve dhe shekujve doli më së fundmi në treg. I quajtur "Krahina e Tomorricës", voluminoz dhe me përgatitje mjeshtërore libri më i ri nga Elmas Guga dhe dr.Arben Guga vjen si pasuri e madhe për Skraparin por jo vetëm, edhe për qindra studiues të cilët brenda fletëve do të udhëtojnë mes qindra vitesh. Më në fund një botim i plotë e dinjitoz që ka përmasat e nje enciklopedie. Shumë vite punë studimore, e bukur dhe pasionante e dy intelektualeve Elmas e Arben Guga (atë e bir).

Krahina që "fshin" kufijtë mes Skraparit e Gramshit, "bijëza" që qëndron nën Malin Baba, Tomorrin hyjnor nis të flasë përmes një libri të plotë që vjen në dy vëllime. Lashtësia, mbijetesa, vazhdimesia e jetës vjen përmes dokumentacionit arkeologjik, toponimisë, hulumtimit të pasurisë arkivore, që hedhin dritë mbi këtë zonë të thellë, të ashpër por mjaft interesante.

Vjen e plotë historia me periudhat e saj që nga paganizmi deri ditët tona. Në veçanti Mesjeta, sundimi i Muzakajve, roli i kryeqendrës së Tomorricës Grëmshit vendi i origjinës së frashërllinjve të famshëm, raportet e "parisë" së kohës me Portën e Lartë, por edhe me Skenderbeun janë më të plota.

Rregjistrimi i popullsisë i vitit 1431-32, fshatrat që përbënin zonën asokohe, rezistenca e kryengritjet e mëdha, ndihmesa e roli i tomorricarëve gjatë Rilindjes e Shpalljen e Pavarësisë vijnë përmes dokumentave arkivore e kujtimeve. Padyshim roli, lufta, përpjekjet e popullsisë së kësaj zone në historinë moderne që nga Pavarësia e deri në Çlirimin e vendit vjen më e plotë.

Censusi i vitit 1923 dhe 1927 sjell statitistika, por edhe një interpretim me interes si për popullsinë, numrin e familjeve e kryefamiljarëve. Në vendin e duhur jane vënë kapedanet e kësaj zone që bënë histori që nga dinastia e Dostëve në Zaloshnje (Mahmut, Servet, Hysen Zaloshnja), burrat e lavidshëm si Mestan Ujaniku dhe i familjes dhe i Çetës Plakë të Skraparit.

Në faqet e librit janë edhe Xhile Lici, Zenel Braci e dhjetra të tjerë. Qëndrim objektiv për shumë figura nacionaliste si Abaz Ermenji e të tjerë. Interpretim realist i asaj qe ndodhi me disa nga këto figura dhe me zonën në tërësi gjatë luftës së klasave. E plotë vjen epopeja e luftes Nacional-Clirimtare, ndihmesa e familjeve të mëdha e djemve që u rreshtuan në brigadat e luftëtarëve të lirisë, e bazave të luftës.

Në të do të gjeni edhe raportet e atyre që "u ndjenë" tomorricarë që nga Eqrem bej Vlora e Fan Noli deri tek Kahreman Ylli e Gjin Marku. Partizanët, dëshmoret, nacionalistët me ndihmesën e tyre ne luftën për liri janë në faqet e librit. Në kapituj të tjerë gjen organizimin e pushtetit të këshillave që gjatë luftës në çdo fshat e më pas deri në vitet'90, historinë e reformës agrare dhe koperativizmin.

Zhvillimet e bujqësisë, kooperativat, kuadrot e specialistët e tyre, arritjet e dështimet. E plotë vjen historia e zhvillimit të arsimit në Tomorricë. Përpjekjet dhe shkollat e para, roli i institucioneve të besimit bektashian në zhvillimn e tij, mësuesit e parë të zonës, historia e dhjetra mësuesve nga rrethe të tjera të vendit që kontribuan në Tomorricë.

Në libër gjen edhe zhvillimin e shëndetësisë në zonë, infermierët e mjekët e parë. E ndritur vjen edhe pjesa e elites akademike tomorricare. Profesorë, doktorë shkencash, punonjës shkencorë e plotësojnë dhe e bëjnë të vlerësuar Tomorricën tonë, aq te paragjykuar nga "qendrat".

Veç gjeografisë, pasurisë së florës e faunës, pasurive hidrike dhe bukurisë e resurseve për turizmin në libër kapituj me interes janë edhe pasuria entografike e kulturore në Tomorricë. Kënga që nxori korifeun e polifonisë Demir Zykon, artistët e sportistët me origjinë nga Tomorrica kanë një kapitull me vete.

Në faqet e librit doket, zakonet e traditat e kësaj krahine, virtytet me të mira si mikpritja e bujaria, trimëria e besa, krenaria e dashuria për vendlindjen. Vlerat e një krahine në një libër.

Ka informacion e analizë, të vërteta që thuhen për herë të parë e në mënyrë shteruese. Të tjera e të tjera që do t'i zbulojë lexuesi...
Urime Elmaz e Arben Gugës për shërbimin që i bëtë vendlindjes suaj, njerëzve të rrallë të asaj zone, brezave që do të vijnë!
© Corovoda Online / Hajri Nuhu