Valentina Hysi sjell romanin “Kthesa”, një prurje e suksesshme letrare e një “nuseje Skrapari” **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Valentina Hysi sjell romanin “Kthesa”, një prurje e suksesshme letrare e një “nuseje Skrapari”

Fatjon Kaloci
4.7.20


S’ka shumë kohë që ka dalë në qarkullim romani “Kthesa” e autores Valentina Hysi, një prurje e suksesshme e letërsisë së sotme. Edhe pse është në ditët e para të daljes së tij në dritë, libri ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve, veçanërisht të atyre që e kanë njohur autoren dhe historinë e saj të dhimbshme të humbjes së bashkëshortit dhe mënyrën se si ajo e përballon e vetme jetën, që edhe pse kështu, sipas saj, ia vlen të jetohet, madje dhe bukur.

Po kush është autorja? Le të flasim më parë për të, dhe pastaj për librin:

Valentina Hysi ka lindur në Tiranë, më 11 janar 1958. Është vajza e një oficeri karriere nga Panariti i Korçës. Ka kryer studimet e larta në degën e Gjuhë - Letërsisë. Ka një karrierë të gjatë pune në administratën shtetërore në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Në një moment delikatë të jetës dhe pas një ndodhie të rëndë, humbjes së bashkëshortit të saj, i kthehet me brishtësi ëndrrës së “fjetur”, letërsisë. Është skenariste e filmit dokumentar “Misioni i pamundur”, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, 2019. Romani “Kthesa” është libri i saj i parë, nga sa po shihet, shumë i suksesshëm.

Valentina Hysi është bashkëshortja e Vladimir Hysit, me origjinë nga Vërzhezha, nga “dinastia” e njohur Hysajve. I ati i Vladimirit, Refiti, partizan në Luftë dhe oficer në paqe, fillimisht u vendos në Vlorë, ku më 17 tetor 1950 lindi dhe Ladi dhe më pas në Tiranë. Pas shkollës së mesmë Ladi vazhdoi të lartën. Në  Në 1972, pas një kualifikimi të plotë, me rezultate të shkëlqyera u titullua “oficer i Policisë Popullore”. Filloi karrierën në detyrën e inspektorit të Policisë Kriminale në Rajonin e Policisë Nr.3, në Tiranë; më 1974 ka filluar studimet në Fakultetin Juridik, pa u shkëputur nga puna, të cilin e mbaron me rezultate shumë të mira. Në vitin 1976 emërohet zëvendësshef për ndjekjen e krimeve në Rajonin Nr.2 të Policisë dhe njëkohësisht kryen shkollën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, profili “Polici”. Në vitin 1984, tashmë me një kulturë profesionale dhe eksperiencë të lakmueshme ngjit shkallë karriere të tilla si, shef i Policisë Kriminale në Rajonin e Policisë Nr.2, në Tiranë; në vitet 1984-1987, shkon shef i Rajonit të Policisë Nr. 4; më pas punoi si zëvendëskryetar dhe shef i policisë në Degën e Punëve të Brendshme në Elbasan. Në vitin 1990 u caktua në postin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme; gusht-dhjetor 1991, ka kryer detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë... dhe, së fundmi, karrierën profesionale zyrtare e mbyll si Ministër i Brendshëm i Qeverisë së Stabilitetit, që, pavarësisht kohës së shkurtër, është  e shkruar në një kapitull të veçantë të Historisë së Shqipërisë. Pra Ladi, ndryshe nga shumë kolegë analogë të vetë, është një ministër me një kurorë historike. Vitet e mëvonshme ai nuk i kaloi qetë. Provoi edhe histori të hidhura nga politika, deri në privim të lirisë...Madje, për hir të familjes dhe nevojave të saj, u detyrua të bëjë e dhe punë të ndryshme të papërshtatshme për staturën dhe formimin e tij profesional, por ato nuk e përulën asnjë herë. Në 17 janar 2017 humb jetën në një incident, duke u kthyer në një kujtim të bukur të një ushtaraku idealist dhe ëndërrimtar, një personaliteti të veçantë i fushës së vetë, një njeri me karakter të fortë që e kuptoi kohën dhe punoi për të.

 

Libri, më shumë një ese se sa një roman, i ndërtuar në dy linja, duke kaluar me dashuri dhe finesë sa nga njëra anë në tjetrën,  është një gjetje e bukur si në stil ashtu edhe në kompozicion. Elementët ndërthurës, të kombinuar, çuditërisht, tepër harmonishëm, e bëjnë librin një triller të vërtetë emocionues, që, nuk lexohet, por përpihet me një frymë. Heronjtë kryesorë të librit, AI dhe AJO, i njërës linjë, dhe Fredi dhe Eva me ngjarjet e tyre në linjën tjetër, të mbajnë të mbërthyer me dashuritë, jetët e tyre, me domosdoshmëritë dhe rastësitë e tyre, gjithmonë të këndshme.

“Libri i Valit është i bukur, sepse është është një ballafaqim i sinqertë, dhe ky sinqeritet të prek, të trondit”, shkruhet në pasthënien e tij nga botuesi Xhevahir Lleshi.

Vetë autorja thotë se “Unë nuk kam bërë as sinopse e as skica për këtë roman, por e kam gdhëndur më parë në shpirt dhe e kam bluar gjatë, e kam kthyer mbarë e prapë gjithnjë e gjithnjë, e kam shkruar me pasion, pa lëmim fraze, pa përkujdesje madhështrore të fjalës, thjesht, e heshur me ngjyrën e temperamentit dhe të shpirtit tim, duke jetuar një kohë të gjatë me ngjarjet derisa më në fund u dorëzova, e braktisa vetëveten dhe e shkrojta me një frymë”.

Autoren, njëkohësisht edhe një nga  personazhet kryesore të librit, nuk e gjen kurrë vetëm dhe të vetmuar, ajo jeton mes njerëzve të saj të dashur, flet me admirim për ta, sepse, më shumë se askush tjetër se sa ajo, e di dhe e ndjen që miqësia dyfishon gëzimet dhe përgjysmon dhimbjet; e di më shumë se askush tjetër se sa ajo, se në këtë mënyrë bonifikon shpirtin dhe merr energji të pasosur për të përballuar dhe jetuar jetën.

Në librin e Valit, kur shpaloset dhimbja për humbjen e madhe, ka një energji të përsosur pozitive. Mulliri s’është më, por era është akoma, janë kujtimet, ëndrrat, idetë e kohëve që shkuan. “Të mbyt, të rraskapit fakti që të duash një person që nuk është më, zë që nuk të thërret më, shikimi, kujtimi i të cilit të rrënqeth akoma”, thotë personazhi kryesor i librit, Eva, por më pas ajo e mbledh veten, braktis vetminë tibetiane që e kishte kllaposur dhe vendos ta jetojë dhe shijojë jetën si dikur.

Kështu me një mënyrë elegante të shkruari, të kursyer në fjalë, por të pasur në mendim, kalojnë njëri pas tjetrit kapitujt, ngjarjet, të cilat arrijnë në një “epi end” të bukur njerëzor, pse jo dhe aristokratik. Eva, pas gjithë asaj lufte të brëndshme, ku dëshmitar ishte vetëm shpirti i saj, gjen dashurinë e re, të fshehtë dhe eterike deri tani. Këtë fakt ajo ia tregon vajzës së saj, tashmë e martuar dhe me fëmijë.

“Si mbarova rrëfimin, qeshëm të dyja me hare, shkruhet në libër. “Edhe nënat kanë të drejtë të dashurojnë, mamo, apo jo”!?...”Vajzat, çfarë shpikje e bukur”, nuk e mbaj mend ku e kisha lexuar. Darkuam dhe biseduam gjatë, thuajse në mesnatë. Ndenjëm në terr të shtrënguara, secila përhumbur në mendimet e veta”.

Libri “Kthesa” i Valentina Hysit është ndër ata librat e rrallë të shkruar me vërtetësi dhe sinqeritet, që të harbon në çdo rresht, duke ngritur pak nga pak në këmbë një përmendore jete interesante, të thjeshtë, të besueshme dhe motivuese jo vetëm për personazhet dhe autoren e librit, por edhe për lexuesin e gjerë.

“Kthesa” e Valentina Hysit, në kuptimin alegorik dhe metaforik, është një kthesë që ia diktuan rrethanat, atëhere kur fundi i gotës ishte shumë larg buzëve: në fillim drejt një jete murgu, të mbyllur, të errët, me një vegjetacion të zbehtë mbijetues, jetë pa thelb, sa për ta shtyrë, në një kthesë 360 gradshe, për ta rinisur jetën nga fillimi me një amplitudë të re suksesi në të gjitha aspektet e jetës njerëzore, për të rigjetur vrullin, guximin dhe shëndetin shpirtëror të dikurshëm.

Në mbyllje desha të thoshim se sot ka shumë që shkruajnë, ka shkrues të zakonshëm dhe libra të zakonshëm, të cilët shëmbëlljejnë njëlloj me paratë, por libri i Valit, edhe pse i pari i saj, është një libër klasi, një gjetje, një finesë, “i shkruar gjatë në mendje”, siç thotë vetë ajo. Është një libër “melhem plage”, ku çdo lexues, i ri apo e re, çdo burrë apo grua, çdo i ve apo e ve, çdo i dashuruar apo i divorcuar gjen veten. Dhe, në mos gjen rrugëzgjidhje konkrete, gjen frymë, forcë e besim për të arritur qëllimet që i ka vënë vetes.  
©Corovoda Online / Një shkrim nga Zylftar Hoxha.