Sikur disa viteve më parë t’u thoshe banorëve të fshatit Zabërzan në Skrapar, se një prej 10 fëmijëve të bashkëfshatarit të tyre, Qerim Dostit, mund të shkonte një ditë me detyrë në Aparatin e Komitetit Qëndror të Partisë dhe do të bëhej Sekretar i Parë diku, nuk do ta besonin kurrë.
Me siguri do t'a merrnin me të qeshur, me bindjen se zor t’i vinte radha djalit të një fukarai në thellësi të atij rrethi, të “bënte këmbë” gjer andej “lart”. Mirëpo, ja që ndodhi... dhe Syrja Dosti (i biri i Qerimit), aty nga fundi i viteve ’80-të, mbas 10 vjetë instruktor i K.Q. të Partisë (1977-1987), do të përbënte një ndër figurat e njohura politike në rajonin jugor të Shqipërisë: do kryente detyrën e Sekretarit të Parë të Partisë në rrethin e Sarandës në vitet 1987-1991. Mbase sot nuk tingëllon mirë për disa kur përmënden këto lloj funksionesh. Shumëkush, duke i negativizuar ato si pjesë e sistemit të djeshëm, paragjykon subjektivisht edhe njeriun përkatës. Harrohet, ose interpretohet me ligësi fakti se në fund të fundit ato lloj funksionesh ishin thjeshtë vende pune, emërtesa që i shkonin sistemit komunist, siç ndodh me vende ose emërtesa të tjera sot apo nesër. Harrohet gjithashtu se, eksponentë kryesor të shumicës së partive të sotme në Shqipëri, janë shkolluar, përgatitur dhe dikush përkëdhelur në kontakt me ato emërtesa. Madje t’i kenë admiruar ata funksionarë ndër vite, siç ka ndodhur edhe me Syrjanë që flasim.
Historinë, nuk mund ta ndryshojmë dot. Ajo, veçse respektohet.
Ndërkohë, Syrja Dosti nuk kish bërë kërkesë diku për t'a vënë domosdo në njërën apo tjetrën detyrë (siç ndodh sot që “vetëkërkojnë karierë”), dhe as kish arsye t’i kundërshtonte ato kur i'a ngarkuan. Të merrje përgjegjesi në atë kohë, nuk ishte thjeshtë çështje financiare sikurse disa tani, por çështje principi, sedre dhe dinjiteti. Është hipokrizi ajo lloj sjellje e dikujt sot që medemek “nuk do ta pranonte një gjë të tillë”, dhe hiqet si “trim mbas beteje”. Syrjai, nuk tha më pas që “isha aksidentalisht” në këtë apo atë detyrë, siç bënë ca të tjerë për t’iu lëpirë qeverisjeve pasardhëse, e as pranoi t’i vinin “patkoj” për të gjetur “revanin” demokratik më pas. Ai, nuk e shfrytëzoi për qëllime të tilla as një “stërkëmbth” që deshën t’i vinin andej nga fundi ata që kish mbi krye. Sigurisht, ai nuk ishte pjesë e “të pa gdhëndurve” e të mos përshtatej me sistemin e ri. Syrja Dosti, pa punën e vet bazuar në tiparet njerëzore që e karakterizonin dhe në investimin personal që kish bërë ndër vite për t’u arsimuar e kualifikuar si qytetar i këtij vendi.
Nëse dikush, sot mund t'a përflasin jo si njeri por si ish funksionar i asaj kohe, është çështje e tij, por në mos ai, do të ishte një tjetër në ato funksione dhe gjithëkush nuk vlerësohet nga çfarë i ka rënë për pjesë në jetë, por si është sjellë me detyrën dhe si është treguar si njeri. Ndërkohë, askush nuk mund të çmohet i përsosur për atë që bën. Veçse, duke njohur zanafillën e tij, “startin” nga është nisur e ku “bitisi” ai në saj të zotësisë, vullnetit dhe përkushtimit të tij, është e pa mundur mos të të shtohet respekti për të. Sot, që Syrjai do të mbushte 75 vjeç dhe ka hyrë në vitin e 6-të së ndarjes nga jeta, dhe unë si një ndër miqtë e tij të hershëm që nuk jam ndodhur në atë rast, e ndjej për detyrim ndaj tij, bashkëshortes (Katjushës) dhe tri vajzave të vet, por dhe të gjithëkujt prej dashamirësve të Syrjait, t'a kujtoj me këtë publikim, i bindur se e meriton.
Syrja Dosti u lind në Zabërzan të Skraparit më 28 mars të vitit 1946. Nuk mjaftonte që u lind në një familje të varfër të atij fshati, por do të ishte edhe njëri prej 10 fëmijëvë të asaj familje, të cilët sa kohë që ishin të pa rritur, nuk mund të pretendoje lumturinë e përbashkët. Gjithëkush, e merr me mënd çdo të thoshte të administroje një familje me 12 persona, 10 prej të cilëve prisnin prej dy vetave: babait dhe nënës. Atij, nuk i mungonte as zgjuarësia dhe as dëshira për t’u arsimuar më tej siç ndodhte me vërsnikët e tij, por në atë kallaballëk të shtuar familjar, Syrjai ishte fëmija e dytë në radhë dhe më i madhi i djemve. Kjo rrethanë, i shtonte barrën e përgjegjësive familjare, edhe nëse “kurrizi” i tij nuk i mbante dot. Fundja, lipsej të mësohej me to, siç ndodhte me moshatarët e tij në fshat, apo si e donte tradita e vendit.
Kësisoj, si pa dashje u bë “krahu i djathtë” i të atit në jo pak vite, gjersa në fillim të vitit 1964, kur ai po mbushte 18 vjeç do të punësohej axhustator në një prej ndërmarrjeve të ndërtimt në Berat dhe të “dilte” për herë të parë nga shtëpia. Edhe me kaq, konsiderohej një ndihmë e çmuar për ta. Ishte fillimi i “fluturimit” të tij jashte mjedisit familjar për të arritur lartësi që as mund t’i shkonin ndër mënd. Mbas dy vitesh, ai do të ishte pjesë e Uzinës Mekanike të Poliçanit me të njëjtin zanat (axhustator), në frontin ku punohej për interesat e Mrojtjes së vendit dhe ku përgjegjësia teknike dhe morale, ishin mëse parësore. Pasioni për punën aty ku prodhoheshin istrumenta metal prerës dhe paisje të tjera teknologjike, e bëri Syrjanë shumë shpejt të dallueshëm mes të tjerëve. Dhe në ato 10 vite në atë Uzinë, në një periudhë disavjeçare u pa në detyrën e përgjegjësit të një reparti me dhjetra punëtorë. Gjatë atyre viteve, ai mori arsimin e mesëm mekanik pa shkëputje nga puna dhe po kështu kreu Shkollën e Lartë të Partisë me korespodencë. Sigurisht, që kishte krijuar edhe familjen e tij të vogël.
Në vitin 1977 kreu Kursin e Lartë një vjeçar të Filozofisë në Tiranë (i barasvlefshëm me kurset pasuniversitare të kohës ose “Masterat” e tanishëm), dhe në Korrik të atij viti, kur ishte vetëm 31 vjeç, emërohet në Grupin e Instruktorëve të K.Q. të Partisë, sektori më kryesor për punën në terren. Ishte një sprovë personale për të, ndërkohë që ai vinte aty direkt nga prodhimi, pa asnjë përvojë pune partiake. Mes 10-12 të tjerëve në atë sektor, Syrjai ishte i pangjashmi me dikë për këtë veçori. Qëndroi 10 vjet në atë detyrë, dhe dëshmoi pjekurinë e duhur në marëdhënie me njerëzit, dhe strukturat partiake në rrethet që mbulonte, duke u maturuar më tej si kuadër e si njeri. Aty skaliti shkathtësinë dhe aftësinë vendimmarrëse. Gjatë atyre vitëve, ai kreu me korespodencë Fakultetin Juridik pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, dhe dha provime suplementare për mbrojtjen e një desertacioni shkencor në sociologji.
Në tetor të vitit 1987, emërohet Sekretar i Parë i Partisë në rrethin e Sarandës. Një rreth jo dosido për nga rëndësia politike dhe ekonomike, duke qëndruar aty deri në maj të vitit 1991, kur strukturat Partiake të kohës për shkak të pluralizmit politik morën tjetër emërtim. Në një prej atyre viteve (nëntor 1989), ai fiton gradën që synonte: “Kandidat i Shkencave”, që katër vite më pas (qeshor 1993) u konvertua në “Doktor i Shkencave” në sociologji. Një arritje si rrallëkush tjetër në profilin e tij politik të asaj kohë. Pa asnjë mëdyshje, ishte i vetmi Sekretar i Parë në 36 rrethet e vendit, që ishte me gradë shkencore. Në ato vite, është vlerësuar edhe me Urdhërin “Naim Frashëri” Klasi i Dytë.
Në maj të vitit 1991, misioni i tij partiak, përfundoi njëherë e mirë. Prej asaj kohe deri në fund të vitit 1997, Syrjai do t’i përkushtohej detyrave si jurist në sektorë publikë në Tiranë, ndërkohë që 8 vite të tjera më pas ai do të ishte pjesë e Dhomës së Avokatisë së Kryeqytetit duke ushtruar detyrëne avokatit me liçencë. Zgjati kështu, deri në fund të vitin 2005, kur ai fitoi të drejtën e Llotarisë amerikane dhe bëhet pjesë e atij shteti familjarisht. I integruar plotësisht në atë vend, për shkak të një sëmundje të rëndë, ai më 5 shtator të vitit 2015 ndërroi jetë në Florida të SH.B.A-s, aty ku banonte. Ishte një fundjetë e parakohëshme, por ai mbetet nga ata djem të Skraparit që u shqua për këmbënguljen dhe vullnetin e pa epur për të ecur përpara vetëm përmes punës pasionante, kualifikimit arsimor dhe korrektesës si njeri, pa qënë as i përkëdhelur e as i ndihmuar e i favorizuar nga dikush.
Syrja Dosti, u bë dikushi në saj të cilësive të tij individuale dhe edukatës familjare, e justifikoi plotësisht shtresën e varfër nga rridhte,dhe prejardhjen si punëtor, që zor ti binte radha të ngjitej në ato lartësi prej një regjimi tjetër. Ai ishte njeri shoqëror që ruante respektin për miq e shokë të jetës dhe njëherazi një familjar, prind dhe bashkëshort shëmbullor. Në këtë 28 mars të këtij viti, ai do të mbushte 75 vjeç, por u largua shpejt nga kjo jetë, pa i mbushur 70, dhe mbeti krenari për familjen dhe farefisin e tij si dhe model edhe për ne miqtë e shokët që punuam sëtoku ndër vite. Mbeti një shembull për këdo që ecurinë dhe suksesin në jetë nuk e pret si “peshqesh” prej Zotit e prej të tjerëve, por e arrin vetëm përmes besimit tek vetvetja.
Një shkrim nga Gëzim Voda - Tiranë, mars 2021.
Një shkrim nga Gëzim Voda - Tiranë, mars 2021.