Një shkrim nga dr.sh.Dajlan Omeri
Ka qenë një vendim i Ministrisë së Mbrojtjes, që në majë të Tomorrit, në lartësinë 2379 m mbi nivelin e detit të ngrihej një repart ndërlidhje që do të qëndronte aty natë e ditë për të marrë dhe transmetuar sinjale radio të karakterit ushtarak. Pika ishte strategjike dhe mbulonte me valë marrëse dhe dhënëse gjithë territorin shqiptar, por kishte një vështirësi, pasi ishte do të jetohej në kushte jo normale njerëzore për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit, ku presioni atmosferik ishte i ulët, ku temperatura në dimër arrinte edhe deri në -50 gradë, ku shkarkimet atmosferike ishin gjëja më e zakonshme si në dimër dhe në verë, ku ushtari apo oficeri do të rrinte i izoluar edhe deri në 4-5 muaj, gjë që kërkonte rezerva ushqimore, dru zjarri, veshje speciale etj. Unë u emërova komandant i kësaj pike.
Drejt Tomorrit
Më njëzetepesë dhjetor të vitit 1961, dy makina transporti ushtarake, njëra e ngarkuar me materiale dhe tjetra me dhjetë ushtarë të vitit të dytë të shërbimit të detyrueshëm, mbërritën në qendrën e vogël të banuar. Bogovë. Të gjithë ishin efektivë të Regjimentit të Ndërlidhjes “Qemal Stafa” Tiranë. Në krye të kësaj kolone të vogël udhëtonin me një veturë pesëvendëshe, tre oficerë madhorë: major Asllan Lamaj, major Pavllo Dede dhe major Dane Korita. Të tre kishin qenë pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare dhe më vonë të shkolluar për specialitetin e ndërlidhjes në shkollat ushtarake. I pari në Jugosllavi, i dyti në Bashkimin Sovjetik, më saktë në Kiev të Ukrainës dhe i treti në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Unë me gradën toger përfaqësoja brezin e “gavetës” pasi kisha vetëm dy vjet që kisha mbaruar Shkollën e Bashkuar për ndërlidhje. Ndërsa unë me kapter Çelik Isufin, ishim tashmë efektivë të nënrepartit të ri dhe kishim në ngarkim dhe në përgjegjësi të gjitha materialet dhe organizimin e punës. Në Bogovë na prisnin rreth njëzet vetë nga zona përreth, ku secili kishte nga dy kafshë ngarkese më vete, kryesisht mushka. Në terminologjinë ushtarake këta quheshin “kafsharë” pasi kafshët ishin në pronësi të kooperativave bujqësore të fshatrave nga ishin mobilizuar. Ky organizim ishte bërë nga Dega Ushtarake e rrethit Skrapar dhe sigurisht me dijeninë e autoriteteve të partisë dhe të pushtetit në rreth transportimin e tyre.
Heshtja prekëse e Dervish Meleqit
Rreth orës dhjetë të ditës që u rrëzua Tyrbja në majë, unë zbrita në teqe i shoqëruar nga dy ushtarë. Zbritja ime kishte dy qëllime: e para doja të konstatoja reagimin e Dervish Meleqit dhe e dyta, na duhej të merrnim disa materiale që ishin në dhomën e përshtatur për depo. Dervish Meleqi më kishte parë që nga larg dhe po më priste te dera e teqesë. E prishët toger Dajlani, – më tha papritur që t’i jepja dorën siç e kishim zakon. Po, – i thashë, – e prishëm dhe nuk u habita që ai e kishte parë një gjë të tillë, sepse shqisën e të parit e kishte shumë më të zhvilluar nga ajo e të dëgjuarit. E ke prishur me urdhër nga lart apo urdhërove ti. Me urdhër nga lart dhe për interesa shumë të rëndësishme shtetërore, – i thashë. Po të jetë për këtë, Zoti është me të drejtën dhe me nevojat e vatanit, atëherë ty dhe ushtarëve që jetoni dhe punoni për herë të parë në historinë e këtij vendi, nuk do t’u gjejë gjë. I madhi Zot dhe i shenjti Abas Ali, do të jetë tërë kohës me ju. Këto ishin fjalët e para dhe të fundit të Dervish Meleqit. Sepse nuk më pyeti kurrë, se me se merreni ju atje në majë të malit, që sakrifikoni kaq shumë. Më tregonin fshatarët e Ujanikut, se teqeja u ka shpëtuar jetën, pasi i strehonte në çdo kohë udhëtarët së bashku dhe me kafshët kur i kishin. Atje haje, pije, ushqeje kafshën, flije dhe nuk paguaje asgjë. Nga kjo, mendoj, ka mbetur dhe fjala që “këtu nuk është teqe, që të mos paguash”.
Në majë, në duart e Zotit
Në majë të malit, në atë lartësi kishte shumë rreziqe, por u në po përmend vetëm një: Shkarkimet atmosferike. Fenomenet me të papritura dhe me shumë humbje jete. Për sa kohë që isha në Tomorr, ndodhën vetëm në bagëtitë që kullosnin, por edhe çobanët e tyre. Rasti më fatal ndodhi me dhentë e Vlushës, ku u vranë nga rrufeja mbi 200 kokë, të cilat mërzenin në hijen e një peme. Dy ditë më pas, pa kaluar as tridhjetë minuta dhe pa rënë as një pikë shi, sepse retë e zeza ishin akoma larg, dëgjuam një krismë të fuqishme të shoqëruar me një dritë verbuese. Një erë si barut i djegur, u përhap rreth e rrotull. Të gjithë ushtarët ishin shtrirë nëpër krevate dhe nuk preknin asgjë metalike, po ashtu dhe unë me Çelikun ashtu vepruam. Kur mbaroi stuhia, dola jashtë dhe shkova me të shpejtë te dhoma e ushtarëve. Për fat nuk kishin pësuar gjë. Vetëm Hysua që punonte në kuzhinë ishte djegur pak me vaj, sepse në atë kohë po skuqte qepën dhe i kishte rënë tigani nga dora. Kur dola nga dhoma e ushtarëve vura re se antena e fillit ishte zhdukur.
Edhe te ne, skorbuti, sëmundja e marinarëve
E kam thënë, nga përdorimi i një ushqimi të njëanshëm dhe i konservave, u shfaq skorbuti. U detyruam të ndryshonim strukturën e ushqimit. Propozova të bënim mish pastërmaje që rronte deri në gjashtë muaj. Komandanti i Regjimentit, kolonel Servet Xama, i cili ishte me orgjinë nga zona e Devollit dhe e njihte shumë mirë përdorimin e mishit të tymosur ose pastërmanë, ra menjëherë dakord. Po atë ditë, më thirri dhe më porositi që përgatitjen e mishit për dimër ta bënim me ndihmën e fshatarëve të Ujanikut.
Major Asllani urdhëroi kapiten Bajramin të bënte llogarinë në peshë të gjallë dhe t’i dërgonte shkresë organeve kompetente për të vepruar. Si përfundim, morëm nga Ndërmarrja e Grumbullimit në Çorovodë njëmbëdhjetë viça të gjallë dhe i përpunuam në teqenë e Kulmakut, ku i kishim kushtet dhe mundësitë e plota. Më këtë punë u mor Çeliku. Ai ishte i mësuar, sepse në shtëpinë e tij në Potom, bënin pastërma çdo vit.
Nga ana e njohurive shkencore dhe higjieniko-mercologjike përgjigjej ndihmësmjeku Thoma Grillo. Në zbatim të porosive të kolonel Servetit, mori pjesë dhe Xhaxha Laska nga Ujaniku. Të tre dhe me ndihmën e dervish Meleqit, përgatitën tetë kuintalë mish pastërma, të cilën e varën në tavanin e dhomës së madhe të teqesë. Një sasi të vogël e sollën sipër në repart dhe e varëm në depon e ushqimit. Kjo sipërmarrje, na doli për së mbari, ashtu siç e kishim parashikuar. Filluam të gatuanim dy herë në ditë mish me perime të konservuara dhe me fasule e oriz, makarona dhe më rrallë me patate. Problem kishim vetëm kripën. Thomai i kishte hedhur shumë kripë pastërmasë nga frika se mos prishej. Ai kishte të drejtë se kushtet e ruajtjes ishin të panjohura për të, ndërkohë që sasia ishte shumë e madhe. Në periudhën maj – tetor të 1963-it përdorëm mish të freskët qengji. Reparti u furnizua me një sasi të madhe qengjash, rreth gjashtëdhjetë krerë të cilët na zunë me punë dhe një ushtar.
Ja si me Petrit Dumen e prishëm tyrben e Çukës së Tomorrit
Kjo foto mban mbrapa shënimin 12 qershor 1962. Ajo është bërë në majë të Tomorrit, e quajtur Çuka “Partizani”, në kenotafin (varr pa eshtra), pikërisht aty ku rreth vitit 1600 një besimtar i ardhur Haxhi nga Persia kish ndërtuar një tyrbe (kenotaf) në këtë majë në shenjë përjetësimi të figurës së të madhit të fesë bektashiane Abaz Aliut, bëmat e të cilit i trajton aq imtësisht nga korifeu i letërsisë shqipe Naim Frashëri në librin e tij “Qerbelaja”. Duke treguar këtë fotografi, Dajlani kujton se ky është çasti kur Petrit Dumja thotë se pikërisht mbi këto themele do të ngrihet pika e repartit. Dhe drejtohet nga Mendu Backa, duke i thënë: “Lëvize gurin Mendu, apo ke frikë se mos të vret Abaz Aliu?”. Menduja fillimisht hezitoi të fliste e të lëvizte, dhe pastaj tha: ”Si urdhëron shoku Shef i Shtatmadhorisë. Unë nuk kam aspak frikë”. Natyrisht, unë nuk e lash Medunë, por mora një gur dhe e hodha në humnerë”, tregon pas më shumë se 50 vjetësh Dajlani.
“Mallkimi” i Abas Aliut, nuk na zienin fasulet!…
Të papriturat në majë filluan njëra pas tjetrës. Uji që e merrnim nga shkrirja e borës ishte e kuqe me rërë Saharaje dhe me krimba. E filtronim me lecka. Fasulet që në menynë e ushtrisë, me përjashtim të efektivit të nënujësave, gatuhen çdo ditë, nuk zienin. Për këtë gjendje u detyrova të raportoja në radio pa fraza të koduara. Pas një dite mora këtë përgjigje: Përdorni sodë bukë gjatë zierjes. Këtë recetë e ekzekutuam, por kjo u prishi shijen, sa që mezi i konsumonim. Shkaqet e këtij fenomeni i mësova kur isha student në Akademi në lëndën e fizikës: fasulet në Tomorr nuk zienin shpejt sepse temperatura e vlimit në lartësinë dy mijë metra ishte 98 gradë celsius dhe jo 100 gradë sa është normalisht në vendet e ulëta. Pra ne vuanim për një enë nën presion, pasi shkenca e kishte zbuluar me kohë këtë dukuri natyrore. Na ndodhi një fenomen tjetër nga ushqimi. Nga përdorimi i konservave te ushtarët u vu re sëmundja e marinarit, e skorbutit. Në këto kushte dimrin tjetër bëmë pastërma sipas traditës së Skraparit.
Gjeje sot një Zylfo Faqekuqi!?…
Disa materiale, kryesisht të ambalazhuara, si dhe sasinë më të madhe të benzinës për motorët e gjeneratorët e ngarkimit të akumulatorëve, ne nuk e merrnim të gjithë në majën e malit, por e linim poshtë në Bogovë te shtëpia e xha Zylfos. Ai në atë kohë, kishte dhomë e kuzhinë me një sipërfaqe rreth tridhjetë metra katrore. Zylfo Faqekuqi e thërrisnin të gjithë, pasi mbiemri i përkiste fshatit nga i cili ishte. Ai ishte shumë i njohur, jo vetëm nga fshatarët përreth, por dhe nga udhëtarët e rretheve të tjera që shkonin me punë ose shërbim në Çorovodë. Zylfon e njihnin dhe autoritetet e partisë dhe të pushtetit në rrethin e Skraparit, pasi vinin shpesh për të kontrolluar “cilësinë” e rakisë që nxirrte tekniku me përvojë. Pasuria më e mirë për punën që na bënte ishte ndonjë kuti mishi konserve ose dhe ndonjë arkë me kavanoza turshi që i linim sa herë që bënim furnizimin e Pikës. Më vonë meqenëse ne për gati dy vjet kishim kthyer shtëpinë e Zylfos në magazinë, Petrit Dumja me fonde të ushtrisë i bëri Zylfos një shtëpi të re me tjegulla, një dhomë të së cilës përsëri e shfrytëzonim ne.
Në Teqenë emërmirë të Kulmakut
Fillimet e punës në Pikën e Ritransmetimit u mbajtën sekret, si rrjedhojë dhe unë nuk njoftova asnjërin nga shokët dhe miqtë e rrethit tim familjar. Kjo “përpikmëri” arriti deri atje sa nuk njoftova as nënën, që në atë kohë jetonte dhe punonte në sektorin Kullë të Ndërmarrjes Bujqësore Sukth, së bashku me vëllezërit e mi më të vegjël. Nga rrethi im familjar të vërtetën e dinte vetëm daja im, Shyqyri Puna “zyrtare”në Pikën e Ritransmetimit Tomorr, filloi më datën 2 janar 1962. Ndërsa Vitin e Ri, e festuam pikërisht në kohën e duhur, më 31 dhjetor 1961. Ne së bashku me Dervish Meleqin, u mblodhëm në dhomën e miqve ose të mysafirëve, siç i thoshte i zoti i shtëpisë. Zjarri bubulak me dru ahu të prera që në behar, na detyroi të rrinim pa xhaketa rreth tij. Sa ishim rregulluar kështu, vjen sinjali në radio, e hapëm shpejt e shpejt dhe ia afrojmë kufjen dervishit te veshi Zhurmat e radiostacionit tip R-105, i tërhoqën vëmendjen, ato ishin aq të forta sa i ndjeu dhe po shikonte Asllanin që manovronte me dorezat dhe çelësat që ishin në pllakën e përparshme. Me thirrjen e parë, u përgjigj Tirana. Zëri i radistit dëgjohej në forcën maksimale me vlerësimin “pesë”. Pas tij, foli oficeri operativ i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë na njoftoi me shifër se pas pak minutash do të dalë në mikrofon gjeneral Petrit Dumja, që në atë kohë ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Nuk kaluan as pesë minuta dhe ai doli në mikrofon. Na përshëndeti dhe na uroi suksese. Në emrin e tij dhe të Ministrit të Mbrojtjes, na uroi gëzuar festën tradicionale të Vitit të Ri 1962 ne dhe dervishit.
Teqeja në bazë të një marrëveshje të Kryegjyshatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes u shfrytëzua si bazë ndërmjetëse për furnizimin e Pikës. Në teqe ishte Dervish Meleqi që na caktoi dhomat se ku do të rrinim ne, ku do të strehoheshin ushtarët dhe ku do të magazinonim materialet. Aty ishte një shesh me sipërfaqe rreth dymijë metra katrore. Të gjitha dhomat ishin me oxhak për ngrohje dhe me tavan e dysheme prej dërrase pishe, ose siç i thonë banorët e zonës, prej dhoge të vjetruar ndër vite. Dielli e shikonte në shtatëdhjetë për qind të ditës, pasi ishte në krahun verior të Tomorrit. – Foli me zë të lartë, – më tha major Dania, – pasi Dervishi është pak qibar nga veshët. Për një periudhë nëntë mujore që gatuanim bukën në teqe, bukën na e bëri dervishi. Ai nuk kurseu asgjë për të na ndihmuar, jo vetëm për fjetje dhe ushqim, por dhe me këshilla të domosdoshme për të jetuar në kushtet e një dimri të gjatë dhe të ftohtë, si dhe të një behari të freskët dhe të shkurtër. Teqeja e Kuknakut ishte ndërtuar në fillim të vitit 1800, datën e saktë nuk munda ta mësoja, kurse tyrbja e Abas Aliut ishte ndërtuar në vitin 1916, por dhe kjo e dhënë nuk është e sigurt. Ndërsa Dervish Meleqi kishte mbi tridhjetë vjet që punonte dhe jetonte këtu. Bukën e gatuante si zakonisht në magje druri, brumin e zinte me majanë të lënë nga gatesa e parë. Nuk përdori asnjëherë majanë që kishim ne. Brumi vinte në kohë, pasi magjeja ishte afër furrës. Aty kishte dhe ujë të rrjedhshëm me tubacion të zinguara, që favorizonte mbajtjen e një higjiene të domosdoshme. Nga administratorët e teqesë, neve na u dha një dhomë për të mbajtur materialet rezervë, kryesisht ushqime të konservuara, miellin dhe disa rroba fjetje, të cilat na shërbenin për periudhën e dimrit.
Kush është Dajlan Omeri
Dr. shk. Dajlan Omeri është një ndër personalitetet tanë shkencor më të mirë në fushën e ndërlidhjes. Ai ka shërbyer një jetë të tërë në ushtri dhe është liruar prej saj me gradën kolonel në vitin 1992, ndërsa mban prej vitit 1993 gradën e doktorit të shkencave. Është autor i dy studimeve shkencore aplikative në fushën e ndërlidhjes, shef i administrimit të frekuencave dhe sekretar i komisionit shtetëror të radio-komunikimit, anëtar i Këshillit Shkencor të Akademisë Ushtarake, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Radioamatorëve. Ai është pjesëmarrës si përfaqësues i Shqipërisë në 8 konferenca e seminare ndërkombëtare për radion, frekuencat dhe radioamatorët në Dyseldorf, Athinë, Tokio,Gjenevë, Izrael, San Marino. Në dhjetor 1961 ai ishte oficeri i parë që drejtoi për herë të parë në historinë e ushtrisë shqiptare veprimtarinë e pikës së ritransmetimit në majën e Malit të Tomorrit, në lartësinë 2460 m mbi nivelin e detit, ku punoi tre vjet (800 ditë), të cilat ai ka përshkruar në librin e tij “Tetëqind ditë në majë të Tomorrit”.