Eqrem Bej Vlora - Tetor 1906 "...në majën e Tomorrit, drejt të shenjtit Abaz Aliu" **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Eqrem Bej Vlora - Tetor 1906 "...në majën e Tomorrit, drejt të shenjtit Abaz Aliu"

Fatjon Kaloci
16.8.21


Eqerem bej Vlora në vitin 1906 erdhi në Berat dhe prej këtej shkoi në Kapinovë, më pas në malin e Tomorrit e më tej dhe kthim.  Mbas 7 orë udhëtimi shpërblehet me bukurinë e rrallë të natyrës, me përrenj që gurgullojnë, gjelbërim të gjithëvitshëm dhe zogj që këndojnë, por mirëseardhjen ia japin njerëzit që ndryshonin nga ata që la më poshtë, më të shëndetshëm, më të gjatë, 1.80 m, flokë të verdhë, sy të çelët dhe me zhdërvjelltësi të çuditshme.

Në Kapinovë e priti Shefit bej Kapinova (Salillari), njeri i pasur dhe bujar. Shtëpia e tij ishte tipike e kohës, dykatëshe, e ndërtuar me gurë të mëdhenj të palatuar, me dritare tip frëngjie, me shkallë druri, me qilima dhe postiqe. I dorëzoi të zotit të shtëpisë armët dhe, siç thotë beu i nderuar, kjo tregonte se ata tani ishin anëtarë të kësaj familje, e cila përgjigjej për çdo gjë në territorin e tij.

Mbasi u përshëndet, doli në një pikë, për të parë fshatin, fshatrat, Beratin dhe  perëndimin e diellit. Kapinova në këto vite kishte mbi  60 shtëpi me 800 banorë. Dikur ka qenë selia e një Mydiri dhe quhej Nahija e Kapinovës. Bekimi i fshatit qenë burimet ujë argjendi, arat, tarracat të  ndërtuara në shekuj me durim të admirueshëm, që mbillen misër dhe grurë. Nga pllaja duket në horizont Myzeqeja dhe  në shpat kullosnin bagëtia, kryesisht dhen e dhi.

Pas kësaj, kur gjeti momentin e duhur Eqerem beu shkroi në bllokun e shënimeve:

“Pasi kthehemi nga shëtitja në shtëpi, ja shtrojnë darkës me mish në hell dhe me raki, në odën tjetër po të njëjtën gjë bëjnë dhe njerëzit që më shoqërojnë, të cilët kishin ardhur në qejf dhe po këndonin duke e zgjidhur gjuhën për t’u dukur kush më i mirë se fqinji. Ajo që më gëzoi më shumë, qe pastërtia dhe gatimi për merak i pilafit, ëmbëlsirave, shto dhe fruta pa mbarim të prodhuara në vend. Aty bëmë planin për t’u ngjitur në  majën e Tomorrit drejt të shenjtit Abaz Aliu. Si udhërrëfyes na prini i zoti i shtëpisë me njerëzit e tij, krahas atyre që më shoqëronin mua. U zgjova të nesërmen më 8 tetor 1906. Fati ishte me ne se moti u hap, dielli shpërndahu retë dhe ne s’ngopeshim me mrekullitë e rralla të natyrës poshtë këmbëve tona, me Bargullasin, Novajn, Sirakën, lumin e Beratit, majat e maleve të Skraparit e deri në zonat e Tepelenës."