Maj 1948 - Përurohet rruga automobilistike Berat - Çorovodë - Historiku i ndërtimit të saj **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Maj 1948 - Përurohet rruga automobilistike Berat - Çorovodë - Historiku i ndërtimit të saj

Fatjon Kaloci
23.5.23


Në almanakun lokal të Skraparit Corovodaonline ndalet sot, tek data 1 Maj 1948. Pikërisht në këtë datë u bë përurimi i rrugës automobilistike Berat - Skrapar. Punimet e para për ndërtimin e kësaj rruge në të vërtetë datojnë që nga viti 1923 por zhvillimet e ndryshme në vend e ndërprisnin këtë proces. Në vitin 1923 hapja e trasesë nisi si punë me detyrim ku vetëm veprat e artit do të përballoheshin nga shteti. Në statistika në vitin 1923 punuan 2987 detyrues. Në vitin 1924 punuan 3115 detyrues. Në vitin 1925 punuan 3197 detyrues dhe në vitin 1926 punuan 3206 detyrues. Puna me detyrim uli ritmet e ndërtimit. Gjatë regjimit të Zogut deri në 1939 u bënë vetëm 5 kilometra rrugë nga Berati deri në vendin e quajtur Çezma e thatë. Gjatë pushtimit italian u ndërtuan vetëm 12 kilometra deri në Vërtop. Më pas punimet u ndërprenë. 

Në Shqipërinë e pasçlirimit punimet nisën në fillim të vitit 1946 dhe Komandant i Shtabit të këtij aksioni u caktua Riza Kuçi. Aksioni ishte i vështirë. I pozicionuar në një zonë të thellë malore, Skrapari nuk kishte komunikacion e nuk lidhej me asnjë qytet apo krahinë tjetër të Shqipërisë (përmes rrugëve automobilistike). Për të shkuar në Berat apo në Korçë, kryesisht për tregëti, banori i Skraparit bënte nga 12 deri 16 orë në këmbë. 

Varfëria e madhe mes popullatës ishte një tjetër faktor që dominoi në vitet e para të pasçlirimit. Për të luftuar këtë të fundit pra varfërinë, Komiteti Ekzekutiv i Skraparit i drejtuar nga Muhamet Zhabani mori një vendim që cilido nga fshatarët e varfër të zonës që do merrte pjesë në ndërtimin e rrugës Berat - Skrapar do të merrte 5-kilogram bereqet në ditë. Rruga ishte e gjatë afro 49 kilometra. 

Për të hapur këtë rrugë u krijuan një numër i madh brigadash dhe forcash vullnetare kryesisht e më së shumti, u përfshinë në këtë aksion banorë të zonave qëndër, Potomit, Çepanit, Therepelit dhe Tomorricës. Puna për hapjen e rrugës ishte me turne që zgjasinin deri në 10 ditë. Përgjatë rrugës u ndërtuan afro 30 vepra (ura të vogla). Deri në fund të vitit 1947 rruga ishte hapur deri në gjatësinë 37 kilometra. Në fillim të vitit 1948 këto aksione u mbështetën edhe nga ushtria konkretisht ushtarë të repartit ushtarak të xhenjos Reparti me nr.980. Forca të xhenjos mundësuan hapjen e 12 kilometrave të tjerë nga Kakruka deri në Çorovodë.

Ndërhyrja e tyre ishte e domosdoshme sidomos për vështirësitë që haste rruga në vendin e quajtur si Rripa e Strorës.  Në 1 Maj 1948 përfundoi tërësisht rruga Berat – Çorovodë. Në këtë datë sipas të dhënave të Çorovodaonline disponon, në ceremoninë e inaugurimit kishte më shumë 5.000 pjesëmarrës të moshave të ndryshme. Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë Kahreman Ylli si dhe Ministri i Botores inxhinier Spiro Koleka. 

©Fatjon Kaloçi