Historia: Dosja D.D. Gruaja tregon izolimin në Skraparin e para 90' Intervista (Pjesa e parë) **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Historia: Dosja D.D. Gruaja tregon izolimin në Skraparin e para 90' Intervista (Pjesa e parë)

Fatjon Kaloci
1.12.15
Një tabloid shqipëtar mapo.al postoi më herët një intervistë të një gruaje me peripecitë e kohës dhe periudhën e internimit në Skrapar. Me kortezi nga Mapo.al publikojmë më poshtë një fragment intervistimi të konceptuar në dy pjesë, këtë herë me pjesën e parë në brendësi të intervistës bërë në portalin në fjalë.
Zj.D, a mund të na flisni pak për jetën tuaj?
Kam lindur në Vlorë, në 1933 në janar. Nga familje e babait i përkas një shtrese të mesme. Babai ka pasur dy vëllezër. Njëri ka studiuar në Itali, më i vogli, ky i martuar dhe i pamartuari, vazhdoi studimet, dhe kur u kthye në vend  u bë kryetar i Ballit Kombëtar për qarkun e Vlorës, Qenan Hyska. Në ’44 u arratis drejt Italisë se ishte Lufta edhe kishte rrezik. Me Vasil Andonin kanë qënë bashkë në një godinë fjetje, ku punonte akoma për kombin. Atje ka vdekur dhe ne nuk i dimë as varrin ku është.
Ku e keni kaluar pjesën më të madhe të jetës suaj?
Unë kam mbaruar shkollën tetëvjeçare në Vlorë. Po në Vlorë, në lagjen nr.1 prapa te banka kishim shtëpinë, karshi shtëpisë së Eqerem Beut. Por nuk vajti pak kohë, më përjashtuan nga shkolla.
Në çfarë viti je përjashtuar nga shkolla?
Nuk e mbaj mend. Më hoqën nga shkolla e në atë kohë e më pas na larguan edhe nga shtëpia.
A mund të na tregoni kur nisi koha e persekutimit tuaj?
Para se të ikte xhaxhai drejt Italisë, në këtë kohë pothuaj. Në ’44-ën, e në mes të ’45-ës. D.m.th në mbarim të luftës së dytë xhaxhai si kryetar i Ballit Kombëtar për Vlorën arratiset. Arratiset me dy djem të mikut të tij, Hasan Velça nga Velça i Vlorës dhe një tjetër që nuk më kujtohet emri. Të dy vëllezërit u detyruan të arratiseshin pasi emri i tyre u vu në listë për t’u ekzekutuar. Ata dy djemtë ikën në Amerikë që dhe sot janë gjallë kurse xhaxhai qëndroi në Napoli të Italisë duke punuar.
Pas kësaj situate në na erdhën duke na marrë dyqanin. Ne ishim 7 fëmijë edhe dy hallat tona beqare në familjen tonë që bëheshim gati 10 veta kishim një dyqan ku babai bënte tregti në Itali, në Bari. Ai sillte mallra që furnizonte gjithë qarkun edhe Vlorën. Ja hoqën kasafortën dyqanit edhe me shumë kërcënim na hoqën edhe nga shtëpia. Dikush na futi në ca baraka. Babai im shkoi në Tiranë për këtë situatë një mikun tonë, ai na kishte ndihmuar kur erdhi prapë babai sepse ishim të afërt me Kadri Hazbiun dhe Rrapo Dervishit, nënat e tyre ishin motrat e babait. Ishte kjo krushqi prej 100 vjetësh që e detyroi mikun tonë të vinte nga Tirana për të na “ndihmuar”. Por ai na vuri përballë ballafaqimit se ishte koha e luftës së klasave.
Ata zgjodhën rrugën e tyre edhe mbanin qëndrim shpërfillës karshi babait.
“Nuk të ndihmoj dot”, tha ai. Ata na këshilluan që të linim Vlorën, pasi njiheshim si tregtar dhe na tha të merrnim rrugën për në Tiranë, për të punuar në ndërmarrjen “Rruga ura”, ku ishte drejtor vëllai i tij, Hasan Hazbiu.
Edhe erdhëm u futëm në ato barakat ku kishte me qindra punëtorë. Edhe bashkëshorti im qëlloi nga një familje kulaku. Por kjo krushqi u kundërshtua shumë në familje. Kur u bë martesa ime ngrihet halla më vjen në shtëpi dhe thotë: “nuk ka faj” (për djalin), se ti shiko ku vajte, do katandisesh keq po u bë kjo krushqi? Megjithatë babai e kish vendosur. Pas kësaj martese u transferuam në Fier.
Në Fier mbetëm pa strehë pa gjë. Im shoq detyrohet të shkojë në Komitetin Ekzekutiv për të kërkuar një truall për të ndërtuar shtëpinë. Sepse atëherë jepej tokë me këste nga rroga për të bërë një banesë sepse po jetonim nën çarçaf pa fëmijë, pa gjë. Në ’66 bëmë një banesën tonë duke mos prerë marrëdhënie nga puna asnjëherë. Kemi punuar ditë e natë, për të bërë atë banesë. Dhe në fund na doli vërtetë shumë komode. Por nuk shkoi gjatë dhe na vjen një urdhër nga Komiteti Ekzekutiv, në atë kohë në ’66 emërohet sekretar për Fierin, Petraq Magjistari.
E shoqja e tij trokiti në derën tonë, si sot e mbaj mend, një bionde e gjatë, që shëtiste me veturë, e cila po kërkonte një vilë për të jetuar.
Dhe pikasi shtëpinë tonë. Atëherë në orën 12 të natës vijnë me makinë të dërguarit nga Komiteti dhe na thonë se duhej të iknim nga ajo shtëpi pasi do t’i kalonte sekretarit të parë. Habia jonë ishte e madhe, saqë pyetëm se ku do të shkonim?! Por ata na u përgjigjën se kishim qëndruar shumë gjatë në atë vend, duke na dhënë urdhër me ton të rreptë se në fshat e kishim vendin, andej nga ishte im shoq. Unë kisha dhe vjehrrin në shtëpi, ndërkohë që isha shtatzënë me fëmijën e katërt. Më 15 gusht të ’66 në 12 të natës kur vjen makina me urdhrin e dyndjes. U ankova se përse po më internonin, u tregova se shtëpinë e kisha ndërtuar me paratë e mia, me forcat e mia. Ku kishim ngushtuar kafshatën e gojës për të nxjerrë lekët për llaç e tulla për shtëpinë.
Në atë kohë një nga aktivistët e Partisë, Faik Ahmeti jep urdhër suprem: “T’i hiqni”. Ishte një situatë shumë e rëndë. Bajrami refuzoi, por më pas e lidhën si thes qymyri dhe e hodhën në makinë me gjithë tre fëmijët.
Unë mbeta me mamin, në një gjendje të rëndë shëndetësore pasi ishte në ditët për të lindur. I plotfuqishmi i lagjes, dhe Kristina Bakalli kryetarja e frontit, thotë plot cinizëm se ankesat e mia ishin “makinacionet e kulakëve e njerëzve të padëshiruar”, duke urdhëruar; “hidheni në makinë gruan”. Duke marrë në makinë një mami një vajzë të re nga këto kursantet me një legen e një gërshërë më hodhën në makinë për të më çuar atje ku ishte edhe burri. Unë s’e dija ku ishte fare pasi kaluan mbi  4-5 ditë. Më pas më çuan deri në Bogovë të Skraparit. Për të vajtur deri në Çorovodë të më çonin në degë e quanin bezdi. Kështu që më lanë në mes të rrugës, ku njoftuan Degën e Brendshme për të thirrur familjen time për të më marrë. Sa ndalën makinën me hodhën në anë të një ledhi, e kam parasysh si tani. Makina as 10 metra larg, kur unë linda. Një grua kishte mjetet e punës së arës, e cila erdhi me vrap, këputi rripin e futës dhe i lidh kërthizën fëmijës së sapolindur e me një thikë ia preu. Ajo më priti fëmijën tim duke më inkurajuar edhe mua pas gjithë asaj gjendje që shkonte me jetë a vdekje. Ajo plaka më tha se linda një fëmijë si lule mimoza, dhe ai emër i mbeti vajzës. Jam interesuar që ta gjej personin që më dha këtë ndihmë, ajo ka mbetur enigmë në jetën time.
Lajmëruan degën me nja dy kafshë të kooperativës e më çuan në rrëzë të Tomorrit. Atje pa strehë, pa gjë.
Shtëpinë tonë ekzistuese ne, e kishim në Skrapar, tek vjehrra. Por as atje nuk arritën të na futnin brenda sepse i kishte bërë kooperativa zyra dhe poshtë për mbajtur bereqet.
Na lanë larg fshatit për të mos e infektuar. Një burrë plak me mbiemrin Jaselimi, na liron kasollen e tij ku kishte strehuar një kafshë, na jep një qilim dhe thotë: “futu ti Barjam me fëmijët”. U strehuam aty, pa bukë, pa ujë me fëmijët në krahë. Me dhanë urdhër që të dilja në kooperativë për të punuar së bashku me fëmijët e vegjël, edhe pse kisha sapo të lindurën, dhe shtëpinë e kisha në një bregore ku mund të binin fëmijët dhe mos ti gjeja më. E refuzova. Nuk më jepnin bukë. Në këtë kohë nga shtatori, tetori pas lindjes, e kisha 2-muajshe çupën, Kapllan Dyrmishi, vëllai i Zef Dyrmishit, nga Koprëncka, shumë të lidhur me Partinë, po dhe njerëz të mirë, na thotë: “ne kemi nevojë për specialistë”. Do të ndërtonin gjimnazin dhe varret e dëshmorëve.
Ishte gëzim i madh për ne, një fitore, e kërkojnë Barjamin në ndërtim në Çorovodë.
Ai na sillte bukë misri që fëmijët i hanin me vaj ose sheqer, pasi ne nuk mund të ndiznim dot asnjë gjë, nuk mund të gatuanim me tenxhere. Kasollja me bar kishte rrezik, ndërsa bukën e mbanim varur në një trastë pëlhure. Kaloi një kohë e gjatë kështu. Ngaqë Bajrami punonte shumë, dhe pas mjaft ndërhyrjeve dhe kërkesave për situatën ku ishim iu aprovua e drejta për të jetuar në Çorovodë.
Erdhëm në Çorovodë pa ndihmën e strehës së shtetit. Në anë të lumit ishte një barakë me dhoga e mbërthyer për të mbyllur veglat për punëtorët. Ajo ishte si 15-katëshi për ne, nga gjendja ku ishim. Nuk kaluan 5-6 muaj vjen e vërshon lumi si andej që janë raste të papara edhe na vë përpara atë jorganin që na mbeti, e ku di unë. Ne vrapuam e dolëm për të shpëtuar. Sërish kërkuam truall përmbi urën e Sharovës, që atë se merrte njeri se ishte mbi 10 metro si bregore edhe një vend shkëmb që nuk futej njeri aty. Duke e parë si të lënë pas dore ai, bregorja te ura e Sharovës që rrezik 1 metro në fund të lumit më pyetën se çfarë do bënim atje të na shëmtosh vendin? Ku bëhet gjë atje? Ashtu e menduan. Unë do bëj një gjë të bukur – thotë Barjami, t’jua ndërtoj, t’ju zbukuroj qytetin, jo gjë të keqe. Ja dhanë atë truall. Bëri zbarkimin me metro kub dhe, dhe i hidhte në lumë. Aty dolën edhe gurët e shtëpisë. E ndërtoi atë shtëpi shumë të bukur. Sa shkonin atje udhëtarë e delegacione që vinin, shëtisnin me Kareman Yllin e me Teki Malindin dhe thoshin sa shtëpi e bukur. “E ka bërë një kulak”, ishte përgjigja. “Ai i ka duart të arta, – thoshte Teki Malindi, – por sistemi e lufton”.
Duke bërë shtëpinë luteshim në komunale për të marrë një karro me kalë për rërë.
Por në asnjë mënyrë nuk na afrohej ndihma nga dega. Mbasi mbaruam shtëpinë, fëmijët shkuan në shkollë. Vajza që më ka lindur në rrugë sot është në Itali, dhe nga punëtore krahu sot ka një firmë ndërtimi, e cila është tepër e aftë.
Pra, është vajza që të lindi në rrugë?!
Iku nga ambasadat në Itali. Atje punonte punëtore tek një inxhinier ndërtimi shumë i kualifikuar. Duke punuar, ky duke e parë vajzë shumë të sinqertë dhe të mirë e mori në zyrë si sekretare edhe i dha dijen e tij edhe kjo mori zanatin. Sot vajza ka një agjenci që merr troje në komunë edhe bën ndërtesa. Edhe vajza tjetër është në Itali, dhe ajo me ambasadat ka ikur, por qysh atëherë nuk ka ardhur në shtëpi të na shohë sepse ruan akoma tmerrin e komunizmit ku na hidhnin plaçkat e na degdisnin. Për kohën që vajta në burg çupën e lashë 12 vjeçe, kjo i mbante 5 fëmijët e tjerë, kjo ishte e madhja, Miranda 12 vjeçe, i mbante.
Pse e arrestuan Barjamin?
Unë, kur e arrestuan Barjamin dola në fermë bujqësore, po dhe s’dija, edhe nuk e kisha njohurinë, po kisha keqardhje. Bëmë këtë shtëpinë, ambicia më e madhe, vjen një gazetar në Skrapar, Besnik Fusha, reporter, vjen për të parë. Sheh shkollën që ishte ndërtuar në Skrapar shikon gjithashtu edhe varrezat e dëshmorëve. Shkon në shkollë për të bërë shkrimin për shkollën, ku sigurisht pyeti për më të talentuarit, duke iu kërkuar fëmijëve për të bërë sipas tabelës një mesazh për Çorovodën. Vajza jonë ishte më e dalluari, por nuk guxonte kush ta nxirrte në tabelë, ai shkroi mesazhin më të mirë. Mësuesja i tregoi shtëpinë tonë që gazetari të vinte për të pyetur më tej, por duke i vënë në dukje që gazetari të mos tregonte se kush ia dha informacionin. I trembur vjen në shtëpi gazetari edhe më thotë: ku të mëson fëmija? Ai fotografon verandën dhe e nxjerr tek revista “Pionieri”. Por kjo nuk zgjati shumë sepse në shkollë u bë nami pse kishin nxjerrë fotografinë e fëmijës së persekutuar si më të mirë. U zhduk. Isha interesuar për të marrë një revistë por ajo nuk ekzistoi më. Tani, me rastin e demokracisë kam shkuar në bibliotekë dhe e kam gjetur revistën, dhe ia kam bërë dhuratë vajzës, Mirandës. Në ’73 nga ambicia e shtëpisë, më arrestojnë, duke më thënë se kemi radio-transmetues. Nuk e njihja. Emrin ia kisha dëgjuar nëpër lexime pa jo për të parë reklamën në asnjë mënyrë, nëpër libra që kam lexuar që ka dhe radio të kësaj natyre siç është dhe sot celulari jonë. Unë nuk e njihja. Na dyndi kontrolli i Degës nga të katër anët, na shqepi gjithë shtëpinë. Nuk ekzistonte ndonjë gjë e tillë, më mbajti 6 muaj në izolim në Degën e Brendshme të Skraparit, ku më ngrinin natën edhe ditën, më thoshin: trego!
E mbani mend datën e arrestimit?
22 dhjetor i ’73.
Ku të arrestuan?
Në shtëpi më morën.
Në shtëpi?
Në shtëpi.
Si erdhën?
Më hoqën fëmijën nga gjoksi, edhe më erdhën në shtëpi. Më thanë: të kërkon kryetari i degës. Vajta në këmbë. Aty afër e kishim me shtëpinë. Vajta në degë edhe më tha: D. ti ke 6 fëmijë, të voglën në gji, edhe duhet të na ndihmosh, tha, që ta vesh tek fëmija, në të kundërt e ke gjendjen shumë të implikuar. Më vonë hyra në një restorant si ndihmëse, por do t’u mësoja dhe të tjerave për zanatin. Por edhe këtu më bënë presion: e di kush je, edhe ku ke qenë se je një ulkonjë.. Vijnë më bëjnë inventar, në lokal kur më gjejnë edhe nja 7-8 mijë tepër. Ka qenë edhe Blerim Çela në atë kohë që, e njoh shumë mirë dhe më njeh shumë mirë, ma di historinë, (ministri i Arsimit) si dublant atje edhe më thotë: “Ky është sabotim”.
Për këtë më mbajtën 6 muaj në izolim. Për çdo darkë më merrnin në pyetje. Pse vajte p.sh. tek këta Kapllanët e Vërzhezhës? Burri ishte nip atje, Muharrem Kapllani. Më pyesnin se çfarë bisedonim…etj.
Kur shkove në Degë të Brendshme, të ndaloi kryetari, të çuan në izolim?
Po më izoluan.
A mund të na thuash, të lutem, a flisnit në atë kohë për pakënaqësitë që ju shkaktonte sistemi?
Im shoq punonte çdo ditë të javës sepse duheshin ushqyer gjashtë fëmijë. Ishte shumë kohë e vështirë për t’u shprehur. Në çdo situatë gjendeshe e rrethuar nga provokacione. Edhe një natë të shkoje tek nëna jote që mund të ishte e vdekur duhej të ktheheshe në shtëpi. Pas katër pesë muajsh më sollën në shtëpi një provokuese nga Berati me emrin Sanijee, nuk e njihja. Ajo më thotë se e kishte pasur hallin të njëjtë me mua, dhe unë i tregova se kisha nja dy muaj që isha rehatuar. Ndërkohë që ajo më thotë se e kishin dënuar. Më pas ajo më tha të tregoja çfarë kisha. Unë iu përgjigja se nuk kisha çfarë t’i tregoja. Ndjeva që ishte provokuese por dhe s’kisha rezerva. Kaloi kjo, kur më pas shkova në procesin e akuzës, në Degë të Brendshme. Ajo e dërgoi bisedën time në prokurori dhe…
-fund pjesa e parë -
© Corovoda Online/ Shkrimi Kortezi Mapo.al / V.Murati / Imazhi i përdorur me karakter ilustrativ nuk ka lidhje me kontekstin